Populus vulgaris

19 korrik 2021 10:27

Aftësitë nënoptimale të të menduarit  kritik dhe të gjykuarit politik të lidershipit kosovar, janë të afërta me mendësinë kolektive dhe përshtatën mirë me psikologjinë e turmave. Paradoksalisht në Kosovë është arritur ideali i popullizmit: barazia mentale ndërmjet elitave dhe turmave.

Në fillim është krijuar tuba e ndjekësve, nga qytetarë të deshpëruar nga qeverisjet abuzive dhe extraktive, me arsy, por edhe nga njerëz të dështuar dhe me trurin-muskul, dhe liderët (klerikë a ideologë)  e konturuan turmën.

Gustav Le Bon përcaktoi një turmë si një grup individësh të bashkuar nga një ide, besim ose ideologji. Ideja që bashkon një turmë nuk zgjidhet nga një proces arsyetimi të qartë dhe shqyrtimi të provave, por projektim dëshirash konceptuar me fjali të thjeshta por shumë ikonike. Turma nuk mbështetet në racionalitet por në emotivitet. 

‘Fryma e re’ e politikës kosovare, padyshim se është mbështetur tek turmat, për të grumbullu fuqi politike. 

‘Kjo frymë e re, kur mësynë ta stigmatizojë një projekt, i ngjet emra pejorativ si psh  ‘Zajednica’, e kur shtrëngohet ta dialogojë atë në Bruksel, e rikthen në normën gjuhësore: Asocioacion!?

E pranon Pakon Ahtisaari për nevoja pragmatike të pushtetit, ndërsa Asociacionin e cilëson një-etnik edhe pse është Asociacion i komunave me shumicë serbe (duke mos i përjashtuar të tjerët); Dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për të, e cilëson ‘Anulim’ ndonëse Gjykata thotë se Asociacioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjës Ndërkombëtare të vitit 2013, porse 24 nene të saj ‘nuk janë në përputhje të plotë me Kushtetutën’, ndërsa eksponentët e kësaj fryme të re e shfaqin në publik si marrëveshje me 24 nene kundërkushtetuese, gjë që është metodë e Gjuhë-resë orwelliane!

Kosova ka zgjedhur një Presidente me një proces korrekt procedural, megjithë influencimin me joshje të votës së disa deputetëve, në çastet e fundit. 

Mirëpo Zonja Vjosa Osmani nuk po merr kurajë (ende?) që të mbajë kursin e paanësisë ndaj palëve, sepse po hesht, derisa Qeveria po merr drejtime të rrezikshme në komunikimin ndërkombëtar, e brenda po u turret gazetarëve, tue i fsheh dështimet e veta.

Presidentja nuk dëshmoi paanësi për me reagu ndaj deklaratës skandaloze të bashkëpartiakes së saj, Ministres së Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz se “Vetëm 80- vjet më parë Gjermania e kishte filluar bombardimin e Beogradit, duke bërë gjenicid në Jugosllavi, ndaj serbëve, hebrejve dhe popujve tjerë, përfshi edhe shqiptarët, që ishin ngritur kundër fashizmit”, deklaratë jashta çdo konteksti politik dhe madje kundër interesit vital të Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha deklaratë e pasaktë pra e fabrikueme, kur u referohet shqiptarëve;

Faktet thonë se pa bombardimin e Beogradit nga Gjermania, gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës do të kryhej me shpejtësi (shih te Malcolm, Noel: “Kosova: Një histori e shkurtë, fq. 324-325);

Kurse pos pak rasteve të vrasjës dhe arrestimit të disa komunistëve, të trajtuar nga Fuqitë e Boshtit, si terroristë, gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945, e që mund të thuhet se ishte numër jorelevant, komunistët jugosllavë vranë 4000 deri 5000 shqiptarë gjatë deportimit dhe vendosjës së tyne në biopolitikë, në Tivar dhe njashtu, vranë rreth 3000 të tjerë në Luftën e Drenicës (1945) përfshi pushkatimet masive të te arrestuemve!

