Shërbimet psikologjike si mekanizëm për uljen e dhunës në shkollat e Kosovës

06 prill 2022 14:53

Dhuna e të gjitha formave, huliganizmi, ngacmimet mes nxënësve, sulmet ndaj mësimdhënësve, përdorimi i armëve e mjeteve të tjera, si dhe dëmet që shkaktohen në mjediset edukativo-arsimore, vazhdojnë të jenë problem shqetësues nëpër shkollat e Kosovës. Kjo situatë është shumë shqetësuese, jo vetëm për nxënësit dhe prindërit, por edhe për institucionet relevante, mësimdhënësit dhe për shoqërinë në tërësi.

Siguria në shkollat e Kosovës është temë që është trajtuar edhe në të kaluarën. Kjo ka ndodhur sidomos në rastet kur, për fat të keq, jemi ballafaquar me dhunë apo incidente brenda dhe jashtë objekteve shkollore. Përkundër kësaj, asnjëherë nuk janë përcaktuar qartë faktorët esencialë të sjelljes së dhunshme të nxënësve në Kosovë dhe as nuk janë definuar si duhet mekanizmat e domosdoshëm të sigurisë nëpër ambientet shkollore. 

Nga të dhënat zyrtare, vitet e fundit vërehet një rritje e konsiderueshme të rasteve të dhunës nëpër shkolla. Në këtë kontekst, bazuar në evidencat e Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2020 janë raportuar 221 raste të incidenteve të shkaktuara nëpër shkolla dhe përreth tyre. Kurse, vetëm një vit më pas ky numër gati është dyfishuar duke arritur në 413 raste. Për më tepër, në dy muajt e parë të këtij viti (2022) janë raportuar 95 raste të incidenteve në shkollat e Kosovës. Në mesin e këtyre rasteve është edhe një nxënës 14-vjeçar, i cili fatkeqësisht u vra muajin e kaluar në Prishtinë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga therja me thikë nga një nxënës tjetër i moshës 15-vjeçare. Sipas raportimeve, akoma nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje.

Sikur kjo të mos mjaftonte, vlerësohet se ekziston një tendencë nga ana e menaxhmentit të shkollave që një pjesë e madhe e rasteve të dhunës të mos raportohen. Një zhvillim të tillë ditë më parë e konfirmoi edhe vetë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila gjatë një raportimi në Kuvendin e Kosovës nënvizoi se “raportimi i rasteve të dhunës ende nuk është në nivelin e duhur dhe se ekziston një tendencë që raste të tilla të fshihen”.

Duhet kuptuar se fshehja dhe heshtja e një problemi nuk e zgjidh atë. Përkundrazi, rastet e dhunës të paraportuara mbesin të paadresuara dhe, si rezultat, të pazgjidhura. Një gjë e tillë krijon tension të vazhdueshëm te nxënësit. Kur ky presion akumulohet, problemet shtresëzohen deri në një pikë vlimi që mund të shpërthejë në dhunë me pasoja fatale për nxënësit.    

Nuk do mend se një nivel i tillë i dhunës është mjaft shqetësues. Nëse institucionet merren vetëm me evidentimin e këtyre rasteve apo, edhe më keq, me fshehjen e tyre, kjo lloj sjelljeje agresive vetëm sa do shpeshtohet dhe përkeqësohet. Andaj, është jetike që së pari të identifikohen shkaqet e kësaj sjelljeje, në mënyrë që ekspertët dhe institucionet e specializuara të mund të ndërhynë si duhet për të krijuar një ambient më të sigurt për të gjithë.

