Një udhëzues praktik për botën që po ndryshon (pjesa I)

15 maj 2021 12:07

E gjitha filloi në një pasdite vere. Derisa kishte dalë të peshkonte në shoqërinë e mikut të tij, i cili kishte marrë me vete edhe nipin e tij që ishte në vitin e fundit të studimeve në shkenca kompjuterike, Riçard Has [Richard Haass] kishte filluar të diskutonte me këtë të fundit rreth temave që lidheshin me ekonominë, politikën, historinë dhe gjeografinë. Has kishte mbetur i stepur nga mungesa e njohurive të nipit të mikut të tij në këto fusha, edhe pse ai ishte student me rezultate të shkëlqyera në Universitetin Stanford-it. Kjo gjë e kishte trazuar atë, në kuptimin intelektual të fjalës. Duke marrë shkas nga ky komunikim krejt i rastësishëm, Has ishte nxitur që të bisedonte edhe me dhjetëra të rinj tjerë amerikanë. Për fat të keq, këto venerime e kishin sjellë atë në përfundime afërsisht të njëjta: shumica e të rinjve sot, edhe pse kishin fatin të studionin në universitete elitare, karakterizohen nga një deficit i frikshëm i njohurive sa i përket çështjeve apo zhvillimeve ndërkombëtare. I shtyrë nga ky “eksperiment”, Has ishte thelluar në mendime duke kërkuar të gjente një mundësi alternative që do t’i mundësonte që dijet dhe njohuritë e tij në çështjet dhe politikat ndërkombëtare, të akumuluara nga vite eksperiencë dhe ekspertizë, të viheshin në dispozicion të këtyre të rinjve dhe të të gjithë atyre që kanë nevojë e interes të mësojnë më shumë për botën. Si rezultat, Has në vitin 2017 kishte filluar të shkruante kapitujt e parë të librit “Bota: Një Hyrje e Shkurtër” (The World: A Brief Introduction), të cilin e botoi në vitin 2020.

Riçard Has, një diplomat veteran dhe zë domethënës e me ndikim në politikën e jashtme amerikane, që nga viti 2003 është President i Këshillit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (Council of Foreign Relations), institucion ky që – ndër aktivitetet e shumta – boton edhe revistën e mirënjohur dhe me influencë të respektueshme në mendimin dhe fushën e politikës ndërkombëtare jo vetëm në ShBA, Foreign Affairs. Nga viti 1989-1993 ai kishte shërbyer si Këshilltar i Presidentit Xhorxh H. W. Bush, si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (National Security Council) dhe më pas si Drejtor i Stafit në Planifikimin e Politikave të Departamentit të Shtetit nën Presidentin Xhorxh Bush i Riu. Has, gjithashtu ka botuar libra të shumtë mbi çështjet  ndërkombëtare, duke përfshirë edhe librin e njohur, “Një Botë në Rrëmujë: Politika e Jashtme Amerikane dhe Kriza e Rendit të Vjetër” (A World in Disarray: American Foreign Policy and the Crisis of the Old Order), në të cilin ai ngriti alarmin për shembjen e sistemit ndërkombëtar të udhëhequr nga ShBA-të, rend i cili sipas tij ishte krijuar pas Luftës e Dytë Botërore, dhe sfidat e krijimit të një sistemi tjetër që mund të jetë funksional dhe që do të zëvendësojë këtë të fundit.

Duke qenë së libri i tij i fundit i dedikohet një audience të gjerë dhe diverse – si në nivel shkollimi, profesioni, moshe por edhe sa i përket nivelit të njohurive lidhur me çështjet e politikës ndërkombëtare – autori është përkujdesur të përdorë një gjuhë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshme për të gjithë. Në 400 faqe të këtij libri, qëllimi i autorit është që të ofrojë për lexuesit elementet esenciale që, sipas tij, “të gjithë duhet t’i dinë për botën në të cilën po jetojmë në mënyrë që të jemi në gjendje të përballemi suksesshëm me sfidat që na shfaqën”. Apo, siç shprehet autori, synimi përfundimtar është që lexuesi të “arsimohet globalisht”. Të qenit i informuar për problemet me të cilat përballen shtetet dhe njerëzit në nivel global është jetike sepse, thekson Has, aktualisht “jetojmë në një kohë ku çfarë ndodh jashtë shtetit ka rëndësi shumë të madhe sepse kufijtë shtetëror nuk janë të padepërtueshëm”. Pra, i ashtuquajturi “rregulli Vegas” – ku çfarë ndodh në Las Vegas, mbetet në Las Vegas, “nuk gjen zbatim në politikën e sotme globale”. Pandemitë, siç është rasti me Covid-19, krizat ekonomike globale, ideologjitë ekstremiste etj., nuk mund të izolohen brenda një shteti apo territori të caktuar. Së këndejmi, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme dhe investimeve humane e financiare të shteteve, këto elemente arrijnë të depërtojnë kufijtë dhe të përhapën në të gjithë botën, me shpejtësi dhe intensitet ta paparë më herët në historinë njerëzore.  

