Revolucionari Albin vs Revizionisti Kurti

13 dhjetor 2021 13:10

A është Albin Kurti diplomat e burrështeti që përball interesat e Republikës së Kosovës me ato rajonale e ndërkombëtare, në realpolitikë, apo idetë e tij mbesin në kornizat e ‘revolucionit permanent’ (Trocky) që e bëjnë të sillet si klerik e bestyt? Zoti i përzgjedh njerëzit-profetë për realizimin e qëllimeve të mëdha. “Nuk është gjëja që zgjedhim ne, por qëllimi që na zgjedh neve” - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e sheh vetën si i zgjedhur nga Zoti, profet, pra është politikan i rrafshit metafizik...

Sefte, puna e parë që e bëjnë  popullistët me t’u ngritë në pushtet, është ndërrimi i tezave,  “nuk u votuan metodat por kauzat tona”, për të dëshmuar sy bote se metodat ishin të dhunshme e kauzat joracionale, të drejtuara jo nga idetë racionale njerëzore por të shtyra nga një forcë vis-major?! “Mua më duket që ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim, tek  çështja e bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk është një gjësend të cilin e zgjedhim apo e përzgjedhim. Pra ai është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Prandaj nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”- tha Kurti në Elbasan, duke rrëshqitur në natyralizëm filozofik*, vetëm pak ditë pasiqë bëri një përpjekje për ta relativizuar edhe një nga kauzat e tij parake. Pra, na të vdekshmit e rëndomtë nuk vendosim për intenca kolektive porse për imanenca**, “shpirtrat e të vdekurve, hajmalitë, betë e rr’fetë tona” - pra janë forca të mbinatyrshme, që në këtë rast është Zoti, “që na zgjedh ose përzgjedh neve”!?

Sipas Raymond Aron, historia që tregon partia është e vërtetë në vija të trasha, është e një vërtetësie sipërore ndaj së vërtetës materiale dhe fakteve. Kurti faktet i ka zëvendësuar me Fake?! Dmth. sipas diskursit të bërë lesh e li të Kultit vs Kurtit, ‘bashkimi kombëtar’ është një kauzë metafizike, Fatum i shkruar prej një hyjnie e jo veprim politik dhe administrativ i një bashkësie njerëzore?!

Pse e përdorëm këtë “përmbysje” të mbiemrit të Kryeministrit Kurti, duke e zëvendësuar me fjalën ‘kult’? Kulti i personalitetit krijohet nga admirimi joracional i turmave për liderin politik. Turmat janë dembele për të qenë të lira, sepse liria është përgjegjësi, e turmat janë të papërgjegjshme!

Duan një shpëtimtar prej mëkateve dhe profet që mendon në vend të tyre! Turmat e kanë ‘trurin në muskuj’ siç thotë Gustav Le Bon, prandej puthin opinga!

“Kisha e Kurtit”

A po përballet Kurti me revizionizëm të ideve të tij themeltare, të së majtes revolucionare dhe a po shndërrohet ai, me kast, në renegat? Ai po e ngritë “Kishën e tij” në element duke beaktisur “Biblën” politike, idetë revolucionare?!

"Revolucioni nuk pranon asnji Kishë (kler)”, thotë Raymond Aron tek libri “Opiumi i popullit” dhe pyet pse? Përgjigja e tij epike është: sepse Revolucioni vet ishte një kishë." Rreshtimin pa alternativë që nuk e njeh njerëzimin tek të tjerët - me përjashtim të shokëve të tij të  partisë - Aron-i thotë se e bëjnë vetëm ato parti që, duke u mbështetur në një ideologji që mbahet si absolutisht e vërtetë, shpallin një shkëputje rrënjësore me të tjerat, sipas modelit ‘Ancien Regimè’! Mirëpo, duket se përballja me byrokratët e BE-së në Bruksel dhe dialogu me Serbinë po e detyron Kurtin t’i revidojë teoritë dhe praktikat revolucionare dhe të shohë më qartë realpolitikën!

