Pesha historike e Prekazit dhe Reçakut

15 janar 2021 17:51

 

Prekazi

Që nga viti 1999, Kosova çdo vit shënon përvjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Këtë 15 janar shënohet 22 vjetori i ngjarjeve në fshatin Reçak, ku forcat serbe vranë e masakruan 45 civilë shqiptarë. Njëjtë ndodhë edhe në çdo mars përmes organizimit të “Epopesë së UÇK-së”, ngjarje ku për tri ditë me radhë kujtohet rënia e Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Në librin e tij “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: rrëfim prej brenda për një kryengritje”, Henry Perritt shkruan se: “vrasja e dhjetëra anëtarëve të familjes Jashari në mars të 1998 rrezikoi deri në palcë ekzistencën e UÇK-së, për shkak se në mesin e të vrarëve ishte edhe Komandanti dhe luftëtari më i dalluar i UÇK-së, Adem Jashari”. Megjithatë, edhe pse UÇK-ja humbi figurën më emblematike të saj, një pjesë e konsiderueshme e popullit të Kosovës fitoi guximin që të ndjekë rrugën e tij dhe t’i kundërvihet Serbisë me vendosmërinë për të luftuar. 

Para masakrës së Jasharajve, UÇK-ja numëronte vetëm disa dhjetëra ushtarë dhe ishte shumë pak e organizuar. Pas masakrës, mijëra shqiptarë filluan t’i bashkoheshin UÇK-së. Në fund të vitit 1998 UÇK-ja numëronte rreth 6 mijë ushtarë, si dhe kishte formuar strukturat e veta të centralizuara komanduese. 

Nga ajo ngjarje, Memoriali i Jasharajve është bërë hapësira më e rëndësishme e mbamendjes kolektive shqiptare. Në disiplinën e psikologjisë sociale, mjediset materiale shndërrohen në “hapësira ontike” (zgjatime territoriale të ndërgjegjes kolektiv) përmes projektimit të rrëfenjave identitare mbi mjediset materiale, apo përmes introjektimit të mjediseve materiale në rrëfenjat identitare. Në këtë dialektikë mes projektimit dhe introjektimit ankorohet raporti ekzistencial mes sentimenteve tona dhe hapësirave të caktuara materiale.  

Anna Di Lellio shkruan se nëse pelegrinët që vizitojnë vendet e shenjta fetare janë gjysmë-turistë, atëherë vizitorët dhe turistët në Kullën e Jasharajve në Prekaz janë gjysmë-pelegrinë. Memoriali i Jasharajve sot është tempulli kryesor i ekumenizmit të shqiptarëve që admirojnë dhe frymëzohen nga flijimi i Jasharajve. Nuk është e rastësishme që në librat e vizitorëve gjejmë shprehje si: “Drenicë – tokë e gjakut”, “E vetmja rrugë drejt prehjes” dhe “Prekaz – emri i unitetit”.

Për shkak të lidhjes së fortë emocionale dhe devotshmërisë ndaj familjes Jashari, udhërrëfyesit e shohin veten si gardianë moralë, e jo thjesht si ciceronë turistikë. Ata besojnë se shpërndajnë “ushqim shpirtëror” për shqiptarët duke rrëfyer rezistencën dhe rënien e Jasharajve. Ata përsërisin të njëjtat fjalë dhjetëra herë në ditë dhe mijëra herë në vit pa u lodhur. Kështu, thotë Di Lellio, Prekazi ka një rol didaktik kombëtar që ofron mësime kolektive rreth vetë-perceptimit të shqiptarëve.

 

Reçaku

Në studimet e nacionalizmit pozicioni i ngjarjeve të caktuara në repertoret nacionale quhet si “perspektiva ngjarje-sisë”. Kjo disiplinë studion ngjarje të caktuara historike, peshën e tyre të mëpasshme dhe rolin e tyre në percepsionet kolektive mbi ngjarjet tjera në të kaluarën. Në këtë prizëm, ngjarje të caktuara nuk shihen si thjesht shpërthime arbitrare dhe të pakuptimta në histori, por si themele të rrëfenjave të idealizuara dhe kuptimplota në harkun e historisë. 

Nëse masakra e Prekazit mobilizoi shqiptarët në nivel kombëtar, duke i bindur se lufta nuk ka alternativë, Reçaku mobilizoi botën demokratike në nivel ndërkombëtar, duke i bindur se bombardimi i Serbisë është zgjidhja e vetme. Numerikisht, nga qindra masakra në Kosovë, Masakra e Reçakut nuk është më e madhja. Për shembull, Masakra e Mejës, e Prekazit, e Dubravës, e dy Krushave etj., kanë më shumë të vrarë se në Masakrën e Reçakut. 

