Drejt një Qeverisjeje të Hapur në Kosovë

09 qershor 2021 13:19

Po sikur gratë e burrat në cilësinë e qytetarëve, profesionistëve, hulumtuesëve, aktivistëve, studentëve, të kishin qasje të lehtë në të dhëna cilësore të qeverisë? Çfarë do të thotë të jesh pjesë e një shoqërie revolucionare të të dhënave?

Kur flasim për qeverisje të hapur, disa koncepte na vijnë në mendje. Informata të qasshme, statistika, transparencë, llogaridhënie, pjesëmarrje qytetare, etj. Koncepte mjaft të njohura për shoqërinë kosovare, të adaptuara në diskursin kundër-korrupsion dhe përdoren në hapësira të ndryshme publike, duke filluar nga konferencat e deri te protestat.

Termi ‘qeverisje e hapur’ nuk ka ndonjë përkufizim strikt. Shtete të ndryshme kanë hartuar dhe miratuar përkufizime të ndryshme që u përgjigjen fushave të tyre prioritare dhe konteksteve politike dhe kulturore. Prandaj ‘qeverisja e hapur’ duhet parë si ideal aspirues dhe strategji konkrete që synon t’u sigurojë qytetarëve të saj mundësitë dhe mjetet e nevojshme për të bashkëvepruar me qeverinë në mënyra që u përshtaten nevojave të tyre dhe stilit të tyre të jetesës në fusha të ndryshme të politikave, qoftë në drejtësi, arsim, shëndetësi, apo të tjera. Në këtë mënyrë, qeverisja e hapur ofron një mundësi jo vetëm të re por të domosdoshme për të përmirësuar bashkëpunimin dhe komunikimin në mes të qeverisë dhe grupeve të qytetarëve.

Partneriteti për Qeveri të Hapur (ang. OGP), një iniciativë shumëpalëshe e themeluar në vitin 2011, mbështet fuqishëm idenë që të dhënat duhet të jenë lehtë të qasshme për të gjithë që duan t'i përdorin dhe t’i ndajnë tutje siç dëshirojnë. Kjo jo vetëm që siguron që qytetarët/et të informohen si duhet mbi punën e qeverisë, por gjithashtu shmang monopolet mbi të dhënat. Për më tepër, OGP konsideron se temat ndërsektoriale si gjinia, diversiteti, gjithëpërfshirja, gjuha dhe qasshmëria janë parime të rëndësishme në qeverisjen e hapur. Kështu, një qasje e të drejtave të njeriut është thelbësore në punën e OGP.

Për më tepër, për ta bërë qeverisjen e hapur një realitet të prekshëm, ku transparenca, përgjegjësia dhe pjesëmarrja materializohen me të vërtetë, fokusi qendror i OGP qëndron në cilësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike. Kjo jo vetëm që nënkupton që shoqëria civile të monitoroj dhe kritikoj zbatimin e planeve kombëtare të veprimit, por edhe të ketë shkëmbim të ekspertizës midis dy sektorëve.

Kosova kishte filluar përpjekjet për anëtarësim në OGP në vitin 2013. Në Planin e Parë të Veprimit 2014-2016 – Partneriteti për Qeverisje të Hapur, Qeveria e Kosovës kishte vendosur të adresonte katër sfidat në vijim: 1) Përmirësimin e shërbimeve publike, 2) Rritjen e integritetit publik, 3) Menaxhimin më efektiv të burimeve publike, dhe 4) Rritjen e përgjegjësisë së korporatave.

Sidoqoftë, është e dukshme që në Planin e parë të Veprimit të Kosovës nuk reflektonin mjaftueshëm temat ndër-sektoriale të OGP. Për shembull, në kuadër të sfidës së dytë, asaj të rritjes së integritetit publik, ceket se qeveria e Kosovës është e përkushtuar drejt përmirësimit të barazisë gjinore dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në administratën publike.

Megjithatë, ajo cka ende nuk kuptohet prej qeverive në vend është që gjinia si perspektivë ndërsektoriale duhet të pasqyrohet në të gjitha fushat tematike prioritare. Për më shumë, sipas strategjisë gjinore të OGP, nga shtetet (anëtare dhe ato që synojnë anëtarësimin) pritet që grupet e grave të marrin pjesë plotësisht në procesin e kokrijimit të OGP, që të ketë angazhim për të luftuar dhunën me bazë gjinore, dhe të sigurojnë që zërat dhe pjesëmarrja e grave në krijimin e politikave të përmirësohet.