“Provokacija”

Në press-konferencën çoroditëse në Elbasan, pas mbledhjës së dy qeverive më 26 nëntor 2021, Edi Rama u drejtohej gazetarëve kosovarë me fjalë serbe të shqiptuara keq, si psh. ‘provokacija’, kurse kryeministri kosovar përplasej me frymën dhe germën e Kushtetutës mbi të cilën është betuar, duke e zhvendosur rolin e tij si zyrtar i shtetit kushtetues të Kosovës në frakun e një kleriku, sipas të cilit thirrjen për bashkim kombētar nuk e determinojnë njerëzit e gjallë, porse forca të padukshme e të mbinatyrshme!

Në këtë rast, duhet thënë disa fjalë për mungesën e besnikërisë ndaj atdheut dhe patriotizmit kushtetues të kryeministrit të Kosovës, i cili, me lehtësi të padurueshme thotë se do të votonte për shpërbërje të shtetit të cilin e udhëheq dhe për mesazhin që ai përçon tek ushtari kosovar, polici dhe inteligjenca, tek administrata publike dhe bota akademike, se nuk ia vlen të sakrifikohesh për ta mbrojtur e afirmuar një projekt të përkohshëm!? Dhe prandaj pyetja për kryeministrin Kurti do të ishte: përse duhet paguar taksat, nëse ky projekt qenka i paqëndrueshëm!?

“Patriotizmi kushtetues” është shprehje e filozofit gjerman Jürgen Habermas, e thënë gjatë debateve publike 1986, që kishte për qëllim ta kornizonte idenë e besnikërisë së qytetarëve ndaj një Kushtetute e jo ndaj ‘identiteteve vrastare’ (Amin Malouf). Në thelb, sipas Jean Werner-Müller tek libri ”Patriotizmi kushtetues”, qëllimi kryesor i patriotizmit kushtetues i variantit të Steeberger-it, ishte mbrojtja e entitetit politik përball etnitetit, përkatësisht identiteve konvencionale. Ashiqare, patriotizmi kushtetues - sipas Müller (Po aty, fq.10) - është përkrahur si një formë përkatësie në shoqëritë thellësisht të përçara pas luftrave në ish Jugosllavi në vitet ‘90.

Në këtë sens, Kosova është e ndarë (për të mos thënë e përçarë)  ndërmjet grupimit të kosovacentrikëve dhe integristëve. Të parët mbrojnë entitetin, shtetin sovran kosovar kurse të dytët janë për shpërbërje të shtetit në favor të një bashkimi me Shqipërinë, për një komb unik shqiptar, pra në mbrojtje të etnitetit. Ndërkaq grupimi i dytë kur flet për kombin e mendon etninë, pa ditur të bëjë kurrfarë dallimi cilësor në organizimin e bashkësive njerëzore.

Sipas integristëve, shqiptarët duan thjesht të jenë shqiptarë e jo kosovarë, e poashtu edhe serbët duan të mbesin serbë, siç shkruan Müller, “njerëzit” duan të jenë britanikë, indianë, amerikano-irlandez ose serbo-boshnjak dhe jo “patriotë kushtetues”. Prandaj “provokacija” e kryeministrit të Shqipërisë vërtet është lojë, provokim dhe fall, porse Albin Kurti e merr seriozisht, si fëmija në lojë.

Renegatët** dhe Kosova si projekt i përhershëm

Një Kosovë e ligsht ushtarakisht dhe e vobektë ekonomikisht, pa ulëse në OKB dhe pa liberalizim vizash, e jashtë bllokut të vendeve europiane, mund të futet në kurse abuzive nga drejtuesit politik të saj. Vetëm një Kosovë demokratike, e përmbushur në liri  - anëtare e OKB-së dhe NATO-s, mund të vendosë lirshëm se çfarë rregullimi shtetëror dëshiron dhe me kë e si do të jetojë në të ardhmen.  Vetëm shteti i përfunduar mund të vendosë nëse do me u lidhë në ndonjë rregullim federal apo konfederal, tue rujtë subjektivitetin e vet juridik e politik, me Shqipërinë, apo nëse do ta vazhdojë  jetën e vet si shtet i mëvetësishëm.

