Kthimi në të shkuarën: rendi liberal dhe struktura e sistemit ndërkombëtar - Pjesa II

21 dhjetor 2020 12:08

Trump dhe kriza e rendit liberal ndërkombëtar

Pa marrë parasysh kohën se kur ka filluar, ardhja në pushtet e Trump-it bashkë me votën pro BREXIT, ku Britania e Madhe doli nga Bashkimi Evropian pas 47 vjetësh anëtarësimi, krijoi përshtypjen e bazuar të ekzistimit të një krize jo të thjeshtë në rendin liberal ndërkombëtar. Paradoksalisht, dy shtetet kryesore që konceptuan dhe konstruktuan një varg institucionesh ndërkombëtare pas vitin 1945, tashmë duket se po e refuzonin këtë rend apo, të paktën, po kërkojnë që institucionet përbërëse të këtij rendi ose të reformohen ose të rikalibrohen në mënyrë që t’i përshtaten si duhet qëllimeve të tyre. Të dy këto zhvillime sinjalizojnë një fazë të re evoluimi të sistemit ndërkombëtar që thekson, në mënyrë të dukshme, vlera që mbështeten mbi parime nacionaliste, shtetcentrike dhe transaksionale.

Në mënyrë jo pak naive besohej se shkaktari kryesor i kësaj krize të këtij rendi ishte Presidenti Trump. Çfarë është edhe më infantile strategjikisht, mendohet se me ardhjen në pushtet të Joseph Biden ky rend do të rikuperohej dhe gjendja do të rikthehet ashtu siç ishte para vitit 2016, rrjedhimisht kriza e këtij rendi do të tejkalohet. Akuzat ndaj Trump për plasaritjen e këtij sistemi ishin shumëdimensionale. Mendohej se ai braktisi çdo aspiratë për lidership global të ShBA-së në favor të një mendësie nacionaliste, transaksionale dhe hipersovraniste. Akuzohej se ai nënvlerësoi traktatet ndërkombëtare, organizatat multilaterale dhe aleancat strategjike duke i konsideruar ato si kërcënim për interesat e ShBA-së. Sipas kritikëve, ekonominë ndërkombëtare Trump e sheh si lojë me shumatore zero (zero-sum game) – që më së miri menaxhohet me raporte bilaterale mes të shteteve – dhe jo si një “tortë në rritje” (growing pie) ku rritja e “tortës” shton përfitimet për të gjithë.

Në fakt, është e vërtetë se Trump fushatën e tij presidenciale e ka udhëhequr duke u mbështetur në një qasje përbuzëse dhe kritikuese për gati të gjitha institucionet dhe parimet që përbejnë rendin liberal ndërkombëtar, duke përfshirë këtu institucione si Bashkimi Evropian apo NATO dhe norma si multilateralizmi. Gjatë fushatës së vitit 2016 ai NATO-n e konsideronte si “të vjetruar” (obsolete). Kjo mendësi jokonvencionale e mbështetur në postulatin e “bilateralizmit transaksional” kishte trembur jo pak politikëbërësit në Bashkimin Evropian. Disa nga ta konsideruan se Trump paraqet kërcenim serioz për të ardhmen e BE-së. Kancelaria gjermane, Angela Merkel, kishte shkuar aq larg sa paralajmëroj se Evropa nuk mund të mbështetej më në Shtetet e Bashkuara, duke vlerësuar se kishte ardhur koha që evropianët të merrnin në dorë fatin e tyre.

Përkundër të gjithave, faktet dëshmojnë se Trump nuk ishte shkaktar i fillimit krizës së rendit liberal ndërkombëtar. Është jo serioze të mendohet se një rend ndërkombëtar – për një kohë aq të shkurtë – do mund të plasaritej nga një lider politik, qoftë ai edhe presidenti i ShBA-së. Kriza e këtij sistemi ka qenë e diktueshme, nga studiues të vëmendshëm, qysh para shumë kohësh. Ajo ka mundur të venerohet në shumë procese dhe trende që kanë ndodhur brenda shteteve, por edhe në domenin ndërkombëtar, që përfshijnë variabile si: rritja e shteteve joperëndimore, ndryshimet globale sa i përket fuqisë ekonomike, ekzistimi dhe forcimi i aktorëve joshtetërorë iliberalë, problemet e thella me legjitimitetin e elitave politike etj. Trump, në fakt, thjesht kishte intuitën e mprehtë politike që të nuhasë, para të gjithë politikanëve tjerë, fillimin e krizës së institucioneve, parimeve dhe vlerave të rendit liberal ndërkombëtar. Ai, në mënyrë ekslente e shfrytëzoi këtë në favorin e tij. Andaj e gjithë fushata e tij elektorale u ndërtua dhe u mbështet në argumente që shkonin në kundërshtim të plotë me parimet dhe vlerat që promovon dhe personifikon ky rend. Ai garoj kundër këtij rendi dhe fitoj një mandat. Me të njëjtën kartë politike sfidoi edhe kundër-kandidatët e tij brenda Partisë Republikane. Të njëjtat arsyetime i përdori edhe kundër kandidates së atëhershme nga Partia Demokratike, Hillari Clinton, e cila u identifikua nga ai si epitomë e rendit liberal ndërkombëtar. Prandaj Trump nuk është as problemi dhe as shkaktari i plasaritjes së të këtij rendi. Ai thjesht është manifestim i këtij procesi.

