Puna gjatë pandemisë dhe efektet në shëndetin mendor tek gazetarët

19 mars 2021 14:27

Gazetarët, për nga natyra e profesionit të tyre, janë të trajnuar dhe të adaptuar që të punojnë nën stres dhe presion të shtuar. Shpesh i kemi parë të raportojnë nga zona të luftërave, protestave të dhunshme, fatkeqësive natyrore si tërmetet, vërshimet, zjarret masive, aksidentet dhe incidentet e ndryshme etj. Në këtë mënyrë, pjesa më e madhe e tyre janë dëshmitarë dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në situata të vështira, me shumë rreziqe dhe kërcënime për jetën dhe mirëqenien e tyre fizike. Por, gati në të gjitha rastet neglizhohet fakti se të njëjtit, duke kryer punën e tyre në terren, i ekspozohen situatave të caktuara që e rëndojnë gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike të cilat më pas mund të kenë efekte afatgjata dhe të ndikojnë jo pak në cilësinë e jetës së tyre.     

Që nga fillimi i pandemisë – tash e mbi një vit – gazetarët, redaktorët, kameramanët, teknikët e mediave, njësoj si punëtorët shëndetësorë, mësuesit apo edhe policia, për asnjë ditë nuk e kanë ndërprerë punën. Ky angazhim i tyre i vazhdueshëm për të informuar publikun në një periudhe të pandemisë globale e cila përveç rrezikut për shëndetin dhe jetën e gjithsecilit, shoqërohej edhe me paqartësi të shumta për natyrën e vetë virusit, përhapjen e informacioneve të rreme, historive konspirative dhe dyshimeve e mosbesimit në mesin e qytetarëve për ekzistimin e virusit, ka bërë që puna dhe angazhimi i punonjësve të mediave të mbingarkohej dhe komplikohej dukshëm. Kur i shtojmë kësaj edhe frikën permanente nga infektimi me virusin Covid-19 dhe përgjegjësia që, duke kryer punën e tyre ditore, do rrezikonin që pa dashje t’i infektonin edhe shoqërinë apo anëtarët e familjes, shkalla e vështirësisë, presioni psikologjik dhe i pasojave që shkaktohen prej tij rriteshin në mënyrë drastike.    

Në këtë drejtim, studiues të ndryshëm që merren me fushën e shëndetit mendor janë angazhuar të analizojnë efektet psikologjike të punëtorëve të mediave gjatë punës së tyre në periudhën e pandemisë. Sipas një hulumtimi të realizuar nga Instituti Reuters në bashkëpunim më Universitetin e Torontos, që kishte si qëllim identifikimin e mirëqenies emocionale tek gazetarët, u identifikua se puna gjatë pandemisë ka shkaktuar tek shumica prej tyre stres, ankth dhe depresion. Një gjë e tillë, thekson raporti, nuk është vërejtur vetëm tek gazetarët e rinj dhe me më pak përvojë, por edhe tek ata që kanë pasur vite të tëra eksperiencë në punë dhe të cilët kanë qenë të përfshirë edhe më përpara në raportimin e ngjarjeve të vështira me ngarkesë të shtuar emocionale.

Studimi konkludon se rreth 70% e gazetarëve gjatë periudhës së pandemisë kanë vuajtur nga disa nivele shqetësimesh psikologjike. Konkretisht 26% e pjesëmarrësve kanë raportuar ankth klinik të shoqëruar me simptoma shqetësimi, pagjumësie, “lodhje rraskapitëse” (burnout) dhe përqendrim të dobët në punë. Kurse, 11% e tyre shfaqën simptoma të stresit post-traumatik që përfshin kujtime të një ngjarjeje traumatike lidhur me pandeminë, ndjenjë faji, frikë, zemërim etj. Duke qenë se pandemia ka transformuar edhe formën e kryerjes së punëve – për shkak të kufizimeve për ruajtjen e distancës fizike me qëllim të mosshpërndarjes së virusit – 60% e gazetarëve kanë raportuar se punojnë me orë të tejzgjatura që nga fillimi i pandemisë.

Këto konkluzione i mbështet edhe një hulumtim i fundit i realizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) mbi kushtet e gazetarëve në vendet e Ballkanit që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Raporti konstaton se pandemia ka ndikuar dukshëm në rritjen e sasisë dhe të intensitetit të punës së tyre, por në anën tjetër ka pasur efekte negative edhe në të hyrat e tyre financiare sepse një pjese të madhe i është ulur paga. Sipas raportit, më shumë se 60% e të anketuarve theksuan se, që nga fillimi i pandemisë, kishin “më shumë” ose “shumë më shumë” punë sesa zakonisht. Në mesin e gazetarëve të Bosnjës ky shqetësim arrinte shifrën 73%, ndërsa në Serbi ishin 70% e tyre që deklaroheshin njëjtë. Nuk do mend se kjo e rëndon edhe më tepër shëndetin mendor të tyre.

