Ngritja e doktrinës Biden

08 korrik 2021 10:07

Demokracia, autokracia dhe përplasja vendimtare e kohës tonë.

Në vizitën e tij të fundit në Evropë, presidenti Joe Biden vuri theks të veçantë te tema vendimtare e politikës së tij të jashtme. Ai tha se rivaliteti amerikano-kinez është pjesë e një “konkurrence më të madhe me autokratët” rreth asaj “se a mund të garojnë demokracitë. . . në një shekull që ndryshon kaq shpejt.” Ky nuk ishte ndonjë zbukurim retorik. Biden ka argumentuar vazhdimisht që bota ka arritur në një “pikë lakimi” që do të përcaktojë se a do të shënojë ky shekull një tjetër epokë të dominimit demokratik, apo një kohë të epërsisë autokrate. Historianët e së nesërmes, ka parashikuar ai, do të “punojnë temat e tyre të doktoraturës mbi çështjen se kush ia doli mbanë: autokracia apo demokracia?”

Bideni nuk e ka parë gjithnjë kështu botën. Më 2019, ai përçmoi sugjerimin se Kina ishte garuese serioze, e aq më pak subjekti kryesor i një sfide ideologjike epokale. Megjithatë, pretendimi i tij se përplasja qendrore e kohës tone është gara mes sistemeve demokratike dhe autokratike të qeverisjes duket e sinqertë – dhe poashtu ka implikime të thella për politikën e jashtme dhe gjeopolitikën amerikane.

Për adminstratën e Bidenit, koncepti përmbledhë atë që vë në lëvizje marrëdhëniet e SHBA-së me rivalët kryesorë. Ai lidh garën e fuqive të mëdha me rigjallërimin e demokracisë amerikane dhe luftën kundër shqetësimeve transnacionale, siç janë korrupsioni dhe COVID-19. Gjithashtu, koncepti fokuson Shtetet e Bashkuara në një strategji vërtetë të madhe të fortifikimit të botës demokratike kundrejt kërcënimeve më serioze me të cilat është përballur tash e një kohë të gjatë.

Pyetja është se a do të mund ta kthejë administrata këtë vizion në realitet. Biden ka identifikuar sfidën kryesore strategjike të shekullit XXI, por problemet – sa të qenësishme ashtu edhe të vetëkrijuara – janë tashmë frikësuese.

Një botë e sigurt për autokracinë

Presidenti Donald Trump mund ta ketë kthyer Uashingtonin kah gara e fuqive të mëdha, por Biden e ka vendosur këtë çështje përbrenda një kornize strategjike më të gjërë. Deri para pandemisë, Trump shpesh dukej sikur e shihte rivalitetin SHBA-Kinë kryesisht si luftë për kushtet e tregtisë. Nga ana tjetër, Biden e sheh konkurrencën si pjesë të “debatit thelbësor” mes atyre që besojnë se “autokracia është mënyra e duhur për të ecur përpara” dhe atyre që besojnë se “demokracia duhet dhe do të ngadhnjejë.”

Komuniteti i kombeve demokratike përballet me tri sfida të ndërlidhura. E para është kërcënimi nga fuqitë autoritare – Rusia dhe posaçërisht Kina. Këto vende po kundërshtojnë fuqinë amerikane nëpër botë dhe po kërcënojnë kombet demokratike që prej Evropës lindore te Ngushtica e Tajvanit. Prapëseprapë, sfida që ato paraqesin është sa ideologjike aq edhe gjeopolitike. Modele të ndryshme të rendit brenda vendit mund të prodhojnë vizione të rendit jashtë vendit: Rusia dhe Kina duan ta dobësojnë, përçajnë dhe të zëvendësojnë sistemin ekzistues ndërkombëtar ngase parimet themeltare liberale të tij janë në kundërshti të plotë me praktikat e tyre të brendshme joliberale. Prandaj, rreziku është që Moska dhe Pekini do ta bëjnë botën të sigurt për autokracinë, në mënyra që botën e bëjnë të pasigurt për demokracinë.

Rusia është duke përdorur sulmet kibernetike dhe dezinformatat për të shkundur demokracitë dhe për t’i përçarë qytetarët e tyre, por edhe shoqëritë liberale janë bërë gjithnjë e më klanore dhe të polarizuara.

Kina e shfrytëzon pushtetin tregtar për të ndëshkuar kritikën – dmth, lirinë e shprehjes – në demokracitë e përparuara prej Evropës në Australi; gjithashtu, autokratëve të botës u ofron mjete dhe teknika të shtypjes; ajo poashtuështë duke rishkruar rregullat e organizatave ndërkombëtare për të mbrojtur, e madje privilegjuar autoritarizmin.

