Epoka e Interpretimit të Lidershipit përmes Psikologjisë Politike

27 maj 2021 13:36

Procesi demokratik është thellësisht një proces psikologjik – këto janë fjalët e znj. Margaret Hermman (1980) të thurura për herë të parë pas konstituimit të Psikologjisë Politike (më 1979) si një prej degëve me të reja të studimit të sjelljes njerëzore në kontekstin socio-politik të saj. Duket se kjo degë nuk i ka arritur ende të 50-tat dhe ka depërtuar shpejtë në material që i zbërthejnë dhe i japin kuptim sjelljes politike. Sot International Society of Political Psychology (Shoqëria Ndërkombëtare e Psikologjisë Politike) është adresa themelore e publikimit të studimeve mbi ndërlidhjen e politikës dhe proceseve psikologjike. Anëtarët e saj përfshijnë një kombinim profesionesh: psikologë, sociologë, psikiatër, historianë, ekonomistë, antropologë, gazetarë, etj.

Si degë e psikologjisë, psikologjia politike synon të bashkë-dyzojë kontributet e hulumtimeve dhe gjetjeve empirike nga psikologjia sociale, kognitive (e proceseve mendore), bio-neurologjike dhe psikologjisë klinike për të krijuar një interpretim unik të sjelljes, motivimit dhe stilit të lidershipit të një udhëheqësi të caktuar, një partie ose sistemi politik.

Margaret Herrman, në publikimin e saj debutues “Vlerësimi i stilit të Lidershipit: Analiza e Tipareve” (Nëntor 1999) në pjesën hyrëse thotë: Ndodhë më shpesh sesa të mos ndodhë që një bisedë rreth politikës dhe politikanëve, të fokusohet në personalitetin e tyre. Ndodhë njëfarë fascinimi në studimin e liderëve politik. Si rezultat, biografitë e disa politikanëve të caktuar bëhet ‘bestsellers’ si dhe triumfet dhe tragjeditë e liderëve politikë vërshojnë titujt kryesor të gazetave. Një arsye madhore e kureshtjes tonë për karakteristikat personale të liderëve të këtillëështë realizimi që preferencat e tyre, gjërat në të cilat besojnë dhe punojnë si dhe mënyrat se si i marrin vendimet – mund të na e ndikojnë jetën. 

Këtij ndikimi i dedikohet edhe studimi i kësaj shkence të re, në mënyrë që të kuptojmë format me të cilën sistemet veprojnë mbi ne, për të na asistuar të bëjmë zgjedhje të vetëdijshme të politikanëve dhe politikës, për të perceptuar më saktë atë që ndodhë rreth nesh, për të parandaluar format e opresionit politik duke i ‘detektuar’ stilet jo të favorshme apo duke i stimuluar stilet e favorshme të lidershipit për interesat e popullatës.

Në studimin e saj Margaret morri mostrën e 122 liderëve ndërkombëtarë në studim retrospektiv të dy dekadave të fundit duke interpretuar gjuhën verbale dhe jo verbale që e përdorin në media, intervista dhe forma të tjera të komunikimit, duke aluduar që stili i lidershipit ndërtohet rreth të përgjigjeve në këto tri pyetje: 1) Si reagojnë liderët ndaj kufizimeve politike në mjedisin e tyre – a i respektojnë apo i sfidojnë këto pengesa? 2) Sa të hapur janë ndaj informacionit që marrin – a e përdorin informacionin në mënyrë selektive apo janë të hapur që përgjigjen të ua drejtojë ky informacion? dhe 3) Cilat janë arsyet që i shtyjnë këta liderë t’i kërkojnë pozitat e tyre – a drejtohet motivacioni i tyre nga një fokus i brendshëm i vëmendjes apo nga raportet e jashtme që mund të krijohen nga kolegët e tyre prominent?


Sipas studimit të saj, përgjigjet në këto tri pyetje sygjerojnë më tutje nëse një lider/e do të jetë sensitiv/e ndaj kontekstit politik të tij/saj si dhe nivelin në të cilët do të tentojë të kontrollojë atë që ndodhë apo do të shërbejë si agjent i përçimit të këndvështrimeve të tjerëve. Për ilustrim, një gjetje në proces doli që liderët që janë më pak të hapur ndaj informacionit kanë tendenca të operojnë si avokues të vetes duke kërkuar informacion që i përgjigjet përkufizimit të tyre të situatës dhe anashkalimin e provave të kundërta, vëmendja e tyre përqendrohet në bindjen e të tjerëve për pozicionin e tyre.

Natyrisht që Margaret ishte vigjilente që politikanët, veçanërisht ata në pozita të larta udhëheqëse do t’ishin rezistent ndaj provave të psikologëve që t’iu përgjigjen një ftese për ndërmarrjen e testeve vlerësuese,kështu dhe ajo shprehi validitetin e metodës së saj indirekte të studimit duke aluduar në materialin mediatik, veçanërisht të momenteve spontane të reagimeve ndaj fjalimeve më pak të organizuara apo intervistave të aty-për-atyshme.

