Roli i qendrave të kujdesit për fëmijë në shoqërinë kosovare

11 mars 2022 15:03

Edukimi parashkollor synon një zhvillim gjithëpërfshirës të nevojave shoqërore, emocionale, dhe fizike të fëmijës. Ky nivel i edukimit sjell përfitime afatgjata si për fëmijët ashtu edhe për ekonominë; më shumë fëmijë që ndjekin këto institucione, nënkupton mes tjerash, zhvillim më i madh për fëmijët, zvogëlim të rrezikut për varfëri, balancim i jetës dhe rrjedhimisht zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Në Kosovë, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin parashkollor është në nivele shqetësuese. Në vitin 2021, vetëm 6.7% e fëmijëve kanë ndjekur programet parashkollore ndonëse në Planin Strategjik për Arsim (2017-2021), ishte paraparë që deri në vitin 2021 të përfshiheshin diku në 20% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç (MASHTI, 2021). Si shkaktar kryesor për këtë problem vazhdon të mbetet mungesa e infrastrukturës, investimeve, të ardhurave në familje si dhe vetëdijësimit.

Sipas Ministrisë së Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në Kosovë, në vitin 2021, janë identifikuar vetëm 44 institucione parashkollore publike dhe 177 private të cilat janë licencuar dhe rilicencuar. Shumica e këtyre institucioneve gjinden në Prishtinë, ndërkohë që në qytete të tjera numri është më i vogël. Për më tepër, ekzistojnë edhe një numër i qendrave të tjera të cilat nuk janë të regjistruara.

Niveli i ulët i fëmijëve në edukimin parashkollar lidhet me pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës si dhe numrin e vogël të qendrave të kujdesit për fëmijë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2021 tek gratë vlerësohet të jetë 29%. Studime të shumta mbështesin teorinë se obligimet familjare kontribuojnë në joaktivitetin e grave. Bazuar në anketën e realizuar nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK, 2016), rreth 91% e grave kanë deklaruar se nëse do të kishin mundësi t'i dërgonin fëmijët në qendër të kujdesit, do të kërkonin punë.

Për më tepër, përderisa arsyet e burrave janë kryesisht të lidhura me faktorët dhe rregullatorët e tregut (kontratat e kufizuara, mungesa e arsimit/trajnimit adekuat), gratë, në anën tjetër kanë më shumë gjasa të raportojnë obligimet familjare (kujdesi për fëmijët, të moshuarit dhe familjar) si arsye kyçe për joaktivitetin e tyre; ku në mesatare, burrat shpenzojnë vetëm 2.5 orë për obligime familjare për dallim nga 7.2 orë sa shpenzojnë gratë (e barasvlershme me pothuajse një orar të rregullt pune) (MCC, 2018). Ndonëse kjo punë kalon pa u vërejtur dhe vlerësuar, ajo është me rëndësi thelbësore për funksionimin e familjes, shoqërisë dhe mbarë ekonomisë.

Edukimi i hershëm në masë të madhe ndikon zhvillimin e fëmijëve. Studimet tregojnë se gjysma e potencialit të intelegjencës së personave është e zhvilluar deri në moshën 4 vjeçare dhe se fëmijëria e hershme ka një efekt të qëndrueshëm në kapacitetin e inteligjencës së një individi, personalitetit dhe sjelljeve shoqërore. Fëmijët të cilët kanë ndjekur programet parashkollore kanë më shumë gjasa që në të ardhmen të kenë nivel më të lartë të arsimit, punësim me status më të lartë, të ardhura më të larta si dhe më pak shanse për t'u përfshirë në aktivitete kriminale (Schweinhart 2007; Sparling, Ramey dhe Ramey 2007).

Për të përmirësuar qasjen si dhe përfshirjen në edukim të fëmijërisë të hershme, qeveria aktuale synon që deri në fund të vitit 2025 të krijohen hapsira të mjaftueshme duke i shtuar dhe 160 çerdhe në të gjithë vendin. Kjo gjë, është planifikuar të arrihet përmes ndërtimit të çerdheve të reja, renovimit të hapësirave shkollore për këtë nivel si dhe ofrimit të kushteve preferenciale të pagesës ose lirimit nga pagesa për familjet në nevojë.

