Sfidat e ballafaqimit post-traumatik për gratë dhe burrat e pasluftës në Kosovë

10 dhjetor 2021 16:15

Edhe sivjet, 16 ditët e aktivizmit global po fillojnë, në këtë 30-vjetor të ciklit të avokimit për të drejtat e njeriut, në një vit ku tema është femicidi.
Sado paradoksale të na vijë që gjatë 30 vjetëve të aktivizmit dhe kampanjës femicidi godet mjaftueshëm rëndë vetëm si nocion i cili merr trajtë dhe ende kumbon jehonën e vet të përgjakshme në këto ditë fundviti.

Fenomeni i femicidit në Kosovë ka marrë forma të përfundimeve tragjike të skenarëve të dhunës familjare, dhunës brenda çiftit dhe pakënaqësisë së opinionit në adresimit adekuat ligjor.

Por, qysh nga aktivizmi global, Kosova ka 23 vjet të pasluftës që e përcjell një trend shumëformësh të ballafaqimit me “luftën kundër grave”.
Në aspektin e një vlerësimi shëndetësor dhe klinik, të mbijetuarit civilë të luftës në Kosovë kanë bartur në mënyrën e tyre mbi supe ngjarjet traumatike të cilat kanë rënduar edhe në bazë të gjinisë. Gra dhe burra janë ballafaquar me stigmatizimin, linçimin social, mbajtjen e ndjesisë së turpit dhe fajit të supozuar nën petkun e një shoqërie që nuk flet për të drejtën njerëzore për marrje të shërbimeve adekuate shëndetësore dhe psikologjike, në të drejtën për të jetuar të lirë nga traumatizimi, nga frika e një “persekutimi social”, i cili jep një goditje të gjatë dhe të lodhshme në procesin e jetës së njerëzve.

Gratë dhe burrat e përjetojnë jetën e tyre në kontekst të normave dhe parimeve të kohës dhe shoqërisë ku jetojnë, megjithëse në vendin tonë tranzicioni në disa aspekte të lë përshtypjen që ka hipur në një tren të shpejtë, stigmatizimi mbi dhunën në baza gjinore ende kumbon fjalë të një situate të pazgjidhur dhe mbetet një vagon i vonuar i pasagjerëve që presin mbështetjen e duhur në zbritjen e tyre në vendin e sigurt.
Ndër këto, veçanërisht dhuna seksuale është ngjarja për të cilën ne, kosovarët, duhet të bëjmë një bisedë të gjatë. Veçanërisht dhuna seksuale gjatë luftës, arma më përçarëse e ditëve tona.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka bërë kaq shumë përpjekje t’i tejkalojë këto barriera sociale, për të triumfuar si dikush që gjatë e ka kërkuar një adresë dhe në fund e zbulon – si një vend të shenjtë. QKRMT ka mbështetur njerëzit që kanë gjetur motivimin të kërkojnë qasje dhe në këtë pakt mbetet vetevident fakti që shumë e më shumë njerëz ende nuk i kanë hapur portat e përjetimeve të tyre, për t’i adresuar ato.
Çfarë bëjmë ne sot si shoqëri që t’u krijojmë një ambient të sigurt – jo stigmatizues – grave dhe burrave që kanë nevojë t’u njihet përjetimi i krimit që është ushtruar mbi ta gjatë luftës së fundit?

Gjatë fazave të njohjes me këta heronj të ditëve tona, ballafaqimet janë nga më të ndryshmet, por duket sikur e kanë një konstante të përbashkët – frikën nga stigmatizimi social.

Retorika që na nxitet në mendje në këtë rast është pse ne do ta stigmatizonim dikë, persona të pafajshëm të cilët kanë rënë pre e strategjive të luftës?

Ne gjeneratat që e kemi përjetuar luftën, e kemi ndier aromën e saj në ajrin e oborreve tona, ne që nuk kemi pasur mundësi t’u themi lamtumirë shtëpive dhe familjarëve në ikje e sipër, si u bë që i kemi çuar në gjyq social ata të cilët s’kemi arritur t’i mbrojmë dhe janë sakrifikuar për këtë vend, sepse gjaku i plagëve të tyre është i njëjtë më gjakun e cilitdo dëshmor.

Ta njohësh impaktin e traumës seksuale gjatë luftës do të thotë ta kuptosh jetën në agoni të këtyre njëzet e tre vjetëve, të njerëzve të cilët nuk kanë arritur të flasin me dikë për përjetimin e tyre, që nuk kanë arritur të përqendrohen në jetën e tyre familjare dhe në punë, që kanë jetuar në heshtje me kujtimet e përsëritshme si një fotografi virusale në kokën e tyre e cila shfaqet pavullnetshëm dhe e saboton çdo përpjekje për të parë a shijuar diçka tjetër. Prandaj dhe informacioni relevant se si funksionon mendja post-traumës jep një pasqyrë dhe ide për mirëkuptimin e individëve në situatë të ngjashme.

