Dhjetë mësime për një botë që po vjen (pjesa III)

26 shkurt 2021 09:43

Rreziku nga “tranzicioni i fuqisë” – një botë, dy superfuqi

Rivaliteti, tashmë lehtësisht i identifikueshëm, në domenin gjeopolitik në mes të ShBA-së dhe Kinës, zë një vend të veçantë në librin e Zakarias. Personalisht konsideroj se ky është një ndër kapitujt e tij më të realizuar. Kjo, nuk do mend, ndodh për shkak se autori ka një shkollim superior në këtë fushë – duke qenë edhe student i studiuesve të mirënjohur si: Samuel P. Huntington apo Robert Keohane – dhe, në anën tjetër, ka përvojë shumëvjeçare në trajtimin e këtyre temave qoftë përmes artikujve dhe librave autorial, apo përmes diskutimeve e debateve me teoricien dhe praktikues të politikës ndërkombëtare që realizon në emisionin e tij që transmetohet në baza javore në kanalin amerikan CNN, GPS Fareed Zakaria.

Zakaria konstaton se “pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19 nuk i ka përshpejtuar vetëm debatet për rënien e Amerikës, por e ka bërë këtë gjë në kontekstin e brengave për ngritjen e Kinës”. Së këndejmi, çdo diskutim për ngritjen e Kinës fillon duke e theksuar një trend të dukshëm – atë të “rritjes ekonomike” të këtij vendi. Për të evidentuar këtë rritje të madhe ekonomike të Kinës, Zakaria në librin e tij ofron shumë të dhëna statistikore që mbështesin argumentet që ai ngrit dhe synon t’i shtjelloj. Ai evidenton se “në fillim të periudhës së pas-Luftës së Ftohtë, Kina llogaritej të përbente së paku 2% të GDP-së në nivel global. Sot llogaritet se përben 16%. Aktualisht Kina është shteti i parë në botë për tregti në mallra, duke zënë vendin e ShBA-së që e ka mbajtur atë për shtatë dekada. Gjithashtu, Kina është shteti më i madh prodhues në botë dhe i dyti për nga importi. Madje, zë vendin e parë për prodhimin e anijeve, paneleve diellore dhe turbinave të erës. Është tregu më i madh në nivel global i makinave, kompjuterëve dhe telefonave të mençur. Posedon 226 nga 500 kompjuterët më të shpejtë në botë, gati dyfish më shumë se ShBA-ja”.

Pas një shpërfaqje, edhe pse fare telegrafike të këtyre të dhënave, duket se “tashmë Kina ka mbërritur”. Ngritja e këtij shteti ka qenë kaq e madhe dhe dramatike sa secili studiues i vëmendshëm mund lehtësisht të konkludoj se sistemi ndërkombëtar tashmë është bipolar. Kuptohet, një sistem i tillë i konstelacionit gjeopolitik nuk shfaqet për herë të parë. Ka pasur edhe në të kaluarën, dhe sigurisht do të ketë në të ardhmen, situata kur sistemi ndërkombëtar do dominohet nga dy superfuqi. Karakteristikë e bipolaritetit aktual, siç vë në spikamë Zakaraia, është distanca që dy shtetet dominuese kanë me shtetet tjera që vijnë në radhë pas tyre. “Në 2020 për nga madhësia e GDP-së Kina, në nivel global, renditej e dyta. Por, GDP-ja e saj është më e madhe se gati e katër shteteve tjera në radhë të marra së bashku. Buxheti i saj i mbrojtjes është i dyti dhe vjen pas ShBA-së, por edhe në këtë rast, shpenzimet ushtarake të Kinës janë më të mëdha se shpenzimet e katër shteteve tjera në radhë të marra së bashku”.

Zakaria megjithatë konsideron se në këtë garë ekonomike dhe teknologjike, ShBA-ja nuk është se ka mbetur mbrapa. Është Bashkimi Evropian që është tkurrur dukshëm. “Pjesa e GDP-së së ShBA-së ka mbetur pothuajse konstante që nga viti 1980. Kurse, që nga viti 1990 shtetet që sot përbëjnë BE-në kanë parë pjesën e tyren në ekonominë globale të tkurrej nga 30% në nën 20%. Në anën tjetër, në aspektin gjeopolitik, BE si një fuqi e vetme vazhdon të mbetet joefektive. Shteti më i pasur evropian, Gjermania, është sa rreth çereku i madhësisë së ekonomisë Kineze”. Shtetet tjera të BE-së, lirisht mund të konstatohet, së nuk “luajnë” as në të njëjtën ligë. Ju mund të pyesni, po Rusia ku mbeti? Në fakt, jo pak autorë sistemin ndërkombëtar aktual e vlerësojnë si multipolar, duke llogaritur edhe Rusinë si një fuqi globale me potencial real për të ndikuar sistemin. Zakaria e pranon se Rusia ka disa nga atributet e një fuqie të madhe, siç janë “veto-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së apo të qenit fuqi nukleare”. Por, vazhdon ai, “ekonomia e saj aktualisht është sa një e teta e madhësisë së ekonomisë së Kinës dhe buxheti i saj ushtarak sa çereku i kësaj të fundit”, së këndejmi ajo nuk është në gjendje të përbëj një pol të pavarur në strukturën e sistemit ndërkombëtar.

