Hem i çliruem, hem rob

13 dhjetor 2021 16:06

Në shkrimin e tij "Revolucionari Albin vs Revizionisti Kurti" Halil Matoshi përfundon bashkimin kombtar tue e definu si shërbesë ndaj interesave të Sërbisë. Ky lloj diskursi asht i natyrshëm në debate politike, ku etiketimi përreth kornizave nacionaliste ku ekzistojnë ‘patriotat’ në njanën anë (aj që folë gjithë quen veten patriot) dhe ‘ata që i shërbejnë anmikut’ në tjetrën, shërben për me degradu njerëz e ide që s'i pëlqejnë tue u mbështetë në pushtetin simbolik të anmikut/tradhëtisë. Kjo asht korja e retorikës populliste.

Ndër "të dytët", në kategorizimin përqarës që e ban autori në shkrimin e naltpërmendun, ku e gjej veten un si anëtare, s'janë idiotë e analfabetë qysh i paraqet autori dhe as s'mendojnë etninë kur flasin për kombin, por e shohin Kosovën si pjesë të shkëputun dhunshëm prej kombit shqiptar, pra Shqipnisë, dhe dojnë me u integrue në qat komb, pra shtet, sepse e konsiderojnë të drejtë të tyne. S'do të ishim as të parët as të fundit me ushtrimin e kësaj të drejte. Tjetërçka asht nëse e pranojmë fatin tonë të robit, bile edhe e ushqejnë kulturën e robit, ashtu si vepron këtu (e shumkah tjetër, autori) e mundohemi kombin kosovar me e imponue si identitet shoqnor e politik që ka moralisht epërsi mbi identitetin etnik, mbi bazë të argumenteve se nëse insiston njeriu me qenë çka asht (ke parasysh njeriu që deri dje u vra pse asht çka asht) aj atëherë asht njifarë lloj njeriu i prapambetun, dhe gjithësesi i paditun, i palexuem e informuem mbi definicionet e kombit dhe shtetformimit të këtij apo atij filozofi. Sidomos nëse asht shqiptar.

Krejt ky muhabet që e ban autori, se gjoja se shqiptarët e hutojnë kombin me etninë asht diskurs mashtrues, brenda të cilit s'asht vështirë me e ndërtu tani qytetarin që don bashkim si imazh të nji injoranti. Kur nuk e din as çka asht kombi e knej lypë bashkim kombtar, duhesh me konë valla shum budallë. Apo jo?! Shtoja kësaj pastaj faktin që bashkimi kombtar ktu formulohet qëllimshëm si synim "për një komb unik shqiptar", me fjalën "unik" autori don me e krijue imazhin e nji bashkimit kombtar si proces përjashtues për të tjerët. Dmth. tue e quejt "unik shqiptar" aj ndërton argumentin e kombit barabartë me etni, dhe me fjalë tjera thot bashkimi kombtar asht përpjekje etnike, e jo kombtare/nacionale/ shtetnore, dhe si e tillë don me përjashtue etnitë tjera.

Kjo nuk asht çka thom un, si njeri që e gjej veten në kategorinë e dytë të autorit, un s'kërkoj komb unik shqiptar, ku fjala "unik" ka kuptimin e përjashtimit, anipse çdo komb në vete unik asht. Por, un fjalën “unik” në fakt nuk e përdori hiç. "Unik-ja" në kuptimin e "përjashtues", " ekskluziv" asht konstrukt i autorit. Pra asht autori vet që këtu përzien kombin me etninë, por i duhet në këtë rast, çka me ba, i duhet, për me e shpallë tjetrin si të paditun dhe me e pasë ma lehtë bashkimin kombtar me e barazu me nji ide fashiste, pa pasë nevojë me e quejtë në formë eksplicite kështu.

Krejt këtij argumentimi, natyrisht i vynë nji figurë me emër për me e simbolizu njeriun e paditun që kërkon bashkim kombtar si pa agjenci, pa vullnet, dhe të nënshtruem ndaj kësaj figurës me emën. Nji figurë politike asht ma së lehti me shërby si simbol i tillë.

Autori ndërton kategorinë e të "dytëve" si njerëz që nuk dijnë definicione aq sa din aj, por pse me folë psh. me krejt ata njerëz që i imagjinon aj aty, zatën i dalin lloj lloj, kështu që kapet për Kurtin. Kurti këtu simbolizon edhe përfaqësimin e idesë për bashkim (që s'na e solli, por e gjeti mes nesh) edhe pushtetin politik. E te pushteti politik gjithmonë fshihen mundësitë e manipulimeve, e pa pasë nevojë me i nda, e dallu, e diskutu, veç përmendja mjafton me e përforcu argumentin e nji interesi politik të dyshimtë.

Dhe kështu autori ndërton kundërshtimin e tij për bashkim kombëtar si kundërshtim ideologjik dhe rezistencë ndaj verbimit e nënshtrimit politik, ku pozicionon veten si iluminist intelektual politik, e me pak lojë poetike, shyqyr talent sa të duesh, prej Kurtit bahet Kulti, e "kulti" tash rrumbullakson definimin e bashkimit kombëtar. E kush nganë mas kulteve, ose kush i ban, kush i ngritë kultet? Injorantët, të paditunit, të pandriçuemit. Shtrohet pytja, tue qenë kaq naivë, kaq injorantë, kaq të verbuem e të indokritunuem shpirtnisht, hiç racional, hiç të dijshëm, qysh po dijna na të "të dytët" me i shërby interesave të Sërbisë kaq mirë, veç tue dashtë me u bashku me Sërbinë, pardon Shqipninë (kuku për pak kesh tue thonë Sërbinë)? Apo nashta "budallakia" jonë po i shërben? Në koftë ashtu, a e din autori për sa budallë asht tue folë? Jena shum dreqi e marrtë.

Për bashkimin kombtar të definuem si "gërryerje e shtetit të Kosovës" nga do "folkloristë" (folklori këtu si nënçmim me demek, në vend të ‘katunarë’) e si delegjitimim i intervenimit të NATOs as nuk po flas ma gjatë, përveç me thanë: kurrgjo nuk i shërben politikave fashiste sërbe kundër shqiptarëve ma shum se robnimi mental i njeriut të lirë shqiptar. Hem i çliruem, hem rob. Ama, rob i inferioritetit te vet, tash.

13 dhjetor 2021
16:06

Ardiana Shala Prishtina