Akti tjetër, jopresidencial dhe poashtu nënoptimal, po jo ma pak i rëndësishëm në dëmtimin thelbësor të demokracisë,  është shkarkimi i Valdete Dakës, kryetare e KQZ, me referencë partiake.

Presidentja (juriste) duhej të kishte më shumë vetkontroll (pushtet normativ konotativ e jo detonativ) për respektimin e një atributi që e mundëson demokracinë si sistem pa armiq, e që teoriticientët e quajnë "vetëpërmbajtje demokratike dhe institucionale”.

A ka ndonjë ekuilibër për t’u arritur, brenda teorisë politike, midis kërkimit të së vërtetës dhe reagimit demokratik? 

Është për kritikë qasja se vlera e legjitimitetit demokratik dhe nornativ është mbi vetëpërmbajtjën demokratike në institucionet e shtetit, si udhëzues për mbështetje të shtetit në filizofi.

Parimet normative janë të rëndësishme vetëm kur baraspeshohen me kohezionin shoqëror vs hakmarrjes politike. E para përket në Raison d’État, kurse e dyta në opinionin e shumicës së publikut (klasës fituese);

Vendimi i Presidentes edhe mund të ketë legjitimitetin e duhur demokratik, porse ai, për të qenë i nderuar si vendim dhe për ta shmangur cenueshmëninë e vendimeve presidenciale, duhet të përfshijë në thelbin e tij vetëpërmbajtjen demokratike, në vend që të ndjekë thjesht preferencat e vendimmarrësit.

Edhe kur Presidentja e Kosovës përfshihet në sherr verbal me zyrtarët e shtetit serb deklaron se nëse ata kalojnë kufirin me Kosovën, do të ndeshen me ushtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s, besimi në Kosovë, tek zgjuarsia e saj, vazhdon të jetë i lartë.

Në rrethanat gjeopolitike aktuale (kur Presidenti Biden përmend Rezolutën 1244 në kontekst të Urdhërit Ekzekutiv, për shpallje Non grata dhe sekuestrim pasurie për destabilizuesit dhe të korruptuarit në Ballkanin Perëndimor, e si referencë të një kufizimi ligjor që është në fuqi) as Presidenti i ShBA-së nuk do ta pohonte një gatishmëri të tillë për ‘ndeshje ushtarake’.

Kur lideri i organizatës që sot ka fituar legjitimitet popullor prej mbi 50%, (fillimisht një pakicë profetike) ngrit dilema për “thika mbi hartën e Kosovës” në Washington (2020) ose ashiqare reagon me nervozë kur Ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Cosnett deklaroi se Albin Kurti duhet ta dijë se historia e Kosovës nuk fillon me të (Kurti e ka të theksuar syndromin e Vitit Zero!?) e në kontekst të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kryeministri kosovar iu kundërpërgjigj atij se Kosova mund të krijojë Asociacion të Komunave të Maleve të Sharrit por jo Asociacion një etnik!?

Kur i shtohet kësaj pozicioni i paqartë, për më tepër refuzues për Marrëveshjet e Washingtonit (shtator, 2020) atëherë mund të flitet për një rimendim aleancash apo për ndonjë kurs gjeopolitik të ri të lidershipit kosovar.

Ky diskurs mund të cilësohet si sprovë e rrezikshme kur dihet se ShBA është sponsore e shtetësisë së Kosovës.

Është e arsyeshme të pērkujtojmë se Lufta e Kosovës kushtoi më shumë se 30 miliardë funte, sipas analizës më të gjerë deri më tani të ndikimit ushtarak, ekonomik dhe njerëzor të konfliktit, bërë nga The Guardian.

Raison d’Etat është një kërkesë luksi për pushtetin e ri popullist në Kosovë, sepse mbijetesa e tij politikec dmth përplasja e jo shtendosja.

Ashiqare, nuk pritet asgjë më mirë nga ndjekësit e këtij binomi (Albin & Vjosë) polesh të kundërta ideologjike, të bërë bashkë për arsye pragmatike. Ndjekësit e tyre kryesisht janë pjesëtarë turmash të pakënaqura të cilat nuk përfaqësojnë por përfaqësohen nga të ngjashmit.