Duke e marrë në konsideratë këtë raport të forcave, dhe faktorët tjerë strukturorë të përshkruar më sipër, shtrohet pyetja se a është i pashmangshëm një konflikt – qoftë edhe në modelin e Luftës së Ftohtë – mes këtyre dy poleve? Sikur Zakaria të ishte studiues i orientimit teorik neo-realist të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, do vinte në përfundim se konflikti në mes të këtyre dy shteteve-pole është i paevitueshëm. Por, duke qenë se ai i përket doktrinës së liberalizmit si teori, ai beson se “tensionet në mes të ShBA-së dhe Kinës janë të pashmangshme, por konflikti mund të evitohet”. Ai mbështetet në idenë e bipolaritetit pa luftë. Për të kuptuar më mirë dhe më në thellësi këtë raport të tensionuar mes këtyre shteteve në këtë strukturë polariteti, ai e krahason atë me periudhën e Luftës së Ftohtë në mes të ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo periudhë, edhe pse tejet e tensionuar dhe e karakterizuar nga luftërat “me masha”, konsiderohet si intervali më i gjatë kohor ku fuqitë e mëdha ishin në paqe me njëra tjetrën. Regjimi sovjetik ishte i organizuar rreth ideologjisë së revolucionit komunist global që ishte në konflikt me Perëndimin. Në anën tjetër, ShBA-ja e konsideronte komunizmin rus si kërcenim ekzistencial, duke shkuar aq larg sa edhe aleatët sovjetik i shihte si rrezik potencial – në disa raste të tillë konsideroheshin edhe shtetet neutrale.

Në këtë krahasim të situatave të “bipolaritetit ndërkombëtar”, Zakaria megjithatë nuk sheh ngjashmëri andaj, për këtë arsyeje, shpreson se rezultati i këtij rivaliteti do jetë shmangia e konfliktit. Argumentet e tij, edhe në këtë rast, mbështeten mbi postulatin e “ndërvarësisë ekonomike”, element ky i liberalizmit si teori e MN. Mbi këtë premisë, ai vlerëson se raportet në mes të ShBA-së dhe Kinës janë shumë më pak të tensionuara në secilin aspekt të mundshëm. “Market-Leninizmi” Kinez nuk përbën një model shoqëror alternativ për Perëndimin. Modeli kinez është një kombinim i pazakonshëm në mes të një ekonomie liberale e merkantiliste dhe politikës represive që konsiderohet të burojë nga historia e veçantë e Kinës. Gjatë Luftës së Ftohtë, shkëmbimi tregtar mes të ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik – në rastet kur ekzistonte – rrallë arrinte mbi 2 miliard dollar në vit. Kurse, raporti tregtar në mallra mes ShBA-së dhe Kinës është 2 miliard dollar në ditë”. Pra, sipas tij, “edhe pse bota mund të karakterizohet nga dy pole të ndryshme konkurruese, ndërvarësia ekonomike në mes tyre krijon kushte të fuqishme për bashkëpunim”. Zakaria ofron gjitha këto të dhëna historike dhe statistikore për të dëshmuar intensitetin e lartë të bashkëpunimit ekonomik që ekziston në mes të këtyre shteteve sa që, diku në fillim të viteve 90-ta këtë raport të ngushtë autori britanik, Niall Ferguson, e kishte emëruar me termin: “Chimerika”. Mbështetur mbi këtë premisë të ndërvarësisë ekonomike ai konkludon se, në të ardhmen, “bipolariteti është i pashmangshëm, por lufta e ftohtë është opsionale”.

