Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Open Balkan – efektet ekonomike

Iniciativa Open Balkan që nga fillimi ka qenë e pakëshillueshme, mirëpo ngjarjet e kohëve të fundit e kanë bërë atë të paqëndrueshme. Politikisht, agresiviteti i Serbisë ndaj Kosovës në lidhje me reciprocitetin e targave dhe zbulimi haptas se rruga për në BE nuk është e premtuar për Ballkanin, e bëjnë këtë iniciativë të paarsyeshme. Më poshtë do t’i shohim së pari arsyet ekonomike pse Open Balkan duhet të braktiset.

Struktura ekonomike e pjesëmarrësve

Të dhënat më poshtë tregojnë dallimet mes tri shteteve që deri tash e kanë promovuar iniciativën. Për të marrë pjesë një union të tillë ekonomik dhe për t’i gëzuar beneficionet e tij, një shtet duhet të ketë industri të zhvilluar. Industria si përqindje e BPV-së (GDP) (duke përfshirë ndërtimtarinë) qëndron kështu: Shqipëria 19%, Maqedonia Veriore 22.6%, Serbia 24.8%. Qartazi shihet se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë nivel më të ulët të industrializimit se Serbia, edhe nëse përfshihet ndërtimtaria në kalkulime.

Sipas kalkulimeve të tjera, gjendja krahasimore paraqitet edhe më e rëndë. Shqipëria ka BPV (GDP) me përbërje: 21.7% bujqësi, 24.2% industri dhe 54.1% shërbime. Maqedonia Veriore ka BPV (GDP) me përbërje: 10.9% nga bujqësia, 26.6% nga industria dhe 62.5% nga shërbimet. Serbia ka BPV (GDP) me përbërje: 9.8% bujqësi, 41.1% industri dhe 49.1% shërbime. Për krahasim, Kosova ka BPV (GDP) me përbërje: 11.9% nga bujqësia, 17.7% nga industria, dhe 70.4% nga shërbimet. Nga këto të dhëna shihet qartë se një union si Open Balkan do të dominohet brengosshëm nga industria e Serbisë, kurse niveli i lartë i pjesëmarrjes së bujqësisë në ekonomi, sidomos në Shqipëri, e bën pjesëmarrjen e saj në këtë union tejet joatraktive.

Këtë gjë e ritheksojnë edhe shifrat e punësimit. Punësimi në bujqësi si përqindje e punësimit total qëndron kështu: Shqipëria 36.42%, Maqedonia Veriore 13.92%, Serbia 15.61%. Shqipëria është brengosshëm e varur nga bujqësia dhe unioni Open Balkan do ta fuste Shqipërinë në marrëdhënie varësie nga Serbia me pasoja të rënda zhvillimore.

Terren i prodhuesve të Serbisë

Shifrat e tjera janë edhe më brengosëse dhe japin më shumë arsye për alarm. Manufaktura si përqindje e BPV-së (GDP) qëndron kështu: Shqipëria 6%, Maqedonia Veriore 13%, Serbia 14%. Siç shihet, Serbia ka sektor të prodhimit mbi dy herë më të madh sesa Shqipëria, gjë që ia mundëson lehtë ta mbulojë tregun shqiptar me produkte të Serbisë. Dobësia e këtij sektori u pa edhe pas vendosjes së tarifës 100% ndaj Serbisë në Kosovë, ku as industria e Shqipërisë, as ajo e Kosovës, nuk ishin në gjendje t’i zëvendësojnë sa duhet produktet serbe dhe ishin shtetet e treta ato që përfituan më shumë nga ajo situatë. Këtu duhet ta tërheqim vëmendjen te marrëveshjet tregtare e ekonomike të Serbisë me Rusinë dhe Unionin Euraziatik, dhe mundësinë reale të penetrimit jo të shëndetshëm rus në ekonominë e Open Balkan-it.

Po ashtu shifra të këqija gjejmë te niveli i eksportit. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve si përqindje e BPV-së (GDP) është kështu: Shqipëria 23.25%, Maqedonia Veriore 58.1%, Serbia 48%. Përsëri shohim se Serbia ka nivel eksporti mbi dy herë më të lartë se Shqipëria, që nuk është ogur i mirë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në një union ekonomik me Serbinë.

Bagëti, bujqësi e pabarazi

Ky union do ta forconte edhe më shumë specializimin e Shqipërisë në bujqësi, duke e bërë tepër të vështirë kalimin në një ekonomi të industrializuar dhe të zhvilluar. Efekti do të jetë i ngjashëm edhe në zonat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Preshevë, ku dihet se nivelet e zhvillimit dhe industrializimit janë shumë të vogla. Kjo do të ketë ndikim direkt në rritjen e pabarazisë mes komuniteteve dhe do të ndikojë edhe në rritjen e mosbesimit e konfliktit etnik.

Pabarazia është problem edhe në Shqipëri, ku shifrat tregojnë se dallimi mes Tiranës dhe rretheve po rritet, së bashku me dallimin mes zonave bregdetare me ato të brendshme, dhe Open Balkan-i vetëm se do të ndikojë në përshpejtimin e rritjes së pabarazisë. Në shumë indikatorë ekonomikë Kosova qëndron edhe më keq, prandaj ky union nuk është fare atraktiv për Kosovën.

Papunësia dhe kriminaliteti

Kjo do të ketë pasoja edhe në fusha tjera si kriminaliteti, kur dihet se është pikërisht specializimi në bujqësi ai që nxit kultivimin e kanabisit, një nga kulturat bujqësore më fitimprurëse. Gjithashtu, mungesa e mundësive për punë dhe pamundësia e mbijetesës me bujqësi, sidomos në zona rurale, do t’i shtyjë shumë të rinj të futen në kriminalitet. Kjo në një fazë tepër sensitive kur ka të dhëna se po zgjerohen në Evropë kartelet latino-amerikane të drogës, duke përfshirë Shqipërinë.

Një zonë e lirë transporti pa pengesa nga portet e Shqipërisë deri në kufi me Hungarinë, e cila është jashtë mbikëqyrjes së forcave të rendit të BE-së, do të jetë tejet atraktive për këto rrjete kriminale. Mundësia tjetër për të mbijetuar për të rinjtë e papunë është migrimi dhe kjo gjë paraqet problem të madh për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, që tashmë po vuajnë nga nivele të larta të depopullimit. Efekte të ngjashme me këto të listuara më lartë u panë në Meksikë, pas futjes së saj në një zonë të tillë ekonomike pa qenë e përgatitur ekonomikisht.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.