Për ata që i patën hyrë një studimi kurreshtar të librave historik në tentim për të ndërtuar një profil psikologjik të një lideri potencialisht efektiv, e kemi “Artin e Luftës” nga Sun Tzu: “Njihi fuqitë dhe dobësitë e tua: nëse e njeh armikun dhe e njeh veten, nuk ke nevojë t’i frikësohesh rezultateve të qindra betejave.” Interpretimi i gjeneralit asokohe megjithatë me konotacion ushtarak, sot është përkthyer edhe në saje te interpretimit të shkollës së ndryshimit të politikave, negocimit, avokimit dhe ndoshta edhe politikë-bërjes.

Më tutje, profili tjetër Makiavelist, disa shekuj më vonë, duket sikur e dërgon artin e luftës në formën e tij diplomatike duke synuar rezultatet pavarësisht mjeteve.
Në pjesën e kolonializmit p.sh., në rastine Sun Tzus propozon që kur shtetet të pushtohen të kursehen nga rrënimi sepse “është më mirë ta ruash një qytet sesa ta shkatërrosh” ndërsa në versionin Makiavelist, qytet duhet të rrënohen për t’iu shmangur një rimëkëmbje të mundshme rrjedhimisht dhe një rebelimi të qytetasve të pushtuar. Nëse tentojmë t’i profilizojmë për një moment dy lider të ndarë sot mes dy stilesh të tilla të lidershipit – çfarë tipare do të mund t’i mveshnim njërit dhe çfarë tjetrit? Si ndikojnë këto stile në politikë bërje dhe në efektivitetin e tyre për t’i përcjellë interesat e caktuara dhe/ose interesat e popullit?

Shembuj të elaborimit të profileve psikologjike të politikanëve historik gjejmë edhe përmes udhë përshkrimeve biografike, të industrisë së filmit, ndonjëherë edhe gojëdhënave.
P.sh., figura historike shqiptare e Skënderbeut perceptohet përgjithësisht si një individ me tipare pozitive, bujar, trim, i hapur ndaj informacionit, etj., por s’i do ta interpretonin ata të cilët nuk i ndanin interesat e njëjta kombëtare me të? A e perceptojmë ne pozitivisht sepse mbrojti interesat tona kombëtare? Apo sepse mbrojti interesat e një grup populli nën opresion?

Margaret, i ka prezantuar shtatë tipare kryesore me potencial për ta vlerësuar suksesshëm stilin e lidershipit: a) besimi që personi mund të kontrollojë situatën apo ta ndikojë atë; b) nevoja për pushtet dhe ndikim; c) kompleksiteti konceptual (aftësia t’i dallojë gjërat dhe njerëzit në ambientin e tij/saj); ç) vetëbesimi; d) tendenca të fokusohet në zgjidhjen e problemeve dhe arritjen e një rezultati kundrejt përqendrimit në përkatësinë grupore dhe zbërthimit të ideve dhe çështjeve tëtjerëve; dh) pabesi e përgjithësuar dhe qëndrim dyshues ndaj të tjerëve; e) intensiteti me të cilin një individ e mbanë aktiv një paragjykim grupor (që grupi x është më i mirë se y).

Duket se metoda për t’i zbërthyer ishte përmes disa shprehjeve qendrore që përdornin liderët gjatë paraqitjes publike si matja e kuantitetit sa shpesh e thonë në kontekst të caktuar. P.sh., në rastin e vlerësimit të tiparit të dytë – nevojës për pushtet – duket sikur ky tipar ‘kodohej’ në përdorimin e foljeve. Disa nga kontekstet kur duhet të matet ky diskurs janë rastet e: a) kur inicion apo ndërhyn në një konflikt verbal, duke akuzuar, kërcënuar apo shantazhuar dikë; b) kur jep këshillë aty dhe atëherë kur nuk i kërkohet; c) tenton të rregullojë/ndryshojë sjelljen e një personi apo grupi tjetër; ç) tenton të korruptojë, të bindë ose të debatojë me dikë pa pasur qëllim arritjen e marrëveshjes apo shmangien e mosmarrëveshjes; d) synon të fitojë famë dhe të impresionojë të tjerët; dh) preokupohet shumë për prestigjin, reputacionin apo pozitën e tij/saj.
Më tutje, një pikë në mbledhjen e rezultatit për nevojën për fuqi, determinohet nga frekuenca e përgjigjeve (sa shpesh), e përdorimit të foljeve të caktuara gjatë përgjigjes në intervista dhe paraqitje publike (ose rrjete sociale) të cilat i ndikojnë që folësi ka bërë njërën nga ato shtatë sjellje tëprezantuara.