Nga perspektiva empirike e lidhur drejtpërdrejt me punën e QKRMT-së në manifestimin e vështirësive dhe ballafaqimit post-traumatik, një gjë mund ta themi: që nuk ka dallime gjinore në përjetimin e dhunës seksuale si armë e luftës. Manifestimi i spektrit të simptomatologjisë përjetohet ngjashëm dhe janë konstruktet sociale të perceptimit të roleve gjinore ato të cilat e bëjmë më të rëndë ndjesinë e turpit dhe përjetimit zhvleftësues te gratë dhe po aq zhvleftësues te burrat. Te gratë e mbijetuara raportohet një “luftë e dytë”, e cila i priste në pragjet e dyerve të shtëpisë së babait apo bashkëshortit, duke qenë se shumë prej tyre janë paragjykuar dhe janë lënë nën mëshirën e fatit – duke i martuar me martesa ta aranzhuara që më tepër i ngjanin një ujdie të “negociatave të favorshme” duke bashkëlidhur njerëz që “fati i ka përcaktuar me ndonjë të metë”; të tjerave u është përkujtuar në çdo moment akti i ngjarjes duke fajësuar gruan për viktimizimin e saj. Është paradoks i shoqërisë së thelluar në role të tilla të cilat duket se e heshtin arsyen dhe reflektojnë vetëm një aktgjykim të pabazë.

Gratë, të mbijetuara civile të luftës, kanë jetuar në një luftë të dytë konstante në një dykuptimësi, ku ‘injorohen’ kushtet e luftës dhe pamundësia për t’iu shpëtuar rrethanave.
Prandaj, si çdo qasje empirike që na edukon mbi faktet të cilat e mbajnë një sjellje të caktuar aktive, është shoqëria në tërësinë e saj ajo e cila e krijon ose jo ambientin e sigurt për t’i rrëfyer dhe dokumentuar krimet e luftës ndër civilë.

Akti i dhunës seksuale gjatë luftës, duke qenë se është përdorur aktivisht si armë për ta bërë këtë efekt që e ka bërë këto 23 vjet, ka pasur në sfond një qëllim të realizimit të destabilizimit më afatgjatë të shoqërisë. Shembuj empirikë të kohës prezente nga kjo kemi edhe në hulumtimin e fundit në të cilin prin QKRMT, me theks bartjen e traumës ndër gjenerata përmes ndryshimeve epigjenetike në strukturat sipërfaqësore të AND-së nga nënat e diagnostikuara me çrregullimet e stresit post-traumatik te fëmijët e tyre. Me theks hulumtues te të lindurit e parë, në fazat akute pas ngjarjes. Këtu ka shumë implikime se si kjo gjendje dhe sjellje e ndryshuar e ka ndikuar dhe stilin e atashimit dhe të prindërimit dhe çfarë impakti ka pasur në zhvillimin e gjithmbarshëm të fëmijës. Po ashtu edhe te burrat të mbijetuar të formave të torturës dhe dhunës seksuale gjatë luftës, impakti është bartur në perceptimin e tyre të maskulinitetit dhe integrimin në role familjare në të qenët baba, vëlla apo bashkëshort.

Prandaj, megjithëse po flasim nën ombrellën e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore me konotacion te dhuna ndaj grave, në realitetin e ngjarjeve traumatike nuk ka gjini – ka vetëm njerëz të cilët janë torturuar sepse edhe dhuna seksuale si armë e luftës është një prej formave të torturës.

Këto dallime, këto nocione, me zhvillimin tonë si shoqëri më e arsimuar, me njohjen e koncepteve psikologjike dhe mjekësore, na e rrisin përgjegjësinë të veprojmë si individë të matur dhe progesiv të kësaj shoqërie dhe t’u hapim rrugë rrëfimeve të tilla, ta mbështesim dhe inkurajojmë dokumentimin – sepse kjo është historia e popullit tonë, të cilën do ta njohin gjeneratat e tjera dhe madje edhe gjithë bota.

QKRMT është një akter në zinxhirin e ndikimeve të ndryshimit që po ndodh në qasjen sociale përmes shembujve të të dhënave tashmë të publikuara, por ne si shoqëri dhe secili si njeri mund të bëjë një hap, një gjest, një postim inkurajues, një bisedë motivuese drejt së cilës ne do të mund ta realizojmë dokumentimin sa më të plotë të krimeve të tilla në Kosovë.

Përveç kësaj, në ditët e aktivizmit kundrejt dhunës në baza gjinore, jemi ne njerëzit ata që krijojmë normat dhe vlerat sociale të cilat e definojnë jetën tonë, nivelin e rehabilitimin pas ngjarjeve që na godasin duke dëshiruar të kemi një ambient i cili është mbrojtës dhe rikuperues.

Ditët e aktivizmit global në 30-vjetorin e tyre shërbejnë si një përkujtues për ridefinimin e kësaj situate dhe ndryshimeve që dëshirojmë t’i krijojmë.
Ditët e aktivizmit kanë të bëjmë me luftimin e koncepteve paragjykuese me bazë gjinore, duke na ftuar t’i ndjekim faktet empirike dhe bazën e një sjelljeje, e cila në qendër e ka njeriun si të tillë.

10 dhjetor 2021
16:15

Qëndresa Prapashtica