Me qëllim që libri të jetë më i qartë dhe më i kapshëm për të gjithë lexuesit, Has ka shmangur në tërësi analizimin e ngjarjeve dhe çështjeve përmes qasjeve teorike të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të cilat, në të shumtën e rasteve, përdoren në tekste akademike kur trajtohen këto tema. Sipas tij, përdorimi i këtyre teorive në librat e kësaj natyre jo rrallë e bën tekstin “shumë abstrakt dhe të largët nga ajo që është e rëndësishme për shumicën prej nesh”. Duke dashur t’i ofrojë lexuesve diçka më ndryshe, autori provon të sjell një udhëzues praktik që do të mund të përdorej nga njerëzit e zakonshëm pa ndonjë përgatitje paraprake e të sofistikuar teorike, për të kuptuar më mirë sfidat, forcat lëvizëse dhe dinamikat globale të cilat, në një mënyrë apo tjetër, ndikojnë edhe jetët e tyre.

Libri ndahet në katër seksione tematike. Secila prej këtyre pjesëve përbehet nga kapituj të veçantë ku analizohen tema duke filluar nga aspektet e historisë politike e diplomatike, tek ndarjet regjionale të botës, sfidat dhe problemet e dala si pasojë e globalizmit, e deri tek luftërat ndërmjet e brenda shteteve dhe kriza e rendit ndërkombëtar liberal. Autori përqendrohet kryesisht tek “idetë, çështjet dhe institucionet” që janë fondamentale në të kuptuarit si duhet të elementeve dhe zhvillimeve bashkëkohore ndërkombëtare. I konceptuar si një udhëzues praktik, fakti që është libër 400 faqesh mund të duket jo edhe aq i shkurtër për të qenë lehtësisht i përdorshëm. Megjithatë, avantazhi i këtij libri është se secili kapitull i veçantë, në disa raste edhe pjesë partikulare të të njëjtit kapitull, janë shkruar në atë mënyrë sa që mund të lexohen si të pavarur. Pra, secili mund të zgjedhë ta lexojë librin nga fillimi deri në fund – gjë që do të ishte e preferuar dhe do t’i bënte qefin secilit autor – por, fare lehtë leximi mund të bëhet edhe në anën e kundërt – duke filluar nga fundi, apo vetëm duke u ndalur në një kapitull të veçantë që do të ngjallte interes për lexuesin.

 

Historia si “mësuese” e së shkuarës dhe “udhëzuese” e së ardhmes

 

Libri fillon duke shtjelluar rëndësinë që ka njohja e historisë politike e vendeve dhe popujve në mënyrë që të krijohet një bazë solide kontekstuale e shtjellimit të ngjarjeve aktuale. Edhe pse shumë studiues të politikave krahasuese e mbrojnë idenë se është e pamundur që dy ngjarje të ngjasojnë në mes vete në të gjitha detajet, njohja e historisë, sipas Has, na ofron “mësime” të vlefshme, apo na bënë të mundur të identifikojmë “modele” të caktuara përmes së cilave jemi në gjendje të kuptojmë më mirë zhvillimet dhe dinamikat globale në të ardhmen.