Reagimi i Ambasadës amerikane me rastin e shkarkimit të Bordit të servisit publik, RTK, se po bëhej nga interesa partiake dhe pa justifikim të mjaftueshëm, nxiti ndonjë zyrtar të Lëvizjës së Kurtit të shfaq qëndrime politikisht budallaqe (deputetët dhe vendimet sovrane!?)  dhe kjo mendësi u bë virale.

• “Amerika nuk është gjithmonë e saktë”;

• “Amerika nuk guxon të na përzihet në punë të brendshme”; etj. 

Kjo mendësi është vetëm Maja e Iceberg-ut në ndërtimin e këtij diskursi, jokoheziv në Kosovën e izoluar dhe pa ulëse në OKB.

Çfarë po ndodh në inxhinieringun e mendjës kolektive në Kosovë dhe a po konstruktohet “budalla i sistemit” për ta ruajtur dominimin politik?

Budallallëku i natyrshëm si çrregullim funksional neurokognitiv âsht sëmundje kurse budallakosja si molepsje e mendimit individul e të përgjegjshëm, njiherit përdorimi psikosocial e politik i marrëzisë, për me arritë mobilizimin e masave rreth nji ideje apo ideologjie, është krim.

Në thelb, budallallëku, thotë  Dr. András Györfi ndeshet kur dikush përdor aftësitë e saj / tij neurokognitive në një mënyrë nënoptimale - dhe si pasojë, si aktori ashtu edhe shoqëruesi/viktimat e tij do të vuajnë.

Aftësia neurokognitive ka të bâj me aftësinë për me mendu dhe me arsyetu. Kjo përfshin aftësinë për t’u përqendruar për me i kujtu gjërat, për t’a përpunuar informacionin, me mësu për të folur dhe me kuptu.

Sipas Györfi-t termi bisedor për çrregullimin funksional neurokognitiv âsht marrëzia - e cila âsht një tipar paraardhës i njeriut. Marrëzia shërbeu që nga kohërat e lashta si një temë e pashtershme për të filluar një bisedë. Neandertalianët dhe Homo Sapiens-at modern e kishin zakon të fillonin komunikimin e tyne kur rrezet e para të diellit ndriçuen shpellën e tyne duke i bâ këto tri pyetje: 

   1. Qysh ka me kanë moti sot? 

   2.  Çfarë do të hamë sot? 

   3.  Si mund të jetë udhëheqësi i hordhisë sonë kaq budalla? 

Budallakia u ka shërby sundimtarëve me qëndru gjatë në fron, sepse pa budallenj sunduesit nuk do të kishin me kë të flisnin për të mirart që sjell sunduesi në akëcilin vend.

Liderët popullistë mbajnë ngat vetes budallenj të besueshëm, të cilët nuk janë idiotë por thjesht zëdhënës të verbër të aporive të pushtetit.

Porse, kur lideri merr kthesë kundër “komploteve” të Fuqive të Mëdha, duke qenë se në publik ka krijuar perceptimin e hegjemonisë morale, budallenjtë e mbështesin atë drejt ngritjes së nji regjimi despotik, duke u thirrë në sovranitetin e popullit!?

Dhe budallenjtë veprojnë pikërisht duke besuar në retorikën e Kurtit për sovranitetin, në nji hapësirë ku nuk ka zë kritik, sepse intelektualët e deshpëruar dhe ata që prostituojnë dijen (Raymond Aron) janë heshtur ose i janë bashkuar ‘Frymës së re’.

Sëkëndejmi budallenjt krijojnë zona tensionesh tek mediokriteti dhe injoranca si fuqi - sepse është shumicë  - dhe votuesit (vota si arma më joracionale e njeriut në demokraci!?) banojnë natyrshëm në rëndomtësi - populus vulgaris - aty ku kurrë nuk shtrohen pyetje filozofike.

——————————————

  • Mbiemër latin për: Njerëz të rëndomtë, ose diçka që rrjedh nga masat e njerëzve të thjeshtë.

19 korrik 2021
10:27

Halil Matoshi