Kosova duhet t’i bashkohet nismës 'Ballkani i Hapur'

28 dhjetor 2021 14:22

Perceptimet dhe narrativat janë të rëndësishme dhe në kushte të caktuara ato kthehen në realitete de facto. I tillë është edhe rasti i nismës ‘Ballkani i Hapur’ – nisma trepalëshe midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të krijuar një hapësirë të përbashkët për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Nisma ia ka dhënë mundësinë Serbisë për t’u paraqitur si një vend që është i interesuar për paqe në rajon nëpërmjet tregtisë së lirë dhe në të njëjtën kohë ka dëmtuar pozicionin e Kosovës përkundrejt saj. Qeveria e Kosovës duhet t’i bashkohet nismës për interesat e saj strategjikë: njohjen ndërkombëtare dhe delegjitimimin e narrativës serbe.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj nisme ka qenë kundërshtues dhe, në vend të saj, kryeministri Kurti ka propozuar një skemë tjetër bashkëpunimi – SEFTA (Southeastern Europe Free Trade Area), të modeluar mbi EFTA (European Free Trade Association).

Me të vërtetë që për Kurtin do të ishte e vështirë të mbështeste një nismë që, sipas tij, favorizon politikën diskriminuese të Serbisë ndaj Kosovës – duke mos e njohur këtë të fundit si shtet të pavarur – ndërkohë që e hap Ballkanin ndaj influencës së Rusisë dhe Kinës. E, megjithatë, mospjesëmarrja në këtë nismë nuk duket se e ka vendosur Kosovën në një pozicion më të favorshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që po duken gjithnjë e më tepër të favorizojnë Serbinë – e as me Bashkimin Evropian, zyrtarët e lartë të të cilit kritikojnë operacione të zbatimit të ligjit të Qeverisë së Kosovës me pretendimin se ato dëmtojnë stabilitetin.

Qartazi, Ballkani Perëndimor është i ekspozuar ndaj konkurrencës strategjike mes SHBA-së, BE-së, Kinës dhe Rusisë, dhe Serbia mbetet shteti kyç në rajon pavarësisht krimeve, autoritarizmit dhe revizionizmit historik të qeverisë serbe. Aq i rëndësishëm është pozicioni strategjik i Serbisë sa edhe Gabriel Ekobar, zëvendësndihmës-sekretari i Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cilësoi tendencat separatiste të Milorad Dodikut në Bosnje-Hercegovinë të lidhura me interesat e tij personalë dhe me influencën e Rusisë, duke mos përmendur kështu marrëdhëniet midis Republika Srpska dhe Serbisë.

Ndërkohë që rëndësia strategjike e Serbisë në rajon rritet, Kosova do të vijojë të izolohet gradualisht nëse nuk përcakton një qasje më të matur e të efektshme ndaj Serbisë dhe fuqive të mëdha – veçanërisht ndaj SHBA-së.

Varianti i SEFTA-s i propozuar nga kryeministri Kurti nuk ka mbështetje dhe duket se edhe nismat e tjera rajonale, si Tregu i Përbashkët Rajonal (Common Regional Market), nuk kanë perspektivë. Nëse do të kishin, atëherë nuk kishte pse të krijohej një nismë tjetër e pjesshme si ‘Ballkani i Hapur’ për të synuar të njëjtat katër liri: të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Ndonëse ‘Ballkani i Hapur’ nuk duket si një nismë mjaft premtuese për t’i realizuar qëllimet e pretenduara, efektet negative të saj mbi Kosovën kanë filluar.

Kosova është duke i parë zhvillimet e nismës si një spektator që nuk ka mundësi të ndikojë në ecurinë e tyre. Për më tepër, dhe me më shumë pasoja negative, është terreni i hapur që Kosova i ka lënë Serbisë për të krijuar e përçuar në publik perceptimet dhe narrativat e saj. Kjo e dëmton Kosovën në mënyrë strategjike, pasi ngrihet imazhi i Serbisë si një fuqi e pjekur rajonale që synon idealet e paqes në rajon nëpërmjet integrimit të tij, përmes rritjes së kontakteve njerëzore dhe tregtisë së lirë. Në të njëjtën kohë ulet dhe dëmtohet imazhi i Kosovës si një vend që nxit destabilitetin në rajon dhe nuk mbështet nisma të mbështetura nga SHBA-ja që synojnë paqen dhe rritjen e mirëqenies së vendeve të rajonit.

Përkundrazi, nëse Kosova do të bëhej pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’, ajo do të tregonte pjekuri strategjike në marrëdhëniet rajonale dhe me faktorët ndërkombëtarë perëndimorë me interesa strategjikë në rajon; do të kishte mundësi të influenconte krijimin e hapësirës së përbashkët rajonale duke vendosur kushte; dhe do ta vendoste Serbinë në pozitë për të njohur Kosovën.

Kosova do të kërkonte të hynte në këtë nismë rajonale me kushtet e saj – sidomos për sa i përket njohjes. ‘Ballkani i Hapur’ nuk është një marrëveshje rajonale që realizohet nën petkun e BE-së dhe konsiderohet e hapur për anëtarë të tjerë. Kësisoj, ajo i krijon hapësirat e nevojshme Kosovës për të pretenduar hyrjen e saj në këtë nismë si e barabartë e jo duke e lënë çështjen e statusit me fusnotë në bazë të marrëveshjes për bashkëpunim rajonal të nënshkruar si pjesë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja nuk përmend në mënyrë specifike nisma rajonale të cilat nuk zhvillohen nën mbështetjen e BE-së, por i cakton BE-së rolin e garantuesit të statusit të pacaktuar të Kosovës.

Ndërkohë që nismat rajonale të ndikuara nga BE-ja do të kenë me vete fusnotën për Kosovën, kjo nuk është detyrimisht e nevojshme për nisma të tjera që mbështeten nga vende të tjera – aq më tepër vende që e njohin pavarësinë e Kosovës, siç është SHBA-ja. Nëse Kosova do të donte të merrte pjesë në nismën ‘Ballkani i Hapur’, do të ishte e pakonceptueshme për SHBA-në që t’i kërkonte Kosovës t’i përmbushte pretendimet e Beogradit e të hynte në këtë nismë me një status të pacaktuar, pasi e ka njohur atë si shtet të pavarur.

Sigurisht që Serbia nuk do të pranonte që Kosova të ishte pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’. Rrjedhimisht, marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara do të cenoheshin, e nga kjo do të përfitonte Kosova. Për më tepër, nëpërmjet një lëvizjeje të tillë, Kosova do të kishte mundësi të tregonte qartazi që Serbia nuk është e interesuar për paqe në rajon pasi nuk është e interesuar për bashkëpunim mes të barabartëve. 

Në vend të bojkotit të nismës dhe argumenteve politike të hapjes së Ballkanit ndaj ndikimit të Rusisë dhe Kinës, Qeveria e Kosovës duhet të përdorë çdo taktikë të mundshme që e bën atë të fitojë epërsi morale dhe politike ndaj Serbisë në përpjekjet e saj për të fituar legjitimitet ndërkombëtar.

28 dhjetor 2021
14:22

Alban Dafa