Liria ka emra

24 nëntor 2020 15:46

Fushata “Liria ka Emër” duket se ka shumë qëllime. Ajo lindi si kundërpërgjigje ndaj aktakuzave dhe pastaj arrestimeve nga Gjykata Speciale të 4 prej njerëzve më të rëndësishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra në këtë drejtim, fushata kishte për qëllim të thoshte se të akuzuarit janë Çlirimtarët dhe se përballja e tyre me Gjykatën në Hagë është padrejtësi. Pra porosia është se çlirimtarët nuk mund të gjykohen. E Çlirimtarët janë këta: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi. (Është interesant se si Sali Mustafa përmendet shumë më pak edhe pse është i arrestuari i parë). Pra që Emri i Lirisë është vullneti kolektiv për çlirim. Subjektivizimi jonë kolektiv nën një organizim e kërkesë të vetme: Liri nga Serbia.

Fushata filloi të zgjerohet menjëherë pas ditëve të para të Emrit të Lirisë. Filluan të përmenden edhe viktimat civile të luftës, masakrat e kryera nga forcat okupatore të Serbisë (ushtria, policia, paramilitarët, etj). Më vonë viktimat e dhunës së orkestruar seksuale të kryera po nga këto forca okupatore të Serbisë. Porosia e fushatës filloi të marrë një karakter të ri, shtesë, atë të lirisë si shpagim për dhunën që Serbia ka ushtruar përmbi popullatën civile në Kosovë. Kështu, Emri i Lirisë pëson një ndryshim thelbësor: Liria bëhet rrjedhojë jo e subjektivizimit, por e viktimizimit. Dallim i madh ky.

Sëkndejmi kjo fushatë me emrat e ndryshëm të lirisë shpërfaqë dualitetin konceptual e teorik të cilin e kemi jetuar tash e 21 vjet. Hendeku mes këndvështrimit tonë për lirinë si “fitore e vullnetit” dhe këndvështrimit ndërkombëtar për lirinë tonë “si kundërshpërblim për viktimat”. Të mos keqkuptohemi asnjëra prej këtyre nuk është e pavërtetë. Në situatën në Kosovë (sikur në cilindo vend të kolonizuar) këto dy të vërteta paralele bashkëjetojnë në histori. Sepse ka një ndërlidhje dialektike mes dyjave, përmes së cilës këto e ushqejnë njëra tjetrën: Dhuna e diskriminimi nga Serbia na e ushqente vullnetin për liri, ndërkohë që organizimi ynë për të arritur lirinë e përshpejtoi e përshkallëzoi dhunën nga Serbia. Deri në momentin kur NATO e konsideroi këtë dhunë të patolerueshme dhe të papranueshme. Dhe ndërhyri. Dhe u çliruam. Dhe filluam të jetojmë të lirë.

Por në nivelin diskursiv megjithatë ka rëndësi se ku e vë theksin: te vullneti apo viktimizimi. Sepse këto dyja kanë një dallim mbase jo shumë të madh, por tejet të rëndësishëm. Nëse lirië e shohim si shpagim për dhunën e ushtruar nga Serbia, atëherë kjo merr formën e lirisë negative: “liri nga”. Ndërkohë që vullneti paraqet lirinë pozitive ‘liri për’. Për sa kohë që e para krijon kushtet që e kaluara e dhunshme të mos përsëritet në të ardhmen, e dyta fokusin e ka te e ardhmja, te themelimi i një shoqërie që e pamundëson përsëritjen e së kaluarës. Ashtu shprehet më së miri në këtë citat të Nelson Mandelas: “Sepse të qenit i lirë nuk nënkupton vetëm heqjen e zinxhirëve, por nënkupton të jetosh në atë mënyrë që e respekton dhe përnaltëson lirinë e tjerëve.”

Pra liria që vjen nga vullneti qëllim parësor e ka emancipimin, për sa kohë që ajo që vjen nga viktimizimi, emancipimin mund ta ketë pasojë, por jo qëllim. Por prapë këtu duhet ta bëjmë një qartësim: jo secili vullnet kolektiv, e aq më pak kur ky vullnet reduktohet në një subjekt të caktuar politik, materializon qëllimin emancipues. Ka shumë raste në histori kur vullneti për liri është keqpërdorur për t’i dhënë shtypjes një formë të re, me përmbajtje të paprekur. Por në përgjithësi angazhimi për çlirim bëhet me sytë nga e ardhmja, edhe pse nxitet nga mosdurueshmëria e së tashmes. Gjë që nënkupton se vlera e angazhimit për liri, aspekti univeralizues i një angazhimi të këtillë partikular, varet kryekëput nga pastajshmëria e tij, nga cilësia e lirisë që ai prodhon. Nëse liria paska qenë vetëm ‘heqje e zinxhirëve’ apo vërtetë vullnet ‘për të jetuar ashtu që ta respektojmë e përnaltësojmë lirinë për tjetrin’.

