Familja e shenjtë dhe armiqtë e saj

29 dhjetor 2020 11:30

Shoqëritë e dhunshme janë shoqëri të frikësuara dhe si të tilla frika i bën tolerante. Kjo frikë buron nga shumë drejtime. Mund të vijë si rezultat i një dhune të gjatë e sistematike, siç ka qenë dhuna gjatë viteve të ’90-ta, por po ashtu, në shoqërinë kosovare frika si burim ka edhe stratifikimin social patriarkal, ku një mentalitet i tillë dhunës i ka dhënë përveç karakter disiplinues, edhe karakter edukues. Kjo ka bërë që dhuna të shihet si një mjet i domosdoshëm. Andaj, në shoqëri të tilla ku dhuna konsiderohet si mjet edukues, ka shumë frikë në ato shoqëri. Vendi ku dhuna merr karakter shenjtërues dhe foleja prej nga buron ajo është familja. Duke qenë shoqëri patriarkale, primitive, familja tek ne është parë si institucioni më i lartë në hierarkinë e vlerave shoqërore (kështu shihet edhe sot). Kundërshtimi i familjes është kundërshtim i kryevlerës, pra, rrjedhimisht është kundërshtim i gjithë rendit vleror. Kjo ka bërë që të ndërtohen autoritete shoqërore me karakter fisnor duke filluar nga autoriteti i babës, i më të vjetrit në familje, i të parit të fshatit, i mësuesit, i hoxhës e priftit, i fallxhorit e i fallxhores, madje edhe i politikanit. Këta autoritete nuk kanë ardhur në shprehje si rezultat i profesionit apo emancipimit kulturor. Jo, kanë ardhur si rezultat i dhunës dhe këtu respekti ndaj autoriteteve të tilla është si rezultat i bindjes. Bindja ndaj tjetrit ngulitet në familje: mos fol!, mos ia kthe fjalën se është më i vjetër!, mos…! Të gjitha këto MOS kanë ndikuar në formimin e karakterit tonë si individë, ku pastaj si kolektivitet i nënshtrohemi autoriteteve që i prodhon kjo shoqëri.

Kjo paskrupullsi që e shpie tjetrin përherë në nënshtrim, ka origjinë. Në psikanalizë njihet si gjendje neurotike apo neuroza, e që në këtë rast këto shoqëri do të njiheshin edhe si shoqëri neurotike. Prandaj, jo rastësisht shoqëritë patriarkale krijojnë edhe elita politike me hendikepe edhe morale, për arsye se ato oscilojnë në mes të së shkuarës dhe së ardhmes. Për këtë ky konflikt i brendshëm që prodhohet nga gjendja neurotike si pjesë e shoqërive patriarkale, elitat politike i vendosin në pozitat e abuzimit permanent. Prandaj, shoqëria jonë në përgjithësi ka elemente autoritariste. Kjo shoqëri nuk ka mundur të çlirohet nga patriarkalizmi edhe përkundër zhvillimeve që kanë ndodhë, mbase ky zhvillim vetëm sa na ka barrikaduar edhe më fort në pozicionin fillestar. Jemi shoqëri sadomazokiste. Bile-bile kjo është e vetmja formë e të ndërtuarit raporte mes nesh dhe një marrëdhënie të tillë e gjejmë të shtrirë në tërë konstruktin ndërsocial. Si në familje, në kopshte, në qytet, në shkolla, në universitete, në politikë etj., pothuajse në çdo raport interpersonal dhe institucional a grupor, kemi një mënyrë shumë të çoroditur të ndërtimit të raporteve. Kjo mënyrë e të reflektuarit të individit, që është i ndërtuar nën diktatin e autoritetit, është bërë pasaporta e karakterit të tij. Duke çimentuar moralitetin që bart familja, i kemi dhënë mundësi elitave politike të papërgjegjshme, ashtu siç jemi edhe ne vetë dhe kështu pastaj si politikë kemi krijuar rrjetin e klientelës politike që si bazë fillestare ka familjen.

