Njëherë qiraja, pastaj punëtorët!

04 dhjetor 2020 11:50

Në ballafaqimet e bizneseve kosovare me masat qeveritare anti-Covid, fakti që bie në sy është që më shumë kishte mobilizim të pronarëve të bizneseve sesa të punëtorëve. Veçanërisht të zëshëm ishin pronarët e bizneseve të gastronomisë, veprimtaria e të cilëve binte më së shumti ndesh me masat kundër përhapjes së virusit. Punëtorët, të cilët do të duhej të merrnin një mësim të vyer nga organizimi i pronarëve për interesat e veta, sikur menduan se përfaqësoheshin prej organizimit të shefave të tyre. Një bindje e tillë, përveç që është në kundërthënie me realitetin faktik, është edhe kundërproduktive në raport me interesat e punëtorëve, të cilat do t’i qartësojmë në vijim. Bindje të tilla që keqinformojnë arsyen e njerëzve, të cilët në marrëdhënie të padrejta gjenden në skajin e dëmtuar, janë teorizuar gjatë në shkencat sociale. Në teorinë marksiste këto bindje i përthekon koncepti i ‘vetëdijes së rreme‘ (false counciousness). Ky koncept, i hedhur nga Friedrich Engels, sado që është sfiduar në shkencat sociale, vazhdon të rishfaqet vërdallë teorive e hipotezave të ndryshme në fushat e sociologjisë, filozofisë, psikologjisë sociale, ekonomisë etj., shpeshherë me emra tjerë dhe pa referencë te koncepti marksist.

Ky shkrim është një përpjekje modeste për të argumentuar që edhe në krizën që solli pandemia, dhe përball kërcënimit të mbylljes së shumë bizneseve, interesat e pronarëve, që u organizuan dhe punëtorëve, që nuk u organizuan, nuk përputhen.  Për këtë duhet së pari të sqarojmë se çka quajmë, në këtë kontekst, interesa. Në funksion të argumentimit më të qartë, do të shëbehem me një përkufizim nga sociologu britanik W. G. Runciman (1969), i cili në një përsiatje të tij pikërisht mbi ‘vetëdijen e rreme‘, thotë se ngaqë është parimisht e mundur t’i klasifikojmë njerëzit në sferat e pushtetit, prestigjit dhe pasurisë,  mund të themi se ‘interesat‘ e njerëzve janë prospektet e përmirësimit të pozitës së tyre së paku në njërën nga të tria sferat. Për lehtësi, le t’i quajmë këto sferat e interesit. Pra, 'interesi' në kontekstin që përdoret këtu, nuk mund t'i referohet thjesht ruajtjes së vendit të punës, kompenzimit të pagës, ose kompenzimeve të tjera kundrejt punëtorëve. Sepse këto përfitime nënkuptojnë vazhdimin ose sanimin e gjendjes së tyre paraprake, pa ndonjë efekt substancial në sferat e interesit.

Një dallim themelor mes mobilizimit të pronarëve dhe pasivitetit të punëtorëve në turbulencat socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia, nuk mund të gjindet në pasojat e menjëherëshme të cilitdo prej të dy shembujve. Sepse ky dallim themelor qëndron në të qenit të organizuar ose jo. Organizimi në rastin e pronarëve, ose mosorganizimi në rastin e punëtorëve, i konstituon këta të parët si agjenci, ndërsa këta të fundit mbesin thjesht një referencë periferike që marrin kuptim vetëm kur flitet për pasoja të fundme si mbetja pa punë ose kthimi në punë. Kjo e redukton rezonimin mbi gjendjen e punëtorëve në këtë binom shkurajues, në vend që të adresonte shumësinë e specifikave që përmban marrëdhënia e punës. Pra cilado që të jetë përgjigjja e qeverisë ndaj kërkesave të pronarëve, ajo, edhe në rastin më të mirë, nuk do të ketë pasoja më përcaktuese për punëtorët sesa kthimi në gjendjen që ishin para pandemisë. Kështu, punëtorët kanë humbur një rast për hapjen e shtigjeve të adresimit të problemeve përtej binomit të punës dhe mospunës.

