NATO duhet të përballet kokë më kokë me Kinën

02 mars 2021 15:04

Aleanca perëndimore është e papërgatitur për sfidën gjithnjë e më të madhe dhe të drejtpërdrejtë që paraqet Kina.

Udhëheqësit e 30 vendeve të NATO-s do të mblidhen këtë pranverë në një samit jo të zakontë. Sekretari i përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg ka vendosur të ardhmen e NATO-s në agjendë. Ky do të jetë samiti i parë ndërkombëtar i këtyre përmasave për presidentin amerikan Joe Biden, i cili ka thënë se përforcimin e aleancave e ka prioritet të politikës së tij të jashtme. Vendimet e marra në këtë takim do të përcaktojnë planet dhe prioritetet e NATO-s për një kohë të gjatë.

Prandaj është jetike që samiti të adresojë drejtpërdrejt temën kryesore dhe me implikimet më të mëdha gjeopolitike për dhjetëvjeçarin e ardhshëm: Kinën. I inkurajuar nga Uashingtoni dhe kryeqendrat tjera, Stoltenberg tashmë ka shtyer aleancën që të merret më seriozisht me këtë sfidë. Problemi është se disa aleatë nuk e shohin Kinën si çështje të NATO-s, ndërsa të tjerët kanë frikë se vendosja e saj në agjendën e aleancës do të armiqësojë një partner të fuqishëm tregtar.

Të dy brengat janë pa vend. Vetëm për shkak se Kina është fuqi aziatike, nuk do të thotë se aktivitetet e saj shtrihen jashtë sferës së aleancës perëndimore. Është e vërtetë se garancia e nidhmës së ndërsjellë në rast të sulmit ushtarak, e shprehur në nenin 5 të NATO-s, vlen për hapësirën euro-atlantike që shtrihet në veri të Tropikut të Kancerit. Por, Kina tashmë është aktive në po këtë zonë gjeografike, në mënyra që ndikojnë thellësisht në sigurinë e aleancës. Kontrolli gjithnjë e më i madh i një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës europiane nga Kina – që prej rrjetëve të telekomunikimit deri te portet – ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë, ndërveprimin dhe komunkimin e sigurt të NATO-s.

Prania e Kinës nuk është vetëm komerciale. Përmes strategjisë së përzier ushtarako-civile  - e cila synon të mbrehë sistematikisht teknologjinë për qëllime ushtarake – Pekini po nxjerr teknologji të sektorit privat dhe talent prej shteteve anëtare të NATO-s për shfrytëzim nga Ushtria Çlirimtare e Popullit të Kinës. Anijet dhe aeoroplanët ushtarak kinezë janë gjithnjë e më aktiv në Mesdheun lindor, Atlantikun verior, dhe Oqeanin Arktik. Në të njejtën kohë, Kina po zhvillon fushata agresive dhe të sofistikuara të informacionit për të ndikuar mbi popullatat dhe opinionbërësit e anëtarëve të NATO-s – për të përçarë aleancën nga brenda.

Nëse ndokush mendon se mosvëmendja ndaj këtyre dhe të tjerave dimensione të sigurisë të aktivitetit kinez do ta bëjë shoqërinë e tyre më të sigurt e më të pastër, e kanë gabim. Siç tregon sjellja kineze ndaj një numri në rritje të vendeve në Europë dhe më tej, strategjia e parapëlqyer e Pekinit për të zgjeruar ndikimin global është që të përdor pushtet dhe pasuri të jashtëzakonshme kundrejt shteteve më të vogla e më të izoluara. Sa më e madhe asimetria e pushtetit, aq më mirë për Pekinin. Prandaj, sa ma ë shumë që shtetet perëndimore të përparojnë së bashku interesat e tyre, aq më mirë do të jenë të përgatitur për të prishur ekulibrin e asaj asimetrie.

Hapësira që NATO të bëjë më shumë në raport me Kinën është e konsiderueshme – dhe e pazhvilluar. Ndonëse Kina paraqitet gjithnjë e më shumë në proceset e brendshme dhe komisionet e NATO-s, mund të duket e papritur që për momentin nuk ka strategji për Kinën, nuk ka grup të rregullt pune apo ndonjë trup tjetër përbrenda aleancës, që është i përqendruar në Kinën, dhe nuk ka mekanizëm për të mbrojtur aleatët kundrejt programit të përzier ushtrako-civil të Pekinit, apo sfidave të tjera kineze ndaj sigurisë së NATO-s.

Pikërisht për këtë arsye, një grup ekspertësh i mbledhur nga Stoltenberg-u për të bërë një rishikim strategjik për aleancën, e vuri Kinën në ballë të rekomandimeve të tyre. Në raportin e tyre final vitin e kaluar, grupi (në të cilin bëmë pjesë edhe ne) shkruan: “NATO duhet t’i përkushtojë shumë më shumë kohë, resurse politike dhe vepra, sfidave të sigurisë që paraqet Kina – bazuar në vlerësimin e aftësive, peshës ekonomike, dhe qëllimeve ideologjike të udhëheqësve të Kinës.”