Sëkëndejmi, çfarëdo marrëdhënie kontraktuale me një shtet tjetër që e zhbën sovranitetin e Kosovës dhe çfarëdo referendumi i imponuar nga akëcila qeveri, pa qenë anëtare në OKB-së, BE-së dhe NATO-s, si anëtare me të drejta të plota, pa e pasë siguruar integritetin e territorit kushtetues të saj, pos që bie ndesh me tre parimet e panegociueshme (shih: Grupi i Kontaktit) si zotime ndërkombëtare për të marrë pavarësinë kombëtare, paraqet përpjekje për aneksim të dhunshëm dhe të pavullnetshëm; pra është veprim kundër parimit universal të barazisë dhe lirisë. Dhe mund të jetë burim konflikti.

Vetëm njeriu (kosovari) i lirë mund të vendos lirisht dhe të shprehë vullnetin e tij, jo shqiptari kosovar i mbytur me propagandë integriste dhe i (keq)përdorur politikisht për nevojat e pushtetit/pushteteve të “falltorit” politik Edi Rama dhe revizionistit Albin Kurti. Kosova mësyn afirmimin ndërkombëtar si entitet juridik-politik sovran, si projekt i përhershëm duke mbrojtur territorin kushtetues (veriun e vendit), që në rrethana të një “bashkimi kombëtar” rrezikon të humbet, sepse në çfarëdo ‘referendumi paqësor’ (term joligjik i Kurtit, sepse të gjitha referendumet janë paqësore e të mbështetura në ligj, përndryshe nuk ka referendume në kohë lufte!), serbët e veriut do të votonin për bashkim me Serbinë. Sëkëndejmi, nuk ka forcë që i deryron serbët kosovarë të pranojnë të jetojnë në një “Shqipëri Etnike”. Ashiqare ideja e bashkimit e ndan Kosovën.

Nacionalizëm lindor

Duke bërë dallimin mes nacionalizmit modern perëndimor dhe atij lindor, Urs Altermatt vërente ndërkohë se nacionalizmi perendimor në radhë të parë ndërtonte një shtet - shtetin modern kombëtar - ai lindori kishte për synim pikësëpari që ta mbronte një kulturë të lartë kombëtare. Ideja e “rrënjeve të përbashkëta” dhe “kultura e lartë kombëtare” nuk e sheh shtetin-komb si atdhe dhe “njësi të rritur”, si kulm të organizimit të një shoqërie politike, por veç si një projekt të përkohshëm, pra si projekt të pakryër. Që këtu, nga ky dallim i nacionalizmave perëndimorë dhe lindorë buron edhe pranimi jo kritik nga shqiptarët i një definicioni ideologjik, të mangët, si tablo biologjistike për kombin, e jo si bashkësi njerëzore, imagjinare, politikisht e konstruktuar (Anderson).

Sëkëndejmi, definicioni i Stalinit për kombin ka kaq shtrirje të gjerë tek shqiptarët, që nga barinjtë e sociologët e shkollës enveriste, e deri tek zyrtarët e lartë të shtetit. Kosova nuk ka patriotë kushtetues në majat e shtetit, nuk ka më elitë kulturore që e inspiron dhe kanalizon këtë besnikëri ndaj shtetit. Kosova po i shumëzon renegatët e integristët folklorikë, që e gërryjnë nga brenda legjitimitetin e shtetit! Kjo gërryerje e legjitimitetit të shtetit kosovar e delegjitimon në thelb 24 marsin 1999 (intervenimin e NATO-s) dhe sakaq i zbeh qëllimet e larta të mbrojtjës së të drejtave të njeriut, duke u ndërlidhur kështu, pavetëdijshëm, me interesat e Serbisë!

—————————-

Shënime:

*Sipas Oxford English Dictionary Online: Natyralizmi në filozofi është "ide ose besim që vetëm ligjet dhe forcat natyrore (në krahasim me mbinatyrorën ose shpirtëroren) veprojnë në botë."

—————————-

** Imanént,-e mbiemër; i ligjërimit libror; që është në vetë natyrën e sendit a të dukurisë, që buron dhe kushtëzohet nga vetë kjo natyrë e nga ligjet e brendshme: fuqi (shkaqe) imanente.

—————

*** Renegatë= Braktisja e ni besimi, kauze ose feje për një besim a kauzë të huej. Ni person që dezerton dhe tradhton ni organizatë, vend ose grup parimesh.

Në anglishten britanike, akti i mohimit apo heqjës dorë nga vetqeniesia;

13 dhjetor 2021
13:10

Halil Matoshi