Sikur të kishte emër liria…

23 nëntor 2020 09:55

Liria është ide dhe ideal që aspirohet në vazhdimësi, dhe ta identifikosh atë me një organizatë a grup personash, i bie të heqësh dorë nga ideali i lirisë dhe të kënaqesh me status-quonë që e ofron ajo organizatë, shtet, grup njerëzish, qeveri, ose kushdoqoftë.

Këto ditë është hedhur në publik një nismë ose fushatë me emrin “Liria ka emër”. Dua të komentoj mbi dy aspekte kësaj fushate, duke iu referuar afisheve me mbishkrimin "Liria ka emër" bashkë me stemën e UÇK-së dhe emrat e ish-luftëtarëve, tani të shndërruar në politikanë të pushtetshëm, që po gjykohen për krime të supozuara të luftës, si dhe me mbishkrimin "Liria ka emër: Rreth 20,000.00 (sic!) viktima të dhunës seksuale" dhe me emrat personalë të viktimave. Dua të problematizoj mënyrën se si po përdoret fushata dhe momentin e zgjedhur për këtë fushatë.

Së pari, t'i vihen emra të përveçëm "lirisë" duke e lidhur atë me ndonjë person, grup a organizatë, nuk shkon me vetë konceptin e lirisë. Sepse, liria është ide dhe ideal që aspirohet në vazhdimësi, dhe ta identifikosh atë me një organizatë a grup personash, i bie të heqësh dorë nga ideali i lirisë dhe të kënaqesh me status-quonë që e ofron ajo organizatë, shtet, grup njerëzish, qeveri, ose kushdoqoftë. O do të përpiqesh në vazhdimësi dhe çdo ditë drejt lirisë, o do të pajtohesh me një gjendje që ta kufizon lirinë dhe nuk të ofron mundësi për të realizuar mundësinë njerëzore për liri. Rrugë të tretë nuk ka.

Ne mund t’i falemi nderit të këtij a atij veprimtari, këtij a atij luftëtari për çlirim nga Serbia, por jo edhe për gjendjen që politikanët ish-luftëtarë dhe partitë e “dala nga lufta” na kanë sjellë. Se liria është çlirim prej zgjedhës së huaj, por edhe çlirim prej varfërisë, mashtrimeve, vjedhjeve, shfrytëzimit nga tanët, pra nga politikanët e qeveritë tona, prej se ky vend u çlirua nga Serbia. Shkurt, liria është çlirim prej frikës nga e tashmja dhe e ardhmja, si prej të huajve, ashtu edhe prej tanëve. Por, edhe mundësi njerëzore për të filluar diçka të re në jetën politike, shkruante Hannah Arendt, që ideologjia e vlerave të luftës e ka penguar, siç kam argumentuar në një shkrim.

Së dyti, përmendja e viktimave të dhunës seksuale në luftë në këtë kontekst, e bën fatin dhe vuajtjen e viktimave pre lehtë të përdorshme në mënyrë të pandershme për hesape të politikanëve. Nuk kemi iluzione për interesimin e politikanëve për viktimat e dhunës seksuale. Në të vërtetë, vonesën e rrëfimeve dhe shkurajimin e viktimave të përdhunimit në luftë për të rrëfyer përjetimet e tyre dhe për të kërkuar drejtësi, e kanë shkaktuar edhe kremtimet e epopeve dhe heroizmave, se përmes tyre “bartësit e vlerave të luftës” dhe politikanët e “dalur nga lufta” kanë krijuar kapital politik dhe ekonomik. Edhe tmerri i luftës që ka rënduar mbi gratë, fëmijët dhe të dobëtit ka mbetë në hijen e luftës heroike të burrave e heronjve të luftës. Sikur kanë thënë se ne milicin, ushtarin e paramilitarin serb e kemi pa veç përmes tytës së pushkës! Kah po dalin tash këto të përdhunuarat! Dhe, vetëm tash kur heronjve të luftës po ju duhet me kapitalizu vuajtjen e popullatës së pambrojtur në luftë, fushata po i përmend ato, madje me emra e mbiemra!

Kjo fushatë që e përdorë emrin e UÇK-së dhe viktimave të dhunës seksuale në luftë në këtë mënyrë problematike, më lë përshtypjen se ka të bëjë më tepër me ndonjë ose disa persona të përveçëm që po gjykohen në Gjykatën Speciale, se sa me ndonjë brengë të sinqertë për namin e UÇK-së ose me ndonjë shqetësim të sinqertë për viktimat e dhunës seksuale. Këtë po e them, pasi që më kujtohet se kjo nuk është hera e parë që ish-pjesëtarë të UÇK-së gjykohen për krime të supozuara lufte, por nuk më kujtohet se atëbotë gjykimi i tyre përcillej me fushata të bujshme dhe kaq problematike si kjo “Liria ka emër”. Gjithashtu, nuk mund të kujtoj se politikanët “e dalë nga lufta” janë kujtuar gjithaq për viktimat e dhunës seksuale. Por, këtë më së miri e dijnë viktimat, zëri i të cilave, fatkeqësisht, nuk është dëgjuar deri më tash nga zëri i lartë i përkujtimeve të heroizmave të djeshme të politikanëve të sotit dhe i agjendës dialoguese me Serbinë.

Si shqiptar që e kam përjetuar në lëkurën time dhe të të afërmve të mi pushtimin serb para luftës, tmerret e luftës dhe nderimin e thellë që kam ushqyer për luftën çlirimtare dhe luftëtarët e saj, por edhe si studiues i shkencave shoqërore, nuk mund të theksojë mjaftueshëm sa e vlerësoj nevojën për, jo vetëm fushata, por për një program gjithëpërfshirës të kujtesës kolektive për të shkuarën tonë, që, për fat të keq, mungon përkrahja shtetërore e institucionale për të zhvilluar një të tillë. Mirëpo, “Liria ka emër” më tepër se fushatë vetëdijësuese për publikun, më duket si instrument i gatshëm për përdorim të lehtë ideologjik nga politikanë të caktuar; me gjithë ato afishe të mëdha dhe lojëra me emocionet e njerëzve ndaj viktimave të luftës dhe luftës çlirimtare, të cilat sikur e mbrojnë këtë fushatë nga çdo kritikë e arsyeshme.

Sikur të kishte emër liria, do të kishte mbajtur emrat e atyre që u shuan për të dhe të tjerëve që nuk bënë emër për vete në llogari të lirisë. Emrat e tyre do të mbahen në mend e në zemër, sa të rrojë ndër ne ideja e lirisë.

23 nëntor 2020
09:55

Gëzim Selaci