Rimendimi i Politikës (III)

20 shtator 2021 15:04

Rishpikja e politikës

Përmasat e mendimit novator të Montesquieu-së askush nuk i kishte kapur më rrokshëm sesa federalistët amerikanë. Ata e aplikuan atë si guidë drejtuese në ndërtimin e sistemit politik shtetëror federal që në themelet e republikës së sapolindur. Te konstatimet e tij teorike ky brez i politikës amerikane gjeti “atë që revolucionarët francezë zbuluan te Jean-Jacques Rousseau”.  

Është e njohur thënia e John Adamasit se “pushteti kufizohet me pushtet, interesi me interes, forca me forcë, madje edhe arsyeja me arsye dhe po ashtu pasioni me pasion”.

Devotshmëria politike në rrënjëzimin e këtij parimi si frymëzim të sjelljes politike amerikane mbase përbën arsyen kryesore se pse etërit themelues të SHBA-së u përcaktuan për ndërtimin e një sistemi federal politik dhe pse në instancë të fundit revolucioni amerikan nuk përfundoi në terror sikurse ai francez, por në konstitucionalizëm si një ombrellë fatlume për sigurimin dhe garantimin e lirive politike dhe civile për banorët e atij shteti. Ndërkohë slogani “Yes We Can” u bë  forca më e spikatur e mobilizimit politik, moral dhe psikologjik të kësaj shoqërie që nga fillimet e saja. Ajo e formëson kuptimin autentik të lirisë politike amerikane. Aftësia e saj për mrekulli të jashtëzakonshme ende vazhdon të jetë mahnitëse.   

Dhe këtu nuk duhet harruar faktin se ishte Montesquieu që në librin “Fryma e Ligjeve” e përshkroi i pari konceptualisht dallimin ndërmjet lirisë filozofike të vullnetit (I Will) dhe modelit të lirisë politike (I Can). Në këtë kontekst, “çdo shestim i lirisë politike krahas relacionit të saj me kushtetutën duhet të portretizohet edhe në raport me qytetarët”.  Prandaj ka të drejtë Hannah Arendt në librin e saj “On Revolution” (Mbi Revolucionin) kur pohon se termi liri në truallin e “botës së re” u përdor në një kuptim të panjohur deri atëherë më parë.

Me këtë nocion u nënkuptua një vlerë “e ndryshme nga vullneti i lirë dhe mendimi i lirë që filozofët e kishin njohur dhe diskutuar që nga koha e Shën Augustinit (Saint Augustine). Liria publike s’ishte një sferë e brendshme ku dikush mund të strehohet në vullnetin e tij nga presionet e kësaj bote, ajo nuk ishte po ashtu liri arbitrare (liberum arbitrium), e cila e lejon vullnetin të zgjedhë ndërmjet alternativave. Liria për ata ishte diçka e krijuar nga publiku, e prekshme, realitet i kësaj bote, e formësuar nga njerëzit që të gëzohet po ashtu nga njerëzit”.  

Magjinë e këtij rendi të paprecedent në historinë politike të deriatëhershme askush s’e kishte hetuar më mirë sesa Aleski de Tokëvil (Alexis de Tocqueville) në vizitën që u kishte bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të zbritur në tokën përtej brigjeve të Atlantikut ai ishte mahnitur me impulset dhe zhvillimin unik të demokracisë amerikane.

Në librin “Demokracia në Amerikë” (Democracy in America) ai e nuhati risinë e kësaj bote më një mprehtësi të jashtëzakonshme. Asgjë, thotë Tocqueville që në hyrje të librit, “nuk më ra në sy më shumë sesa barazia e përgjithshme e kushteve të popullit”. Dhe në vëzhgim e sipër ai deklaron “shpejt e kuptova se ndikimi i këtij fakti shkon shumë më thellë përtej karakterit politik të ligjeve dhe ka një pushtet po aq të madh në shoqërinë civile sa edhe mbi shtetin”. Kodifikimi shoqëror i këtij parimi e ka shndërruar sipas tij idealin e barazisë në një “fakt providencial”.  

