Çfarë ndihme pritet prej SHBA-së për demokratizimin e Kosovës

09 dhjetor 2021 13:19

*Ky shkrim është botuar nga instituti German Marshall Fund of the United States (GMFUS) si pjesë e një punimi më të gjërë mbi pritjet e shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore prej Samitit për Demokracinë të organizuar nga SHBA. Ky shkrim është botuar si kapitull i veçantë për Kosovën. Pyetja standarde drejtuar ekspertëve ishte: cilat duhet të jenë prioritetet afatshkurtëra dhe afatmesme të SHBA në nivelin politik dhe në nivelin e ndihmës zhvillimore?

Rreth përkrahjes afatshkurtër të SHBA-së

Perspektiva demokratike e Kosovës varet shumë nga zhvillimet më të gjëra në Ballkanin Perëndimor dhe nga politikat e SHBA-së në nivelin rajonal. Rajoni gjendet në një pikë kthese të rrezikshme dhe përballet me rreziqe serioze të cilat mund t’i dëmtojnë arritjet e dy dhjetëvjeçarëve të fundit në nxitjen e paqes, demokracisë dhe zhvillimit. Ngecja e procesit të zgjerimit të BE-së e ka mënjanuar një shtysë kyçe për zgjidhjen e mosmarrveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, problem ky i cili e dobëson demokracinë dhe ushqen autoritarizmin në të dyja vendet duke i mbajtur shqetësimet e sigurisë në krye të agjendës. Moszgjidhja e këtij problemi gjithashtu e ka dobësuar efektshmërinë e politikës së kushtëzimit të BE-së – nxitësit kryesor të jashtëm për reformat demokratike – dhe ka zhgënjyer forcat pro demokratike në rajon. Duke qenë se Kosova (bashkë me Bosnjen e Hercegovinën) nuk janë anëtarë të NATO-s, kjo gjithashtu e ka bërë rajonin të cënueshëm ndaj përpjekjeve destabilizuese të Rusisë, përfshi këtu veriun e Kosovës.

Prandaj, duke i marrë parasysh implikimet e kësaj rrethane për sigurinë europiane, SHBA-ja duhet që në planin afatgjatë të përdorë fuqinë e saj vendimtare që të ngrisë në krye të agjendës transatlantike edhe ështjen e rrugëtimit të Ballkanit Perëndimor për në BE dhe NATO. Në këtë drejtim, SHBA më konkretisht mund të angazhohen drejtpërdrejtë me shtetet anëtare në BE që janë skeptike ndaj zgjerimit për ta zhbllokuar rrugën integruese të rajonit. Kjo do të thotë pikë së pari arritjen e një vendimin pozitiv për liberalizimin e shumëvonuar të vizave për Kosovën dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol udhëheqës në ringjalljen, ose në riformatimin potencial të dialogut të ngecur Kosovë-Serbi me qëllimin që të sigurohet njohja e ndërsjellë. Më në veçanti, SHBA-ja mund të mbështesë përpjekjet e Kosovës që të fitojë njohjen nga katër shtete anëtare të NATO-s (Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania) dhe një shtet anëtar i BE-së (Qiproja). Kjo do të ishte kthesë vendimtare e cila do t’i siguronte vendit pozitë të barabartë në rajon dhe do të hapte rrugën e saj euroatlantike. Për fund, për ta përshpejtuar hyrjen e rajonit në BE dhe NATO, SHBA-ja mund të punojë së bashku me BE-në për ta definuar kornizën e qartë të bashkëpunimit rajonal, duke i plotësuar apo shkrirë nismat si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Open Balkan.

