Sistemi ndërkombëtar dhe “tërheqja e domosdoshme” e ShBA-së nga Afganistani (I)

08 shtator 2021 10:22

Sado i rrëmujshëm – jo shumë e lavdishme dhe tragjike ishte tërheqja e trupave amerikanë nga Afganistani – një veprim i tillë nuk mund të konsiderohet “katastrofë strategjike” për ShBA-në. Kjo lëvizje politike ishte tërheqje e domosdoshme. Ajo nuk varet nga fakti se kush është president në Shtëpinë e Bardhë, apo se cili grup etnik, formacion politik apo organizatë terroriste do ta kontrollojë terrenin pas tërheqjes, por kushtëzohet drejtpërdrejt nga ndryshimet strukturore në sistemin dhe polaritetin ndërkombëtar.

Kur ShBA-ja ishte shteti dominues në botë dhe shijonte benefitet e “momentit unipolar”, edhe mund t’ia lejonte vetes të projektonte dhe implementonte një politikë të jashtme që mbështetet në krijimin e një rendi liberal ndërkombëtar, pjesë përbërëse e të cilit është edhe realizimi i “inxhinierisë sociale” në vende dhe shoqëri të tjera – siç është rasti me Afganistanin apo me Irakun.

Mirëpo, me ndryshimet në strukturën e sistemit ndërkombëtar, një politikë e tillë e jashtme, që mbështetet në principe liberale, bëhet e pamundur. Realizmi si qasje teorike dhe politikë praktike shndërrohet në “mjetin” e vetëm. Sepse, në secilin rast, kur sistemi ndërkombëtar është “bi” apo “multipolar”, shtetet fokusohen ta balancojnë njëri-tjetrin për fuqi dhe ndikim. Angazhimi për shpërndarjen e vlerave si demokracia liberale apo edhe realizimi i eksperimenteve sociale në vende si Afganistani nuk mund të jenë më prioritet.

Lufta kundër Terrorit (WoT) dhe limitet e “inxhinierisë sociale”

Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga presidenti George W. Bush, u përfshinë në luftë kundër Afganistanit në tetor të vitit 2001 – rreth një muaj pas sulmeve të 11 shtatorit – nën projektin e “Luftës kundër Terrorit”, që si synim themelor kishte përmbysjen e regjimit taleban. Në fillim të dhjetorit të po atij viti u duk sikur Ushtria amerikane kishte arritur një fitore të shpejtë, qëllimplotë dhe spektakulare.

Talebanët ishin rrëzuar nga pushteti. Rreziku që organizatat terroriste si Al-Qaeda të operonin në territorin e Afganistanit ishin asgjësuar dhe një lider lokal, Hamid Karzai, i cili dukej se ishte i përkushtuar në vlera demokratike, ishte instaluar në Kabul. Një sukses i tillë i arritur në mënyrë kaq rapide ndikoi që Administrata Bush të konkludonte se të njëjtat rezultate pozitive do të jetë në gjendje t’i arrinte edhe në Irak dhe, përse jo, eventualisht edhe në shtetet e tjera të rajonit. Kjo politikë përbën edhe gjenezën e asaj që më pas u bë e njohur si “Doktrina Bush”.

Një transformim i tillë i beftë i objektivave strategjikë e shndërroi ndërhyrjen e ShBA-së në Afganistan nga luftë kundër terrorizmit dhe organizatave që lidheshin me sulmet e 11 shtatorit, në një projekt shtet-ndërtues. Një politikë dhe vizion i tillë më pas u normua në “Marrëveshjen e Bonit”, të arritur më dhjetor të vitit 2001. Nga këtu e tutje, qasja e ShBA-së kundrejt Afganistanit ka qenë përgjithësisht konsistente. Me kalimin e viteve presidentët ndërroheshin, por politika e ShBA-së, pak a shumë, mbetej e njëjta.

Kjo zgjati deri tek ardhja në pushtet e presidentit Trump, i cili gjatë fushatës presidenciale (2016) kishte premtuar se kur të zgjidhet president një nga vendimet e tij më të rëndësishme do të jetë kthimi i trupave amerikanë në shtëpi dhe kështu t’i jepej fund një “lufte të pafund”. Ai po ashtu, i udhëhequr nga doktrina e tij “Amerika e Para”, atëbotë e kishte bërë të qartë se ShBA-ja “duhet të tërhiqet nga biznesi i shtet-ndërtimit”.   

