Kërkohet perspektivë vendore për ta kuptuar më mirë radikalizmin në Kosovë

15 shtator 2021 10:51

Çështja e ekstremizmit të dhunshëm ka mbizotëruar hulumtimet shkencore për dy dekada tani dhe Kosova ka marrë shumë vëmendje në këtë drejtim. Por, një vështrim më i thellë i hulumtimeve në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm nxjerr në pah paragjykimin perëndimor, pasi zërat vendorë janë lënë në hije ose janë shpërfillur. Një nga pasojat e kësaj qasjeje është problematizimi i radikalizmit me bazë fetare jashtë proporcionit, duke çuar në margjinalizim dhe duke krijuar një frymë ku disa qytetarë janë ndier të cenuar në identitetin e tyre fetar, sidomos në Kosovë. Pra, diskutimi ekzistues në publikime të ndryshme në lidhje me radikalizmin në Kosovë thekson ekstremizmin fetar, ndërsa shpërfill format e tjera të radikalizmit që cenojnë paqen në Kosovë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm në hulumtimet mbi radikalizmin përfshin rolin që interneti apo platformat e mediave sociale luajnë në radikalizmin e të rinjve. Mirëpo, supozimet se përmbajtja online dhe mediat sociale janë nxitësit kryesorë të radikalizmit në shoqëri krijojnë përshtypjen e gabuar dhe nuk janë plotësisht në përputhje me realitetin, të paktën në rastin e Kosovës. Për shembull, një artikull i botuar në vitin 2017 nga Instituti Norvegjez i Çështjeve Ndërkombëtare thekson se shumë nga individët që u larguan nga Kosova në një farë mënyre u dëbuan në kërkim të një jete më të mirë, por edhe një pjesë ishin njëmend të shqetësuar për mënyrën se si trajtoheshin civilët në zonat e konfliktit në Siri, duke bashkëndier me myslimanët atje.

Perceptimet në Kosovë rreth regjimit të Asadit dhe krimeve të tij kundër civilëve të pafajshëm asocuan me Kosovën, pra me regjimin e Milosheviqit dhe krimet e tij të kundër njerëzimit gjatë viteve 1990 – sidomos në Bosnjë dhe Kosovë. Duke parë përmes mediave tmerret që shkaktoi regjimi i Asadit dhe krimet kundër njerëzimit që ai vazhdon t’i shkaktojë, nuk mund të injorohet si një faktor shtytjeje për disa në Kosovë, të cilët vuajtën përmes një regjimi të ngjashëm nën Milosheviqin.

Është shumë e rëndësishme të mos e shpërfillim kontekstin historiko-kulturor dhe të mos i kufizojmë shkaqet e radikalizmit në sfidat socio-ekonomike. Literatura ekzistuese thekson kushtet socio-ekonomike, duke përfshirë papunësinë, varfërinë dhe cilësinë e dobët të arsimit, si faktorë të rëndësishëm që kanë gjeneruar radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm. Megjithatë, disa artikuj e kundërshtojnë këtë supozim, duke argumentuar se në fakt ka individë me standard ekonomik mesatar, por që kanë qenë viktima të radikalizmit. Prandaj, një qasje shumëdimensionale duhet të merret në lidhje me radikalizmin në Kosovë.

Së fundi, kur flitet për temën e ekstremizmit të dhunshëm, është domethënëse të mos e shpërfillësh faktin se ka pasur luftëtarë të huaj nga Serbia që kanë udhëtuar në Ukrainë në përkrahje të Rusisë. Siç është vënë në dukje nga hulumtimet e ndryshme, rreth 300 luftëtarë të huaj serbë të financuar nga "Fronti i Kosovës", që është një organizatë ruse, kanë luftuar në territoret separatiste ukrainase. Megjithatë, fenomeni i luftëtarëve të huaj nga Serbia në Ukrainë është anashkaluar dhe ka marrë vëmendje minimale, si nga mediat, po ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Pra, nëse e krahasojmë me Kosovën, problematizimi i fenomenit të luftëtarëve të huaj në Serbi pothuajse është injoruar plotësisht.

Sistemi i vlerave liberale në Kosovë, që është i mishëruar në Kushtetutën e Republikës, është thelbësor për komunitetet e ndryshme për të bashkëjetuar në vend. Radikalizmi etno-politik dhe e djathta ekstreme në Ballkanin Perëndimor – që është në rritje e sipër – përbëjnë ndër cenimet kryesore ndaj vlerave liberale në Kosovë e rajon. Një diskutim mbi radikalizmin e së djathtës ekstreme përfshin edhe aspekte të të drejtave të komuniteti LGBTQ+ dhe të drejtat e grave.

Për më tepër, rritja e ksenofobisë dhe racizmit kundër pakicave është evidente në rajon. Prandaj, është shumë e rëndësishme të hapet një diskutim edhe për këtë dimension të radikalizmit në Kosovë e rajon dhe gjuhën e urrejtjes që e përcjell. Duhet të jemi më mendjehapur ndaj ankesave me të cilat përballen grupet e veçanta të pakicave në Kosovë, si dhe të ketë vullnet politik dhe shoqëror për t’u ballafaquar me to.

Sa u përket qasjeve dhe strategjive të deradikalizmit, literatura ekzistuese thekson faktin se dialogu, terapia njohëse dhe mjete të tjera janë të rëndësishme për t'u zbatuar së bashku. Është e rëndësishme që të lehtësohet qasja në shërbimet këshilluese. Shoqëria civile duhet ta lehtësojë një diskutim më të strukturuar në komunitet për ndikimin e lëvizjeve anti-liberale në Kosovë dhe rajon, për funksionimin demokratik të vendit.

Autorja është asistente për hulumtim në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe ky artikull është përgatitur në kuadër të hulumtimit të organizatës, në kuadër të projektit PAVE të financuar nga BE-ja dhe skema Horizon 2020.

15 shtator 2021
10:51

Delina Reçica