Kështu Liria fiton Emra të rinj. Drejtësia është Emri i Lirisë. Pra që lufta jonë për liri ka qenë e drejtë dhe ka pasur për qëllim realizimin e drejtësisë për të gjithë kolektivisht e secilin prej nesh veç e veç. Dhe që në shoqërinë tonë njëherë e përgjithmonë të zhduket shtypja e diskriminimi ndaj Tjetrit pavarësisht përkatësisë etnike, gjinore e fetare. Pra pavarësisht nëse Tjetri është gruaja, serbi, romi, katoliku, ortodoksi, homoseksuali, ateisti. Që të gjithë duhet të jenë të lirë, se po iu cenua liria vetëm njërit prej këtyre, atëherë i cenohet secilit.

Sëkëndejmi Emri i Lirisë nuk mund të partikularizohet. E as të veçohet një klasë a kategori njerëzish. Kur Emri i Lirisë është drejtësia, atëherë drejtësi duhet të ketë për të gjitha viktimat. Pavarësisht së kush janë viktimat e pavarësisht se kush janë dorasit. Fushata “Liria ka Emër” është e heshtur për viktimat tjera përveç viktimat e kryera nga forcat serbe. E çfarë të bëjmë me të tjerët? T’i lëmë pa drejtësi? Po a nuk është kjo padrejtësi? A nuk po e cënoka pikërisht ky këndvështrim njërin prej emrave të rëndësishëm të Lirisë? Atë të drejtësisë.

Emri tjetër i Lirisë do të duhej të ishte barazia. Shoqëria e themeluar përmes angazhimit për liri mund të jetë vetëm e barabartë. Edhe në këtë pikë liria ka kuptim kur i heq Zinxhirët në përgjithësi, e jo vetëm zinxhirët tonë. Pra që liria duhet t’a sigurojë trajtimin e barabartë për punëtorin, të papunin, të varfërinë, të pashkolluarin, të sëmurin, të pensionuarin ashtu siç e trajton të pasurin e të pushtetshmin. Vetëm kështu mund ta vlerësojmë cilësinë e lirisë sonë, nëse ajo themelon shoqëri të barabartë. Përndryshe bëhet liri vetëm për disa. Pra heqje e prangave nga duart e disave për t’i vendosur në duar të të tjerëve.

Dhe për fund Liria bart emrin e Përgjegjësisë. Angazhimi për liri nënkupton insistimin në krijimin e një rendi të ri shoqëror që vërtetë pamundëson përsëritjen e cilësdo prej shprehjeve të dhunës, përjashtimit, diskriminimit nga e kaluara. Pra një shoqëri që nuk i përngjason në asgjë situatës prej së cilës jemi angazhuar të çlirohemi. Që nënkupton një shoqëri të përgjegjshme karshi të së drejtës, individit, mjedisit, mirëqenies. Një shoqëri solidare.

Sigurisht se nuk mund të pritet që Gjykata Speciale do ta përmbyllë lirinë, drejtësinë, përgjegjësinë dhe barazinë. Nuk do të mundej edhe po ta kishte qëllim. Dhe mirë që nuk është kështu.

Gjykata Speciale është një mekanizëm përmes të cilit ka mundësi ta kuptojmë një pjesë të së vërtetës. Pra Gjykata speciale e vë në peshore mënyrën se si jemi sjellur në fazën shumë të hershme të lirisë sonë. Që na tregon se si e kemi konceptuar atë në fillim. Dhe, nëse çdo gjë shkon siç duhet, dhe nëse gjykata gjykon objektivisht, përmes saj mund të kuptojmë se ku kemi gabuar dhe çka nuk duhet të bëjmë më. Por kjo nuk mjafton. Të gjitha emrat e Lirisë janë përgjegjësi e jona. Dhe secili prej tyre është Emër që ndërtohet vazhdimisht, e përpjekja për të cilin nuk ka fund. Prandaj Emri i Lirisë kurrë nuk është vetëm në të kaluarën. Është në të tashmen e në të ardhmen. Dhe ka për qëllim jo heqjen e zinxhirëve, por zhbërjen e tyre.

24 nëntor 2020
15:46

Visar Ymeri