Mirëqenia materiale/ekonomike si faktor determinues për ndërtimin e një regjimi demokratik

09 shtator 2021 10:31

Në përgjithësi, në shkencat sociale është tepër i vështirë përcaktimi i shkaqeve që çojnë në një pasojë të caktuar. Vështirësia lind si pasojë e kompleksitetit dhe dinamizmit që karakterizon shoqërinë njerëzore. Ndryshe nga bota natyrore, shoqëria njerëzore – edhe pse ka një influencë mbi individët e saj, e cila vepron jashtë hapësirës së tyre personale – është njëkohësisht e varur nga veprimet tona të përbashkëta. Për këtë arsye shkaqet janë relative dhe si pasojë e ndryshimeve sociale mund ta humbasin funksionin e tyre dhe të ndryshojnë në kohë dhe hapësirë.

Megjithatë, është e mundur të flitet për shkaqe për aq kohë sa ato vazhdojnë të jetojnë dhe kryejnë funksionin e tyre në shoqëri, por sigurisht edhe për shkaqe ekzistente në lëmin e së shkuarës sonë historike. Në këtë kuptim, a mund të themi vallë se mirëqenia materiale/ekonomike e një shoqërie është kusht thelbësor, çka e bën atë edhe shkak për krijimin e një regjimi demokratik, apo shtysë esenciale në fillimin e ndërtimit të një procesi të demokratizimit?

Ne jemi të mendimit se po. Për ta argumentuar këtë si fillim do bazohemi në teorinë e Abraham Maslowit, e cila shprehet se individët nuk mund t’i plotësojnë nevojat e tyre sociale dhe psikologjike pa i plotësuar ato thelbësore, që janë nevojat fiziologjike. Ai e shpjegon këtë në formën e një piramide, ku poshtë janë të vendosura nevojat fiziologjike dhe lart ato socio-psikologjike. Sipas tij, plotësimi i nevojave socio-psikologjike sjell me vete realizimin final të individit. Por, që kjo të ndodhë, si fillim duhet të përmbushen nevojat bazike si ushqimi, veshja, strehimi etj.

Nëse e shkëpusim këtë nga niveli individual dhe e çojmë në atë kolektiv apo shoqëror, mund të themi se e njëjta gjë vlen edhe për shoqërinë. Në këtë rast, duke u bazuar në vlerat e liberalizmit, ku interesi është i reduktuar në mirëqenien e gjithanshme të individit, mund të themi se realizimi i qëllimit final të një shoqërie është pikërisht ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm demokratik. Sepse një sistem i tillë ka natyrë kufizuese ndaj totalitarizmit dhe kjo u shërben njëkohësisht edhe interesave individualë. Së pari, ndërtimi i një sistemi demokratik është një nevojë sociale dhe psikologjike. Si e tillë, bazuar në teorinë e mësipërme, kërkon përmbushjen e nevojave biologjike.

Rrjedhimisht, mund të themi se ndërtimi i një sistemi demokratik është i varur masivisht nga mundësimi i mirëqenies ekonomike/materiale të shoqërisë. Tani lind pyetja se përse pikërisht regjimi demokratik? Përse jo një regjim teokratik apo oligarkik? Arsyeja është natyra e regjimit demokratik. Demokracia, ndryshe nga regjimet totalitare, është tepër e ndjeshme dhe e rrezikuar. Sepse, siç e thamë më sipër, ajo është kufizuese ndaj pushtetit politik të grupit qeverisës. Ndërsa regjimet totalitare krijojnë hapësirë të nevojshme për interesat e grupit drejtues dhe nuk pyesin për liritë e popullit.

Në këtë pikë populli nuk ndien ose ka frikë të bëjë përpjekje për realizimin e obligimeve apo detyrimeve morale dhe ekzistenciale në aspektin e përmbushjes së jetesës së tyre në një territor fizik dhe social, ku mundësohen liritë e tij. Kjo sepse ai tashmë është i kontrolluar dhe çdo përpjekje e tillë sulmohet nga vetë sistemi me të gjitha mjetet që ai posedon. E kundërta ndodh me regjimin demokratik. Demokracia është e vërtetë që na fal liri për t’u shprehur dhe jetuar si të dëshirojmë, por kjo nuk është falas.

Këto liri kanë një çmim i cili nuk mund të paguhet një herë dhe demokracia të bjerë në duart e popullit si një produkt i blerë dhe i zotëruar në mënyrë përfundimtare. Ky çmim duhet të paguhet në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë kohës që regjimi demokratik është në fuqi. Ky çmim është përpjekja e gjithanshme e popullit për ta mbrojtur atë si në mënyrë kolektive, ashtu edhe në mënyrë individuale.

