Konsensusi i ri i rrezikshëm i Uashingtonit rreth Kinës

29 qershor 2021 10:17

Mos e nisni një tjetër Luftë të Ftohtë.

Sfidat e pashoqe globale me të cilat ballafaqohet SHBA-ja, - ndryshimi klimatik, pandemia, shumimi i armëve bërthamore, pabarazia e madhe ekonomike, terrorizmi, korrupsioni, autoritarizmi – janë sfida të përbashkëta globale. Ato nuk mund të zgjidhen dot nga një vend i vetëm. Ato kërkojnë rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar – përfshi Kinën, vendin më të populluar në botë.

Është shqetësuese dhe e rrezikshme që në Uashington po krijohet një konsensus gjithnjë e më i gjërë që e sheh marrëdhënien amerikano-kineze si betejë ekonomike dhe ushtarake ku dikush humb e dikush fiton. Përhapja e kësaj pikëpamjeje do të krijojë një ambient politik në të cilin bashkëpunimi që i duhet doemos botës do të bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur.

Është mjaft e habitshme se sa shpejt ka ndryshuar dija tradicionale mbi këtë çështje. Hiç më larg se para dy dekadave në shtator 2000, bizneset amerikane dhe udhëheqësia e të dy partive politike mbështesnin fuqishëm dhënien e statusit të “marrëdhënieve normale të përhershme tregtare” [PNTR] për Kinën. Atëbotë, Oda Ekonomike Amerikane, Shoqata Kombëtare e Prodhuesve, mediat dhe gati çdo ekspert i politikës së jashtme në Uashington, këmbëngulnin se PNTR-ja ishte e domosdoshme për t’i mbajtur kompanitë amerikane në garë duke u dhënë qasje në tregun në zhvillim të Kinës dhe se liberalizimi i ekonomisë së Kinës do të shoqërohej me liberalizimin e qeverisë së Kinës për sa i përket demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ky pozicion shihej si qartazi dhe absolutisht i duhuri. Në pranverë të vitit 2000, ekonomisti Nicholas Lardy i Institutit Brookings argumentonte se dhënia e PNTR-së do të “ofronte shtysë të rëndësishme për udhëheqësinë e Kinës, e cila po ndërmerr risqe të rëndësishme ekonomike dhe politike në mënyrë që t’i përgjigjet kërkesës së komunitetit ndërkombëtar për reforma substanciale ekonomike.” Në anën tjetër, mohimi i PNTR-së “do të nënkuptonte që kompanitë amerikane nuk do të përfitonin prej zotimeve më të rëndësishme që ka bërë Kina për t’u bërë anëtare” e Organizatës Botërore të Tregtisë [ËTO]. Duke shkruar po në atë kohë, shkencëtari politik Norman Orstein i konservatorit Institut i Sipërmarrjes Amerikane e tha më troç. “Tregtia amerikane me Kinën është gjë e mirë, për Amerikën dhe për zgjerimin e lirisë në Kinë,” shkruante ai. “Kjo duket, ose do të duhej të duket, e qartë.”

Megjithatë, kjo nuk ishte e qartë për mua, prandaj u bëra pjesë e kundërshtimit të asaj marrëveshjeje tregtare katastrofale. Çfarë dija atëherë dhe çfarë dinin shumë punëtorë, ishte se që të lësh kompanitë amerikane të zhvendosen në Kinë dhe të punësojnë njerëz atje me paga urie do të dërgonte një garë në fund të pusit, ku për pasojë do të kishte humbje të vendeve të mira të punës  në Shtetet e Bashkuara dhe paga me të vogla për punëtorët amerikanë. Kjo është pikërisht ajo çfarë ndodhi. Në dy dekadat më pas, u humbën gati dy milionë vende pune në Amerikë, u mbyllën më shumë se 40 mijë fabrika dhe punëtorët amerikanë përjetuan ngecje të pagave – ndërkohë që korporatat fituan miliarda dhe udhëheqësit e tyre u shpërblyen me shuma të majme. Më 2016, Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale pjesërisht duke bërë fushatë kundër politikave tregtare të SHBA-së, duke adresuar telashet e vërteta ekonomike të shumë votuesve përmes popullizmit të tij të rremë e përçarës.

S’ka nevojë të thuhet se ndërkohë, liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut në Kinë nuk janë zgjeruar. Ato janë cunguar ashpër meqë Kina ka lëvizur nëkahje më autoritare dhe është bërë gjithnjë edhe më agresive në skenën globale. Tash, lavjerrësi i dijes tradicionale në Uashington është lëkundur prej të qenit shumë optimist për mundësitë që paraqiten nga tregtia e pafre me Kinën, tek të qenit më konfrontues për kanosjet që paraqet Kina më e pasur, më e fortë dhe më autoritare, që ka qenë njëra prej pasojave të asaj tregtie të shtuar.

