Pagë për riprodhim

13 shtator 2021 12:45

Në vitin 2008, kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë Veriore, Nikola Gruevski, vendosi në fuqi një politikë subvencionimi për lindje të fëmijëve, duke shpresuar ta rrisë natalitetin e popullsisë maqedonase. Si politikan i djathtë nacionalist, kjo politikë shkonte shumë mirë me gjithë orientimin e tij qeverisës. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese vendosi se politika e tij ishte diskriminuese ndaj etnive të tjera dhe shteti u detyrua ta zgjerojë aplikimin e saj edhe te familjet shqiptare dhe më gjerë.

Qeveri të tjera të djathta - por edhe disa të majta - në rajon dhe më gjerë, kanë aplikuar politika të ngjashme të subvencionimit të lindjeve. Por, ajo që nuk ka bërë asnjë qeveri tjetër, përpos Qeverisë Kurti, është përpjekja që këtë politikë ta prezantojë si përmirësim të “rolit të gruas në shoqëri” dhe “pavarësim financiar” të gruas – siç u shpreh vetë Kurti gjatë shpalosjes së “pagesave të lehonisë.”

Sikurse në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi, edhe në Kosovë subvencionimi i lindjeve mund të shërbejë si ndihmë e mirë financiare për familjet e reja. Por, ajo që nuk do të arrihet kurrë me këtë politikë është fuqizimi dhe pavarësimi ekonomik i gruas. Kjo është e sigurt.

Ministri Murati bëri një gafë gjatë prezantimit të politikës, të cilën besoj ka shpresuar se nuk do ta vërejë askush. Ai tha: “Pagesat… bëhen në llogarinë bankare të gruas dhe me automatizëm përfitues direktë janë gratë, të cilat më pas do ta diktojnë mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve”.

Sa gra realisht në Kosovë menaxhojnë paratë e tyre apo të familjes? Gratë që nuk lejohen të shkojnë në treg për blerjet e javës të pashoqëruara nga ndonjë burrë apo fëmijë i familjes? Ato që nuk lejohen nga babai, vëllai e pastaj burri e kunati të shkollohen sepse shkollimi mund të rezultojë në nxjerrjen e tyre nga kontrolli i burrave?

Situata e gruas brenda familjes në Kosovë është më e mirë nga ç’ka qenë në vitet ‘90, por përmirësimi nuk është aq i madh e i shpejtë sa të bëhet deklarata banale e Muratit.

Sa duhet të jetë e shkëputur nga realiteti Qeveria Kurti që të besojë se këto pagesa do të shpenzohen nga gruaja kosovare? Ato para me shume gjasë do t’i përdorë burri, vjehrri apo kunati i madh. Frika është se i njëjti burrë, vjehërr apo kunat do të kërkojë nga gruaja pranuese e pagesës që ajo të mos punojë apo shkollohet, por të vazhdojë të lindë fëmijë, në mënyrë që pagesat të vazhdojnë të vijnë.

Të punësuara sot në Kosovë janë vetëm 13 për qind e grave të moshës 15-64 vjeçe. Kjo shifër nuk ka ndryshuar shumë në 20-vjeçarin e fundit. Por, çfarë ka pësuar ndryshim rrënjësor është shpresa e grave që të punësohen dhe kjo duket qartë nga të dhënat e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Në vitin 2002, numri i grave të regjistruara si punëkërkuese ishte 26 për qind. Dhjetë vjet më vonë, më 2012, vetëm 7 për qind e grave kanë qenë të regjistruara si punëkërkuese. E njëjta shifër figuron edhe për 2019.[1]

Është në këtë kontekst kur gruaja ka hequr dorë nga punësimi potencial, që “pagesa e lehonisë” s’është asgjë tjetër përpos një pagë për riprodhim. Kjo është edhe loja e rrezikshme e qeverisë – tashmë de-fakto konservatore – Kurti. Në Kosovë mbizotëron një patriarkalizëm i thellë, ku gruaja rol primar në shoqëri ka riprodhimin tashmë të pranuar nga ajo vetë.

