Të përjashtuarit si banorë të kampeve (II)

26 tetor 2021 10:31

Shndërrimi i kampeve në element të katërt në raport me triparitetin e sipërpërmendur të shtetit-komb për t’i mbajtur përkohësisht njerëzit e pa shtet është bërë realitet i përditshëm për shkak të krisjeve që ka përjetuar ky formacion historik dhe politik. Kjo kategori amorfe dhe gjithnjë e më masive madje s’i përket asnjë ‘populli’ në kuptimin juridik të fjalës, i cili në traditën tonë të mendimit politik, të paktën që nga koha e “Ciceronit, ka nënkuptuar, një ‘consensus iuris’ (marrëveshje e së drejtës)” ndërmjet anëtarëve të një komuniteti. Qenie të depolitizuara, që menaxhohen me akte administrative. E të pushtuar nga ankthi i pritjes se ku do t’u caktohet një vend në botën e përbashkët njerëzore.

Jeta paralele e një australianeje dhe një afgani

Fenomene të tilla thuajse askush s’i ka prezantuar më mirë sesa filmi ‘Stateless’. Ky produksion artistik i shfaqur në formën e serive, është krijim i televizionit australian ABC. Ai është realizuar nën drejtimin e Tony Ayres, Elise McCreddie dhe Cate Blanchett. Dhe është transmetuar po ashtu edhe në platformën digjitale “Netflix”.

Ngjarja zhvillohet në Kampin Barton (Detention Center) në Australi, i cili shërben si vend për mbajtjen e imigrantëve azilkërkues në tokën australiane.

Ky film në pjesën më të madhe është i bazuar në një ndodhi të vërtetë. Ngjarja fillon me Sofie Werner (Yvonne Strahovski), një stjuardese e cila për t’i ikur presionit familjar e kërkon shpëtimin në një organizatë okulte që drejtohet nga Pat (Cate Blanchett) dhe Gordon (Domenic West). Kjo shoqatë mistike bazohet mbi kultin e çlirimit të autenticitetit të njerëzve nga presionet sociale, detyrimet familjare dhe prangat e konformizmit. Por, në vend të shpëtimit magjik, ajo në këtë sekt të dyshimtë do ta gjejë ferrin e vërtetë. Do të abuzohet dhe dhunohet seksualisht. Në dëshpërim e sipër, pasi prindërit e saj ia “konfiskojnë” edhe pasaportën, Sofie Werner tenton të arratiset në Gjermani me dokumente të falsifikuara. Prezantohet si shtetase gjermane me emrin Eva Hofman. Kapet nga autoritet australiane dhe dërgohet në Kampin Barton.

Mënyra e administrimit të këtij kampi dhe statusi që ai gëzon në kuadër të rendit politik dhe juridik të këtij shteti ndodhen në epiqendër të këtij narracioni artistik. Që në fillim të kësaj mini-serie bëhet e qartë se qendrat e imigrimit janë qendra administrative. Ato nuk janë burgje për të vuajtur dënimin. Sepse, siç dihet, në parim të burgosurit izolohen dhe mbahen në bazë të një kontrate të përbashkët legale, politike dhe morale, të cilën për arsye të ndryshme ata ndërkohë e kanë shkelur.

Ndërkaq refugjatët, imigrantët ekonomikë, thjesht njerëzit e pa shtet, s’i kanë asnjërën prej këtyre atributeve. Kjo edhe është arsyeja që njësi të tilla quhen thjesht qendra administrative. Kurse banorët e tyre kualifikohen si UNCs (Unlawful Non-Citiziens), njerëz që “s’janë as qytetarë dhe as të ligjshëm”. Ata janë një lloj i komuniteteve kulturore dhe gjuhësore, por të cilët janë të privuar dhe izoluar nga jeta politike dhe publike. Jetojnë të pushtuar nga errësira e sferës “private”.

Menaxhimi i këtij realiteti bizar pasqyrohet nëpërmjet rolit të Claire Kowtiz (Asher Keddie). Ajo emërohet si administratore e re në kampin Berton. Dhe gjatë gjithë kohës ndodhet ndërmjet presionit që të mirëmbahet në maksimum ekuilibri ndërmjet “presionit të azilkërkuesve si dhe sigurisë nacionale dhe rendit shtetëror”, raport ky që në masë të madhe ndodhet në një tension të vazhdueshëm dhe të papajtueshëm. Madje ky çrregullim është bërë burim i ushqimit doktrinar dhe ideologjik, për shumë nga lëvizjet populiste dhe nativiste, të cilat e kanë destabilizuar skenën politike tradicionale në disa vende demokratike. Sepse ato e kanë kanalizuar frustrimin publik ndaj imigrantëve, si shkaktarë të vjedhjes së identitetit të tyre kulturor dhe mirëqenies sociale. (Mirëpo trajtimi i kësaj krize i tejkalon caqet e këtij shkrimi).

