P’ej sh’pie!?

26 korrik 2021 10:47

(Teksti dhe konteksti i tragjedisë në Slavonski Brod, me ç’rast humbën jetën dhjetë kosovarë)

Atdheu i shqiptarëve është gjuha shqipe. Siç është për çdo shkrimtar gjuha në të cilën shkruan.

Porse për shqiptarët gjuha shqipe rëndom është e mbytur n’lot. Gjuha e vajtimit.

Ata dhjetët, kurrë nuk kthehen në Atdhe.  Migruan në gjuhë, si riseminim i mitit të Ulyssus. Jetojnë në vajin e kosovarëve!

Kënga epike “Kush i pari bâni more djalë kurbeti... “ duhet me pas lind krahas Odiseas së Homerit.

Mallkim dhe këngë e këputur në gjysmë.

Vajtimi duhet të jetë ritual antik i ballkanasve që nga dramat eskiliane (tradita ia atribuon Thespis-it të jetë personi i parë që përfaqëson një personazh në një shfaqje. Kjo ndodhi në 534 para Krishtit gjatë Dionizisë së krijuar nga Peisistratus) deri te Iliada, kur Priami qau për trupin e Hektorit. E tek Arbnit që kur Ajkuna qau Omerin, Leka Skënderbeun, Avdinë e motra në Vraninë, Nasim Elshanin nâna më 1990, për me mbrri në ditët tona.

Ryvije Elshani (që vdiq në tetorin e vitit 2020), kishte kthyer sytë e botës nga Kosova përmes një fotografie ku shihej tek vajtonte vëllain e saj, Nasimi Elshanin të vrarë nga serbët.

Fotografia e saj e zënë nga syri dhe aparati i Georges Mérillon në 29 janarin e vitit 1990 paraqet imazhin e trishtimit të përmasave të tragjedive antike. 

Koncepti i mërgimit në gjuhë, njihet që nga Homeri, Pesoa e Joyce,  e deri tek Danilo Kiš. Dhe nga Mate Matevski e Abdulah Sidran;

Ky është tregimi për njerëzit që kanë shkuar në një botë më të drejtë, në një betejë, pas një cope buke dhe që, s’kanë mujtë me u kthye kurrë!?

Derisa ata dhjetë kosovarë që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Slavonski Brod të Kroaciaë,  kanë mërguar në gjuhën e vajtimit, sepse përjetësisht do të jenë në rrugën e kthimit: P’ej shpie!?

Në Kosovë, fshatra të tëra po zhduken, e shkollave po u epet dryri. 

Sikur shkollës së Tygjecit, ku më 1977 kam mbaruar filloren, sepse njerëzit dëshpërimisht kërkojnë një jetë më të mirë, një kauzë që u sjell përmbushje.

Ngarendjën për t’u kthyër në Atdhe për pushimet e verës, është e vështirë për ta kuptuar në Perëndim. Sepse, është vështirë të kuptohet pse një kosovar qan sapo arrin në Atdhe!?

Ashtu siç ne, zor e kuptojmë traumën e ikjës së miliona njerëzve të dëshpëruar për të ardhur në Evropë nga Afganistani, Afrika e Veriut, Siria, Iraku ose Irani.

Sipas një dokumenti të Këshillit të Europës, njihet e drejta e gjithkujt për t’u larguar nga çdo vend, duke përfshirë të tijin.

Neni 13 (2) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut 1948 përmban shprehjen e parë të së drejtës për t'u larguar nga një vend pas Luftës së Dytë Botërore. Aty thuhet: "secili ka të drejtë të largohet nga çdo vend, përfshirë vendin e tij, dhe të kthehet në vendin e tij".

Kjo e drejtë mishërohet në shumicën e instrumenteve më të rëndësisshme të të drejtave të njeriut dhe synon të sigurojë që njerëzit të mund të lëvizin lirshëm duke përfshirë edhe lëvizjen jashtë vendit në të cilit ndodhen, pa hasur në pengesa të papërligjura. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka një jurisprudencë të gjerë lidhur me të drejtën për t’u larguar, me të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda vendit, si dhe me kufizimet që shtetet vendosin mbi këto të drejta. Poashtu Karta Universale e të Drejjtave të Njeriut njeh të drejtën për të kërkuar dhe përfituar azil.

Neni 14 (1) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (UDHR), e cila u miratua në 1948, garanton të drejtën për të kërkuar dhe shijuar azil në vendet e tjera. ... Konventa e vitit 1951 përcakton përkufizimin e një refugjati si dhe parimin e mos-ripërtëritjes dhe të drejtat e ofruara atyre që u jepet statusi i refugjatit.

Fusha e migrimit në Kosovë është e rregulluar në bazë të legjislacionit në fuqi për migrimin, nga i cili tri ligje janë kryesore, Ligji për të huajt, Ligji për azil dhe Ligji për shtetësinë e Kosovës. 