Protestat e shumëllojshme kundër lëvizjeve që kanë si qëllim fuqizimin e totalitarizmit, vetëdijesimi dhe shtimi i kapitalit kulturor për këtë çështje në masën e shoqërisë janë thelbësore për ruajtjen e demokracisë. Që kjo të ndodhë duhet që shoqëria të jetë e pajisur me një ideal të qartë dhe ta ndiejë këtë si një detyrim moral dhe përgjegjësi thelbësore të të qenët një individ i lirë dhe qenie njerëzore. Pra, thënë më qartë, kjo kërkon përfshirje të masës së shoqërisë në këtë filozofi të të jetuarit kolektiv.

Tani lind pyetja sa e gatshme mund të jetë një shoqëri që të luftojë për ideale të tilla në kushtet e një gjendjeje të mjerueshme ekonomike? Edhe pse nuk mund të përjashtohet kurrsesi ekzistenca e individëve të veçantë që janë të gatshëm të luftojnë kundër totalitarizmit edhe në varfëri, masa e ka gati të pamundur. Sidomos një masë e cila është e varfër në kuptimin e zotërimit të një niveli të lartë kulturor. Këtu dalim pikërisht në rëndësinë që ka mirëqenia ekonomike për një demokraci të qëndrueshme.

Sepse zotërimi i kapitalit kulturor është i varur nga ai ekonomik. Një popull i cili nuk ka kapital ekonomik të mjaftueshëm për t’i përballuar nevojat bazike të jetesës, e ka gati të pamundur të mendojë për pasurim kulturor. Si pasojë e pamjaftueshmërisë ekonomike, qëllimi final i realizimit të shoqërisë, që është ndërtimi i një demokracie të fuqishme, reduktohet në përmbushjen e nevojave bazike. Në këtë mënyrë, imuniteti social dobësohet dhe bëhet i paaftë për t’u vetëmbrojtur kundër goditjeve totalitare.

Teoria moderniste është një nga përkrahëset më të fuqishme të kësaj hipoteze. Seymour Martin Lipset, që është një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të kësaj teorie, mendon se ka një lidhje të rëndësishme mes zhvillimeve socio-ekonomike dhe fuqizimit të procesit demokratik në një shoqëri të caktuar. Zhvillimi socio-ekonomik – që përfshin një gamë të gjerë zhvillimesh në fusha të ndryshme, si industrializimi, edukimi, zhvillimi infrastrukturor, komunikativ etj. – është i aftë t’i krijojë kushtet e përshtatshme për kultivimin e farës së demokracisë. Për këtë arsye, shumë autorë e kanë parë zhvillimin kapitalist si një faktor tepër të rëndësishëm për demokracinë.Sepse kapitalizmi si sistem ekonomik plotëson kriteret e lartpërmendura të modernizmit.

“Nuk është e rastit që ndër autorë të ndryshëm modernistë, pikë fillese për modernitetin merren pikërisht shoqëritë perëndimore në periudhën e pas-Revolucionit Industrial në fund të shek. XVIII dhe përgjatë shek. XIX, kohë në të cilën marrëdhëniet kapitaliste dhe shoqëria e tregut kishin filluar të lulëzonin dhe thelloheshin në këto vende. Sipas Lipsetit, kapitalizmi ishte zemra e demokracisë sepse ai prodhonte pasuri (të cilën ai, në mënyrë të paproblematizuar, supozonte se do të vërshonte poshtë dhe do të çonte në nivele më të larta të konsumit masiv), çoi në një klasë të mesme të arsimuar dhe prodhoi një numër ndryshimesh kulturore të favorshme për demokracinë, si shekullarizimi i rritur dhe zvogëlimi i identiteteve të dhëna. Kështu, sipas autorit në fjalë, ishin zhvillimi kapitalist dhe progresi material që ai prodhonte ato që krijuan kushtet e përshtatshme për shfaqjen e demokracive. Një mënyrë tjetër se si Lipseti bëri lidhjen midis kapitalizmit dhe demokracisë ishte edhe nëpërmjet zvogëlimit të konfliktit klasor dhe hapjes së sistemit të klasave që bënte të mundur kapitalizmi.

[1] Zhvillimi i kapitalizmit, ndryshe nga sistemet totalitare, siç mund të shihet, çon në pasurimin ekonomik dhe social të masave dhe kjo krijon mundësi më të mëdha për edukimin e arsimimin e tyre. Edukimi dhe arsimimi janë institucione që nuk kanë si qëllim vetëm instalimin e profesioneve të ndryshme dhe përvetësimin e aftësive të individëve në kuadrin e këtyre profesioneve.

