Covid-19: Sfidat e mësimdhënies online dhe mësimet e marra

19 maj 2021 13:34

Si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, mësimdhënësit në Kosovë dhe të gjitha institucionet arsimore e trajnuese u obliguan të kalojnë punën e tyre tërësisht online. Megjithëse, disa prej mësimdhënësve tashmë ishin të familjarizuar me shkathtësitë digjitale të mësimdhënies, posaçërisht ata me prapavijë në fushën e teknologjisë informative, pjesa dërrmuese e stafit mësimdhënës në Kosovë u sfiduan me këtë “normalitet të ri” dhe u pa që nuk ishin të pajisur me shkathësitë dhe njohuritë e duhura për të përballuar këtë situatë. Kjo gjendje i detyroi ata që mësimdhënien në klasë ta kalojnë në komunikim online dhe përdorim të platformave elektronike për mësimdhënie e mësimnxënie. Një situatë e tillë e vështirë, bëri që të gjithë hisedarësit e sektorit të arsimit në Kosovë të sfidohen, e që sektori i arsimit del të jetë njëri ndër më të prekurit nga situata pandemike i shoqëruar nga ai i ekonomisë.

Përmes një studimi pilot që kam ndërmarrë, të dhënat preliminare po tregojnë rezultate në disa dimensione: Përderisa mësimdhënësit raportojnë se janë të kënaqur më mundësinë e mësimdhënies online si opsion, ata shfaqin hezitim dhe rezistencë që të vazhdojnë të përdorin platforma elektronike në mësimdhënie në të ardhmen. Një rezultat ky që bie ndesh me parashikimet e ekspertëve të arsimit të cilët (falë përvojës dhe mësimeve të marra nga situata pandemike me mësimin online) parashohin në të ardhmen e afërt mesimdhënien e kombinuar (original: hybrid teaching/learning), por që sigurisht dallimet dhe tempoja e zhvillimit të këtij trendi të ri në arsim do të jetë e ndryshme në vende të ndryshme ndërsa për nga aplikimi- faktor vendim-marrës do të jetë dallimi në gamën e gjerë e kualifikimeve sipas kategorisë, niveli i arsimit, sistemi i vendim-marrjes nga akterët qeveritar, si dhe mentaliteti apo kultura organizative e institucioneve arsimore në vendet përkatëse – në kontekstin kulturor.

Disa brenga të raportuara nga komuniteti i mësimdhënësve kanë të bëjnë me mungesën e socializimit ndërmjet nxënesve si pjesë kritike e zhvillimit të tyre psiko-social e aplikueshme për të gjitha moshat, por me theks të veçantë për ciklin fillor të ulët, pengesat për ndjekjen e trajnimeve dhe punëtorive për trajnim dhe zhvillim të kapaciteteve.Në përgjithësi, ndryshimi i përnjëhershëm i kalimit nga klasat fizike në ato online ishe një ngjarje tejet e vështirë dhe sfiduese për mësimdhënësit, nxënësit, por edhe për prindërit dhe familjarët të cilët më shumë se asnjëherë më parë kanë qenë të angazhuar në koordinim të proceseve dhe mbarëvajtjes së mësimit dhe në të njëjtën kohë një pjesë e konsiderueshme e tyre të sfiduar nga mungesa e burimeve bazike që mundësojnë qasjen e suksesshme të nxënësve në procesin mësimor.

Kjo si rezultat i situatës së brishtë ekonomike ku t’i mundësosh qasjen në pajisje teknologjike njërit fëmijë për mësimin nga shtëpia do të thotë t’i provoh këtë gjë fëmiut tjetër. Në skenarin më të keq (posaçërisht për grupet e marxhinalizuara), mësimi nuk është ndjekur fare për shkak të mungesës së qasjes në internet, pajisje teknologjike (telefon i mençur, tablet, kompjuter) apo vështirësi të kordinimit të ndjekjes së mësimeve në kanalin televiziv zyrtar si njëra nga masat e marra reaguese nga Minisitria e Arsimit dhe Shkencës për organizimin e mësimit gjatë pandemisë.

Gjatë kësaj periudhe, donatorë dhe organizata të ndryshme në Kosovë në bashkëpunim me MASH duke zbatuar dokumentet strategjike për organizimin e mësimit në kushtet dhe rrethanat e krijuara nga Covid-19, organizuan një numër të konsiderushëm të trajnimeve që ju ndihmojnë mësimdhënësve të marrin apo avancojnë shkathësitë e nevojshme didaktike dhe teknike për mbajtjen e mësimit në distancë. Shumica e kurrikulave të trajnimit përmbajnë pjesën e komunikimit dhe organizimit të mësimit online, përdorimin e platformave për rritjen e qasjes praktike (tabela digjitale, platformë për bashkëpunim), metodologji didaktike të mësimdhënies, databaza për centralizimin e të dhënave dhe komunikimin nxënës-mësues- shkollë dhe gjithsesi reflektojnë mbi trendet e arsimit modern (mësimit hibrid për të ardhmen).