Sa i përket prestigjit, i cili, në pajtim me sa më lart, është një sferë e interesit, mosorganizimi i punëtorëve dhe organizimi i punëdhënësve kanë respektivisht pasoja të kundërta. Nëse i referohemi nivelit të pagave, por edhe nivelit të kushteve të punës, sektori privat në Kosovë, njihet si sektori me kushte më të pavolitshme për punëtorët. Në këtë sektor sundon një regjim i punës, që nëse do të huazonim nga tipologji e scoiologut britanik, Michael Burawoy (1983), do të mund ta përshkruanim si regjim despotik. Regjimin despotik i punës, sipas Burawoyt, e karakterizon shtrëngimi, kërcënimi me pushim nga puna dhe privimi nga autonomia në vendin e punës. Në teorizime më të vona ky regjim trajtohet edhe si stili besëpakë i menaxhimit (low-trust management style) (shih Wright, 1995). Elemente të regjimit despotik, ose menaxhimit besëpakë, mund të gjejmë me shumicë në vendet e punës në Kosovë: kërcënimet me largime nga puna; mania e monitorimit me kamera; kushtëzimi i kontratës me nënshkrimin e një deklarate të kinse kryerjes së pushimit të paraparë me Ligjin e Punës; mbajtja e dëshmisë së sigurimit shëndetësor të punëtorëve në sirtar në rast se vjen inspektorati; tejndjeshmëria ndaj ndonjë shkëndije të organizimit sindikal (në kompanitë e mëdha) etj. Të gjitha këto elemente ulin prestigjin e vendit të punës, dhe punëtorët që ndihen të përfaqësuar nga kërkesat e pronarëve për qeverinë, nuk i kanë të adresuara assesi këto probleme.

Argumenti se organizimi i pronarëve arsyetohet edhe sipas një hierarkie logjike, ngaqë humbja e vendeve të punës është pasojë logjike e mbylljes së bizneseve, përsëri nuk përbën argument për sferën e interesave të punëtorëve. Pikërisht rreziqet e kërcënimit kolektiv të punës janë gurëthemeli i regjimit të dytë të punës sipas Burawoyt, atij hegjemonik. Në regjimin hegjemonik të punës, punëtorët nuk kërcënohen me humbje të vendit të punës si individë, por kolektivisht, në varësi nga qëndrueshmëria e biznesit ku punojnë. Kjo i mundëson menaxhmentit të ushtrojë despotizëm hegjemonik, ku punëtorët, për të mbijetuar, duhet të bëjnë lëshime në dëm të kushteve të veta të punës e në të mirë të kompanisë. Shpëtimi i bizneseve si pasojë e presionit të punëtorëve ndaj qeverisë do të ishte më me interes për punëtorët, sesa shpëtimi si pasojë e presionit të pronarëve. Sepse në rastin e fundit, punëtorët duhet sërish të bëjnë koncesione në kushtet e punës, e jo pronarët në kushtet e kompanive.

Bindja se pronarët e organizuar, po i adresojnë të përmbledhura hallet e veta dhe të punëtorëve, e që rrjedhimisht i përfaqësojnë edhe këta të fundit, është ‘vetëdije e rreme’ që i nënpolitizon hallet e punëtorëve duke i reduktuar ato në binomin punë-mospunë. Kjo, në mënyrë anekdotike, mund të shihet në një listë të kërkesave të publikuar nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës drejtuar qeverisë, ku kompenzimi i qirave qëndron më lartë se kompenzimi i pagave të punëtorëve. Më tej, derdhja e këtyre kompenzimeve në llogaritë e pronarëve, nuk është thjesht procedurë administrative, por është edhe pushtet i shtuar politik i pronarëve mbi punëtorët. Nuk ka nevojë të spekulohet se ç’pasoja do të kishte në rast të organizimit të vetë punëtorëve, mjafton të mendohet që shumica e problemeve që ata i kanë si pasojë e politikave të pronarëve, do të adresoheshin e mbase edhe do të merrnin kahje drejt përmirësimit. Pronarët e organizuar që kërkojnë diçka nga shteti edhe për punëtorët e tyre, lëre që nuk janë përfaqësues të ineresave të këtyre të fundit, por qëndrojnë në konflik me shumicën e këtyre interesave. Pra, jo që nuk kanë tagër politik t’i përfaqësojnë punëtorët përball qeverisë, por nuk e kanë as nivelin e neutralitetit për të ndërmjetësuar mes tyre.

04 dhjetor 2020
11:50

Eroll Gashi