Kërcënimi më i madh është investimii jashtëzakonshëmi Pekinit në teknologji të ndryshme, siç janë telekomunikacioni 5G dhe inteligjenca artificiale, të cilat kanë për qëllim të shpërndajnë ndikimin autokratik të Kinës dhe tejkalimin e rivalëve të saj demokratikë. Kryesorja është se një botë e udhëhequr prej autokracive të fuqizuara dhe agresive do të jetë ashtu siç ka paralajmëruar presidenti Franklin Roosevelt, “një vend i rrezikshëm dhe i lënë pas dore” për ata që vlerësojnë lirinë.

Kërcënimi i dytë vjen prej problemeve transnacionale që nëkontekstin e përplasjes së sistemeve marrin peshë të shtuar. COVID-19 nuk është thjesht një pandemi që ndodhë një herë në shekull; ajo është sfidë ndaj idesë se demokracitë mund t’i përgjigjen në mënyrë të efektshme rreziqeve më të mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët e tyre.

Korrupsioni ndërkufitar nuk është thjesht kërcënim për qeverisjen e mirë; ai është një e ligë të cilën e shfrytëzojnë Moska, Pekini e autoritarë të tjerë, për të zgjeruar ndikimin dhe për të dobësuar rivalët e tyre. Ndarja mes garës së fuqive të mëdha dhe çështjeve transnacionale është artificiale: demokracitë nuk do të fitojnë të parën pa adresuar këtë të fundit.

Kërcënimi i tretë është kalbja nga brenda e demokracisë. Në vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar zgjedhjen e një presidenti pa mëdyshje joliberal dhe një përpjekje të dhunshme për të përmbysur zgjedhjet demokratike. Përgjatë botës liberale, sentimentet antidemokratike dhe pakënaqësia me institucionet përfaqësuese kanë arritur pikën më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore. Këto trende janë alarmuese në vetvete; ato gjithashtu i bëjnë më të cënueshme Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndaj kërcënimit autokratik. Kriza e qeverisjes demokratike brenda vendit është e lidhur ngushtë me krizën e ndikimit demokratik jashtë vendit.

Doktrina Biden

Kjo sfidë e trefishtë fton për një përgjigje të trefishtë – elemente të të cilës mund të shihen në lëvizjet e hershme të administratës së Bidenit. Pikë së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të përforcojnë kohezionin dhe qëndrueshmërinë e komunitetit demokratik kundrejt rivalëve autokratikë dhe ta bëjnë solidaritetin demokratik vërtet global, meqë aq shumë aspekte të kërcënimit kërkojnë përgjigje globale. Së dyti, ajo duhet të udhëheqë demokracitë e botës në adresimin e problemeve transnacionale, të cilat asnjë komb nuk i zgjidhë dot vetëm. Gjithashtu, duhet të ndërtojnë një “pozicion të fuqisë” për rivalitetin global duke riinvestuar në konkurrencën e saj dhe duke treguar që demokracitë ende mund t’u shërbejnë qytetarëve të tyre.

Politika e jashtme e Bidenit është përqendruar në funksionalizimin e këtij koncepti gjithpërfshirës të strategjisë amerikane– të rrënjosur në faktin e pashmangshëm se supremacia e demokracisë është më në rrezik tash, sesa ka qenë me breza të tërë. Përderisa shumë prej marrëdhënieve më të këqija ndërkombëtare të Trumpit ishin me aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, Biden ka vënë në plan të parë riparimin e atyre aleancave si mbruoja në grupin global të demokracive.

Ai është orvatur të qetësojë mosmarrëveshjet diplomatike dhe tregtare me Evropën për të krijuar një front të bashkuar e të fortë kundër Rusisë dhe Kinës, si dhe ka punuar me aleatët në Evropë dhe Indo-Paqësor për të treguar se agresioni ndaj Tajvanit mund t’i kushtojë shtrenjtë Partisë Komuniste të Kinës (CCP). Samiti i hershëm i G-7 prodhoi një gjuhë të përbashkët mbi kërcënimin kinez dhe planet për një program infrastrukturor që do të promovojë projekte transparente e të cilësisë së lartë për botën në zhvillim – një përgjigje demokratike ndaj Nismës Rrip dhe Rrugë (BRI) të Pekinit.