Në këtë seksion të librit autori përqendrohet tek pjesa e historisë që konsiderohet që përbën “epokën ndërkombëtare moderne”, e cila fillon në shekullin e XVII-të. Kjo ndarje mund të vlerësohet edhe si krejtësisht arbitrare nga ana e autorit, megjithatë brenda këtij vendimi ka një logjikë shpjegimi. “Lufta Tridhjetë Vjeçare”, e cila kishte përfshirë shumicën e Evropës dhe përveç pasojave politike kishte pasur edhe ndikime religjioze gjithashtu, kishte marrë fund me “Paqen e Vestfalisë” (1648). Kjo marrëveshje që kishte synim për të përfunduar luftën, konsiderohet si gurthemel i lindjes së “sistemit ndërkombëtar modern i cili mbështetet në parimin ku shtetet sovrane pranojnë sovranitetin e njëra-tjetrës dhe respektojnë kufijtë që i ndajnë ato”. Së këndejmi, relevanca e kësaj pikënisje historike bëhet edhe me e rëndësishme kur merret parasysh fakti se parimet e mishëruara në këtë Traktat vazhdojnë të përbëjnë themelet e marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjithë botën edhe sot e kësaj dite, ku edhe shtete si Kina konsiderohen si fanatike të këtyre principeve “vestfaliane”, duke transmetuar kështu pikëpamjen tradicionale të ruajtjes së sovranitetit.

Historia e trajtuar në këtë seksion të librit ndahet në katër periudha kryesore. Periudha e cila mbulon edhe pjesën më të gjatë kohore me rreth 300 vjet, fillon nga shekulli i XVII-të deri tek shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Përveç analizimit të ngritjes së sistemit ndërkombëtar modern, ky seksion shtrihet në kohë dhe mbulon edhe “periudhën koloniale, shkërmoqjen e disa perandorive, ngritjen e ShBA-së si superfuqi dhe lindjen e teknologjive të reja që revolucionarizuan sektorë të ndryshëm si: transportin, prodhimin por edhe mënyrën e bërjes së luftërave”. Në periudhën e dytë përfshihen tri dekada, duke nisur nga fillimi i Luftës së Parë Botërore (1914) dhe deri tek përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (1945). Temat e trajtuara brenda kësaj trajektoreje historike tridhjetë vjeçare, plot dinamizëm dhe të stërmbushur me “historicizëm” dhe zhvillime dramatike me pasoja kataklizmike, janë dy luftëra botërore që dominuan pjesën e parë të shekullit XX-të, krijimi dhe dështimi i Lidhjes së Kombeve, Depresionin e Madh, ngritja e nacionalizmit dhe fashizmit dhe shumë gabime tjera politike e diplomatike që kontribuuan në shpërthimin e dy luftërave botërore shkatërrimtare brenda një diference të ngushtë vitesh. Seksioni i tretë i dedikohet Luftës së Ftohtë dhe rivalitetit ideologjik në mes të ShBA-së dhe BRSS-së, duke u përqendruar në ofrimin e përgjigjeve kruciale se përse filloi Lufta e Ftohtë, çfarë e mbajti atë të “ftohtë” dhe përse përfundoi ashtu si përfundoi? Ndërsa, pjesa e fundit e këtij seksioni analizon periudhën e pas Luftës së Ftohtë, duke reflektuar mbi shpresat e prodhuara për “fundin e historisë” dhe projektimin e një triumfi përfundimtar të demokracisë liberale, të shoqëruar me sfidat e problemet me të cilat u përballen shtetet në sistemin ndërkombëtar bashkë me rënien e Murit të Berlinit, e deri tek kriza e “rendit liberal ndërkombëtar”, “venitja” e ndikimit të ShBA-së dhe ngritja e “të tjerëve”.

Duhet nënvizuar se edhe pse i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e kuptueshme dhe i destinuar për një audiencë të gjerë, për një lexues fillestar dhe pa ndonjë përgatitje specifike në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare nuk do të ishte krejtësisht i lehtë absorbimi i të gjitha fakteve dhe informacioneve të ofruara në këtë seksion të librit. Kjo ndodh për shkak se autori brenda pak faqesh trajton periudha të gjata historike kuptimi i të cilave kërkon lexime paraprake në fushë. Në shumicën e rasteve ai navigon me shpejtësi nëpër trajektoren historike duke i lënë të nënkuptueshme një pjesë të madhe të zhvillimeve, të cilat një fillestar do ta kishte të vështirë t’i ndërlidhte pastaj me ngjarjet që autori trajton. Nuk do mend se kjo nuk do të përbënte pengesë për një njohës të fushës, por meqë libri është dizajnuar si një udhëzues praktik për të gjithë, një gjë e tillë duket të jetë problematike.

15 maj 2021
12:07

Alfred Marleku