I gjithë ky rend social si fundament të vazhdueshëm në qendër, e ka pastaj korrupsionin dhe marrëdhënien korruptive. Pothuajse, çdokush në çdo marrëdhënie si mbështjellës ka forma të ndryshme të korruptimit. Një mënyrë e tillë për ne është bërë mënyrë jetese, është bërë mendësi kolektive. Përmes korrupsionit kemi transformuar rrugën e synimeve që kemi, i kemi ravijëzuar linjat më të shkurtra për të arritur qëllimin dhe kjo ka krijuar monstrumin shoqëror. Një çarje e këtij formati e nxjerr në pah tanimë gjendjen skizofrenike kolektive. Arritjet e ndryshme në mënyrë korruptive si në profesion, në pozicione partiake, administrative, politike, arsimore e deri në udhëheqje të shtetit cilësohen si zotësi, dhe kjo bën që degjenerimi ta riprodhojë veten.

Mirëpo, çka ndodh me/për një shoqëri kur jeton në një gjendje të tillë? Prej shumë problemeve mendoj se dy elemente janë të rëndësishme. E para: një shoqëri e kësillojtë nuk mund të shkëputet nga tribalizmi, madje vetëm sa e forcon edhe më atë, sepse secili me secilin janë në borxh permanent dhe pamundësohet kapërcimi në një stad më cilësor të vendosjes së marrëdhënieve. Prandaj, për këtë Karl Popper-i thoshte: “tribalizëm domethënë theksim i skajshëm i rëndësisë së fisit, pa të cilin individi nuk është asgjë.” Po ta përkthejmë në termat tonë kosovarë këtë çfarë thotë Popper-i, i bie se individi në shoqërinë tonë nuk është asgjë nëse nuk i përket ndonjë grupi apo klani. Kurse elementi i dytë: pamundësohet ose ngadalësohet deri në minimum tranzicioni i sistemit shoqëror dhe politik, që ka për synim demokracinë. Fillon dhe stërkeqet deri në atë pikën sa që demokracia paradoksalisht fillon dhe bëhet mirëmbajtëse efektive e tërë kësaj gjendje të përçudnuar shoqërore. Një gjendje e tillë edhe shoqërinë edhe shtetin i zhvendos deri në kufijtë e një kolapsi total. Për këtë, kur gjendja socio-politike arrin në këto limite, fillon gjendja e status-quo-së, e cila bëhet mbytëse në shumë drejtime dhe kjo gjendje është pothuajse pika më e largët për të shpresuar në ndryshime cilësore. Kjo gjendje ka krijuar një qasje që e ka çarmatosur qytetarin nga çdo iniciativë, sepse e ka gërryer deri në skajet më të thella dinjitetin i tij, dhe si rezultat edhe vullnetin për vetiniciativë apo për ndryshim e ka në deficit.

Krejt në fund shtrohet pyetja: a ka shpresë? (sic!). E, përgjigjja në këtë rast nuk është me një Po, ose me një Jo, mirëpo ajo meriton më shumë se aq. Dhe në këtë rast përgjigjja fillon aty ku fillon gjithçka për ne dhe nga ku ky shkrim nisi, pra, te familja. Duhet të çlirohemi nga familja! Duhet të çlirohemi nga mind-set­-i nënshtrues që familja mbjell tek ne përmes dhunës fizike, e sidomos moralo-psikologjike. Familja nuk duhet parë më si një institucion i shenjtë (mbrapa çdo të shenjte fshihet një amoralitet i madh), por si një grup social ku njerëzit që e përbëjnë atë e ndërtojnë marrëdhënien mbi baza racionale, ku liritë, të drejtat dhe detyrimet i takojnë secilit në masën e njëjtë. Pra, familja nuk është as detyrim, as nevojë. Ajo nuk duhet parë vetëm si lidhje gjaku (instiktive, shtazarake), madje duhet kaluar nga ky nivel i dhënë dhe të ndërtohen relacione të tjera racionale, ku marrëdhënia t’i përkasë një dimensioni shoqërisht më social. Përndryshe, e dhunshmja vetëm sa do të theksohet dhe do të bëhet pjesë e identitetit tonë, ashtu siç tani pothuajse e kemi.   

 

29 dhjetor 2020
11:30

Dritan Dragusha