Administrata ka ndihmuar gjithashtu në krijimin e hapësirave për bashkëpunim demokratik rreth çështjeve kryesore globale. Nën Bidenin, Katërshja [Quad] dhe G-7 kanë njoftuar për planet që të shpërndajnë gati dy miliardë vaksina për vendet në zhvillim. Administrata po përgatitet për një front shumëpalësh për ta luftuar korrupsionin dhe rrjedhjet e paligjshme financiare,të cilat presidenti rus Vladimir Putin dhe autokratë të tjerëi kanë shfrytëzuar me aq zhdërvjellësi. Ndonëse Biden ka folur më herët për nevojën e një “samiti global të demokracive” që të merret me këto dhe çështje të tjera, deri më tash ai është mbështetur te grupet ekzistuese më të vogla, të cilat mund të bëjnë përparime reale sot, dhe mbase të shtrojnë rrugën për përpjekje më të mëdha nesër.

Biden ka ndjekur të njëjtin kurs në konkurrencën teknologjike. Tash për tash, administrata nuk është duke e shtyrë idenë e krijimit të D-10, T-12, apo ndonjë koalicioni tjetër të madh e formal demokratik, për të luftuar ndikimet autokratike në teknologji. Në vend të kësaj, ajo po punon me vende dhe grupe të caktuara për të ndërtuar bashkëpunimin demokratik nga poshtë lart– me Korenë e Jugut për gjysëmpërçuesit dhe teknologjinë 5G dhe 6G, me BE-në në përshtatjen e teknologjisë me politikat tregtare, me Japoninë për të siguruar një internet të hapur global, e me NATO-n në luftimin e sulmeve kibernetike dhe dezinformimit.

Ndërkohë, administrata ka luftuar kundër formave më të egra të shtypjes dhe sulmeve autoritare. Është raportuar se presidenti ka kërcënuar Putinin me pasoja të rënda në rast se vazhdojnë sulmet kibernetike kundër infrastrukturës kritike. Uashingtoni u bashkua me BE-në në sanksionimin e Bellorusisë, pasi qeveria e presidentit Alexander Lukashenko detyroi uljen e aeroplanit ku ndodhej një disident i kërkuar nga pushteti – një shembull i shtypjes jashtëterritoriale që janë duke shfrytëzuar Rusia, Kina dhe autoritarë të tjerë për të përndjekur kritikët dhe konsoliduar pushtetin e tyre.

Ekipi i Bidenit punoi me Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në për të sanksionuar zyrtarët e PPK-së të cilët ishin të përfshirë në shtypjen e tmerrshme në Xinjiang – duke shkaktuar kështu shkrirjen e “Ujkut Luftarak” që hodhi në erë marrëveshjen e investimeve që Pekini e nënshkroi vetëm disa muaj më herët me Brukselin.

Brenda vendit, Bideni ka bërë investime në kërkim dhe zhvillim shkencor, infrastrukturë digjitale dhe fizike, si dhe fusha të tjera për të përmirësuar konkurrencën dhe për të adresuar tjetërsimin e klasës punëtore dhe të mesme. Premtimi i tij për “një politikë të jashtme për klasën e mesme” ka për qëllim të tregojë se angazhimi global mund të mbajë familjet e klasës punëtore dhe avokimi i tij për një taksë minimale globale do të ndihmonte demokracitë që të investojnë më shumë në qytetarët e tyre, thonë zyrtarët e administratës. Nga perspektiva e Bidenit, këto masa përfaqësojnë parapagimet për atë lloj rigjallërimi dhe reforme të brendshme që dikur ndihmoi demokracitë që të triumfojnë në një tjetër garë sistemesh gjatë Luftës së Ftohtë.

Pjesa e vështirë

Megjithatë, ashtu sikur vijat e trasha të strategjisë po dalin në pah, e njëjta vlen edhe për sfidat dhe mangësitë. Është e qartë se strategjia e Bidenit është më e pranueshme për disa audience, sesa për tjerat. Strategjia është e bazuar në idenë se Shtetet e Bashkuara mund të rezistojë më së miri përparimin autoritar përmes solidaritetit të gjërë me demokracitë e konsoliduara. Sido që të jetë, të frenuarit e fuqisë ruse dhe kineze, si ushtarakisht edhe diplomatikisht, do të kërkojë gjithashtu bashkëpunim me qeveri të papërsosura ose autokratike, që prej vendeve si Polonia dhe Turqia deri te Vietnami dhe Filipinet.