Padyshim që rolin qendror në këtë mini-seri, që vizualizon dramën, vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj pjese të njerëzimit, e pasqyron Ameer (Fyssal Bazzi). Ky i fundit e luan rolin e një qytetari të Afganistanit që së bashku me familjen e tij e kanë braktisur vendin e tij të origjinës në kërkim të “tokës së premtuar”. Shpëtimin për vete, dy vajzat dhe gruan e tij ai e imagjinon në Australi. Mirëpo, këto bredhje, në fillim të nxitura nga shpresat, ëndrrat, iluzionet dhe entuziazmi për një fillim të ri, rezultojnë në një fund tragjik dhe makth trishtues.

Burimi i këtij fundi të kobshëm fillon qysh në Indonezi. Aty, ai së bashku me familjen e tij bien pre e grupeve të trafikantëve. Zhvishen nga çdo gjë që kanë. Madje edhe nga identiteti i tyre. I dorëzojnë dokumentet identifikuese në duart e kësaj rrjete kriminale. Sepse, siç u premton një trafikant, “ju tashmë po bëheni gati të filloni një jetë të re. Dhe nuk mund të jeni peng i kujtimeve të së shkuarës”. Këtu çdo gjë merr një kthesë të mbrapshtë. Pasi përfundon ky episod tragjik, ai më fund arrin në brigjet e tokës së ëndërruar. Me të zbritur aty përkulet dhe puth atë si shenjë e triumfit dhe shpëtimit përfundimtar. Dhe në fund dërgohet në kampin Barton. Aty ku ndodhet edhe vajza e tij e madhe Mina (Soraya Heidari). Sepse bashkëshortja dhe vajza e vogël e kishin humbur jetën gjatë udhëtimit në oqean. Në këtë kamp ndodhet edhe australiania Sofie Warner. Mirëpo, derisa të tjerët aspirojnë të mbesin me çdo kusht në shtetin e Australisë, ajo ndodhet aty me identitet të konvertuar, sepse dëshiron ta braktisë me çdo kusht vendlindjen e saj.

Aq paradoksale është kjo situatë, saqë një imigrant me origjinë nga Iraku, (këtu është fjala për kohën e regjimit të Sadam Hysen-it) e sprovon me një konstatim interesant. Ai i thotë se në vendin e tij është normale që të mashtrohen autoritetet shtetërore. Sepse atje dominon diktatura. Por është befasuese se si për një australiane më i sigurt është burgu sesa zbulimi i së vërtetës për të.

Në këtë vend, ku në mënyrë të çuditshme ndërthuren fatet njerëzore, Ameer do të ballafaqohet me shpërputhjen ndërmjet ëndrrave të tij dhe realitetit brutal. Ai informohet nga vajza e tij Mina se tashmë gjysma e familjes s’janë në mesin e të gjallëve. Pasi e kupton këtë të vërtetë, ai rrënohet psikologjikisht, moralisht dhe shpirtërisht.

Fjalori si amanet

Drama e vërtetë e tij fillon kur ai ballafaqohet me ingranazhin burokratik, pasi i duhet që të argumentojë pretendimet të tij për ta fituar të drejtën e leje-qëndrimit në Australi. Dhe kjo koklavitje e fatit të tij jetësor është vetëm njëra nga rastet e shumta të këtij kontingjenti të ardhacakëve të dyshimtë anekënd botës. Madje vetëm në Kampin Barton, siç ceket në film, të izoluarit mbahen edhe mbi dhjetë vjet në këtë gjendje pezull.

Gjatë këtij procesi zbulohen deklarata kontradiktore ndërmjet tij dhe atyre që ka pohuar më herët Mina, vajza e tij. E tërë kjo sepse atij i duhet t’i mbajë të fshehura rrethanat se si nga dëshpërimi për ekzistencë ishte përshirë pa dashje në një vrasje kundër një trafikanti, në përpjekje e sipër për t’ua rimarrë atyre mjetet e veta financiare, pasi ishin mashtruar nga këta të fundit. Situatë tipike kjo që mund të shpjegohet me atë thënien e njohur se “domosdoshmëria s’njeh ligj”(Necessity knows no law). Ngjarje kjo që ndikoi që ai të udhëtojë ndaras nga pjesa tjetër e familjes.

Kështu, duke tentuar ta arsyetojë veten se pse ai s’kishte ardhur së bashku me familjen e tij, diçka e pazakontë kjo, si dhe i pushtuar nga pasiguria dhe dyshimet për shkak të presionit që e ndien ai vazhdimisht, bën pohime që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Akuzohet se ka bashkëpunuar me trafikantët në bazë të një incizimi që ua dërgon pronari i hotelit në Indonezi, ku kishte qëndruar së bashku me familjen e tij. Mirëpo e vërteta është se në atë bashkëbisedim ai vetëm shërben si përkthyes vullnetar. Fatkeqësisht, ai s’mundet t’i demantojë këto pretendime. Akuzë kjo që është shumë e rëndë sipas legjislacionit në Australi.