Edhe pse specializimi i madh i punës dhe ekzistenca e shumë profesioneve ndikojnë në mënyrë indirekte duke krijuar një solidaritet organik i cili mundëson gjithashtu zhvillimin e individualizmit që është i nevojshëm për përvetësimin e vlerave demokratike, duke qenë se të qenët individ është po ashtu një vlerë demokratike që përmban në vetvete aftësinë për konkretizimin e vlerave të tjera, institucioni i edukimit dhe arsimimit është gjithashtu i prirë të zhvillohet në boshtin e vlerave demokratike dhe shpalljen e tyre në rrafshin kolektiv dhe individual, duke u shmangur nga vlerat totalitare. Sepse zhvillimi ekonomik kapitalist është i varur nga ndërmarrjet individualiste dhe ka të nevojshëm jo vetëm demokratizimin ekonomik por edhe atë socio-kulturor.

Peter Beinart, në artikullin e tij “How sanctions feed authoritarianism” (Si sanksionet ushqejnë atutoritarizmin), mbron idenë se sanksionet ekonomike të vendosura kundër një vendi totalitar godasin demokracinë dhe procesin e demokratizimit. Kjo duket e logjikshme sepse në realitet dëmtimi i ekonomisë së një vendi redukton mirëqenien materiale dhe vret nevojat socio-psikologjike të koshiencës kolektive të shoqërisë, duke e drejtuar atë në përpjekjen për plotësimin e nevojave thelbësore fiziologjike. Ai shprehet se sanksionet gjithashtu bëjnë që profesionistët e këtyre vendeve të emigrojnë jashtë vendit. Kështu, fuqitë përballuese intelektuale që mund t’i bëjnë ballë diktaturës dobësohen.

Duke shtuar më tej, ai shprehet se kjo sjell edhe zhvillimin e tregut të zi, madje edhe reduktimin e rëndësisë së arsimimit. Si pasojë e varfërimit ekonomik, familjet, sipas tij, do t’i martojnë më herët vajzat, duke penguar arsimimin dhe fuqizimin e kapitalit kulturor. Në këtë mënyrë, siç e kemi theksuar edhe më lart, si pasojë e dobësimit të imunitetit të shoqërisë, sëmundja e diktaturës vërshon më tej duke u zgjeruar në çdo qelizë të shoqërisë.

Sanksionet ekonomike, sipas tij, janë një nga gabimet e Amerikës kundrejt vendeve totalitare. Sepse kanë fuqizuar kontrollin shtetëror mbi jetën e individëve. Siç mund të vëmë re, pasurimi ekonomik (apo mirëqenia materiale) është faktor shumë i rëndësishëm për sundimin e vlerave demokratike. Por, sigurisht që ky faktor nuk është universal, pra i vlefshëm kudo dhe kurdo. Mund të ndodhë që në vende të caktuara rënia ekonomike të bëhet shkak për kryengritje dhe rrëzim të diktaturës, duke sjellë demokracinë.

Edhe pse nuk përkon plotësisht me demokracinë e sotme, sipas Skirbekkut dhe Giljes, demokracia e vendosur në Greqinë antike pjesërisht lulëzoi si pasojë e pakënaqësisë që njerëzit filluan të kishin kundrejt tiranëve të cilët vinin në pushtet me pretendimin për ta nxjerrë vendin nga kriza, por që qeverisnin sipas interesave të tyre. Pra, ky shembull i ndodhur në shekullin e 5-të p.e.s tregon të kundërtën: varfëria nxiti kryengritje kundër tiranëve. Gjithsesi, duhet theksuar edhe një herë se rastet nuk janë të njëjta dhe situata jonë në botën moderne është shumë herë më e ndryshme. Kjo varet nga një sërë faktorësh si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.

Duke marrë parasysh dhe rëndësinë që ka fituar materializmi, tëhuajsimin e njerëzve kundrejt idealeve, rolin e mjeteve të komunikimit masiv dhe përdorimin e ideologjive fetare ose jo në vendet totalitare, kontrolli shtetëror mbi masën ngurtësohet në mënyrë të frikshme. Dhe ky fenomen duket se është thikë me dy tehe: nga njëra anë, në një shoqëri të varfër ekonomikisht është tepër shkatërrues dhe nga ana tjetër mund të jetë gati po kaq i fuqishëm edhe në një shoqëri që ka zhvillim ekonomik.

Megjithatë, ne qëndrojmë pas tezës se mirëqenia ekonomike/materiale është një faktor i rëndësishëm dhe determinues në masë të madhe për fuqizimin e procesit të demokratizimit dhe vendosjen e demokracisë në vendet ku ajo tashmë ekziston, por në mënyrë më urgjente dhe intensive në ato vende ku ekonomia është e dobët dhe ku demokracia nuk ka shkelur akoma.


[1] Sqapi, G. (2016). Një vlerësim kritik ndaj teorisë së modernizimit në studimin e demokratizimit. Bordi Editorial, 101.

09 shtator 2021
10:31

Ledjo Zeneli