Çka na shtyn të besojmë në gënjeshtra dhe propaganda?

10 shtator 2021 11:20

Pse njerëzit besojnë në të pavërteta, komplote, thashetheme, trillime, madje edhe gënjeshtra e marrëzi komplet të zhveshura? Për shembull që vaksinat kundër COVID-19 janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse, apo se ne kemi për ta pasur rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan në vitin 2021? Që bota sundohet nga hardhucat ose gjakpirësit pedofilë, që disa kokrra të kuqe, çaji jeshil, kërci i peshkaqenit ose shikimi në diell shërojnë kancerin dhe se planeti Tokë është një pjatë e sheshtë, ani pse kjo e pavërtetë nuk besohej as në mesjetë...

Pyetjet e tilla më së shumti u shpërfaqën pas përhapjes së përdorimit të rrjeteve sociale, mediave dhe shoqërimit të tyre me lajme të rreme, edhe pse vetë pyetja si e tillë është po aq e vjetër sa vetë filozofia. Ndërkohë që përgjigja më e popullarizuar për to është: ne besojmë në gënjeshtra për shkak të injorancës.

Para-sokratikët, si Parmenidi, ishin ata të cilët qysh në lashtësi dalluan Shtegun e së Vërtetës, mirëpo gjithashtu dalluan edhe Rrugën e Opinionit, rrugë kjo e cila përbëhet nga besimet e kota të vdekatarëve të thjeshtë. Sipas tyre, thelbi i zhvillimit personal dhe kozmik është një lloj udhëtimi ose përparimi nga injoranca (opinioni) mortor në njohuri të pavdekshme. Ndërsa, sipas Sokratit, askush nuk bën me dëshirë të keqen dhe të mbrapshtën. Edhe në rast se kryejmë ndonjë veprim amoral, kjo ndodh sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme. Pra, përfundimisht, injoranca e përhapur është armiku kryesor në luftë me gënjeshtrat.

E duket se krejt çka nevojitet është më shumë vetëdijesim, edukime të ndryshme dhe ndërgjegjësim. Si për shembull më shumë dëshmi shkencore mbi funksionimin dhe efektivitetin e vaksinave, madje edhe deri te dëshmia se planeti Tokë ka formën e topit. Sot mund të shohim shumë shkencëtarë të cilët në rrjetet e tyre sociale, me mirëbesim (deri në naivitet) përpiqen ta iluminojnë popullatën, duke shpjeguar gjëra të cilat na kanë kaluar pavërejtshëm, e nga ana tjetër është po kjo popullatë e cila i konsideron ata arrogantë ose/edhe bashkëpunëtorë në komplot.

Një pedagogji e tillë mbresëlënëse krijoi dhe vazhdon ta përbëjë thelbin e vërtetë të vlerës së Iluminizmit. Njeriu, sigurisht, është qenie racionale (a s’e kemi quajtur ne vetveten tonë sapiens?!) dhe është në rrugë drejt përparimit të vazhdueshëm nga errësira injorante. Kështu pra, nëse besojmë në të pavërtetat ne nuk kemi bërë aq sa duhet për të kuptuar se çfarë po ndodh në të vërtetë dhe kjo do të thotë që, nëse besojmë në gjëra të rreme, jemi thjesht injorantë ose budallenj.

E, në anën tjetër, në shekullin XX, na shfaqet edhe një përgjigje tjetër për këtë pyetjen tonë të lashtë. Sipas kësaj përgjigjeje, ne besojmë në gënjeshtra për shkak të manipulimit, përkatësisht propagandës. Të gjithë tashmë e dimë se mediat duhet të jenë bartëse të lajmeve të pavarura dhe objektive, ndërkaq që jemi dëshmitarë se shumica e tyre janë shëndrruar në institucione të fuqishme ideologjike që veprojnë vetëm në interes të disa elitave politike dhe ekonomike, e që si përfundim na mashtrojnë dhe na gënjejnë në këtë apo atë mënyrë. Së bashku me George Orwellin në “1984” e  kundër Parmeneidit ose Sokratit, ky qëndrim në lidhje me manipulimin dhe propagandën e mediave si burim i besimit tonë në të pavërtetën mbrohet nga një mendimtar tjetër i kategorisë së rëndë – Naom Chomsky.

Në të vërtetë, diktatorët, demagogët dhe propagandistët gjithmonë kanë manipuluar publikun dhe kanë përhapur gënjeshtra, veçanërisht në konfliktet shoqërore dhe të luftës. Pothuajse çdo masakre etnike i ka paraprirë përhapja e thashethemeve. Madje, sipas një sondazhi të rëndësishëm të mediave dhe opinionit publik gjatë Luftës së Gjirit (1991), ata individë që shikuan më shumë lajme për atë luftë në të vërtetë dinin më pak për faktet themelore në lidhje me Lindjen e Mesme ose marrëdhëniet SHBA–Irak. Më shumë shikim i  televizionit do të thoshte më pak njohuri. Pra, propaganda e përhapur është armiku ynë kryesor në luftën kundër gënjeshtrave. Dhe gjithçka që nevojitet janë media më të pavarura, objektive dhe të lira.

Ndryshe nga shkencëtarët e lartpërmendur të cilët përpiqen të iluminojnë audiencën me dituri përmes rrjeteve sociale personale, fokusi i çlirimit të mediave padyshim është edhe një ndër strategjitë e opozitave politike në vende të ndryshme, e posaçërisht në Ballkanin Perëndimor. E, megjithatë, rrjetet sociale pothuajse periodikisht vërshohen nga shpërndarja e vazhdueshme e të ashtuquajturave “Dhjetë strategjitë e manipulimit mediatik të njerëzve”, ku hyjnë tërheqja e vëmendjes, krijimi i problemeve, zgjimi i emocioneve... etj., për të cilat dyshohet se janë përmendur dhe studiuar nga Chomsky.