Lufta e ShBA-së në Afganistan është më e gjata në historinë e këtij shteti. Gjithashtu edhe më e kushtueshmja, sidomos në aspektin financiar. Në 20 vjet, ShBA-ja në këtë vend shpenzoi mbi 2 trilionë dollarë. Nga një kalkulim i thjeshtë matematikor del se janë harxhuar më shumë se 300 milionë dollarë në ditë për 20 vjet me radhë. Për një popullatë 40-milionëshe, sa edhe është Afganistani, për secilin qytetar afgan i bie rreth 50,000 dollarë shpenzime. Nëse e analizojmë nga këndvështrimi krahasues, rezulton se ndërhyrja dhe rikonstruktimi i Afganistanit i ka kushtuar ShBA-së më shumë sesa “Plani Marshall”, që u implementua në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas një analize të realizuar nga Universiteti Brown, respektivisht Instituti Watson, i cili kishte ekzaminuar shpenzimet kryesore të angazhimit amerikan duke i ndarë ato në linja të veçanta buxhetore, doli në pah se 800 miliardë dollarë ishin shpenzime që financuan luftimet e drejtpërdrejta dhe 85 miliard u dedikuan për ta trajnuar Ushtrinë afgane. Taksapaguesit amerikanë paguan rreth 750 milionë dollarë në vit paga për ushtarët afganë.

Kuptohet, përveç shpenzimeve materiale, kostoja është shumë më e madhe sa u përket jetëve të humbura. Gjatë këtyre 20 vjetëve, rreth 2,500 ushtarë amerikanë dhe 4,000 kontraktorë të tjerë civilë kanë humbur jetën. Kjo duket shifër relativisht e ulët krahasuar me 69,000 humbje jetësh nga ana e policisë ushtarake afgane, 47,000 civilëve dhe 51,000 luftëtarëve të tjerë që vdiqën në luftime.

Por, si ndodhi që përkundër këtyre investimeve marramendëse financiare, përkushtimit 20-vjeçar politik, ushtarak, diplomatik dhe profesional në ndërtimin e institucioneve afgane, ShBA-ja megjithatë nuk arriti ta krijojë një shtet funksional? Duket se realizimi i inxhinierisë sociale në shkallë të gjerë, për secilin shtet, është çështje shumë komplekse. Mirëpo, është për t’u befasuar se si – për kohë të gjatë – jo pak politikëbërës dhe komentues me ndikim në jetën publike në Amerikë ishin të bindur se do të jenë në gjendje që të transformojnë thellësisht peizazhin socio-politik në një mori vendesh të Lindjes së Mesme – përfshirë këtu edhe Afganistanin – dhe t’i shndërrojnë ato vende në demokraci.

Mosmarrja në konsideratë e faktorëve kontekstualë të vendeve si historia, kultura politike, traditat, raportet (shpesh konfliktuoze) tribale, religjioze, sociale, etj. dhe insistimi kokëfortë që në këto shoqëri të implementohen vlera të demokracisë liberale, shpeshherë është bërë “recetë” e sigurt për dështim të suksesshëm në jo pak vende. Për më tepër, tendenca për të realizuar inxhinieri sociale në një vend të huaj, ndërsa në të njëjtën kohë zhvillon luftime të armatosura për ta kontrolluar atë, është një detyrë tmerrësisht e vështirë edhe për një shtet të fuqishëm si ShBA-ja.

Të dhënat historike tregojnë se përpjekja për ta imponuar demokracinë si sistem qeverisës në të shumtën e rasteve është e destinuar të dështojë. Në këtë drejtim, dy studiues nga Universiteti i Teksasit Verior, Andrew Enterline dhe Michael Greig, pasi analizuan në detaje 43 raste të “imponimit të regjimeve demokratike”, në mes të viteve 1800-1994, erdhën në konkluzion se në 63% të rasteve këto përpjekje kanë dështuar. Në anën tjetër, Jeffery Pickring dhe Mark Peceny ekzaminuan ndërhyrjet ushtarake të ndërmarra nga ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Kombet e Bashkuara, nga viti 1945 deri më 1996, me qëllim që të evidentohet se sa kanë luajtur rol pozitiv këto ndërhyrje militare në demokratizimin e vendeve të synuara.

