Dhjetë mësime për një botë që po vjen (pjesa II)

23 shkurt 2021 09:24

Ekspertët si grup elitar dhe lidhja me shoqërinë

Një kapitull i veçantë – i katërti në radhë – i kushtohet ekspertëve dhe rolit që ky grup kanë në jetën tonë, duke përfshirë edhe aktivitetet qeverisëse. Ky “mësim” i Zakaria-s fillon duke e theksuar margjinalizimin që i bënte presidenti Trump ekspertëve dhe shkencëtarëve duke i konsideruar tërësisht të parëndësishëm dhe “grup elitar që mbron interesat e veta, pa e qarë kokën shumë për njerëzit dhe shoqërinë në përgjithësi”. Në vigjilje të marrjes së mandatit në 2016 Presidenti Trump ishte pyetur nga gazetarët se cilët ekspertë të politikës së jashtme po konsultonte. “Unë flas me veten time sepse kam një tru shumë të mirë”, kishte deklaruar ai. “Këshilltari im i parë është vetvetja, sepse unë kam instinkt të mirë për gjëra të tilla”. Duke provuar të shpjegoj se përse nuk duhet që të mbështetej në ekspertë, Trump kishte vazhduar, “ekspertët janë të tmerrshëm. Shiko në çfarë rrëmuje jemi futur me gjithë këta ekspertë që kemi vërdallë”. Duke qenë se Zakaria njihet si një kundërshtarë i thekur i Presidentit Trump dhe gjithë çfarë ai përfaqësonte në politikë, i tërë kapitulli ndërtohet duke e kundërshtuar botëkuptimin e tij për irrelevancën e ekspertëve.

Pandemia, në këtë shkallë, intensitet dhe kohëzgjatje, i ka zënë në befasi të gjithë, duke përfshirë edhe shkencëtarët dhe ekspertët më të shquar që merren pikërisht më sëmundje infektive. Si pasojë, duhet pranuar se udhëzimet dhe rekomandimet që vinin nga ta ishin të paqarta, pa ndonjë bazë solide shkencore dhe, në të shumtën e rasteve, dy kuptimore. Në anën tjetër, të gjithë kishin drejtuar vështrimin drejt tyre për ndonjë zgjidhje, apo të paktën ndonjë përgjigje që do të mund të qartësonte situatën konfuze me të cilën nuk ishim ballafaquar asnjëherë më parë. Për këtë arsyeje, Zakaria trajton pikërisht këtë raport në mes të njerëzve dhe ekspertëve duke sugjeruar që “njerëzit duhet t’i dëgjojnë më shumë ekspertët” dhe, në anën tjetër, edhe “ekspertët duhet t’i dëgjojnë më shumë njerëzit”.

Edhe eksperti kryesor i Shtëpisë së Bardhë për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, në fillim e kishte neglizhuar dukshëm rrezikun e pandemisë duke deklaruar, diku në fund të janarit të 2020, se “ekziston një rrezik shumë i vogël për Shtetet e Bashkuara…kjo nuk është diçka për të cilën publiku amerikan duhet të brengoset apo të frikohet”. Ky konstatim, në fakt, ishte reflektim i përfundimeve që vinin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila, deri në fund të janarit të vitit 2020, gjithashtu e nënvlerësonte mundësinë e një pandemie. Në fakt, shumë shkencëtarë në fillim të pandemisë konsideruan se virusi Covid-19 nuk përbente ndonjë kërcënim domethënës. Por, siç u provua më vonë, të gjithë po bënin vlerësime të ngutshme me shumë pak të dhëna në dispozicion. Virusi ishte i ri dhe i panjohur, përfundimet pa të dhëna të mjaftueshme shpien në konkluzione të gabuara. Me ndryshimin e të dhënave, shkencëtarët ndryshuan mendimin e tyre. Një gjë e tillë në aktivitetin shkencor është shumë normale. Asnjë ekspert apo shkencëtar nuk është i pagabueshëm. Në këtë rast u gabua, dhe shpesh madje.  

