Beteja për sovranitet teknologjik në Europë

18 mars 2021 13:20

Prej tash e tutje, çdo vend ose grup vendesh duhet të pyesin veten se a prodhon teknologjinë që i duhet ose a ka qasje të garantuar, të pakufizuar dhe afatgjatë në të. Një vend që përgjigjet me jo është i cënueshëm ndaj shtrëngimit teknologjik që nuk është më pak i ashpër se sa shtrëngimi ushtarak i viteve të kaluara

Në kohën kur shtetet përdornin rregullisht forcën ushtarake për të detyruar tjerët që të pajtohen ose të nënshtrohen, sovraniteti ishte parësisht koncept gjeografik dhe ushtarak. Por së fundmi, ky term ka përfituar një dimension shtesë.

Për shembull, pandemia COVID-19 nxori në shesh varësinë e Perëndimit nga Kina për furnizim me maska dhe pajisje mbrojtëse. Ish presidenti amerikan Donald Trump armatosi teknologjinë amerikane dhe sistemet e pagesave në përpjekje për të avancuar interesat e SHBA-së. Sovraniteti teknologjik – ose mungesa e tij – shpejt po bëhet çështje kyçe strategjike, jo vetëm për Europën.

Paramendoni, për shembull, nënadmirali Eugene H.Black III, komandant i Flotës së Gjashtë të SHBA-së kërkoi papritmas diçka të papëlqyeshme nga kryeministri britanik Boris Johnson, duke vërejtur që flota e tij ishte stacionuar në Kanalin Anglez. Qeveria dhe shumica e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar këtë do ta konsideronin si manifestim shumë të çuditshëm të “marrëdhënies speciale” dypalëshe, dhe do të kundërshtonin fuqishëm.

Prapëseprapë, protestë publike nuk pat vitin e kaluar kur sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo kërkoi me ngulm që Johnson të përjashtonte firmën kineze të teknologjisë Huawei nga rrejti 5G i Mbretërisë së Bashkuar (MB), duke lënë të kuptohet se në të kundërtën Shtetet e Bashkuara nuk do të ndanin informacione të inteligjencës me Mbretërinë e Bashkuar. Pompeo gjithashtu përmendi faktin se SHBA-ja kontrollon infrastrukturën e pagesave të Qytetit të Londrës, dhe se të gjithë çipat elektronikë që përdoren në MB kanë nevojë për softuerë amerikanë të dizajnit elektronik.

Heshtja publike ndaj taktikës së Pompeo-s erdhi përkundër analizës tërësore të GCHQ, agjencinsë britanike të inteligjencës së teknologjisë së lartë dhe sigurisë, e cila erdhi në përfundim se produktet e Huaweit ishin të sigurta për t’u përdorur në pjesët jokritike të infrastrukturës 5G të vendit. Shtrëngimi i Pompeo-s ishte po aq i pamaskuar sa në shembullin hipotetik të përmendur më lart, por fuqia teknologjike është më pak e dukshme për publikun sa për aeroplanmbajtësen amerikane në grykëderdhjen e Tejms.

MB e ka anashkaluar për një kohë të gjatë varësinë teknologjike nga vendet tjera, sepse besonte se zinxhirët e furnizimit qenë të sigurt dhe konsideronte Amerikën si aleat të besueshëm. Tash, të dyja supozimet janë në pikëpyetje.

Prej tash e tutje, çdo vend a grup vendesh duhet të shtrojnë tre pyetje vetes. Së pari, a prodhojmë teknologjitë që na duhen? Nëse jo, a kemi qasje në to prej një numri të caktuar burimesh? Nëse përgjigjja është ende jo, a kemi qasje të garantuar, të pakufizuar dhe afatgjatë (më shumë se pesë vjet) në to prej furnizuesve që kanë monopol ose oligopol nga një vend i vetëm, zakonisht SHBA-ja ose Kina?

Një vend i cili i përgjigjet me jo të gjitha pyetjeve është i cënueshëm ndaj shtrëngimit teknologjik, që nuk është më pak i ashpër se sa shtrëngimi ushtarak i viteve të kaluara.

A i ka Mbretëria e Bashkuar të gjitha teknologjitë kritike që i duhen që ekonomia dhe qeveria e saj të funskionojnë si duhet? Nëse e marrim shembull vetëm 5G-në, sistemet e pagesave, dhe gjysëmpërçuesit, atëherë përgjigja është një jo e qartë

As nuk ka gjasë që MB-ja si e vetme, të mund të sigurojë qasje të garantuar, të pakufizuar dhe afatgjate në këto teknologji, duke pasur parasysh se rezultati i negociatave të tregut ndërkombëtar përcaktohet nga pesha relative e pjesëmarrësve. MB-ja përbën rreth 1% të popullatës së botës dhe 2% të BPV-së globale (në terma të barazisë së fuqisë blerëse), dhe pothuajse nuk ka teknologji dominante në botë.