Duke u mbështetur në argumente të pasura historike dhe analizimin përmes metodave të sofistikuara shkencore, këta autorë konkluduan se që nga viti 1945 e tutje “ndërhyrjet liberale vetëm në raste shumë të rralla kanë luajtur rol pozitiv në demokratizim”. Së këndejmi, imponimi i sistemit politik demokratik në një shtet tjetër, siç sugjerojnë Alexander Downes dhe Jonathan Monten, ka të ngjarë të funksionojë vetëm atëherë kur “parakushtet e favorshme të brendshme janë të pranishme. Por, këto kushte, për fat të keq, janë të rralla në shumë vende”, përfundojnë ata. 

Megjithatë, duhet theksuar ka studiues të cilët konsiderojnë se demokracia si sistem politik edhe mund të “eksportohet” në vende të tjera. Në të shumtën e rasteve shembujt ilustrues të cilët merren për ta mbështetur këtë pandehmë janë Japonia dhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, evidencat historike tregojnë se nuk është krejtësisht e pamundur që një shtet potent si ShBA-ja të arrijë ta instalojë demokracinë liberale në vende të tjera.

Por, nuk duhet të harrohet se sukseset në këtë drejtim janë më shumë përjashtim sesa rregull. Që një gjë e tillë të mund të realizohet me sukses të plotë, është e nevojshme dhe e domosdoshme ekzistenca e një sërë karakteristikash vendore dhe faktorësh kontekstualë të cilët janë përçues të vlerave demokratike. Në jo pak raste ka shtete që demonstrojnë nivele të larta të ndarjeve etnike apo fetare dhe këto elemente janë veçanërisht sfiduese për një demokraci të imponuar.

Është jetike që shteti i cili synohet të transformohet të jetë homogjen në aspektin etnik e religjioz. Të ketë një qeveri të konsoliduar qendrore, nivele të arsyeshme të mirëqenies dhe një përvojë modeste paraprake me vlerat demokratike. Gjermania dhe Japonia e pas-Luftës së Dytë Botërore përputhen me kriteret e sipërpërmendura. Por, duket se ky nuk është rasti me Afganistanin.

Ky vend, përveçqë është një ndër më të varfrit në botë, karakterizohet nga ndarje të thella në vija etnike dhe religjioze. Në vendet ku lidhjet etnike, religjioze apo tribale janë më të forta se raporti që krijohet në mes të qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, bëhet e pamundur të ndërtohet legjitimiteti i nevojshëm në mënyrë që institucionet politike të jenë në gjendje t’i imponojnë vendimet e tyre dhe, në anën tjetër, këto vendime të pranohen pa shtrëngim nga qytetarët.

Mirëpo, përkundër të gjithave, duhet nënvizuar se një nga arsyet përse përpjekja për ta instaluar një sistem politik demokratik në vende si Afganistani është e destinuar të dështojë që nga fillimi, lidhet edhe me preferencën që qytetarët dhe elitat e atij vendi kanë për sistemin ideal qeverisës. Nuk duhet të harrohet se asnjëherë gjatë historisë nuk ka pasur konsensus universal se çfarë dhe cili duhet të jetë sistemi politik ideal.

Andaj, dikush mund të argumentojë se demokracia liberale është forma më e mirë e qeverisjes, por ka të tjerë që mund të favorizojnë sisteme të tjera. Ky këndvështrim ka të ngjarë të ndryshojë nga shteti në shtet, por ka edhe raste kur i njëjti shtet në periudha të ndryshme historike ka favorizuar sisteme diverse politike. Në këtë kontekst, gjatë viteve ‘30 shumë njerëz në Evropë preferonin komunizmin apo edhe fashizmin, kundrejt demokracisë liberale.

Kishte të tillë që me përfundimin e Luftës së Ftohtë i dhanë fund historisë duke e shpallur demokracinë liberale si triumfuese përfundimtare kundër sistemeve të tjera. Por, kjo nuk doli të jetë e vërtetë. Sot ka shtete që edhe pse janë brenda Bashkimit Evropian, jo vetëm që janë kritike kundrejt vlerave të demokracisë liberale, por po i modifikojnë ato – gati në refuzim – drejt një sistemi që në literaturë tashmë njihet si “demokraci iliberale”. Në anën tjetër, Kina dhe Rusia kanë përqafuar regjimet autoritare, Koreja e Veriut është diktaturë, ndërsa Irani republikë islamike. Në këtë drejtim, afganët duket që – në të drejtën e tyre – preferojnë një sistem tjetër qeverisës para demokracisë liberale.

08 shtator 2021
10:22

Alfred Marleku