Si lidhet digjitalizimi në arsim me rastin e Tomas Edison dhe shpikjes së projektorit?

18 maj 2021 10:05

Kur Tomas Edison, në shekullin XIX shpiku projektorin e filmit, ai ishte aq i ngazëllyer sa që e dërgoi ta prezantonte në bordet e shkollave të qarkut të Nju Jorkut. Edison ju tha bordeve “shikoni këtë, kjo paisje do të revolucionarizojë arsimin” dhe të gjitha bordet e shkollave i kërkuan të largohej së bashku me paisjen e tij, duke u shprehur që kurrë nuk do të lejonin atë “të ngatërrojë mënyrën tradicionale të dhënies së mësimit”. Kjo tregon se sa jo-fleksibil ka qenë arsimi, dhe ende mbetet, në shumë mënyra. Sot, zhvillimet e integrimit digjital në sistemet e arsimit kanë pësuar ngecje, varësisht nga konteksti ku ato zhvillohen.

Shekulli XXI megjithatë paraqet zhvillim të qartë nga koha kur Edison u mundua të integrojë risi digjitale në arsim, mirëpo me disa ngjashmëri në aspekt të pranueshmërisë së risive. Madje, në kohën tonë e drejta digjitale njihet poashtu si e drejtë njerëzore. Ka shumë akterë që këtë të drejtë janë duke u përpjekur ta vënë në jetë. Ngjarjet me pandeminë vetëm sa kanë theksuar të drejtën për çasje digjitale. Ka qenë pothuajse e pamundur të veprohet, punohet, apo të mbahet mësim po që se nuk ke qenë i pajisur me mjete digjitale. Normalja e re e shoqërisë është ndërveprimi me teknologjinë; pra, pse duhet të jetë ndryshe mënyra se si i arsimojmë fëmijët tanë apo mënyra se si punojnë mësimdhënësit tanë. 

Edhe sipas Kombeve te Bashkuara, çështja e të drejtës digjitale përbën një të drejtë të re civile: e drejta për barazi digjitale; e drejta për t'u lidhur me burimet e nevojshme digjitale për të gjithë që të kenë qasje në ngjarje edukative, kulturore dhe çdo ngjarje tjetër rekreative. Prandaj, shkëputja e fëmijëve nga digjitalizimi shkel këto të drejta dhe shkon në kundërshtim me të drejta ndërkombëtare. 

Në Kosovë, bazuar në nevojën që vendi të jetë në hap me zhvillimet e teknologjisë dhe digjitalizimit botëror në arsim, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjise dhe Inovacionit e ka konsideruar si shumë të rëndësishme që Kosova të ketë një strategji shtetërore për digjitalizimin e arsimit në Kosovë dhe për këtë arsye ka marrë iniciativën për të hartuar draftin mbi Strategjinë për Digjitalizimin e Arsimit në Kosovë 2021-2026 (SDEK). Konkretisht, Objektivat Strategjikë 2 dhe 4, përkatësisht, 2) Zhvillimi dhe përdorimi i materialeve digjitale të të nxënit/mësimdhënies, dhe 4) Zhvillimi i kompetencës digjitale synojnë të adresojnë një pjesë të problemeve të lartpërmendura. Të njejtat çështje janë në kryqëzim me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të KB (SDG) sic janë: 4 (arsim cilësor), 9 (Inovacion), 10 (Zbutja e pabarazisë) madje edhe 5 (barazi gjinore) meqe në të shumtën e rasteve vajzat janë më të prekura në këtë aspekt. Pra ka zhvillime pozitive në këtë drejtim.

Çka  duhet të bëhet tutje që të zbutet hezitimi i shkollave i pasqyruar në rastin e Edison, dhe më pas i përsëritur gjithherë derisa kriza e pandemisë detyroi të gjithë të vënë sytë nga zhvillimet teknologjike për të gjetur zgjidhje, është të krijojmë një ambient të barabartë karshi qasjes digjitale dhe të fuqizojmë mësimdhënëset/mësimdhënësit dhe nxënëset/nxënësit tonë/tona për të përdorur këto mundësi digjitale. Kjo do të kontribuojë në qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe më specifikisht në zhvillimin e arsimit në hap me kohën.

18 maj 2021
10:05

Antigona Uka