Joe Biden dhe Ballkani

21 janar 2021 11:16

Bilanci i një ekspertize transatlantike - dhe çështja se, çfarë do të bëjë presidenti i ardhshëm amerikan për rajonin.

Politika e jashtme mbetet padyshim një nga anët më të forta të presidentit të ri amerikan Joe Biden. Për një kohë të gjatë në cilësinë e senatorit (1973-2009), por edhe duke qenë anëtar dhe më vonë kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë, derisa mori detyrën e Zëvendës Presidentit të SHBA-ve nën administratën Obama (2009-2017), Biden mbeti i angazhuar ndaj Ballkanit, rajon evropian në të cilin ka qenë i përfshirë që nga vitet 1990 dhe si rezultat i kësaj, zotëron një përvojë të madhe.

Pasi Biden e vizitoi Sarajevën në 1993; ai e paralajmëroi presidentin e atëhershëm amerikan Bill Clinton për agresionin serb në Bosnjë. Nëse serbët nuk do të ndalen, do të ketë gjenocid në Bosnjë, kishte paralajmëruar Biden. Sekretari i Jashtëm në atë kohë, Warren Christopher, nuk ishte dakord me vlerësimin e Biden. Por dy vjet më vonë, ndodhi pikërisht ajo që Biden donte të parandalonte: gjenocidin në Srebrenicë. Përveç kësaj, Biden ishte gjithashtu i bindur se nëse Sllobodan Millosheviq do t’i kishte duart e lira në Bosnjë, ai do të ndihej i guximshëm për të përdorur forcën ushtarake kundër shqiptarëve të Kosovës. Historia dhe faktet dëshmuan se Biden kishte të drejtë, siç treguan ngjarjet e fundviteve 1990-ta.

Vizitat e hershme në Ballkan

Biden kishte shkelur në skenën politike të Ballkanit qysh në vitet 1970. Si një senator 37-vjeçar, Biden u takua me liderin jugosllav Josip Broz Tito në 1979 gjatë vizitës së tij të parë në Jugosllavi, gjatë pjesëmarrjes në varrimin e Edvard Kardelj (një politikan komunist dhe bashkëpunëtor i Titos). Dhe që nga vizita e presidentit të SHBA Jimmy Carter në 1980 (pas vdekjes së Titos) ishte përsëri Biden, në rolin e tij si Zëvendës President i SHBA-ve, që e vizitoi Beogradin si përfaqësuesi më i lartë amerikan (2009 dhe 2016).

Në funksionin e tij si senator, Biden ishte në favor të ndërhyrjes së NATO-s në Bosnjë dhe bombardimeve të Serbisë në luftën e Kosovës 1999. Dhe gjatë një takimi me Millosheviqin në vitin 1991 në Beograd, Biden nuk ngurroi ta quante udhëheqësin serb si një kriminel lufte. Në ndryshim nga Beogradi, ku Biden pritej me demonstrata, ai përjetoi të kundërtën në Kosovë. Në republikën kosovare, një pjesë e autostradës (afër bazës ushtarake amerikane Camp Bondsteel) ndërmjet dy qyteteve Ferizaj dhe Gjilan, u emërtua në vitin 2016 me emrin e djalit të Joe Biden, Beau Biden III, i cili vdiq nga kanceri. Beau Biden kishte shpërbyer pas luftës në Kosovë si këshilltar i brendshëm ligjor.

Zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020 pritet të kenë një ndikim të madh në Ballkan. Fakti që Biden dhe Kamala Harris ishin përkujdesur gjatë fushatës elektorale që t’i drejtoheshin diasporës shqiptaro/kosovare, boshnjake dhe asaj greke, përmes tri letrave të ndryshme duke kërkuar mbështetjen dhe votën e tyre, dëshmon për vëmendjen që mund të ketë rajoni i Ballkanit gjatë administratës së re. Në të vërtetë, Biden u zotua se do të veprojë si “një mik i dëshmuar i Bosnje dhe Hercegovinës nga ditët më të errëta të vendit në luftë dhe gjenocid e deri në luftën e vazhdueshme për stabilitet dhe drejtësi”. Në raport me Greqinë, ai dëshiron të punojë ngushtë me qeverinë në Athinë për të promovuar stabilitetin rajonal në Mesdheun Lindor dhe për të mbrojtur interesat greke nga ambiciet ekspansioniste të Turqisë.

Një fillim i ri për dialogun?

Në vizionin e tij drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan (konsiderohet se në ShBA jetojnë rreth një milion), Biden e përshkroi angazhimin e tij, si një “mik i hershëm i Shqipërisë dhe Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan”. Mbi të gjitha, në funksionin e tij si senator ai ishte “një zë i shquar në Kongres që kundërshtoi agresionin e Millosheviqit”. Ai ka “mbrojtur interesat e Kosovës kur fokusi i botës ishte diku tjetër”, thuhej në dokumentin e shpërndarë. Shumica e politikanëve shqiptarë dhe kosovarë ishin në favor të Biden, ndërsa serbët nën presidentin Aleksandar Vucic pak a shumë e mbështetën drejtpërdrejt Donald Trump.

Në raport të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Biden ka premtuar se, ndryshe nga administrata e Trump, “ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve – që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”.

Si një transatlanticist i bindur Biden përfaqëson tezën se, në Ballkan gjithmonë ka pasur paqe dhe stabilitet, kur ShBA-të dhe Evropa ishin në të njëjtën linjë. Pa këtë bashkëpunim të ngushtë, nuk do të kishte marrëveshje të Dejtonit (1995), të Rambujesë (1999), të Ohrit (2001) dhe të Prespës (2018); nuk do të kishte zgjerim të NATO-s me Slloveninë (2004), me Kroacinë (2009), me Shqipërinë (2009), me Malin e Zi (2017) dhe me Maqedoninë Veriore (2020) ose nuk do të kishte zgjerim të BE-së me Slloveninë (2004) dhe me Kroacinë (2013). Po ashtu, sot nuk do të kishte Mal të Zi të pavarur (2006) dhe as Kosovë të pavarur (2008). Asnjë nga ngjarjet e sipërpërmendura nuk do të ishin të mundura pa bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet ShBA-ve dhe Evropës.

Presidenca e Biden nuk do t’i zgjidhë problemet e mbledhura e të gjata në Ballkan dhe Evropë. Por, të paktën do të mbretërojë një ndjenjë e mirëkuptimit reciprok. Si një politikan me përvojë (në politikë të jashtme) dhe me sfond transatlantik, Biden mbetet një shpresë e madhe. Në të njëjtën kohë, parë nga perspektiva historike, mbetet një thirrje paralajmëruese, se pikërisht angazhimi i lidershipit amerikan në Ballkan, ka qenë dhe mbetet i një rëndësie thelbësore.

***

Artikulli është marrë nga gazeta ditore austriake “Wiener Zeitung” dhe ribotohet me lejen e autorit.

***

21 janar 2021
11:16

Faruk Ajeti