Kur rezultatet tregojnë që nevoja për pushtet është e lartë, liderët me këtë tipar punojnë shumë për ta manipuluar ambientin e tyre në mënyrë që të kenë kontroll dhe të duken si fitimtar. Janë të mirë në vlerësimin e situatave dhe e kanë një ndjeshmëri të theksuar ndaj faktit se cilat taktika do të funksionojnë më mirë. Liderët me nevojë të lartë për pushtet rëndom paraqiten si karizmatik dhe heroi-dashamirës, mirëpo rezultojnë të kenë pak ose aspak ndjeshmëri për nevojat apo dëshirat e popullit. Për më tepër njerëzit tjerë perceptohen si instrumente për arritjen e rezultateve në lojën e madhe politike. Mund të thuhet që qasja e tyre makiaveliste i përshtatet konceptit të përfitimit të fuqisë duke arsyetuar të gjitha mjetet – duke qenë se edhe motivimi i tyre i brendshëm është i fuqishëm. Arsyetimi i fjalive determinuese ndodhë në variantin kur nëse një lider përdor diskurs determinant apo më të hapur, le të themi në fjalimet e tij/saj dominojnë fjalët “absolutisht”, “e kemi në dorë situatën”, “kjo është çështje e mbyllur” apo “po punojmë në atë drejtim”, “jemi duke shqyrtuar mundësitë”, “kjo çështje po menaxhohet”, etj.

Psikologjia Politike ndër këto pesë dekadat e saja të nismës, ka kaluar pesë faza dhe ne aktualisht jemi në të pestën, ku synohet të merren trajtimi nga Psikologjia Sociale, bio-neurologjia si dhe Psikologjia Klinike Politike.

Personalisht gjurmën e parë me të cilët më është zbuluar induktivisht kjo botë e psiko-politikës ka qenë përmes punës klinike, duke parë sesi ngjarjet traumatike të papërpunuara lejnë gjurmët në reagimet e liderëve. Ndodhë që disa sjellje të politikë-bërjes kanë për bazë një pjesë tëpa zbërthyertë ngelur e pavetëdijshme kur një përgjigje vjen si një reagim – kur nxitet një pjesë e caktuar e përjetimit personal lidhur me kontekstin politik. P.sh., në negociatat Kosovë-Serbi është e mundur që të hyjnë një lojë reagime nga ngjarje dhe përjetime personale të cilat janë përvijuar në histori dhe bllokimi i tyre në fakt shënon një bllokim në procesimin e këtyre emocioneve.

Historikisht të themi, ka pasur lider me renome të cilëve po t’iu bëjmë një analizë më të thellë rrezikojmë të gjejmë edhe elemente patologjike, por ndoshta të pranueshme për kohën, si rasti i figurave me vrasje masive të cilat janë arsyetuar nën kontekstin e sistemit politik të kohës.

Ngjashëm me tiparet individuale, edhe partitë politike bartin tiparet e anëtarëve të saj dhe ideologjisë së synuar. Ndonjëherë liderët i përvetësojnë tiparet e grupit të caktuar, p.sh., nëse Partia Demokratike dhe Republikane në Amerikë, perceptohen me tipare të ndryshme të cilat i bëjnë të dallueshme edhe kandidatët si dhe krijohet një pritshmëri që deri-diku edhe ata të manifestojnë ato tipare në varësi të partive që iu takojnë.

Sistemet politike, po ashtu marrin tiparet e caktuara dhe për arsye që përfaqësojnë numerikisht një masë – ato përbëjnë edhe formën më të fuqishme të ndikimit tëjetës së individëve dhe shpesh imponimit të tipareve të caktuara. Kemi shembuj të ndryshëm, le të themi komunizmi – ku jep një rast ndoshta ekstrem të mënyrës sesi sistemi politik e zhveshë individin nga tiparet e tij/saj individuale duke e formësuar sipas ideologjisë dhe kërkesave të sistemit për arritjen e rezultateve të caktuara.

E, demokracia përse na është prezantuar si shpresëdhënëse? Ndoshta sepse aty proklamohet ideja qe secili t’i zhvillojë dhe mbajë tiparet e veta pa qenë i/e detyruar të ndryshojë apo të ushtrojë ndikim ndryshues mbi dikë. Një rezultat i cili do të studiohet mbase pas disa viteve…

Në Kosovë ka shumë analiza dhe interpretime publike dhe private të sjelljes së politikanëve dhe politikë-bërjes. Ky preokupim i përditshëm mbase vjen nga nevojat emergjente të shtetit tonë të formësohet në diçka funksionale. Përdorimi i mjeteve shkencore për t’i interpretuar këto sjellje duhet të promovohet edhe si mënyra e re e të menduarit në Kosovën e re. Ndoshta mjaftueshëm i kemi përcjellë opinionet personale si fakte shkencore. Edhe kjo ka të bëjë me një tipar të krijuar në mungesë të interpretimeve alternative po rrezikojmë të rrëshqasim në një zonë të rrotullimit rreth vetes.

Politikë-bërja për ne është diçka e re dhe interpretimi edhe më i ri, por ne kemi fatin të shkarkojmë idetë më të vjetra të njerëzimit mbi filozofinë e politikës duke studiuar shtet-ndërtimin dhe idetë më të reja mbi analizën e sjelljes dhe veprimeve politike të shkencës së psikologjisë politike.

Ekziston një mënyrë për t’u çliruar nga ideja e kapitullimit, ajo mbase është studimi i mënyrave të daljes që ofron studimi shkencor.

Fundja, “Arritja supreme në artin luftarak është ta mposhtësh armikun pa e luftuar” – Sun Tzu.

27 maj 2021
13:36

Qëndresa Prapashtica