Në këtë kontekst, studimet e shumta në fushën e psikologjisë kanë evidentuar disa faktorë potencialë të sjelljes agresive dhe dhunës së fëmijëve dhe adoleshentëve. Këta faktorë janë disa llojesh dhe në të shumtën e rasteve lidhen me karakteristikat individuale të nxënësve, familjet e tyre, ndikimi nga shkolla si dhe ndikimet e tjera shoqërore. Faktorët individualë kanë të bëjnë më nivelin e njohurive, qëndrimeve dhe perceptimeve që nxënësit kanë për dhunën. Individët që kanë qenë të ekspozuar kundrejt formave të ndryshme të dhunës, që kanë qenë viktima eventuale të dhunës në familje, apo që janë përdorues të substancave narkotike, kanë tendencë të kenë sjellje më të dhunshme, sidomos kundrejt bashkëmoshatarëve të tyre.

Tutje, faktorët që mund të rrjedhin nga familja përfshijnë mungesën e dashurisë dhe kujdesit prindëror, përvojat me dhunën në ambientet familjare, ndëshkimin fizik dhe keqtrajtimin sistematik të fëmijëve. Duke qenë të vetëdijshëm për rolin jetik që kanë familja dhe ambienti i përgjithshëm familjar, konsiderohet se efektet e këtij institucioni të rëndësishëm social janë kruciale në sjelljen e fëmijëve dhe të rinjve në ambiente të tjera shoqërore.

Faktorët e fundit, por jo më pak të rëndësishëm, janë faktorët shoqërorë, të cilët përfshijnë: pabarazinë socio-ekonomike, ndryshimet e shpejta ekonomike e sociale, ndikimet e mjeteve të informimit publik, normat shoqërore që përkrahin sjellje të dhunshme, qasja e lehtë në lloje të ndryshme të armëve, etj. Këta faktorë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e dhunës në mesin e nxënësve në shkolla. Kështu, problemet e shumta të fëmijëve dhe të adoleshentëve shpesh marrin përmasa shqetësuese për shkak të injorimit dhe mungesës se ndihmës ose mbrojtjes joadekuate në familje, në shkollë apo mjedis më të gjerë.

Shkollat e sigurta promovojnë mbrojtjen e të gjithë nxënësve nga dhuna, ekspozimin ndaj armëve dhe kërcënimeve, vjedhjeve, bulizmit dhe formave të tjera të dhunës, shitjen ose përdorimin e substancave narkotike në mjediset e shkollës etj. Siguria e shkollës është e lidhur edhe me përmirësimin e rezultateve mësimore të nxënësve. Në veçanti, siguria emocionale dhe fizike lidhen ngushtësisht me performancën akademike. Nxënësit që janë viktima të ngacmimit fizik apo emocional, ose që janë të përfshirë në shitjen ose përdorimin e substancave të paligjshme, kanë rezultate më të dobëta në mësime, braktisje më të lartë të shkollës dhe përfshirjes në aktivitete të dhunshme dhe të paligjshme. Studimet tregojnë ekzistencën e një lidhjeje shkakësore mes të arriturave të nxënësve dhe mjedisit shkollor në të cilin zhvillohet mësimi. Nxënësit janë më të motivuar të kenë sukses dhe të kuptojnë potencialin e tyre të plotë në shkollat që ofrojnë një klimë pozitive, ku nxënësit ndihen të përfshirë, të mbështetur dhe të sigurt.

Andaj, është jetike që secila shkollë në Kosovë të ketë shërbime adekuate të shëndetit mendor. Në të gjithë Kosovën, në shkollat fillore dhe të mesme, janë të angazhuar vetëm 146 psikologë. Për fat të keq, Kosova nuk po i kushton vëmendjen e duhur shëndetit mendor të nxënësve. Shpesh, një pjesë e madhe e nxënësve shkojnë në shkollë me shqetësime jo vetëm të shëndetit fizik, por edhe me preokupime që lidhen me shëndetin mendor. Andaj, duke i mbështetur nxënësit të cilët eventualisht po kalojnë nëpër sfida dhe vështirësi të ndryshme të shëndetit mendor, institucionet relevante mund ta ulin nivelin e dhunës në shkolla dhe të krijojnë kushte të sigurta dhe stimuluese për ta rritur performancën në mësime, si dhe për ta përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

06 prill 2022
14:53

Violeta Zefi