Mirëpo, duket se në këtë shpjegim Zakaria injoron faktin se rritja ekonomike e Kinës do e fuqizoj atë edhe në aspektin ushtarak. Sepse, siç edhe mund të kuptohet, fuqia ekonomike e një vendi është bazament i fuqisë ushtarake që pastaj i mundëson atij shteti, në këtë rast Kinës, të krijoj kondita të fuqishme strategjike që të dominoj ekonomikisht në nivel global. Ky në fakt është edhe qëllimi përfundimtar i saj. Elementi i dytë që Zakaria nuk e merr në konsideratë është fakti se bashkëpunimi i intensifikuar ekonomik në mes të dy vendeve nuk i pengon ato vende që të kenë mes tyre garë intensive në domenin e sigurisë. Edhe gjatë Luftës së Ftohtë ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik ishin të përfshira në një garë intensive në fushën e sigurisë dhe rivalitetit ideologjik, por me raste këto shtete kishin arsyeje bindëse të bashkëpunonin dhe negocionin në disa fusha specifike që i shërbente interesave të përbashkëta, siç janë marrëveshjet e kontrollit të armëve. Çfarë është më me rendësi, këto dy shtete në atë periudhë punuan së bashku për të ndërtuar institucione të specializuara që të parandalojnë përhapjen e armëve nukleare, por pa e ndërprerë rivalitetin në fushën e sigurisë dhe, në disa raste, luftën e “nxehtë” në rajone të ndryshme të botës .    

E ardhmja nuk është e “shkruar”

Përgjatë librit Zakaria shfaq shumë fakte e argumente, por prezanton edhe shumë zgjidhje dhe mundësi që ne i kemi në dispozicion për të bërë zgjedhjen adekuate në një botë ku gjërat nuk janë të paracaktuara, apo siç shprehet Zakaria, ku “asgjë nuk është e shkruar”, duke aluduar se njerëzit janë zot të fatit të tyre. Këtë shprehje, në fakt, ai e shkëput nga një dialog në filmin: “Lorenci i Arabisë”, ku personazhi, Peter O’Toole, e sfidon vdekjen duke rrezikuar edhe jetën e tij në momentin që vendos të kthehet në shkretëtirë për të tërhequr nga aty një shok të tij, i cili kishte mbetur prapa grupit dhe gati sa nuk po përpihej nga rëra dhe duke e sjell atë serish në kamp, përkundër faktit se të gjithë anëtarët tjerë të grupit e konsideronin tashmë të vdekur. Në atë moment, personazhi kryesor i drejtohet atij që e shpëton me shprehjen: “mik, asgjë nuk është e shkruar”.

Përmes këtij libri të shkruar në formën e dhjetë “mësimeve” që mbulojnë tema të nduarndurta duke filluar nga rreziqet natyrore e biologjike, tek sfidat e bërjes realitet të “jetës digjitale”, e deri tek një rend botëror bipolar në zhvillim e sipër, Zakaria i stimulon dhe grish lexuesit që të fillojnë të mendojnë përtej efekteve të menjëhershme dhe sfidave ditore të pandemisë. “Dhjetë Mësime për një Botë Post-Pandemike” flet për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Këtë formë të të argumentuarit, disa e quajnë “histori e zbatuar”. Edhe pse trajton tema aktuale që janë në zhvillim e sipër, ai mund të shërbej si libër që të bën të reflektosh mbi jetën në shekullin XXI.

Zakaria përmbyll librin duke e nënvizuar faktin se njerëzit mund të zgjedhin vetë se çfarë drejtimi dëshirojnë t’i japin jetës së tyre, shoqërisë, shtetit apo edhe botës në të cilën jetojnë. Kuptohet, pandemia ka sfiduar të gjithë – duke përfshirë edhe shtetet më të fuqishme. Në të gjithë botën, pa përjashtim, mund të shihen dhe identifikohen tensione të shumta midis qasjes “integruese” dhe asaj “izoluese” që përdorin vendet. Pandemia po i bën shtetet të shikojnë, para së gjithash, vetëm punët e tyre. Por, liderët e vërtetë, nënvizon Zakaria, “do të vërejnë se e vetmja mundësi e vërtetë e zgjidhjes së problemeve të përbashkëta si pandemia është që të fokusohen tek bashkëpunimi”. Në shumicën e rasteve, por sidomos në strukturën bipolare të sistemit ndërkombëtar, për të cilën Zakaria beson se tashmë është realitet gjeopolitik, një shtet nuk ka pasur mundësi që të organizoj të gjithë botën i vetëm. Në fakt, sot duket se asnjë vend nuk dëshiron që ta bëjë një gjë të tillë. Një këtë situatë, beson autori i librit, ne kemi në dispozicion disa alternativa: atë ku mbretëron “kaosi, lufta e ftohtë apo atë të bashkëpunimit. Se cilën alternativë do e zgjedhim, kjo varet nga njerëzit”.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

26 shkurt 2021
09:43

Alfred Marleku