Zakaria provon të arsyetoj veprimtarinë shkencore duke argumentuar se progresi në këtë fushë është inkremental, përkundër pritjeve që mund t’i kenë njerëzit nga shkenca – sidomos në kohë krizash – që të marrin nga ajo përgjigje të shpejtë, përfundimtare dhe mundësisht të pakontestueshme. Ne priremi, thotë autori, “të konsiderojmë shkencën si aktivitet me potencial që të ofroj përgjigje të vetme, gjithëpërfshirëse dhe definitive për problemet me të cilat përballemi. Por, në të vërtetë, kjo nuk është mënyra si funksionojnë gjërat. Shkenca, në fakt, është mbi të gjitha një metodë kërkimi. Një proces i hartimit, shtrimit të pyetjeve dhe testimit rigoroz të hipotezave të ngritura. Me të dhëna të përditësuara, të përmirësuara dhe më të plota, ne arrijmë në konkluzione të reja dhe më të qëndrueshme”. Në këtë kuptim, nuk do mend se shkencëtarët dhe ekspertët e fushës së sëmundjeve infektive kanë ende shumë pyetje të rëndësishme për të ngritur sa i përket virusit Covid-19. Këto pyetje sigurisht se do të marrin përgjigje, por jo brenda muajve apo një viti, por përgjatë viteve të ardhshme.

Zakaria identifikon një “krizë të dijes” që manifestohet me refuzimin që njerëzit kanë kundrejt këshillave dhe sugjerimeve që vijnë nga ekspertët. Ky injorim i “dijës së specializuar” nuk ka të bëjë domosdo me kompleksitetin që e karakterizon punën shkencore, apo me mungesën e të dhënave, gjë që shpie në konkluzione të paplota. Por, në këtë kohë polarizimi politik – sidomos në ShBA – elementi kryesor që ndikon në sjelljen e njerëzve, më shumë se këshillat e ekspertëve – qoftë edhe kur kanë të bëjnë me rreziqet që lidhen me shëndetin e tyre – dolën të jenë “bindjet politike”. Në një studim, të cituar nga autori, u identifikua se elementi kryesor parashikues se “a i ke larë duart, a ke mënjanuar kontaktet me të tjerët, apo a je vetë-karantinuar sipas sugjerimeve të ekspertëve, nuk lidhej me tregues standard se ku jeton, çfarë gjinie, të ardhurash apo moshe ke, por kishte të bënte direkt me përkatësinë partiake” Studimi tregoj se “Republikanët  kishin më pak të ngjarë se Demokratët t’i përgjigjeshin organeve të specializuara lidhur me sjelljen e tyre dhe janë më pak të brengosur për pandeminë dhe mundësinë e të infektuarit”. Bazuar mbi këto gjetje, argumenton autori, “edhe në çështjet që lidhen me jetë a vdekje, njerëzit i perceptojnë këshillat që vijnë nga ekspertët përmes prizmit politik”. Me fjalë tjera, njerëzit shfaqën tendencë që t’i besonin më shumë sugjerimeve (shpesh herë naive) që vinin nga liderët politik, se sa institucioneve të specializuara që përbeheshin nga ekspertë dhe shkencëtarë që me vite merreshin me çështjet e sëmundjeve infektive!

Bota është bërë gjithnjë dhe më e komplikuar, për këtë arsyeje mbi të gjitha, argumenton Zakaria, “ne kemi nevojë për më shumë ekspertë për të menaxhuar çështjet e ndërlikuara ndërmjet shteteve”. Autori e pranon faktin se posedimi i dijeve dhe shkathtësive të veçanta e “bënë këtë grup njerëzish më ekskluziv, ndoshta një lloj elite, dija dhe njohuritë e të cilëve u jep atyre autoritet dhe fuqi”. Së këndejmi, të qenit elitë i bënë ata që mos t’i kuptojnë si duhet problemet e njerëzve dhe kështu të jenë të shkëputur nga sfidat me të cilat përballën një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve. Mirëpo, shton Zakaria, një alternativë tjetër do ishte e paparamendueshme. Andaj, ekspertët dhe elitat duhet të mendojnë më shumë se si të jenë në kontakt me njerëzit dhe nevojat e tyre t’i mbajnë në qendër të punës së tyre.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga "Sbunker" përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

23 shkurt 2021
09:24

Alfred Marleku