Pra, në këtë rast, gazetarët përveç se duhet të përballën me rrezikun e infektimit të tyre dhe familjarëve të tyre – e që është kërcënim serioz për jetën – janë në ankth permanent se mos iu zvogëlohet paga, apo edhe mund ta humbin punën krejtësisht. Këtë konstatim e mbështet edhe raporti në fjalë ku 55% të pjesëmarrësve vlerësuan se janë duke humbur të ardhurat për shkak të pandemisë dhe 58% thanë se raportimi mbi Covid-19 ka prekur shëndetin e tyre mendor. Në Shqipëri, shifrat janë më të mëdha dhe arrijnë në 73%. Gazetarët në Malin e Zi duket se qëndrojnë më mirë ku 29% thonë se kanë hasur disa probleme me shëndetin mendor. Kurse në Maqedoninë e Veriut, 62% deklaruan se kriza ka prekur shëndetin e tyre mendor, ndërsa 48% se kishin nevojë për mbështetje psikologjike profesionale.

Pra, duket se me të njëjtën sfidë po përballën punëtorët e mediave në të gjithë globin, pa marrë parasysh shtetin, sistemin socio-politik, nivelin e zhvillimit ekonomik apo edhe avancimin profesional të tyre. Në një studim të shkallës së gjerë të realizuar nga Universiteti i Kolombias, në të cilin kanë marrë pjesë 125 vende të botës, ka rezultuar se 70% të të anketuarve e rendisin ndikimin psikologjik dhe atë emocional të mbulimit të krizës së pandemisë si aspektin më të vështirë të punës së tyre, të pasuar nga frika për të mbetur pa punë, mbingarkesa në punë, izolimi social etj. Në pyetjen se cili është reagimi emocional dhe psikologjik si pasojë e pandemisë, 42% e gazetarëve e raportuan nivelin e rritur të ankthit, ndërsa 38% raportuan lodhje dhe “lodhje rraskapitëse” (burnout) – që është  sindromë e cila shkaktohet nga stresi kronik në vendin e punës dhe zakonisht karakterizohet nga ndjenja e rraskapitjes dhe e negativizmit që lidhet me punën dhe efikasitet profesional të zvogëluar.

Edhe gazetarët në Kosovë dhe Shqipëri ballafaqohen me të njëjtat sfida dhe probleme. Sipas një raporti të publikuar nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës (AGK), konstatohet se gazetarët që punojnë në terren nuk janë siguruar nga punëdhënësit mjetet e nevojshme mbrojtëse kundër virusit. Rreth 10% e të anketuarve në këtë raport deklaruan se nuk u ishte dhënë asnjë pajisje mbrojtëse në kryerjen e punës së tyre të përditshme dhe duhej që ato t’i siguronin vetë. Kuptohet, përveç rrezikut të infektimit, puna gjatë pandemisë ndikoi edhe në shëndetin mendor të punonjësve të medias në Kosovë. Në këtë drejtim, sipas të njëjtit raport, 19% e gazetarëve deklaruan se raportimi gjatë pandemisë e përkeqësoi shumë gjendjen e tyre të shëndetit mendor, kurse 46% e tyre theksuan se kishin përjetuar një përkeqësim të lehtë psikologjik.

Në anën tjetër, në Shqipëri në një vit pandemie tetë gazetarë dhe punëtorë të mediave humbën jetën dhe qindra të tjerë u infektuan, në shumicën e rasteve duke infektuar kështu edhe rrethin dhe anëtarët e tjerë të familjes. Natyrisht, lidhur me këtë temë ka nevojë ende të realizohen studime të specializuara dhe me metodologji rigoroze shkencore në mënyrë që të dilet me konkluzione të mbështetura që do të shërbenin që kjo problematikë të trajtohej më me në thellësi.

Nuk do mend se gazetarët, sidomos ata që raportojnë nga terreni, nuk e kanë të mundur të punojnë nga shtëpia, për ketë arsye duhet të konsiderohen si kategori e rrezikuar për shkak të kontakteve të përditshme dhe të pashmangshme. Sipas raporteve fillestare në nivel global, rajonal por edhe ne nivel vendi, duket se efektet nga stërngarkesa në punë, kërcënimi permanent për uljen e pagës apo humbjen e punës apo edhe rreziku evident për t’u infektuar me virusin Covid-19, e ka rënduar dukshëm shëndetin e tyre mendor. Për këtë arsye, duke marrë në konsideratë rëndësinë e punës së gazetarëve për informimin e shoqërisë dhe në përputhje me nivelin e rrezikut në ushtrimin e profesionit, institucionet e vendit do të duhej që t’i përfshinin gazetarët në kategorinë prioritare të vaksinimit, kurdo që ky proces të fillojë në Kosovë.

19 mars 2021
14:27

Violeta Zefi