Pra, përkundër Brexit-it, i vetmi opsion i arsyeshëm për MB-në për të arritur sovranitet teknologjik, është që të bashkëpunojë me superfuqinë e tretë ekonomike në botë, Bashkimin Europian. Përderisa kimera e sovranitetit kombëtar ka hipnotizuar anglezët në veçanti, BE-ja ka kuptuar kërcënimet serioze ndaj sovranitetit në shekullin e njëzetenjëtë hiperteknologjik dhe ka zhvilluar politika për të mbrojtur veten.

Posaçërisht, Europa kupton se rrezikon të bëhet dëm kolateral në luftën aktuale tregtare mes SHBA-së dhe Kinës. Dredhia agresive e Trump-it për të përdorur dominimin amerikan të gjysëmpërçuesve që të gjymtojë Huawei-n, shërbeu si “moment alarmues i Sputnikut” për qeverinë kineze, duke e shtyrë që të nisë përpjekje masive të financuara nga shteti, për ta bërë të pavarësuar vendin në prodhimin e gjysëmpërçuesve.

Kina mund dhe po ia kalon SHBA-së në shpenzimet për zhvillimin e gjysëmpërçuesve, dhe po përdor një numër shumë të madh inxhinierësh të përparuar, duke mos lënë asnjë dyshim që vendi do t’i japë fund shumë shpejt varsisë nga Amerika në këtë sektor. Nëse Kina bëhet dominuese e industrisë globale të gjysëmpërçuesve, gjë që ka shumë gjasë të ngjajë, marrëdhënia mund të kthehet përmbys – betejë e fituar, luftë e humbur.

Alternativa e arsyeshme ndaj shkurtpamësisë strategjike të stilit të Trump-it është që të ndihmohet Kina në zhvillimin e industrisë së gjysëmpërçuesve bazuar në parimin e reciprocitetit. Për shembull, në shkëmbim të pronës intelektuale dhe përkrahjes teknike, Kinës mund t’i jepet leja për të ndërtuar fabrika të gjysëmpërçuesve në Europë për t’i shërbyer tregjeve europiane, dhe të ndajë pronën intelektuale të zhvilluar së bashku. Kjo strategji ka funksionuar mirë më herët me industrinë japoneze të automobilëve.

Sovraniteti teknologjik është çështje veçanërisht e spikatur sot në MB, ku qeveria duhet të vendosë së shpejti se a do të lejojë gjigantin teknologjik amerikan Nvidia që të pronësojë Arm-in, dizajnerin e çipave me bazë në Kejmbrixh. Blerja e firmës nga Nvidia – mikroprocesorët e të cilës gjenden në shumicën e makinave dhe pajisjet e infrastrukturës së teknologjisë informative, ashtu si edhe në 95% të telefonave mobilë në botë – do të krijonte edhe një tjetër monopol teknologjik të një gjiganti amerikan, këtë herë në sektorin e telefonave mobilë. Kjo gjithashtu do të zgjeronte pa dyshim fuqinë amerikane të shtrëngimit karshi MB-së, dhe do të privonte Britaninë nga një mundësi e vlefshme për të fituar terren në betejën për sovranitet teknologjik.

Përtej pavarësisë së Arm-it, MB-ja dhe BE-ja do të krijojnë së bashku Fondin për Sovranitet Teknologjik prej €100 miliardësh që t’i bëjë ballë $100 miliardëve që shpenzon SHBA-ja në sovranitetin e saj teknologjik dhe shumave edhe më të mëdha që po mobilizon Kina. Europa duhet të krijojë alternativa ndaj monopoleve kineze të prodhimit të teknologjisë dhe monopoleve amerikane digjitale, të pagesave dhe të pronës intelektuale.

E vetmja zgjidhje e qendrueshme dhe e paanshme për problemin të sovranitetit teknologjik global është që të aplikohet parimi i reciprocitetit për të krijuar sovranitete të pavarura për SHBA-në, Kinën dhe Europën. Arritja e kësaj madje mund të çojë te një rend botëror në të cilin nënadmirali Black dhe Flota e Gjashtë do të kalonin më shumë kohë në shtëpi.

***

Artikulli origjinal në Project Syndicate, më 12 mars 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

18 mars 2021
13:20

Hermann Hauser