Përderisa për shkollat private organizimi dhe administrimi i mësimit online dhe përdorimit të platformave për mësim (E-learning) nuk paraqiste ndonjë risi, nuk doli të vlejë e njejta për sektorin publik. Pavarësisht kësaj, një element i përbashkët për pjesën madhore të mësimdhënësve ishte gatishmëria e tyre dhe vullneti i mirë që t’i adaptohet kësaj situate dhe duke zgjedhur metodologji të ndryshme të aplikimit sipas lirisë së tyre akademike ka arritur që të mbajnë deri në një masë një komunikim solid dhe mbarëvajtje të procesit mësimor me nxënësit e tyre. Kombinimi si zgjedhje e vetë-mësimdhënësve i disa mjeteve për komunikim (Zoom, GoogleMeet) si dhe atyre për vlerësim (Google Classroom, email, messenger), në disa raste përdorimi i platformës E-Shkollori dhe platformave për bashkëpunim online ka reflektuar vetë-iniciativë, përkushtim dhe gatishmëri të një numri të vogël të mësimdhënësve që konsiderohen përvoja shembullore dhe jo-detyrimisht kanë ardhur si rezultat i ndërhyrjes apo udhëzimeve zyrtare.

Bashkëpunimi dhe mobilizmi i tillë i lirë, me vetë-iniciative dhe i organizuar në kllastere i stafit mësimdhënës të disa shkollave në Kosovë mund të konsiderohet si shembull i mirë në kuptim të shkëmbimit të përvojave të tilla ndërmjet mësimdhënësve (e njohur në literaturën e burimeve njerëzore si shkathësi të transferushme). Poashtu, gatishmëria dhe vullneti, shoqëruar me një qasje pozitive ndër-kolegiale ku mësimdhënësit e disa shkollave të caktuara merrnin rolin e multi-plifikues (bartjes së njohurive dhe shkathësive të marra të trajnime e punëtori tek kolegët tjerë si ndarje e përvojës dhe njohurive të reja me të tjerë) është një qasje me efekt të shumëfishimit të përvetësimit të shkathtësive digjitale të mësimdhënies në ndërtimin e kapaciteteve e cila duhet përshëndetur. Kjo situatë ka qenë më shumë tipike si rezultat i vendimarrjes individuale të lirë dhe nuk është vërejtur imponimi i një iniciative të tillë nga akterët qeveritar apo rregulloret e udhëzimet zyrtare të menaxhmentit të shkollave.

Organizatat dhe institucionet arsimore në mbarë botën janë duke punuar në udhëzues dhe planifikim të restaurimit të situatës së krijuar nga pandemia për të ofruar rekomandime shumëpërfshirëse për kompenzimin e dëmtimit të mësimnxënies nga perspektiva e studentëve – situatë kjo e shkaktuar nga masat restriktive të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit në interes të mbrojtjes së shëndetit publik.

Përveç, inkurajimit për involvimin e mësimdhënësve në programe të trajnimit për mësimin e avancimin e shkathtësive digjitale në mësimdhënie pa marrë parasysh nga rrjedhat e situatës pandemike, pra në kuptimin e përgjithshëm të zhvillimit profesional për të qenë të përditësuar me trendet bashkëkohore të arsimit në nivel global, mësimi i marrë nga përvojat me trajnimet me mësimdhënës gjatë pandemisë është nxitja e krijimit të rrjetëzimit të qëndrueshëm (networking) si vend-takim për këtë komunitet ku ata lirshëm dhe pa rregullore të imponuara zyrtarisht do të mund të shkëmbejnë përvoja të mira, këshilla profesionale, përforcojnë raportet me profesionistë të fushës, të avancojnë shkathtësitë digjitale të mësimdhënies dhe të gjejnë mbështetje morale dhe përgjigje kredibile në pyetjet e tyre profesionale që mund të jenë të natyrës didaktike apo për metodologji të mësimdhënies.

Kjo përvojë e mirë e disa mësimdhënësve në Kosovë që me vullnet të lirë gjatë pandemisë morën përsipër mobilizimin për organizim efektiv të mësimit online dhe ngritjen e kapaciteteve në shkollat e tyre, nuk mund të konsiderohet si mostër reprezentative për mësimdhënësit në Kosovë, por prezanton një storie suksesi të një grupi të vogël të mësimdhënësve si një përvojë të mirë e cila mund të aplikohet në të tjera institucione arsimore.

Autorja është ligjëruese në fushën e burimeve njerëzore dhe trajnere e mësimdhënies në distance.

19 maj 2021
13:34

Argjenta Plakolli