Nisma e re e Kosovës për t'u anëtarësuar në OGP që është duke u zhvilluar dhe Plani i ri Kombëtar i Veprimit që është duke u hartuar, duhet që jo vetëm të reflektoj në pikat e mëparshme, por të merren më tej në konsideratë parimet thelbësore të qeverisjes së hapur.

Kosova ka një bazë të fortë ligjore sa i përket lirisë së informacionit. Këto ligje të njohura edhe si “sunshine laës”, në botën perëndimore u miratuan me qëllim të inkurajimit të një kulture transparente, të arritshme dhe të përgjegjshme.

Këto ligje në Kosovë përfshijnë: Ligjin për Qasjen në Dokumente Zyrtare, Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Ligjin për Financimin e Partive Politike, dhe Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Perosonat Zyrtarë, Ligjin për Organet Qeveritare për Shoqërinë e Informacionit (i cili gjithashtu themeloi Agjencinë për shoqërinë e informacionit). Korniza ligjore gjithashtu përfshin Strategjinë për Qeverisjen Elektronike 2009-2015 dhe Planin e saj të Veprimit, si dhe Kornizën e Ndërveprimit.

Sidoqoftë, edhe pse qeverisja e hapur synon tranparencë radikale, privatësia dhe konfidencialiteti duhet të trajtohen me po aq seriozitet sa qasja e lehtë dhe cilësore në informacion. Kështu, mekanizmat dhe procedurat për mbrojtje strikte të të dhënave janë po aq qenësore për qeverisjen e hapur. Kosova posedon infrastrukturën ligjore të duhur në këtë aspekt; Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Por duke pasur parasysh që një nga problemet kryesore në nivel shtetëror është mungesa e zbatimit të ligjit, zbatimi i ‘sunshine laws’ në Kosovo nuk bënë përjashtim. Në vitin 2006, Qeveria e Kosovës miratoi Kartën e të Dhënave të Hapura e cila parashikoi ndër të tjera, hapjen e një Portali Kombëtar për të Dhënat e Hapura që synon paraqitjen e të dhënave të hollësishme për fusha të shumta. Sidoqoftë, portali në fjalë nuk ka të dhëna të mjaftueshme nga institucionet, disa kanë raportuar të dhëna vetëm nga vitet e kaluara, dhe shumë institucione nuk kanë raportuar fare të dhëna. Faqja në internet mezi që konsiderohet funksionale ose e dobishme. 

Mungesë e ngjashme e cilësisë dhe saktësisë së të dhënave vërehet në të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ato zakonisht publikohen në formatin PDF, zakonisht paraqiten si dokumente të skanuara dhe rrallë në formë të formateve të tjera të lexueshme (machine-readable) që mundësojnë përdorimin dhe interpretimin e lehtë të të dhënave.

Kjo përmbledh pikën më të rëndësishëm në lidhje me qeverisjen e hapur në Kosovë. Pra, mungesa e përgjithshme e të dhënave, si dhe mungesa e të dhënave të mjaftueshme të ndara në aspektin e përfshirjes dhe diversitetit siç janë gjinia ose përkatësia etnike. Në këtë pikë, është thelbësore të theksohet se nëse të dhënat nuk janë lehtësisht të arritshme dhe të analizueshme, ato nuk mund të konsiderohen të dhëna të hapura pasi që nuk është e mjaftueshme që të dhënat thjeshtë të botohen, por që ato të ndihmojnë në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e ekosistemit të përgjithshëm qeveritar.

Përderisa teknologjitë e reja po mundësojnë rritje të shpejtë të disponueshmërisë së të dhënave duke i kontribuar jo vetëm informimit të mirëfilltë por edhe transformimit të shoqërive, është thelbësore që institucionet përkatëse në Kosovë dhe palët e interesuara nga shoqëria civile të shpejtojnë procesin e anëtarësimin të Kosovës në OGP. Për më shumë, jo vetëm që është e rëndësishme që institucionet të zbatojnë bazën ligjore për të dhëna të hapura, por gjithashtu t’i ngritin kapacitetet se si të punojnë me të dhëna në mënyrë që ‘edukimi mbi të dhënat’ (data literacy) në një demokraci të mundësohet për të gjithë.

*Ky artikull është publikuar nga Open Data Kosovo në kuadër të projektit “Iniciativa për Qeverisje të Hapur dhe të Mirë” të financuar nga programi MATRA 2020 në Ambasadën e Holandës në Kosovë. Ky artikull është përgjegjësi e Open Data Kosovo dhe nuk reflekton pikëpamjet e Ambasadës së Holandës.

09 qershor 2021
13:19

Shqipe Gjocaj