Për këtë historian të shtresës aristokratike franceze shumë nga kategoritë hierarkike të trashëguara nga e kaluara, e që kishin qenë të lidhura kryesisht me përvojën politike të “fronit dhe altarit”, s’ishin në gjendje ta përçonin si duhet këtë ngjarje të re politike. Dhe me “qëllim që shpirti njerëzor të mos endet në errësirë”, Tocqueville e shtron pandehmën e rinvetimit të disa nocioneve të reja politike që lidhen me këtë përvojë. Ai e shprehu këtë nevojë me një sentencë të thjeshtë dhe lakonike: “Një shkencë e re politike duhet për botën e re”.  

Gjatë këtij vëzhgimi, krahas ndarjes së pushteteve dhe rolit vital të shtypit në informimin e publikut, një vend qendror në këto përsiatje e ka zënë edhe kategoria e taunshipëve. Ato u përdorën si hapësirë vitale për gjallërimin e ideve “demokratike dhe republikane”. Po ashtu, rreth këtyre njësive u mblodhën dhe lulëzuan interesat, pasionet, të drejtat dhe detyrat lokale”. Dhe në këto taunshipe pushteti ishte i shpërndarë me një mjeshtëri të admirueshme për ta bërë të "integruar numrin me të madh të njerëzve për qëllimet e së mirës së përgjithshme". 

Politika jofilozofike 

Një impresion jo më pak të vogël në mendjen e këtij politikani evropian të tronditur nga arritjet e kësaj bote e kishte ushtruar edhe aftësia e amerikanëve të zakonshëm për t’u mbledhur në asociacione dhe shoqata të veçanta për t’i mbrojtur interesat e tyre politikë, ekonomikë dhe kulturorë. Kështu, “arti i asociacionit” dhe drejta e njerëzve për t’u mbledhur lirshëm në këto entitete bazike e përbënin “nënën e të gjitha shkencave” për të kuptuar njëkohësisht se pse shoqëria amerikane funksiononte në atë mënyrë perfekte dhe ishte në gjendje për të zgjidhur sa e sa probleme komplekse ekonomike dhe politike. Prandaj, stimulimin e njësive të tilla ai nuk e konsideronte rrezik për shtetin, siç mendohej atëbotë në vendin e tij të lindjes, por një shans për ta plotësuar veprimtarinë tij.

I magjepsur nga potencialet krijuese të kësaj fryme, Tocqueville në këtë libër e formulon një konstatim që është treguar profetik për të ardhmen e njerëzimit. Ai pohon se zhvillimet në botë në vitet e ardhshme në masë të madhe do të kushtëzohen nga ndikimi i amerikanëve dhe rusëve. Mirëpo, dallimi është se derisa “amerikani lufton kundër pengesave që i vë përpara natyra, kundërshtarët e rusëve janë njerëzit. I pari lufton me shkretëtirën dhe jetën e egër, i dyti me qytetërimin dhe të gjitha armët e tij. Pra, i pari korr fitoret me plug (inovacion), i dyti me shpatë. Anglo-amerikani mbështet interesin vetjak për t’i arritur qëllimet e tij dhe i hap fushë të lirë sensit të përgjithshëm të popullit, rusi e përqendron gjithë autoritetin e shoqërisë në një dorë. Mjeti i të parit është liria, i të dytit skllavëria”.  

Me këto fjalë emblematike ky “orakull” politik i kohëve moderne e përshkruan rolin e këtij shteti të “botës së qytetëruar që filozofisë askund s’i kushtohet më pak vëmendje sesa në Shtetet e Bashkuara. “Amerikanët”, vazhdon Tocqueville, “nuk kanë ndonjë shkollë filozofike të tyren dhe nuk e para vrasin shumë mendjen për shkollat në të cilat është ndarë Evropa, emrat e të cilave ata as që i njohin”.   

Ky ndikim i jashtëzakonshëm i “demokracisë mbi veprimin e intelektit në Shtetet e Bashkuara” dëshmon më mirë se asgjë tjetër për aftësinë e  politikës për të ndërtuar një sistem unik me synim harmonizimin dhe koekzitencën e kontigjencave njerëzore. Dhe si e tillë kjo ngjarje shënoi fillimin e fundit të pretendimeve të mendimit filozofik për t'u shndërruar në guidë të domosdoshme të veprimeve politike. Kategoritë mbi-politike dhe qëllimet finale filozofike s’mund ta deshifronin këtë mrekulli njerëzore.  