Kina si arritja kryesore e Trump-it

Një ndër arritjet kryesore të Presidentit Trump në politikën e jashtme ishte identifikimi i qartë i kërcënimit që vjen nga rritja e Kinës. Në fillim të mandatit të tij ai krijoj afërsi me Qeverinë Kineze, duke ndryshuar kurs krejtësisht pak më vonë. Deri para ardhjes së tij në pushtet elitat perëndimore ishin thellësisht të angazhuara që të përfshinin Kinën në ekonominë globale, duke e mbështetur anëtarësimin e kësaj të fundit në institucionet kyçe të këtij sistemi. Supozimi i tyre ishte se një Kinë më e zhvilluar dhe më e pasur ekonomikisht, domosdoshmërisht do të transformohej në demokraci liberale dhe si rezultat kjo e fundit do të bëhej pjesë jetike e rendit liberal ndërkombëtar. Një mendësi e tillë nuk kishte ekzistuar vetëm në mesin e politikëbërësve të shteteve perëndimorë, por mbështetej edhe nga studiues dhe teoricien të njohur me mendje të mprehtë si Fareed Zakaria. Në librin e tij të njohur, “Bota Post-Amerikane”, ai konstatonte se ShBA-të duhet të inkurajojnë Kinën që të sillet sipas rregullave të civilizuara ndërkombëtare sepse duke e integruar atë në ekonominë globale, me kalimin e kohës, Kina do të bëhet shtet më liberal. Ai, po ashtu, besonte se me rritjen e standardit ekonomik, nevoja për reforma politike në Kinë do të bëhej imperative. Si pasojë, regjimi politik do të përballej me kërkesa dhe sfida të reja nga qytetarët. Edhe pse kjo nuk do të thotë se Kina, brenda natës, do të shndërrohej në demokraci liberale në stilin perëndimor të fjalës, sipas tij, ka shumë të ngjarë që ajo në fillim të evoluoj në një regjim miks, ngjashëm me atë të vendeve perëndimore në shek. XIX-të, për ta avancuar më pas në një sistem politik liberal. Edhe vetë Presidenti i zgjedhur, Joseph Biden dhe partia Demokratike gjithashtu, historikisht e kishin mbështetur argumentin se politika e “angazhimit” të Kinës në struktura multinacionale ekonomike të sistemit ndërkombëtar do të kishte efekte transformuese në vetë sistemin politik të saj. Ky transformim, sipas ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, do ta bënte Kinën “hisedar të përgjegjshëm” të sistemit ndërkombëtar, plotësisht e motivuar që të mbaj raporte paqësore me shtetet tjera.

Por, ideatorët dhe promovuesit e kësaj politike nuk arritën të parashikonin se duke e mbështetur Kinën dhe përshpejtuar rritjen ekonomike të saj përmes përfshirjes në ekonominë globale dhe rendin liberal, ata po minonin vetë rendin liberal ndërkombëtar. Së këndejmi, ata e mbështeten Kinën që të bëhej superfuqi globale, duke transformuar shpërndarjen e fuqisë në sistemin ndërkombëtar nga unipolariteti, konstelacion ky i cili është jetik për mirëmbajtjen e rendit liberal ndërkombëtar, në multipolaritet. Përfshirja e Kinës në këtë rend me vlera liberale i krijoi asaj thjesht kushtet ideale që të bashkëpunojë me këtë sistem mbi principe krejtësisht oportuniste. Sa për ilustrim, anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërorë të Tregtisë me 2001 i mundësoi asaj qasje të lirë dhe të favorshme në tregtinë globale me kushte shumë të favorshme për të. Por, Pekini asnjëherë nuk zbatoi masa domethënëse për të mbrojtur të drejtat pronësore apo të forcojë sundimin e ligjit. Për më keq, Kina nuk u transformua asnjëherë në demokraci liberale. Ajo thjesht u bë shteti i parë autoritar që është edhe superfuqi globale.

21 dhjetor 2020
12:08

Alfred Marleku