Megjithatë, kjo e fundit është pika e kthesës për rrjedhën e luftës në Kosovë. Sepse ajo u bë para syve të botës në një periudhë armëpushimi. Reçaku është fshat për të cilin jo vetëm bota, por edhe shumica dërrmuese e Kosovës kanë dëgjuar për herë të parë vetëm në 15 janarin e ftohtë të vitit 1999. 

Reçaku është një fshat i vogël tre kilometra në verilindje të Shtimës, por si në shumë luftëra, një vendbanim anonim arriti të bëhet i famshëm papritur. James Petiffer në librin e tij “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, shkruan se kështu ka ndodhur më parë me vargmalin Vimy (në Francë me ushtarakët kanadezë) në Luftën e Parë Botërore, apo me Aushvicin e Polonisë në Luftën e Dytë Botërore. Ashtu si masakra e Batakut në Bullgarinë e shekullit XIX, që shtyu Gladstonen të niste një kryqëzatë për lirinë e popujve të krishterë të Ballkanit. 

Ngjashëm me këto, Reçaku pati një efekt kataklizmik që traumatizoi opinionin botëror, duke u bërë katalizator i një prej ndërhyrjeve më të komentuara në botë në 20 vitet e fundit. Para kësaj ngjarjeje, Reçaku ishte një fshat i vogël në emër e i varrosur në anonimitet. Mirëpo, pas asaj masakre Reçaku bëri bujë në gjithë botën. 

Pa ngjarjet e Reçakut rrjedha e luftës do të ishte krejt tjetër. Ndoshta nuk do të kishte fare ndërhyrje nga NATO-ja. Në kujtimet e Tony Blair, Kosova nuk përmendet fare para janarit të vitit 1999, periudhë që përkon me ngjarjet në Reçak. Hubert Vedrine, atë kohë Ministër i Jashtëm i Francës, ishte shprehur se: “Reçaku cyti shtetin e tij që të del jashtë territorit gjashtëkëndor”. Menjëherë u organizua Konferenca e Rambujesë, që rezultoi me bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.   

Sociologu i mbamendjes dhe traumave Roy Eyerman shprehet se ndodhitë janë veprime radikalisht kontingjente që ndodhin në kohë dhe hapësirë, kurse ngjarjet shpalosen dhe marrin formë prozaike përmes ndërveprimit dialektik mes protagonistëve, interpretuesve dhe audiencës. Në bazë të kësaj teorie, protagonistët ishin të masakruarit dhe masakruesit; interpretuesi ishte William Walker; kurse audienca ishte bota që po e shihte në video e fotografi atë se çfarë kishte ndodhur në Reçak. 

Walker, duke u bazuar në atë që pa, përmes normave e standardeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, shpalli ngjarjet në Reçak si “Krim kundër Njerëzimit”, duke skalitur kështu interpretimin më të saktë për ngjarjet e luftës në Kosovë. Në gjuhën e Badious, filozofit të ngjarjes, Walker i dha “intensitetin maksimal të dukjes” Reçakut që deri atëherë për botën “ekzistoi minimalisht në nivelet më të thella të padukshmërisë”. Walker e bëri Reçakun Ngjarje (me “N” të madhe).

Interpretimet tjera nuk e kanë as për së afërmi fuqinë shpjeguese të Walkerit. Një artikulim rival është ai serb, që thotë se Masakra ishte inskenim i UÇK-së dhe OSBE-së për të justifikuar bombardimin e Serbisë nga NATO-ja. Për këtë shkak, Millosheviq kishte shpallur Walkerin “Persona non grata” si shenjë se Serbia nuk e pranon versionin e tij mbi ngjarjet. 

Nëse masakrat e Kosovës do të shiheshin si kronometër, mund te themi se prej Masakrës së Prekazit deri në Masakrën e Reçakut shtrihet periudha e parë e luftës. Kurse nga Masakra e Reçakut deri në çlirim shpaloset periudha e dytë e saj. Në këtë kuptim, Prekazi e Reçaku janë spiranca dhe vela që ankorojnë kalendarin e rrugëtimit historik të Kosovës. 

Siç thotë Badiou, ngjarjet markojnë lindjen e një sensi të thellë subjektiv të qenies në raport me kohën. Ngjarja nuk është thjesht një moment në kohë. Ajo nuk pushon së ndodhuri. Kësisoj, Prekazi e Reçaku janë epitoma e asaj çfarë saktësisht thotë Søren Kierkegaard: “Tirani vdes dhe sundimi i tij merr fund. Martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.” 

 

15 janar 2021
17:51

Shkodran Ramadani