Dy shpikjet (monstruoze) të klerofashizmit serb

27 tetor 2021 10:26

Rikthehet fashizmi i Kishës Orthodokse Serbiane dhe shpeshtohen thirrjet nga majat e politikës serbiane për luftëra të reja në Ballkan. Fashizmi serb nuk është mundur, sepse nuk është kuptuar qartë në Perëndim. 

Dy janë trajtat e tij më ekstreme: e para, Lapot ose restriksioni senicidial që vepron si mekanizëm i masave shtrënguese nga brenda, e dyta, spastrimi etnik gjenocidal, që është mekanizmi i zgjerimit përjashta.

Veprimet subverzive dhe përdorimi i fesë në shërbim të politikës fashiste nga ana e KOS-it janë intensifikuar së fundi edhe në Mal të Zi, derisa në Bosnjë dhe Kosovë janë konstante.

Kisha Ortodokse Serbe është leva e pandryshueshme e klerofashizmit dhe në zemër të nxitjes së luftërave raciste e  gjenocidale që Serbia zhvilloi në rajon përgjatë dekadës së fundit të shekullit 20.

‘Popa’ primitivë e gjakatarë, që kinse janë shërbyes të Zotit e popullit, nxisin rritjen e radikalizmit fetar në prehrin e politikës, kundër popujve të tjerë në rajonin e Ballkanit, duke e veshur hegjemoninë serbiane me nji rrobë mistike, gati të pakuptueshme nga perëndimorët.

Krenat e KOS-it janë të lidhur me ‘milicitë’ sekrete terroriste serbe që nga Crna Ruka e deri te BIA dhe u shërbejnë interesave të qeverive autoritare e të frikshme në Beograd, që nën kërcënim permanent (terror psikologjik) i manipulojnë të vërtetat historike e politike dhe i nxisin turmat e rrëmbyeshme nga nacionalshovenizmi gjithëserb, kundër opozitës kritike ndaj hegjemonizmit, si dhe kundër të gjithë joserbëve. 

Për ta deshifru kodin e klerifashizmit serbian, po sjellim më poshtë dy veprime “doktrinare” që vlejnë si dy shpikjet më monstruoze të ideologjisë së Serbisë së Madhe. E para, Lapot ose restriksioni senicidial që vepron si mekanizëm i masave shtrënguese nga brenda, e dyta, spastrimi etnik gjenocidal, që është mekanizmi i zgjerimit përjashta.

Lapot (trajtë senicidi).

Intenca e vrasjes së tjetrit, për t’i kriju vetit hapësirë për jetë, nuk është vetëm mit i ritualeve antike, të fiseve e tribaleve të Ballkanit Perëndimor. Kjo intencë senicide, ndonëse jo e përhapur, po shfaqet si nënvetëdije e njerëzve edhe sot.  Ndjekës statistikash po thonë se coronavirusi po i sulmon kryesisht pleqtë dhe për këtë nuk qenka edhe aq i rrezikshëm!???

Të folunit me lehtësi të padurueshme për vdekjen e njeriut të moshuar, si diçka e padhembshme, nuk është hasë as në luftën e Kosovës, kur pleqtë i bartnin në shpinë apo me karroca, duke rreziku edhe veten dhe nuk i linin nën këmbë të një armiku mizor, siç ishte shteti serb.

Kjo ma kujtoi një nismë barbare të Qeverisë serbe të vitit 2004, kur agjencia italiane e lajmeve ANSA pati raportu nga Beogradi për një përpjekje për ta inicu një ligj që kufizonte shpërndarjen falas të ilaçeve për shpëtimin e jetës së të moshuarve mbi të 60-at!? 

Kjo tendencë për ta përligjë patologjinë shoqërore ishte përshkruar nga mediat opozitare serbe si një rast i "lapotit", që në Serbinë Lindore deri në fillimshekullin 20 ishte shndërru në ritual vrasjesh të prindërve, pas të korrave të varfra të misrit!?

Etničko čiščenje (spastrimi etnik)

Pastrimi etnik, si krim kundër njerëzimit të cilin OKB-ja do ta njihte tek pas luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, realisht si term dhe praktikë e ka burimin pikërisht në idetë e nacionalizmit serb dhe është aplikuar së pari në Bosnjë. 

Pastrimi etnik nuk është njohur si një krim i pavarur sipas ligjit ndërkombëtar. Termi u shfaq në kontekstin e konfliktit të viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe konsiderohet se vjen nga një përkthim literal i shprehjes serbo-kroate "etničko čišćenje". Megjithatë, rrënjët e sakta të termit ende janë të pasigurta.

Shprehja "pastrimi etnik" është përdorur në rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme dhe është pranuar në aktgjykimet dhe paditë e TPNJ-së, megjithëse nuk përbënte një nga akuzat për ndjekje penale. Një përkufizim i normuar nuk është ofruar kurrë.

Pasi spastrimi etnik nuk është njohur si një krim i veçantë sipas ligjit ndërkombëtar, nuk ka përcaktim të saktë të këtij koncepti apo akte të sakta që duhet të cilësohen si spastrim etnik. Një komision i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, i mandatuar për të shqyrtuar shkeljet e të drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë, përcaktoi spastrimin etnik në raportin e vet të përkohshëm S/25274 si "...duke e bërë një zonë etnikisht homogjene duke përdorur forcë ose kërcënime për largimin e personave ose grupeve nga zona". Në raportin e tij përfundimtar. S/1994/674, i njëjti Komision përshkroi pastrimin etnik si "...një politikë e qëllimshme e hartuar nga një grup etnik ose fetar për të hequr dhunshëm dhe me terror popullatën civile të një grupi tjetër etnik ose fetar nga një hapësirë gjeografike".

Spastrimi etnik zbatohet me masa shtrënguese administrative e ekonomike (Kosovë që nga themelimi i shtetit serb 1878 e deri më 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës me dhunë). 

Kurse metoda e dytë e spastrimit etnik është dhuna e avancuar, vrasje arbitrare, plaçkitje, varfërim deri në vrasje në masë dhe shkatërrim të pronës e zhvendosje popullsisë, që u zbatua gjatë vitit 1878 në rajonin e Toplicës, 1945 në Gjilan e veçmas në Drenicë dhe së fundi, për një dekadë në Kosovë, që nga viti 1989-1999 si dhe në Bosnjë e rajone të Kroacisë, 1991-1995.

27 tetor 2021
10:26

Halil Matoshi