Shanset për ta fituar të drejtën e qëndrimit i bëhen gjithnjë e më të vagullta. Edhe pse rasti i tij ishte shprehje tipike e persekutimit politik. Sepse bashkëshortja e Ameer i takonte një fisi afgan ku gratë, për shkak të besimit, persekutoheshin, torturoheshin dhe çnderoheshin nga regjimi i talebanëve. Sidoqoftë, nga viktimë reale e një regjimi fundamentalist (këtu është fjala për sundimin që e ushtronte ky grup në vitet ’90), si dhe viktimë e në rrjete kriminale trafikuesish të qenieve njerëzore, ai përfundon si dyshuar kryesor i kësaj të fundit.

Në këtë rreth vicioz, e ardhmja i bëhet e qartë. Pasi të përfundojnë procedurat, ai së bashku me vajzën e tij do të dëbohen përsëri në Afganistan. Për t’i ikur këtij skenari fatal, sidomos për vajzën e tij, Ameer, me ndihmën e avokatit të tij e sajon një rrëfim “ideal”. Pohon se Mina s’është vajza e tij. Se ai s’kishte familje. Dhe se një grua me dy vajza i kishte takuar rastësisht në Indonezi. Ishte prezantuar si prind i tyre, sepse në këtë mënyrë kishte shpresuar së do ta kishte më të lehtë ta fitonte të drejtën e azilit në Australi.

Duke e mohuar atësinë, Ameer shpreson që të paktën Mina, si një vajzë pa prind, ta fitojë të drejtën e qëndrimit. Dhe ashtu ndodh. Asaj i mundësohet që ta dalë nga kampi dhe ta fillojë jetën e re në shoqërinë australiane. Kurse Ameerit s’i mbetet tjetër pos ta vazhdojë betejën e tij rraskapitëse, të pafundme dhe nervasiflitëse.

Kjo seri përfundon në mënyrë dramatike. Sepse prodhon pasoja të padëshiruara dhe në kundërshtim me vullnetin dhe intencën fillestare të protagonistëve kryesorë të ngjarjes. Familjarët e Sofie Werner pas shumë kërkimeve ia dalin ta zbulojnë vendndodhjen e saj. Ata nga të cilët ajo kishte bërë të pamundurën për të ikur prej tyre. Ndërkohë kjo ngjarje shkakton një skandal publik në Australi, se si një qytetare me “gjak australian” ishte mbajtur ilegalisht e izoluar. Kurse Ameer detyrohet të distancohet nga ajo që ishte kuptimi dhe misioni i tij jetësor, vlera më e dashur dhe më shtrenjtë për jetën e tij, se si ta mbante familjen të bashkuar.

Çasti i lamtumirës së tij me të bijën është vërtet rrëqethës. Për Ameerin, “ata që qëndrojnë brenda shohin vetëm të kaluarën, kurse ata që janë përtej rrethojave shohin të ardhmen dhe ëndrrat për plotësimin e saj”. Prandaj, kjo ndarje ndërmjet tyre s’është një ndarje e zakonshme. Ajo shndërrohet edhe në ndarje të kohës, “ndërmjet së shkuarës dhe së ardhmes”, ku dy qenie nga i njëjti “trung” i nënshtrohen presionit të dy forcave të ndryshme. Kjo edhe është arsyeja që dhurata e fundit e tij për të bijën është vetëm një fjalor. Sepse me anë të tij mund të sajohet kuptimi i kësaj situate paradoksale. Aty i thotë, “do t’i kesh të gjitha fjalët që të nevojiten. Me anë të tyre mund të më shkruash për magjinë e jetës që të pret”.

Kuptimi i këtij mesazhi është i qartë. Krejt çka mbetet në fund është rrëfimi për veten, jetën që kemi bërë dhe botën ku kemi jetuar. Dhe atë mund ta pasqyrojmë me anë të fjalëve dhe një fjalori. Kjo është arsyeja që ky është testamenti i fundit që një prind ia ofron së bijës së tij, për cilën kishte bërë gjithçka. Për të treguar dhe rrëfyer. Mbase ky narracion mund të shndërrohet në përfaqësim të fatit të miliona njerëzve të tjerë të ngjashëm anekënd rruzullit tokësor.

Ndërkaq këto kategori sot nuk janë pak. Madje, kohën e fundit numri i tyre ka ardhur vetëm duke u shtuar. Sipas të dhënave të fundit, sot në botë ndodhen mbi 80 milionë qenie njerëzore të zhvendosura nga vatrat e tyre, qoftë për shkaqe ekonomike, për t’i ikur persekutimit politik apo luftërave civile. Gjysma e tyre janë fëmijë. Ata kanë nevojë për një zë. Dhe këtë zë na e ofron filmi ‘Stateless’.

26 tetor 2021
10:31

Afrim Kasolli