Ndihma e SHBA-së ka luajtur rol kyç në ndërtimin e kornizës institucionale demokratike të Kosovës dhe në zhvillimin e pluralizmit në hapësirën mediale dhe të shoqërisë civile. Kjo ka bërë të mundur që të funksionojnë mekanizmat e llogaridhënies demokratike dhe të tejkalohen elementet e kapjes së shtetit. Përgjatë viteve të fundit, Kosova ka dalë më mirë se sa vendet e rajonit për sa i përket shumë treguesve demokratikë, përshi këtu zgjedhjet e ndershme dhe të lira, të cilan kanë sjellë disa tranzicione të qeta të pushtetit. Megjithëkëtë, përvoja e vendeve të tjera tregon se përparimi i tillë mund të kthehet mbrapsht shumë lehtë në kontekste ku institucionet janë të dobëta dhe të cënueshme ndaj kapjes nga interesa të ngushta.

Elita e re qeveritare, e cila erdhi në pushtet në shkurt 2021 me një fushatë të përqëndruar në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ka shumicë të gjërë dhe mandat për reforma. Ndihma e SHBA-së në përpjekjet për reforma në këto fusha do të jetë kritike për të siguruar suksesin e kësaj agjende dhe konsolidimin e besimit të publikut në demokraci. Sidoqoftë, ka rreziqe gjithashtu të ndërlidhura me reformat të cilat mund të çojnë në kontroll politik të ri mbi institucionet. Disa vendime të lidershipit të Kosovës – si për shembull shkarkimi i kryesueses së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, që u kritikua nga shumë organizata të shoqërisë civile – dukej se ishte i motivuar politikisht dhe ngriti shqetësime për abuzimin e mundshëm të reformave.

Në këtë drejtim, SHBA-ja duhet që në planin afatshkurtër ta përqendrojë ndihmën dhe resurset ndaj Kosovës drejt qëllimit të dyfishtë të mbështetjes së agjendës së qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe paralelisht mbrojtjes së hapësirës politike dhe institucioneve të pavarura prej ngritjes së një forme të re të sundimit të shumicës. Në terma praktikë, kjo nënkupton të siguruarit që programet ekzistuese të përkrahjes së sundimit të ligjit të përqendrohen në transparencë dhe meritokraci në përpjekjet e shpallura të qeverisë për reforma, si p.sh. vetingu i gjyqësorit, i cili nuk është përkrahur nga BE-ja. Kjo do të thotë gjithashtu edhe rritje të financimit për mediat e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile për t’i fuqizuar kërkesat për llogaridhënie ndaj qeverisë. Në fund fare, kjo nënkupton zgjerimin e përkrahjes për zhvillimin e kapaciteteve (p.sh. përmes NDI dhe IRI) të partive politike opozitare dhe udhëheqësive të tyre të reja në përpjekjet për reforma të brendshme. Përvoja në Ballkanin Perëndimor ka treguar se pluralizmi nuk mund të mirëmbahet pa opozita të besueshme.

Rreth përkrahjes afatmesme të SHBA-së

Ringjallja eventuale e rrugëtimit Euro-Atlantik për Ballkanin Perëndimor dhe përkrahja e SHBA-së për mekanizmat e bashkëpunimit rajonal duhet të shoqërohet me rikthimin e kredibilitetit të politikës së kushtëzimit, e cila duhet të nxisë respektimin e normave demokratike. Kjo është më shumë përgjegjësi e BE-së, por SHBA-ja gjithashtu mund të luajë rol kyç si lider i sigurisë me fuqi imponuese dhe interesa në rajon. Përgjatë dekadës së fundit, shtysat për reforma demokratike janë shtrembëruar për shkak të prioritizimit të shqetësimeve të sigurisë në rajon dhe qasjes akomoduese ndaj liderëve autoritarë në rajon. Ky pozicionim realist ka pasur pasoja të rënda për demokracinë në rajon sepse ka çoroditur incentivat dhe e ka shpërblyer siguritizimin e agjendës politike.