Kështu, nën peshën e krijimit të “Novus Ordo Saeclorum” dhe çmontimit të asaj ngrehine e cila datonte që nga koha e Platonit, shumë kohë më vonë, Hannah Arendt, duke imituar metodën e “zhytësit të perlave” të Walter Benjamit, do të thellohet në ndriçimin e koraleve politike të së kaluarës, porse tani pa ndikimin e traditës.  

Restaurimin e dinjitetit të kësaj sfere ajo e konsideronte të një rëndësie jetike, për ta kuptuar si duhet këtë dimension të jetës njerëzore. Njeriu prej “natyre është qenie apolitike”, por ai bëhet “qenie politike” sa herë që përfshihet në këtë aktivitet me të tjerët. Bota politike “është bota e pluralitetit”, e interesave të përbashkët.  S’është e rastësishme që etimologjikisht vetë fjala interes rrjedh nga vokabulari politik i romakëve dhe si e tillë e shpreh atë që ndodhet në mes nesh “inter–esse”(to be or lie between). Kështu “njerëzit dhe jo njeriu” e përbëjnë epiqendrën e aktivitet politik. Prandaj, preokupimi i mendimit tradicional të filozofisë politike vetëm me kategorinë e singluaritetit ishte arsyeja bazike se pse “filozofia kurrë nuk zuri vend në terrenin e politikës”. Asaj i mungonte aparati konceptual për të operuar në këtë ambient.  

Madje, në fund të librit “Origjinat e Totalitarizmit” (The Origins of Totalitarianism), kjo teoriciene e pashoqe politike e shekullit XX, rimëkëmbjen nga tmerret tragjike që i prodhoi ky regjim i paprecedent në histori s’e kërkoi në soliditetin e jetës “mendore apolitike”, në utopitë e së kaluarës, qiellin e pastër të ideve filozofike, apo në doktrinat e shpëtimit shpirtëror, por e ravijëzoi atë në termat e politikës për një fillim të ri si dhe në afirmimin e kapacitetit inherent njerëzor për aksion. Sepse, sipas saj, “fillimi, para se të bëhet një ngjarje historike, është aftësia më a lartë e njeriut; politikisht ai është identik me lirinë”. Në këtë kontekst, rimendimi i politikës të çliruar nga vargonjtë mentalë të traditës përbën një domosdoshmëri për t'u orientuar si duhet në botën politike.    

Me këtë afirmim defintivisht kjo veprimtari ka shansin të rikthehet në shtëpinë e saj të veprimit. Të shndërrohet në medium që e mbron “lirinë si qëllimi më i lartë i saj”, pa të cilën asgjë s’mund të arrihet në këtë botë. Kurse operimi me kritere politike të përcaktohet si qëllim në vetvete për të. Nëse juridikisht “ligjet pozitive në qeveritë kushtetuese bëhen për t’i ngritur kufijtë dhe për t’i krijuar kanalet e komunikimit mes njerëzve, edhe pse ato i vendosin caqet e veprimeve, por nuk i frymëzojnë ato”, atëherë politikisht aftësia për të ”dhënë premtime dhe për t’i mbajtur ato” përbën kushtin pa të cilin s’mund të veprohet në këtë sferë, apo të gjykohet cilësia e jetës politike.

Performanca e saj duhet të vlerësohet jo nga forca ideologjive që proklamon, pastërtia e shpirtit të aktorëve, por nga veprimet dhe pasojat që ata i prodhojnë. Pra, nga mënyra se si shfaqen para atyre që pretendojnë se i përfaqësojnë. Dhe sa u qëndrojnë konsekuentë fjalëve të kumtuara para të tjerëve në teatrin publik të aksionit.  

Shpërfillja e këtij parimi e suspendon kuptimin e ekzistencës së saj. Dhe me këtë edhe arsyen themelore të bashkimit të njerëzve politikisht. 

20 shtator 2021
15:04

Afrim Kasolli