Ç’na mëson rasti i Ëmblës së ëmbël?

09 shkurt 2022 11:25

Në çdo rast kur ndodhë ndonjë gjë e jashtëzakontë, shoqëria duhet të nxjerrë mësime, për të ecur përpara drejt një shkalle më të lartë të zhvillimit dhe vetëdijes.

Dhe rast më urgjent e më prekës se këtë të Ëmbla Ademit nga Gostivari, sidomos ne që jemi prindër dhe e dimë më mirë dhembjen për fëmijën, nuk kemi pasë që sa e sa kohë. Ajo qenka e lindur me një kromozom më tepër, gjendje që ndryshe njihet me emrin sindromi i Daunit (simbas mjekut Gjon Langdon Daun [John Langdon Down], që e përshkroi i pari si gjendje të veçantë mendore), dhe prindërit e shkollës të cilën e vijon paskan kërkuar përmes një peticioni që të ndahet prej fëmijve të tyre në klasë të veçantë. Që të mos jenë afër saj! Që të mos duhen ta shofin!

Dhe qe çka mësuam, ose çka jemi të detyruar të mësojmë, nga ky rast?

Fëmijët nuk dinë të urrejnë. Si në raste të dallimit në rraca, ashtu edhe në raste tjerë, është vërtetuar se fëmijët, pa nxitje ose cytje paraprake nga më të vjetrit, pra edhe prindërit, shoqërohen dhe luajnë me fëmij të tjerë dhe nuk shohin kurrfarë pengese në ngjyrë të lëkurës, gjuhë, apo gjendje trupore ose mendore, të fëmijve të tjerë. Të rriturit janë ata që ua mbjellin urrejtjen ose edhe i largojnë nga ata fëmij që u pengojnë atyre vet — të rriturve. Të rriturit, prap, janë ata që, kur dinë dhe duan, ua kthejnë fëmijëve menden drejt dhe mbarë, e fëmijët e vazhdojnë lojën dhe mësimin së bashku, pa pikë problemi.

Prindërit gjithmonë e kanë fajin kur te fëmijët shfaqet ndonjë lloj diskriminimi. Dhe jo vetëm për shak se e fillojnë, po edhe se, nëse ka filluar nga ndokush tjetër, nuk i ulin fëmijt e tyre që t'ua shpjegojnë gjërat si duhet. Që, p.sh., një fëmi si Ëmbla nuk vlen më pak për shkak se është e lindur ndryshe, dhe që asaj duhet t'i dhurohen, pa dallim, kujdesi dhe dashuria që u dhurohen të gjithë fëmijve të tjerë, ose edhe më shumë se aq. Sepse përkundër dallimit të vogël anatomik që mund ta ketë prej fëmijve të tjerë, ajo mund të jetë shoqe shkëlqyese dhe person shembullor, e dashur nga të gjithë dhe e përkushtuar ndaj të gjithëve.

Prindërit janë poata që, kur të shohin çift të një gjinie, në përqafim apo puthje, tmerrohen, sepse nuk dinë si (ose nuk duan, ose nuk i len primitivizmi) t'ua shpjegojnë fëmijve të vetë gjënë më të thjeshtë në botë: që kur dy veta puthen, ajo don të thotë se ndjejnë dashuri, njeri ndaj tjetrit. Aq!

Prindërit, pra, janë prap ata që, në rastin më të shëmtuar, i mësojnë mbrapsht fëmijët e tyre, e në më të butin, nuk qëndrojnë në ballë të detyrës kryesore të prindit, që është që t'i mësojë fëmijët mbarë mbi sindromin Daun ose orientimin seksual, që nuk janë të zgjedhur, por të lindur. Që s'mund të ndryshohen dhe, si të tillë — sikurse gjendja e Ëmblës, por edhe orientimi seksual i njerëzve — duhet të përqafohen, të përkrahen, dhe të ndihmohen.

E ndoshta mësimi më i mirë dhe me dobinë më të madhe për të gjithë, sidomos për nacionalistët (se shovenistët janë të pamësueshëm, pra s'pritet që mësojnë), është që rasti i Ëmblës na mëson se njerëzit e tërë botës ndahen në dy lloje të vetëm: të mirë dhe të ligë. Se derisa disa shqiptarizij zgërdhihen me «o, sa mirë me qenë shqiptar!», në të njejtën kohë që e lëndojnë për vdekje Ëmblën dhe familjen e saj, një armatë e fqijve të tyre maqedonas shprehë përkrahje me fjalët ma të bukura dhe ma të ëmbla për Ëmblën, për t'u pri përfundimisht edhe prej vet kryetarit të shtetit, z. Pendarovski, që ecë dorë për dore me princeshën tonë të vogël dhe e përcjellë për shkollë. Popullizëm? Edhe le të jetë (që kurrë nuk e besoj të jetë, dhe më duket hipokrizi edhe të mendohet, e sidomos prej atyre që vet heshtën dhe nuk vepruan), por kujt nuk i duket mehlem për varrë të familjes së Ëmblës, as gjesti i diskriminimit të saj sigurisht nuk i ka penguar.

Për mua ky mësimi i fundit ishte vërtetim i asaj që e them dhe mendoj gjithmonë: më mirë ta kesh një mik fisnik, se një vlla të poshtër!

09 shkurt 2022
11:25

Florent Rizvanolli