Që të bëhet më serioze karshi Kinës dhe të përshtatet ndaj shumë ndryshimeve gjeopolitike që kanë ngjarë në dhjetëvjeçarin e fundit, NATO duhet që urgjentisht të plotësojë Konceptin Strategjik të vitit 2010. Versioni i tanishëm i atij dokumenti, i cili përcakton qëllimet dhe prioritetet e aleancës, pasqyron një botë para garës së fuqive të mëdha. Madje fare nuk e përmend Kinën. Ato prioritete janë të një aleance që supozon me siguri të plotë se nuk ka garues serioz. Edhe pse NATO ka bërë shumë për të plotësuar vetveten që prej daljes së atij dokumenti – posaçërisht duke përforcuar aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese ndaj Rusisë pas sulmit të saj në Ukrainë më 2014 – ende i mungon një plan gjithëpërfshirës që pasqyron realitetin gjeopolitik.

Bashkërisht me plotësimin e konceptit të saj strategjik, NATO duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar sfidën e Kinës. Raporti ynë rekomandon themelimin e një trupi këshillues, i modeluar sipas Komisionin Koordinues për Kontrollet Shumëpalëshe të Eksportit, i cili mbykëqyrte kufizimet në transferin teknologjisë për në Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë – dhe gjithashtu përfshirjen e Këshillit të Europës sipas nevojës. Kjo do të krijonte më në fund një bazë të përkushtuar institucionale për aleatët që të diskutojë me Kinën dhe të koordinojë politikat.

Mbase më e rëndësishmja nga këto është se NATO-s i duhet një strategji gjithëpërfshirëse për Kinën që përcakton mënyrat se si p.sh. do të monitorojë dhe mbrojë aleancën nga aktivitetet kineze që ndikojnë negativisht në gatishmërinë dhe qendrueshmërinë e NATO-s në rajonin euro-atlantik. Gjithashtu, kjo do të identifikonte dobësitë e sektorëve kyç dhe zinxhirëve të furnizimit, dhe do të përfshinte masa për të ruajtur kohezionin e NATO-s kundrejt ndikimit kinez përmes Nismës Rrip dhe Rrugë (BRI).

NATO duhet të poashtu luajë rol për të siguruar që anëtarët janë në përparësi sa i përket teknologjive të reja, që do të nevojiten në vitet në vazhdim, për të ruajtur avantazhet ushtarake dhe për të mbrojtur privacinë e qytetarëve të tyre. Kjo duhet të përfshijë mekanizma më të mirë për të shmangur konflikitin me rregullimet e të dhënave të Bashkimit Europian, kur bëhet fjalë për sigurinë. Aleanca duhet gjithashtu të themelojë versionin e saj të Agjencisë amerikane të Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrotjtjes, për të nxitur dhe financuar kërkimet dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të anëtarëve të saj.

Në fund fare, NATO mund të bëjë më shumë për të përforcuar partneritetet në rajonin e indo-paqësorit. Kjo mund të bëhet duke thelluar bashkëpunimin përmes formatit ekzistues NATO+4 – ku nata angazhohet me Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut – ose përmes angazhimit të NATO-s me Dialogën Katërpalësh të Sigurisë, e cila përfshin Australinë, Indinë, Japonin dhe Shtetet e Bashkuara. Këtu duhet të këtë rregullisht dialog, shkëmbim informatash, dhe bashkëpunim teknologjik. Përveç këtyre formateve, NATO duhet të zgjerojë drejtpërdrejt ofertën për partneritet formal me Indinë.

A është jorealiste të mendohet se NATO do të veprojë ndaj sfidës që paraqet Kina? Nuk besojmë ashtu. Disa vëzhgues pretendojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë në rrugë të ndara kur vjen puna te Kina, por të dy anët e Atlantikut kanë shumë më shumë interesa dhe vlera paërbashkëta në çështjet themelore të sigurisë kombëtare, se sa ka secila veç e veç me Partinë Komuniste të Kinës. Mbase kjo është arsye pse shumica dërrmuese e qeverive të 30 vendeve anëtare të NATO-s të cilat u këshilluan me grupin tonë, i vlerësuan më së larti sfidat e sigurisë që vijnë nga Kina.

Në adresimin e sfidave që vijnë nga Kina, NATO gjen një argument bindës, mandat organizativ, dhe plot rekomandime të veprueshme. Nën udhëheqjen e Stoltenberg-ut, aleanca ka ndërmarrë hapat e parë të rëndësishëm në ballafaqimin e kësaj sfide, kështu që dështimi për të vepruar tash, do të ishte hap prapa. Të veprohet në këtë drejtim kërkon lidership politik në rangjet më të larta. Koha për të vepruar është tash.

Autorët janë bashkëkryesues të Grupit të Reflektimit NATO 2030

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy, më 23 shkurt 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.