Qartësia e munguar (pjesa II)

20 prill 2021 10:35

Zbehja e “karrotës së integrimit” 

Sidoqoftë, dështimi i BE-së për të trasuar një rrugë të qartë integruese jo vetëm për këto dy shtete, por në përgjithësi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e ka zbehur tej mase “strategjinë joshëse” që kjo ofertë ushtronte dikur mbi palët. Bie fjala, strategjia për zgjerim që ishte prezantuar në vitin 2018 nga burokratët e Brukselit, e ka humbur plotësisht shkëlqimin, duke e lënë të paqartë dhe në konfuzion të plotë perspektivën evropiane.  Ky dështim ka krijuar parakushte për penetrim të strategjive subversive të Federatës Ruse dhe investimeve kineze. Së këndejmi, në vend të evropianizimit ka gjetur hapësirë modeli i “putinizimit” si doktrinë hibride e autoritarizmit me proceset formale zgjedhore.    

Devalvimi konstant që i ka ndodhur agjendës integruese, pashmangshëm e ka bërë atë një “karrotë” aspak tërheqëse. Kjo mjegullnajë e ka zbehur edhe kredibilitetin e negociatorëve evropianë dhe i ka shndërruar frazat e tyre ripërtëritëse se si Kosova ka të ardhme evropiane, në klishe aspak të besueshme. Për më tepër, edhe përkundër përkushtimit të palës kosovare për gati një dekadë në procesin e dialogut dhe konstruktivitetit që ajo dëshmoi, Kosova nuk arriti të ketë përfitime substanciale nga ky proces. Përjashto nënshkrimin e MSA-së, asnjë arritje tjetër nuk mund të veçohet. Shoqëria kosovare vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në kontinentin evropian, situatë kjo që e ka rënduar teje mase frustrimin psikologjik, shpirtëror, moral dhe politik.   

Në ndëkohë, me kalimin e viteve u masivizua përshtypja se ky proces po përdoret vetëm si paravan për të justifikuar lehtësimin e rrugës evropiane për Serbinë. Të mos flasim këtu për rolin agresiv diplomatik të këtij shteti me anë të fushatës për anulimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, ndaj së cilës zyrtarët e Brukselit reagonin si zakonisht duke u bërë thirrje të dyja palëve të tregoheshin të përmbajtura, dhe se pozicioni i tyre, siç dihet, mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës, kurse çdo kontest politik palët duhet ta adresojnë në tavolinën e bisedimeve.   

Ky devijim tregoi qartë se mungesa e fokusimit në çështjet kapitale nuk mund të shkoj në pafundësi. Prandaj, ringjallja e këtij procesi nuk mund të bëhet duke e përdorur logjikën e deritanishme. Madje, këtë rrezik e kishte vërejtur me të drejtë edhe profesori i njohur në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës (LSE), Xhejms Ker-Lindzi,ku në një reagim ndaj ndërmjetësuesit të BE-së, Mirosllav Lajçak, paralajmëronte se “Serbia dhe Kosova me shpejtësi po kalojnë nëpër rrugën e Qipros”.  Rrjedhimisht, pala kosovare nuk mund të përfshihet në këtë ndërmarrje serioze vetëm me premtimin e mjegullt të “agjendës integruese”, në raport me të cilën, paradoksalisht, sa më shumë që vazhdonin negociatat aq më shumë thellohej distanca. Për më tepër, rrjedha e procesit dëshmoi se pa marrëveshje finale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës edhe vet agjenda integruese për këtë të fundit është bërë një mision i pamundur, për shkak të pengesave që pesë vendet mosnjohëse të BE-së ia kanë imponuar Kosovës. Prandaj, shtegdalja nga ky rreth vicioz e ka bërë të domosdoshme ridizajnimin dhe ridefinimin e këtij procesi me qëllim të avancimit të njëmendtë të tij.

Në këtë kontekst, diplomacia amerikane e ka pikasur me kohë se zhbllokimi ndërkombëtar i shtetësisë për Kosovën nuk mund të bëhet pa i ndryshuar parametrat bazik të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Me këtë rast, instancat kryesore të ShBA-ve(Presidenti, Sekretari i Shtetit), kanë filluar ta afirmojnë idenë se vetëm njohja reciproke ndërmjet dy shteteve duhet të jetë qëllimi final i marrëveshjes përfundimtare. Natyrisht se komponentë e rëndësishme e këtij akordi të mundshëm mbeten edhe proceset integruese evropiane, mirëpo, siç ka dëshmuar praktika e deritanishme, ato kanë mbetur peng i atij kontestit të madh politik e historik dhe se pa zgjidhjen e tij është vështirë të përshpejtohet dinamika e tyre.