Ky nuk duhet të jetë problem fatal: për Uashingtonin, aleancat me demokracitë kanë qenë thelb i strategjisë së Luftës së Ftohtë, por gjithashtu ka qenë edhe ndërtimi i marrëdhënieve produktive, edhe pse transaksionale, me demokracitë e brishta dhe tiranitë e ndryshme. Kjo e thekson faktin se nuk ka një qasje uniforme për ndërtimin e koalicioneve – dhe se strategjitë parimore ende kërkojnë kompromise pragmatike.

Edhe në mesin e aleatëve demokratikë, krijimi i një uniteti mund të dëshmohet më i vështirë se sa që pritet nga administrata. Biden mund të korrë shumë shpejt frytet që vijnë nga dhënia fund e luftërave tregtare vëllavrasëse, ose prej mospranimit të lëvdatave nga një diktator rus. Posaçërisht me Evropën, ka një rreze të gjërë për bashkëpunim rreth çështjeve si mbikëqyrja e investimeve. Praseprapë, madje edhe bashkimi i aleatëve të ngushtë demokratikë mund të paraqesë sfidë. Eksportuesit evropianë janë duke varur shpresat te rimëkëmbja pas pandemisë e fuqizuar nga blerjet kineze; ekzistojnë ndarje të forta transatlantike rreth privacisë, të dhënave dhe çështjeve të tjera teknologjike.

Është mjaft e lehtë të lëshosh deklarata të përbashkëta lidhur me shqetësimet për një agresion të mundshëm kinez kundër Tajvanit, apo për shtrëngimin ekonomik të Australisë. Ndërkaq, lëvizjet për të bashkuar botën e lirë përballë një kërcënimi mund ta përçajë atë përballë një kërcënimi tjetër: administrata e Bidenit hoqi dorë nga kundërshtimi i ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2 me shpresën e inkuadrimit të Berlinit në qasjen e përbashkët karshi Pekinit, por në të njëjtën kohë, kjo i mundësoi Moskës që të fitojë më shumë terren ndaj demokracive të brishta të Evropës Lindore.

Përqëndrimi te beteja ideologjike dhe teknologjike mund të shpërqëndrojë administratën gjithashtu prej rreziqeve ushtarake që janë po aq serioze. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara mund të humbin garën e sistemeve duke dështuar që të përmbajnë agresorët autoritarë dhe të mbrojnë postblloqet demokratike në Evropën Lindore dhe Paqësorin perëndimor. Një komision dypartiak i strategjisë amerikane të mbrojtjes paralajmëroi që në vitin 2018 se Shtetet e Bashkuara thjesht nuk kanë fuqinë e nevojshme ushtarake për t’i mbajtur zotimet përgjatë periferisë euroaziatike.

Megjithëkëtë, administrata ka treguar shumë më pak urgjencë në frontin ushtarak: kërkesa e saj e parë për buxhetin e Pentagonit është e sheshtë (në terma realë) dhe kufizon masat afatshkurtëra për të përforcuar pozitën e Shteteve të Bashkuara në Paqësor. Rivalitetet e sotme nuk kanë të bëjnë vetëm me fuqinë ushtarake – por në kohë lufte, vlerat demokratike nuk e shpëtojnë dot botën e lirë.

Në fund fare, lidhja mes komponenteve të huaja dhe të brendshme të strategjisë nuk është aq e pa të metë sa pretendohet nga administrata. Sipas Bidenit, përmirësimi i fateve ekonomike të klasës së mesme është polisë sigurie kundër ringjalljes “trumpiste” dhe një mënyrë e të përforcuarit të themeleve të brendshme të diplomacisë amerikane.

Prapëseprapë, një prej pasojave praktike ka qenë dekreti “Buy American” [Bli amerikane] që ngjan me “America First” [Së pari Amerika] me karakteristika demokratike dhe një politikë tregtare që nuk lë shumë mbresa dhe e cila ka bërë që shumë vende, veçanërisht në Azi, të shtrojnë pyetjen se a është rikthyer vërtetë Amerika, apo jo. Nëse strategjia e Bidenit nuk përqafon një nocion të gjërë e ambicioz të prosperitetit, atëherë nuk do t’i kontribuojë shumë kohezionit dhe fuqisë së botës së lirë.

Duhet thënë se Biden ka identifikuar saktë sfidën e përgjithshme të kësaj epoke. Tash vjen pjesa e vështirë. Ai duhet ta aktualizojë strategjinë e tij dhe ta bëjë që të funksionojë.

***

Artikulli origjinal në Foreign Affairs, më 29 qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

08 korrik 2021
10:07

Hal Brands