Duke pasur parasysh vlerësimet e Objektivave të Barcelonës të Komisionit Evropian (KE), ky vendim është mjaft i mirëpritur. Sipas këtij vlerësimi, një zgjerim i rrjetit të kujdesit ndaj fëmijëve do të mund të krijonte të paktën 9,989 vende të reja të punës në arsim, gjenerim të të hyrave prej së paku 50.6 milion euro dhe 2 milion euro tatime të paguara çdo vit (RrGGK, 2016).

Investimi në edukim të hershëm duhet të bëhet prioritet; një nivel më i lartë i investimeve jo vetëm që ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi të hershme themelore por lejon që më shumë prindër të jenë aktiv në treg të punës (veçanërisht gratë). Prandaj, duke pasur parasysh kufizimet buxhetore dhe hapësirat e kufizuara në dispozicion të qendrave të kujdesit,  Instituti Riinvest në kuadër të Agjendës Nacionale për Fuqizimin Ekonomik të Grave ka propozuar disa modele të mundshme për rritjen e rrjetit të kujdesit për fëmijë siç janë: 1. Zgjerimi i kujdesit publik të financuar nga shteti; 2. Partneritetet Publiko-Private (PPP); 3. Inkurajimi i bashkë-financimit privat të përkujdesjes për fëmijët; 4. Zgjerimi i qendrave të kujdesit për fëmijë me bazë në komunitet; 5. Subvencionimi i fëmijëve në çerdhet privat; 6. Subvencionimi me kupon për prindërit e fëmijëve 0-6 vjeç; dhe 7. Zgjerimi i qendrave të kujdesit përmes ndërmarrjeve sociale.

Nga shtatë modelet e prezantuara, komuna e Prishtinës ka deklaruar se do të mbështetë disa nga modelet siç janë: ndërtimi i kopshteve me PPP, subvencionimi me kupon për prindërit, dhe inkurajimi i bashkë-financimit privat. Edhe qeveria ka deklaruar se këto rekomandime po gjejnë zbatim me objektiva dhe aktivitete konkrete në projektligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme i cili tashmë ka dalur në dëgjim publik.

Sigurisht se këto modele do të mund të adaptoheshin bazuar në një skenim të gjendjes nëpër secilën komunë të Kosovës. Fjala vjen, meqenëse në Prishtinë operojnë një numër më i madh i çerdheve, modelet ku subvencionohen fëmijët në çerdhet private do të mund të ishte zgjidhje më e përshtatshme. Në anën tjetër, në ndonjë komunë ku ka mungesë të çerdheve, do të mund të kombinoheshin dy apo tri nga modelet e sipërpërmendura varësisht nga nevojat dhe specifikat që ka komuna.

Në vazhdimësi të kësaj, rekomandohet që fokusi të mos i mungoj cilësisë së ofrimit të shërbimeve si dhe miratimit të standardeve kombëtare të kualifikimit të edukatorëve; një edukatore e kualifikuar e cilësore implikon edhe zhvillim më cilësor ndaj fëmijëve.

Për më tepër, rekomandohet të krijohen më shumë qendra të përballueshme të kujdesit dhe të implementohen në nivel më të lartë standardet e zhvillimit, të cilat vendosin fëmijët në qendër pavarësisht zhvillimit optimal, gjinisë, karakteristikave shoqërore apo nivelit ekonomik.

***

Ky editorial është pjesë e projektit “Mbështetje në zbatimin e Agjendës Kombëtare për Fuqizimin e Grave përmes përpjekjeve të avokimit”, i implementuar nga Instituti Riinvest dhe i mbështetur nga Projekti Human Rightivism, i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim e Zhvillim (SIDA) dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF).

11 mars 2022
15:03

Tringë Shkodra