Sidoqoftë, në kontestin e ngjarjeve historiko–ironike, lista apo teksti i lartpërmendur është gjithashtu një gënjeshtër, mashtrim, manipulim, dezinformatë apo lajm i rremë. Chomsky nuk e ka shkruar kurrë atë, e megjithatë ajo shfaqet vazhdimisht si studim i tij qysh prej vitit 2010 në gati 81,2000.000 faqe në Google.

Kështu, nëse ne besojmë në të pavërteta, kjo nuk është pasojë se jemi të paarsimuar, injorantë apo budallenj, por pasojë e mashtrimit dhe verbimit nga mediat. Kjo do të thotë se nëse besojmë në gjëra të rreme thjesht jemi të gënjyer.

E tash kush ka të drejtë? Parmeneidi dhe Sokrati, apo Orwelli dhe Chomsky? Kush saktësisht është fajtor për prirjet tona kronike mendore dhe shoqërore drejt të pavërtetave politike dhe gënjeshtrave shoqërore? Edukimi ynë i tmerrshëm? Shkolla dhe kolegjet, apo gazetat, televizioni dhe interneti? Përgjigjja për pyetjet tona kruciale për zhvillimin e shoqërisë me gjasë qëndron në një vend krejtësisht tjetër.

Psikologët njohës të kësaj fushe e quajnë këtë dëshirë për arsyetim të motivuar nga besimi, i cili nënkupton një tendencë universale njerëzore për t’i nxjerrë pikërisht ato përfundime që janë në favorin tonë. Ta përpunojmë informacionin në mënyrë që të përshtatet me besimet dhe paragjykimet tona të mëparshme, si dhe të refuzojmë me lehtësi informacionin negativ që është në kundërshtim me sjelljen tonë ose imazhin tonë për veten.

Eksperimentet ishin të zymta dhe të errëta.

Për shembull, tifozët do të motivohen të besojnë se gjyqtari i ndeshjes dëmtoi ekipin e tyre. Duhanpirësit kanë shumë më pak të ngjarë të besojnë se cigaret shkaktojnë kancer të mushkërive. Sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm janë të motivuar të mbivlerësojnë probabilitetin e suksesit në biznesin e tyre. Pra, në vend që të jemi logjikë dhe kritikë, ne zakonisht arsyetojmë sipas motivimit. Ne shohim dhe dëgjojmë atë që duam të shohim dhe dëgjojmë. Në këtë drejtim, nëse besojmë në të pavërtetat është sepse ne duam të besojmë në ato të pavërteta. Pra, ne jemi armiqtë tanë më të këqij në luftën kundër gënjeshtrave. Ne më parë preferojmë të ndryshojmë ose shtrembërojmë informacionin dhe të mbyllim sytë nga e vërteta apo fakti, sesa të ndryshojmë opinionin dhe sjelljen tonë.

Ironikisht, Hegeli kishte të drejtë. Nëse filozofia jonë personale nuk është në përputhje me faktet, aq më keq për faktet. Shto këtu edhe mundësinë e kërkimit të pafundmë të internetit në xhepin tonë, me anë të të cilit me shpejtësi të dritës do t’i gjejmë pikërisht qëndrimet të cilat përputhen me mendimin, vlerat dhe sjelljen tonë. Bile edhe nëse jemi pak të prirë të anojmë nga ana se Toka është e rrafshët apo se bota sundohet nga hardhucat, do të gjejmë fakte që shkojnë në favor të bindjes së tillë.

Kjo pra është arsyeja pse njerëzit vazhdimisht refuzojnë dëshmitë e ngrohjes globale, të rëndësisë së mbajtjes së maskave dhe distancës sociale në një epidemi. E si ka mundësi të jetë lajm i rremë, kur thotë të njëjtën që ne mendojmë dhe besojmë? Ne do të bëjmë gjithçka për ta ruajtur një lloj komoditeti dhe rehatie fizike dhe mendore, si dhe një imazh të vetes dhe botës përreth nesh. Veçse besimi në jashtëtokësorë është pakrahasueshëm më pak i rrezikshëm në krahasim me besimin se vaksinat janë ato që përbëjnë rrezik shumëfish më të madh.

Përfundimisht, ne besojmë në shumë gënjeshtra sepse ato na bëjnë të ndihemi mirë e më mirë me veten tonë. Madje, mund të besojmë edhe në gjërat më të çmendura po qe se ato i përshtaten bindjes sonë dhe “grupit” të cilit i takojmë. Dhe si zëdhënës të po këtij “grupi” amator do të gjejmë justifikime (madje edhe duke falur veten tonë) për mosbindje, dashakeqësi e madje edhe për krim.

Pra, janë dy paradigma dhe hipoteza të cilat mund ta shënojnë dhe zgjidhin pyetjen esencë të kësaj kolumne – ajo e lashta për injorancën njerëzore (Parmeneidi–Sokrati) dhe ajo moderne për manipulimin mediatik (Orwell–Chomsky). Por, me shumë gjasë, tani për tani po dominon paradigma për mendjen e korruptuar njerëzore, e cila shpërfaq prirjen drejt të pavërtetës vetëm se thjesht jemi të motivuar të besojmë sipas “grupit” të cilit mendojmë se i përkasim.

Është më se e vërtetë se propaganda dhe injoranca janë fajtore, por kur vetë zgjedhim me vetëdije të besojmë në gënjeshtra jemi fajtor vetë. 

10 shtator 2021
11:20

Ardita Dushi