Nga viti 2015 deri në shtator 2020, numri total i të huajve që kanë aplikuar për leje qëndrimi   në Kosovë dhe kanë marrë përgjigje pozitive ishte 23,783.

Nga numri total i kërkesave, 12,587 prej tyre ishin kërkesa për punë, 9,056 për bashkim familjar, 1,182 për studime dhe 958 për arsye të tjera.

Sipas një raporti të publikuar kohë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Përgjatë viteve 2013 - 2017, nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruara më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Janë rreth 350.000 shtetas të Kosovës- me shtetësi të RKS, me shtetësi të RFGJ apo edhe me shtetësi të dyfishtë në Gjermani”, thuhej më 2018 në një postim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Ndërsa, sipas statistikave më të reja në Zvicër jetojnë 114.248 persona me shtetësi kosovare. Përqindja e tyre në numrin e përgjithshëm të të huajve është 5.4%.

Mbi 800 mijë kosovarë llogaritet të jenë jasht Kosove.

Numri i përgjithshëm i i emigrantëve në botë, sipas UNHCR-it, nga 174 milionë në vitin 2000 u rrit në 244 milionë në vitin 2015. Pothuajse 2/3 e të gjithë emigrantëve ndërkombëtarë jetojnë në Evropë (76 milionë) ose Azi (75 milionë). Një nga 10 emigrantë është në moshë nën 15 vjet.

Në vitin 2016, UNHCR vlerësonte se 67,75 milionë njerëz, janë persona të cilët duhen përkujdesur. Historia i nxori shqiptarët e Kosovës udhëve të botës! Udha e kthimit i vrau shumë nga ta.

Netëve pa hënë, duke kapërcyër alpet n’këmbë, për ma shumë shpresë, koha ëdhtë ngatrruar dhe ndalur.

Duke ecur brigjeve t’liqeneve e duke u ra me not detrave, për të kaluar andej ku jeta u afronte më shumë buzëqeshje; Kosova ka një kalendar të zymtë historik për sa u përket aksidente e fatale të mërgimtarëve të saj.

• Duke shkuar me tren për Gjermani, më 30 gusht, 1974 në Zagreb; Atje humbën jetën 167 njerëz nga Ballkani, prej tyre dhjetëra kosovarë. 41 viktima nuk janë identifikuar kurrë.

• Duke kapërcyër malet, lumenjt e përrenjt, si në lumin Tisa në nëntorin e 2009, për të blerë ëndrrat e tyre. Atje humbën jetën 11 shqiptarë të Kosovës, ndër ta edhe Florian Ademi, mosha e të cilit me saktësi është 11 muajsh!?

• Duke udhëtuar me autobusë, si në Zurich, më 16 dhjetor 2018, ku humbën jetën dy kosovarë që punonin atje për një copë bukë e ma shumë mundësi për t’i rritur fëmijtë, në kamje.

• Në një aksident trafiku në Gjermani, midis Meersburg dhe Uhldingen-Mühlhofen (Bodenseekreis) më 16/10/2020 humbën jetën tre qytetarë kosovarë e njië ishte lënduar rëndë. Ata jetonin në Zvicër dhe u aksidentuan duke u kthyër nga Kosova. 

• Duke u kthyër n’Atdhe, si në Slavonski Brod më 25 korrik, 2021. Ata të dhjetët që s’u kthyen dje nga udhët, i vajton sot Atdheu.Kosova në Zi kombëtare!

Kosovës, mërgimtarët i japin shumë dashuri dhe remintenca prej mbi 796.5 milionë euro për vitin 2020, që sipas BQK ishin për 13% më të larta se në vitin 2019.

Në një përqasje letrare, Ulyssus kosovar kurrë nuk kthehet në Itakën e tij. Leopold Bloom është protagonisti dhe heroi imagjinar i romanit Ulyssus të James Joyce, shkru më 1922, që kurrë nuk kthehet në shtëpi.

Ai migron në gjuhë.

I gjithë veprimi i Bloom/Ulyssus zhvillohet në dhe përreth Dublinit në një ditë të vetme (16 qershor 1904). Tre personazhet qendrorë - Stephen Dedalus (heroi i Portretit të mëparshëm të Artistit si Joyce i Joyce); Leopold Bloom, një puntor reklamues hebre; dhe gruaja e tij, Molly - synojnë të jenë homologë modernë të Telemakut, përkatësisht Ulyssus (Odisseus) dhe Penelopës, dhe ngjarjet e romanit paralelisht paralajmërojnë ngjarjet kryesore në udhëtimin e Odysseus në shtëpi pas Luftës së Trojës.

Ata janë malli i pashuar i Kosovës.

E nuk kanë për të shkuar më!

Kosova i varrosë njerëzit e ver n’dheun e saj. 

Lamtumirë, miqtë e mi. 

Në fund të dramës ua mësova edhe emrat.

Shekujt do t’i gjejnë në këngët elegjiake të kurbetit, sepse ata di të jenë përjetësisht në udhën e kthimit...

P’ej sh’pie!

26 korrik 2021
10:47

Halil Matoshi