Duke i dhënë të drejtë sundimit të të fortit që ngulfat institucionet dhe sundimin e ligjit, kjo qasje ka qenë gjithashtu përgjegjëse për kthimin e vendeve të Ballkanit Përëndimor në vende kandidate jo tërheqëse për anëtarësim në BE, duke dështuar njëkohësisht që t’i zgjidhin problemet e sigurisë në rajon. Si e tillë, kjo ka qenë strategji vetëshkatërruese në arritjen e qëllimit rajonal të SHBA-së. Prandaj, rrugëtimi euroatlantik i Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor dhe partneriteti me SHBA-në duhet që në vitet e ardhshme të ndërlidhet dhe të përkufizohet nga një përkushtim më i fuqishëm ndaj vlerave demokratike. Më në veçanti, SHBA-ja duhet t’i mbajë përgjegjës udhëheqësit rajonalë dhe të kushtëzojë strategjinë e partneritetit dhe ndihmës me kushte strikte për sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave, e jo vetëm bashkërendimin në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Dy tipare veçuese demografike të Kosovës janë rinia (shteti me popullatën më të re në Europë) dhe çekuilibri i fortë gjinor (përkundër përparimit të konsiderueshëm gjatë dhjetëvjecarit të fundit). Të rinjtë dhe gratë kanë qenë gjithashtu agjentë të fuqishëm të rezistencës demokratike, duke u prirë kërkesave për llogaridhënie ndaj korrupsionit qeveritar, veçanërisht në zgjedhjet e fundit. Rritja e besimit publik në institucionet demokratike përgjatë dekadës së fundit ndërlidhet me faktin se një numër më i madh i të rinjve dhe grave votuan për ndryshim dhe kanë marrë pozita të udhëheqjes. Prapëseprapë, sfidat për gratë dhe të rinjtë mbesin të rënda në planin afatgjatë, meqë tregu i punës nuk është i gatshëm të përthithë kaq shumë të rinj, ndërsa gratë përballen me pengesat e normave të fuqishme patriarkale. Ky kontekst krijon tokë të plleshme për zhgënjim në demokraci, vazhdim të shkallës së lartë të emigrimit, apo kthim në modelet e mëhershme të radikalizimit. Në këtë drejtim, ndihma e SHBA-së duhet që në planin afatmesëm të prioritizojë projektet dhe nismat që fokusohen në fuqizimin e të rinjve dhe grave si faktorë kyç të qëndrueshmërisë demokratike.

Pritjet prej Samitit për Demokracisë

Së pari, procesi duhet të prodhojë zotime që nuk janë shumë të përgjithshme apo të paqarta, por lehtë të matshme, madje edhe në terma kualitativë; të përfshijë zotime rajonale -dhe/ose të veçanta për secilin shtet, si dhe zotime globale; dhe të ofrojë incentiva të qarta për vendet që i respektojnë zotimet, si dhe që këto të jenë të ndërlidhura me një lloj kushtëzimi për sa i përket cilësisë së partneritetit me SHBA dhe asistencën e saj. Së dyti, zotimet e samitit dhe implikimet e tyre duhet të komunikohen qartë përgjatë tërë vitit në nivelin vendor dhe shoqëritë civile lokale duhet të marrin rol udhëheqës në këtë përpjekje strategjike të komunikimit. Së treti, meqë Samiti për Demokracinë synon të ofrojë kornizë për angazhimin për demokraci të SHBA-së në nivel global, shoqëria civile demokratike në Kosovë do të përfitonte nga të pjesëmarrja në ndonjë platformë globale të shoqërisë civile që ka të bëjë me samitin dhe të përfshihet në monitorimin e progresit të zotimeve. Kjo jo vetëm që do të mundësonte angazhimin dhe shkëmbimin me të tjerë, por gjitashtu do të fuqizonte dhe legjitimonte aktorët e shoqërisë civile në vend. Në fund, për ato vende që nuk janë ftuar në samit, do të ishte mirë që SHBA-ja të elaboronte më shumë për arsyet për përjashtim dhe të fillonte dialogun për përfshirje në samitin e ardhshëm, i cili do të përfshinte aktorë të shoqërsë civile.

09 dhjetor 2021
13:19

Agon Maliqi