“Pagesat e lehonisë“ janë thikë me dy presa: ndihmojnë familjen financiarisht për 6 muaj, në kurriz të gruas së kurthuar tutje brenda rolit riprodhues dhe punëve të shtëpisë.

Kjo politikë, që ta tejkalojë natyrën e vet shtypëse ndaj gruas, duhet të shoqërohet me masat që lirojnë gruan nga kujdestarja primare e fëmijëve. Krijimi i infrastrukturës publike për dyfishim të numrit të çerdheve dhe kopshteve – pjesë e planit qeveritar - është ide e mirë, por ambicioze deri në mosrealizim. Plus e pamjaftueshme: duhet të ketë çerdhe dhe kopshte në çdo fshat të Kosovës.

Kjo arrihet duke lejuar ofertuesit privatë të hapin çerdhe dhe kopshte me standarde të mira të kujdesit, ushqyerjes, higjienës dhe edukimit, pastaj inspektimit të tyre të vazhdueshëm e lejimit të shndërrimit të hapësirave shkollore të papërdorura në ambiente për çerdhe dhe kopshte – dhe këso hapësirash ka mjaftueshëm nëpër fshatra ku numri i nxënësve po bie.

Ndërsa familjet, në vend të shtesave të fëmijëve, të marrin vouçerë që subvencionohen nga shteti për t’i çuar fëmijët në çerdhe dhe kopshte në moshë sa më të hershme, në mënyrë që gruaja të lirohet nga kjo barrë që shoqëria ia ka lënë ekskluzivisht asaj.

Pagesa në formë të vouçerit rezervon këto fonde ekskluzivisht për kujdes ndaj fëmijëve dhe ua pamundëson burrave t’i përdorin ato për shpenzime të tjera, siç do të ndodhë me “pagesat e lehonisë.” Ndërsa gruaja, e mbështetur kësisoj nga shteti edhe mund të ndihet e fuqizuar t’u kundërvihet burrave që vendosin për të, për të ndjekur shkollim apo punësim.

Edukimi i hershëm është i rëndësishëm edhe për zhvillimin e fëmijës. Por, sot, më pak se 5 për qind e fëmijëve të moshës 0-5 shkojnë në çerdhe apo kopsht. Kjo duhet të ndryshojë, që të përfitojnë fëmija dhe nëna.

Puna e qeverisë nuk mund të përfundojë as këtu. Sidomos jo e qeverisë së Vetëvendosjes, e cila për 16 vjet rresht ka folur për kapacitetin e saj për emancipim shoqëror kur të vijë në pushtet. Burrat duhet ta marrin përsipër pjesën e tyre të barrës së kujdesit ndaj fëmijëve dhe të tjerët. Kjo bëhet duke subvencionuar lindjen edhe për burrin. Të ndahet koha e përfitimit të kësaj pagese në dysh, duke krijuar mundësinë e pushimit të lindjes edhe për burrin. Si hap i parë në këtë drejtim duhet të iket nga termi pushim i “lehonisë”, që nënkupton se i takon veç gruas kujdesi parësor pas lindjes së fëmijës.

Anëtarët e VV-së kritikuan kritikuesit feministë të politikës së Kurtit duke thënë: “Nuk mund të kritikohet Qeveria Kurti pse ndërhyri këtu e jo aty.” Kjo përbën edhe gafën e tretë të turpshme në lidhje me këtë temë. Puna primare e qeverive është të vendosin se ku e shpenzojnë buxhetin e limituar që kanë. Ky proces quhet politikëbërje dhe është procesi kryesor që duhet lëvduar apo kritikuar te një qeveri.

Në këtë rast, zgjedhja e Kurit ka qenë mes politikave të majta progresiste që fuqizojnë gratë apo politikave të subvencionimit konservator të rendit patriarkal ekzistues. Kurti ka vendosur për këtë të dytën. 

 

[1] Agjencia e Statistikave e Kosovës, “Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2021” f: 111-112. Përqindja e punëkërkueseve është kalkuluar duke zbritur përqindjen e grave të punësuara nga përqindja e grave pjesëmarrëse në tregun e punës.

13 shtator 2021
12:45

Besa Shahini