Në shkurt 2020, analisti i Brookings Bruce Jones shkruante se “ngritja e Kinës në pozicionin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, konsumuesja më e madhe e energjisë dhe shpenzuesjae dytë më e madhe në fushën e mbrotjes ka çrregulluar çështjet globale” dhe se mobilizimi “për t’u ballafaquar me realitetet e reja të rivalitetit të fuqive të mëdha është sfidë për qeverisjen amerikane në periudhën e ardhshme.” Para disa muajsh, kolegu konservator, republikani i Arkansasit senatori Tom Cotton krahasoi kanosjen nga Kina me atë që paraqiste Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë: “Përsëri, Amerika përballet me një kundërshtar të fuqishëm totalitar që kërkon të mbizotërojë Euroazinë dhe të transformojë rendin botëror,” argumentonte ai.

Ashtu siç Uashingtoni riorganizonte arkitekturën e sigurisë kombëtare të SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore për t’u përgatitur për konflikt me Moskën, Cotton shkruante, “sot, përpjekjet afatgjate ekonomike, industriale dhe teknologjike amerikane duhet të përditësohen për të pasqyruar kërcënimin që paraqet Kina Komuniste.” Ndërsa muajin e kaluar, zyrtari kryesor për politikën ndaj Azisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare Kurt Campbell tha se “i ka ardhur fundi periudhës që është përshkruar gjerësisht si angazhim me Kinën” dhe se në të ardhmen, “paradigma mbizotëruese do te jetë gara.”

Mos i besoni publicitetit

Para njëzet vitesh, establishmenti ekonomik dhe politik amerikan e kishte gabim për Kinën. Sot, pikëpamja gjithëpërfshirëse ka ndryshuar, por është përsëri e gabuar. Tash, në vend se tëlartësojnë vlerat e tregut të lirë dhe hapjes me Kinën, establishmenti i bjen daulleve të Luftës së Ftothtë të re, duke e paraqitur Kinën si kërcënim ekzistencial për Shtetet e Bashkuara. Tashmë po dëgjojmë politikanë dhe përfaqësues të kompleksti ushtarako-industrial duke përdorur këtë si pretekstin e fundit për buxhet gjithnjë e më të madh për mbrojtje.

Besoj se është e rëndësishme të sfidojmë këtë konsensus të ri – ashtu siç qe e rëndësishme që të sfidohej i vjetri. Sigurisht se qeveria kineze është fajtore për shumë politika dhe praktika që i kundërshtoj dhe që të gjithë amerikanët do të duhej t’i kundërshtonin: vjedhja e teknologjisë, shtypja e të drejtave të punëtorëve dhe medias, shtypja në Tibet dhe Hong Kong, sjellja kërcënuese e Pekinit ndaj Tajvanit, si dhe politikat mizore të qeverisë kineze ndaj popullit ujgur. Shtetet e Bashkuara duhet të shqetësohen gjithashtu për ambiciet agresive globale të Kinës.

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të shtyjnë përpara këto çështje në bisedimet dypalëshe me qeverinë kineze dhe në institucionet shumëpalëshe sikurse Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së. Ajo qasje do të ishte shumë më e besueshme dhe më e efektshme po qe se SHBA-ja mban pozicion konsistent për të drejtat e njeriut ndaj partnerëve dhe aleatëve e saj.

Sidoqoftë, organizimi i politikës tonë të jashtme rreth ballafaqimit global me Kinën nuk do të arrijë të prodhojë sjellje më të mirë kineze dhe do të jetë politikisht i rrezikshëm dhe strategjikisht kundërproduktiv. Ngutia për t’u ballafaquar me Kinën e një precedent të kohës së fundit: “lufta globale kundër terrorizmit.” Pas sulmeve të 11 shtatorit, establishmenti politik amerikan erdhi në përfundim shumë shpejt se kundër terrorizmi duhet të bëhej fokusi parësor i politikës së jashtme amerikane. Gati dy dekada dhe 6 miliardë dollarë  më pas, është bërë e qartë se uniteti kombëtar ishte shfrytëzuar për të nisur një varg luftërash të pafundme që u dëshmuan jashtëzakonisht të kushtueshme në terma njerëzor, ekonomikë dhe strategjikë dhe dha shkas për ksenofobi dhe fanatizëm në politikën amerikane – ku më së shumti pësuan komunitetet e myslimanëve dhe arabëve amerikanë.

Nuk është befasi që sot, në një klimë të nxitjes së paepur të frikës rreth Kinës, vendi po përjeton rritje të krimeve të urrejtjes kundër aziatikëve. Në këtë moment, SHBA-ja është me përçarë se ndonjëherë në historinë e kohës së fundit. Megjithatë, përvoja e dy dekadave të fundit do të duhej të na kishte treguar se amerikanët duhet t’i bëjnë ballë tundimit për të krijuar unitet kombëtar përmes armiqësisë dhe frikës.