Rreziku i fajësisë për dështimin e ri të dialogut 

Megjithatë, ky orientim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka zhvendosur theksin në një segment tjetër mbi autoritetet e Kosovës. Në të gjitha prononcimet që protagonistët kryesorë të politikës amerikane kanë pasur për këtë temë, është këmbëngulur në domosdoshmërinë jo vetëm që palët të rikthehen urgjentisht në tavolinën e dialogut në Bruksel, por edhe që duhet të demonstrojnë fleksibilitet politik dhe diplomatik në mënyrë që me anë të kompromisit të arrihet marrëveshja, e ku do të përfshihej edhe njohja reciproke. Çfarë do jetë kompromisi dhe cila do të jetë përmbajta dhe konturat e tij, është herët të spekulohet. Ai do të përcaktohet nga procesi i dialogut në detaje. Nuk ka dyshim se njëra prej temave kryesore rreth të cilës do të “thuhen shtizat” në raport me këtë problem mbetet çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Cilat do jenë kompetencat dhe detyrat tij, apo se çfarë aranzhmane do të ofrohen për akomodimin e interesave të serbëve lokal në kuadër të shtetit të Kosovës, mbetet të shihet.  

Si rezultat i kësaj dinamike të re, institucionet e Kosovës, e kanë obligim që të jenë të përgatitura për këtë sprovë madhore. Aq më tepër që edhe bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit do të jetë i një niveli tjetër, për dallim nga ai që kishte dominuar në kohën e Administratës Trump.  

Këtu nuk duhet përjashtuar edhe tezën se vet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk është i interesuar fare për këtë dialog. Ai madje nuk do lë gurë pa lëvizur për ta sabotuar atë; do të inskenoj lloj-lloj driblimesh politike dhe marifetesh diplomatike për ta mbajtur peng situatën, të paktën deri sa të përfundojnë zgjedhjet që do mbahen në vitin tjetër në Serbi. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, ai do të shkoj në Bruksel sa herë që t’i kërkohet. Nuk do të lërë përshtypje se nuk është i interesuar dhe nuk ka vullnet për dialog. Atje ai do të shfaqet me të vetmen kërkesë dhe njëkohësisht akuzë: mosgatishmërinë e palës kosovare për zbatuar obligimet e marra në lidhje me bashkësinë e komunave. Me këtë strategji perfide do të tentojë t’i sfidoj si ndërmjetësuesit ndërkombëtar, ashtu dhe shtetin e Kosovës si kinse një aktor jo serioz dhe i papërgjeshëm si palë dialoguese.   

Ka gjasa që beteja kryesore që do zhvillohet gjatë muajve të ardhshëm do të marr karakterin e “gjuajtjes së shtrigave” me fokusin kryesor se kujt do t’i mbetet barra e dështimit eventual të këtij procesi. Prandaj, në vend të retorikës mbi hierarkinë  dhe rëndësinë e temave, politika Kosovare duhet ta ndërtoj me çdo kusht një strategji racionale dialoguese për t’u përballur dhe mbrojtur nga ky rrezik serioz, aq më tepër që vendi ynë tash po përballet me një thirrje obligative edhe nga aleati ynë strategjik. Shteti i Kosovës nuk e ka luksin të paguaj një tagër të tillë. Kualifikimi i palës kosovare si përgjegjëse për stagnimin dhe dështimin eventual të këtij procesi do të kishte pasoja të konsiderueshme. Siç thoshte dikur profesor Fehmi Agani, kur filloi Lëvizja jonë për pavarësi: “krahas mirëkuptimit dhe përkrahjes ndërkombëtare, ka pasur mjaft qëndrime ndërkombëtare që esencialisht na kanë dëmtuar. Dhe, ç’duhet të bëjmë? Të mendosh se mundesh të shkëputesh nga bota është marrëzi. Të përpiqesh të injorosh qëndrimet ndërkombëtare është dështim”. Rrjedhimisht, në vend të qëndrimit konfuz, autoritetet e Prishtinës e kanë obligim strategjik, politik dhe kombëtar të shmangin një skenar të tillë, sepse vetëm në këtë mënyrë, Republika e Kosovës mund ta realizoj qëllimin final të saj, konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, anëtarësimin në organizata relevante ndërkombëtare dhe funksionalizimin e plotë të shtetësisë së saj.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

20 prill 2021
10:35

Afrim Kasolli & Alfred Marleku