Më shumë vetmi nga Covid-19

21 qershor 2021 10:33

Vlerësohet se përhapja e shpejtë e pandemisë në botë ka afektuar, përpos tjerash, jashtëzakonisht shumë edhe shëndetin mendor, duke shkaktuar kështu shkallë të lartë të frikës, brengës dhe depresionit, në veçanti tek disa grupe specifike të popullatës, siç janë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Ndjenja e vetmisë afekton përqindje të lartë të popullatës në botë, megjithatë jo domosdoshmërisht është e lidhur me mungesë të shoqërisë ose të afeksionit. Disa studime tregojnë se në fakt, ndjenja e vetmisë në thelb ndikohet nga faktorët politik dhe social në vend, siç janë pasiguria me situatën politike, niveli i lartë i krimit, dhunës, abuzimit, etj.

Pavarësisht nga shkaktarët, pasojat e ndjenjës së vetmisë dhe izolimit social kanë pasoja që mund të jenë afatgjate e besa edhe fatale: siç janë depresioni, vetëvrasja, sëmundjet psikosomatike, abuzimi me alkool dhe drogë, etj.

Ndjenja e vetmisë, si konstrukt shoqëror, dallon nga vendi në vend sa i përket asaj se çfarë e nxitë këtë ndjenjë dhe si menaxhohet.  Kantar (Index Kosova) përmes një studimi psikometrik ka ndjekur ndryshimet në nivelin e ndjenjës së vetmisë gjatë periudhës së pandemisë në popullatën e Kosovës të moshës 18+ vjeçare, respektivisht në periudhën nëntor 2020 dhe maj 2021, duke përdorur shkallën e modifikuar të UCLA për matje të nivelit të vetmisë [1]. Në studim morën pjesë 2,369 subjekte dhe të gjetjet janë reprezentative për popullatën e Kosovës të moshës mbi 18 vjeç. 

Rezultatet e përgjithshme të muajit maj evidentojnë se në Kosovë, më shumë meshkuj (61%) sesa femra (55%) kanë rezultuar me nivel mesatar të vetmisë, përderisa dallimi gjinor tek subjektet që kanë rezultuar me nivel të lartë të vetmisë është josignifikant (meshkuj 10%; femra 11%). Nivel të ultë të vetmisë kanë shfaqur 30 për qind meshkuj dhe 34 për qind femra. Korelacion pozitiv vërehet edhe në mes të nivelit të ndjenjës së vetmisë dhe moshës; me ngritje të moshës, rritet numri i subjekteve që shfaqin nivel të lartë të vetmisë. 

Nëse i krahasojmë të dhënat e muajit nëntor 2020 me të dhënat e muajit maj të vitit 2021, del në pah se niveli i ndjenjës së vetmisë në popullatë ka pësuar rritje statistikisht signifikante (2020: 19 mesatarja e pikëve; 2021: 20 mesatarja e pikëve të nivelit të vetmisë) brenda këtyre 6 muajve.

Kjo informatë megjithatë automatikisht e eliminon hipotezën që izolimi social për shkak të masave të mbrojtjes ndaj Covid-19 mund të ketë shkaktuar këtë ngritje në ndjenjë të vetmisë në popullatë. Përderisa në nëntor 2020 masat mbrojtëse ishin shumë më të rrepta, ku përfshinin ndalesën e lëvizjes dhe funksionimin e gastronomisë deri në orën 20:00, si dhe zhvillimin e mësimit online dhe funksionimin e sektorit publik vetëm me staf esencial, në muajin maj të këtij viti, masat ishin dukshëm më të lira si dhe numri i rasteve me Covid ishte dukshëm më i ultë.

Dallimi në shtrirje të ndjenjës së vetmisë në popullatë krahasuar me 6 muaj më parë është statistikisht signifikant. Përderisa në nëntor 2020,7 përqind e popullatës rezultuan të kenë nivel të lartë të vetmisë dhe 55 përqind kishin nivel mesatar të vetmisë, në muajin maj të vitit 2021, përqindja e popullatës që shfaqën nivel të lartë të vetmisë u ngrit në 10 përqind përderisa 58 përqind shfaqën nivel mesatar të vetmisë. Nivel të ultë të vetmisë në nëntor shfaqën 38 përqind e popullatës, përderisa më pak (32%) shfaqën nivel të ultë në maj të këtij viti.

Duke u thelluar në të dhëna është e qartë që niveli i vetmisë ka pësuar rritje statistikisht signifikante tek disa grupe të popullatës më tepër se tek të tjerët; ngritje e theksuar e nivelit të vetmisë vërehet tek meshkujt e moshës 26-55 vjeç, krahasuar me meshkujt e grup-moshave tjera, si dhe tek të punësuarit, grup-moshë kjo e meshkujve që janë kryesisht ekonomikisht aktiv dhe që karakterizohen me përgjegjësi të mbajtjes së familjes. Është interesante të përmendet që përderisa niveli i vetmisë ka pësuar ngritje statistikisht signifikante tek popullata banore e zonave rurale (p<0.0001), tek popullata urbane nuk vërehet ndonjë ndryshim domethënës sa i përket nivelit të ndjenjës së vetmisë në muajin maj 2021 krahasuar me nëntor 2020. 

Ngritje evidente dhe statistikisht signifikante e nivelit të vetmisë në mes të muajit nëntor 2020 dhe maj 2021 vërehet edhe tek popullata, ekonomia familjare e të cilëve mbijeton me të ardhura 0-600 Euro, që lë të kuptohet që ndjenja e vetmisë tek banorët e Kosovës është ngushtë e lidhur edhe me statusin social dhe gjendjen ekonomike të individit. Vlen të theksohet se të dhënat nga i njëjti burim (Kantar Index Kosova) nxjerrin në pah se më shumë se gjysma e popullatës (56%) raporton se të ardhurat e tyre familjare kanë rënë për shkak të pandemisë, përderisa 16 përqind e popullatës së Kosovës kanë humbur punën si pasojë e pandemisë.

Si përfundim, ndjenja e vetmisë në Kosovë duket të jetë ngushtë e lidhur me situatën politike, sociale e në veçanti me atë ekonomike dhe me mirëqenien familjare të individëve. Ndryshimet dhe sfidat e 16 muajve të fundit, përpos që kanë afektuar negativisht të ardhurat e më tepër se gjysmës së popullatës (56%) dhe kanë shkaktuar papunësi tek një pjesë e tyre (16%) edhe pse niveli i papunësisë ishte veçse i kompromituar edhe para pandemisë, tani fillojnë të dalin në pah edhe çrregullimet psikosomatike si pasojë e izolomit social, vështrësive ekonomike dhe frikës nga efektet e virusit në përgjithësi.


[1] Shkalla e UCLA për matjen e nivelit të vetmisë është e dizajnuar për matjen e ndjenjës subjektive të vetmisë dhe të izolimit social. Pjesëmarrësit në studim vlerësojnë secilën deklaratë që aplikohet tek ata me “Shpesh ndjehem kështu”, “Ndonjëherë ndjehem kështu”, “Rrallë ndjehem kështu” apo “Kurrë nuk ndjehem kështu”.

21 qershor 2021
10:33

Vlora Basha