Rrugë më e mirë përpara

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka njohur me të drejtë ngritjen e autoritarizmit si kërcënim serioz për demokracinë. Megjithatë, konflikti parësor mes demokracisë dhe autoritarizmit po ngjan jo mes vendeve por brenda tyre – përfshirë Shtetet e Bashkuara. Që të ngadhënjejë demokracia, ajo duhet ta bëjë këtë jo në fushëbetejën tradicionale por duke treguar se më shumë se sa autoritarizmi, demokracia mundet në fakt të ofrojë një cilësi më të mirë të jetës për njerëzit. Kjo është arsyeja pse duhet të rigjallërojmë demokracinë amerikane, duke e rikthyer besimin e popullit në qeveri, duke adresuar nevojat e familjeve punëtore, të papërfillura për një kohë të gjatë.

Duhet të krijojmë miliona vende të mira pune duke rindërtuar infrastrukturën e shkërrmoqur dhe duke luftuar ndryshimin klimatik. Duhet të adresojmë krizat që i kemi në kujdesin shëndetësor, strehim, arsim, drejtësi, imigracion dhe shumë fusha të tjera. Këtë duhet ta bëjmë jo vetëm sepse do ta na bëjë më garues me Kinën apo cilindo vend tjetër, por sepse do t’i shërbejë më mirë nevojave të popullit amerikan.

Ndonëse shqetësimi kryesor për qeverinë amerikane është siguria dhe prosperiteti i popullit amerikan, ne duhet të kuptojmë gjithashtu se në botën tonë të ndërlidhur ngushtë, siguria dhe prosperiteti ynë janë të lidhur me njerëzit çdoku. Për atë qëllim, është në interesin tonë që të punojmë me vendet tjera të pasura që të ngrisim standardin e jetesës në botë dhe të zvogëlojmë pabarazinë groteske ekonomike që forcat autoritare e eksploatojnë për të ndërtuar pushtetin e tyre politik dhe për të dëmtuar demokracinë.

Administrata e Biden-it ka avokuar për një minimum global të taksës së korporatës. Ky është hap i mirë drejt ndaljes së trendit të keq, por ne duhet të mendojmë edhe më larg: një page minimale globale, e cila do të përforconte të drejtat e punëtorëve nëpër botë, duke i ofruar mundësi miliona njerëzve që të kenë jetë të denjë e të dinjitetshme dhe duke zvogëluar mundësinë e korporatave shumëkombëshe që të shfrytëzojnë popullatat më nevojtare të botës. Për të ndihmuar që vendet e varfëra të ngrisin standardin e tyre të jetës përderisa integrohen në ekonominë globale, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura duhet të rrisin dukshëm investimet e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm.

Që populli amerikan të lulëzojë, të tjerët rreth botës duhet të besojnë se Shtetet e Bashkuara janë aleatë të tyre dhe se sukseset e tyre janë sukseset tona. Biden po bën pikërisht gjënë e duhur duke ofruar përkrahje prej 4 miliardë dollarësh për nismën globale të vaksinave të njohur si COVAX, duke shpërndarë 500 milionë vaksina nëpër botë dhe duke përkrahur heqjen dorë nga prona intelektuale, gjë që do t’i mundësojë vendeve të varfëra të prodhojnë vetë vaksinat. Kina meriton mirënjohje për hapat që ka ndërmarrë për të ofruar vaksina, por Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë shumë më shumë. Kur njerëzit nëpër botë shohin flamurin amerikan, ai do të duhej të ishte i ngjitur në paketa ndihmash e shpëtimi, e jo në dronë e bomba.

Krijimi i sigurisë dhe prosperitetit të vërtetë për punëtorët si në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë kërkon ndërtimin e një sistemi global më të barabartë që prioritizon nevojat njerëzore para lakmisë së korporatave dhe militarizmit. Në Shtetet e Bashkuara, dhënia e më shumë miliardave të taksapaguesve për korporatat dhe Pentagonin përderisa nxitet fanatizmi, nuk do t’i shërbeje këtyre qëllimeve.

Amerikanët nuk duhet të jenë naivë sa i përket shtypjes së Kinës, shpërfilljes së të drejtave të njeriut dhe ambicieve globale. Besoj fuqishëm se populli amerikan ka interes përforcimin e normave globale dhe respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve – në Shtetet e Bashkuara, në Kinë dhe kudo në botë. Megjithëkëtë, druaj se nxitja dypartiake e kohës së fundit për ballafaqim me Kinën do kthejë pas ato qëllime dhe rrezikon që të fuqizojë forcat autoritare dhe ultranacionaliste në të dy vendet. Gjithashtu do të shmangte vëmendjen prej interesave të përbashkëta që kanë të dy vendet në luftimin e kërcënimeve vërtet ekzistenciale si ndryshimi klimatik, pandemia dhe shkatërrimi që do të mund të sillte lufta bërthamore.

Të zhvilluarit e një marrëdhënie me përfitime të ndërsjella me Kinën nuk do të jetë i lehtë, por mund të bëjmë shumë më mirë se sa një Luftë e Ftohtë e re.

***

Artikulli origjinal në Foreign Affairs, më 17 qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

29 qershor 2021
10:17

Bernie Sanders