Nëpërmes Bioetikës - Pjesa III

19 prill 2016 12:50

Bioetika dhe debatet bashkëkohore

Siç e kemi theksuar, bioetika është pashmangshmërisht e lidhur me zhvillimet tekniko-teknologjike të cilat janë edhe determinantet të epokës shkencore në të cilën jetojmë. Këto zhvillime nuk e kanë lënë të paprekur dhe etikën mjekësore, e cila nuk mund t’i’u jepte përgjigjje problemeve që po vinin me zhvillimin e bio-teknlogjisë. Debatet që u rihapën në lidhje me abortin, eutanazinë, in-vitro fertilizimin, terapinë e gjeneve, e që janë vetëm disa prej debateve brenda bioetikës dhe që u konsiderua se bioetika mund t’i jepte pergjigjje për aplikativitetin dhe konturimin e tyre teorik. Të gjitha këto debate prekin apo sfidojnë në mënyrë të drejtpërdrejt kategori të tilla, siç është natyra njerëzore, dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut, autonomia dhe përgjegjësia individuale, privatësia dhe respekti për integritetin personal, kategori këto që janë në themel të shoqërive bashkëkohore demokratike, por edhe kategori bazike të mendimit etiko-filozofik. Më poshtë do të trajtojmë abortin dhe eutanazinë.

Aborti - është një nga debatet ku përplasjet janë mjaft të fuqishme, në mes atyre që e përkrahin dhe atyre që e kundërshtojn atë. Ndër kundërshtarët më të zëshëm janë grupet religjiioze, sepse ata mendojn se me abortim ndërhyet në rendin hyjnor. Por, çka është aborti? “Në terminologjin klinike tradicionale aborti nihet si dëbim nga uterusi (mitra) të një embrioni apo fetusi para se ai të jetë i qëndrueshëm (d.m.th., zhvillimisht i aftë për ekzistencën e pavarur). Kurse aborti spontan (i njohur si ‘dështim’) është një dukuri e zakonshme. Termi abort është përdorur për t’i’u referuar shkaktarit të abortit dhe se kush e solli atë, qëllimit, mjetet mjeksore dhe kirurgjikale, të cilat në mjeksinë bashkëkohore iu referohen si heqja e fetusit nga mitra në pikën e realizueshmëris së mundshme” (James B. Tubbs Jr., A handbook of Bioethics terms). Mirëpo, qasja ndaj abortit në filozofi fillon nëpërmes konceptimit të embrionit. Cilat janë të drejtat me embrionin dhe cili është funksioni i tij? Sipas kësja qasjeje embrioni vjen nga prizmi ontologjik dhe shtrohet dilema se a është e mundshme që embrioni t’i nënshtrohet një realiteti moral, e që pastaj nga kjo na lindin tri orientime kryesore në lidhje me abortin: qasja biologjike – që është e përafërt me qasjen religjioze dhe qasja neo-kantiane dhe utilitariste.

Në librin e tij Debatet Bashkohore në Filozofinë Sociale Laurence Thomas pohon se: “Qasja biologjike - sipas kesaj qasje njeriu është koekzistiv me një organizëm tjetër i cili e nënvizon dhe e shprehë atë. Këtë qasje më shumë mund ta gjejm te besimet religjioze. Kapaciteti për zhvillimin e qenies në potencën njerëzore është dhënë nga qeliza e parë embrionale, sepse ky kapacitet është inherent në strukturen gjenetike të njeriut”. Ndërsa ajo neo-kantiane na dërgon në një moment ku as embrioni, e as qeliza embrionale, e as qelizat e paspecializuar nuk janë person. Ne nuk i detyrohemi atyre me respekt si subjekte autonome. Ne mund t’i mbrojmë ato, po shkalla e mbrojtjes tonë mund të ndryshojë. Laurence Thomas e konceptualizon kështu dimensionin neo-kantiane rreth abortit: “Në pikpamjen neo-Kantiane ajo që percakton nëse një krijesë është person, nuk është jeta organike njerëzore por autonomia morale. Nëse personi është subjekt moral. Sipas Kantit subjekti moral është i lirë të zgjedh për vetën: Individët gjykojnë për vetën e tyre, atë të cilën duhet ta bëjn dhe të njohin se të tjerët kanë të drejte të posaqme (prerogativë) për të zgjedhë”. Kurse, orientimi utilitarist pohon se sa më afër është embrioni të zhvillohet e të lind aq më i dobishëm është ai. Ajo çfarë vërejmë tek utilitaristët dhe neo-kantianët është se të dyja këto qasje në lidhje me abortin, shtrojnë argument të kundërta me aspektin religjioz.

Se sa kjo temë është e ndjeshme dhe se sa të thella janë kundërshtimet rreth abortit mund ta vërejmë edhe në mes të një letërkëmbim të bërë në mes të shkrimtarit Umberto Eco dhe kardinalit Carlos Maria Martini, në lidhje me dilemat dhe konsekuencat morale që prodhon kjo temë. Në pyetjen që Eco i drejton kardinalit, ai shprehet kështu: “A ekziston sot ende dikush, për të cilin nuk paraqet krim vrasja e një foshnje të posalindur, e cila ende nuk mund të flas dhe është, pra, vetëm infans? Unë nuk besoj. Të gjithë e shohin atë si një qenie njerëzore. Sa larg mund të shkohet përpara lindjes?”. Kardinali Maria Martin i përgjigjet kështu: ”Kufijtë janë gjithmonë në terrene të pabesë. Mua më kujtohet, kur unë si fëmijë, teksa shëtisja në malet e vijës kufitare në Aostatal, më vënte mendja se ku mund të qëndronte saktë pika kufitare midis dy kombeve. Nuk mund ta shihja, assesi të caktohej sipas matjes njerëzore. Por kombet ekzistonin, dhe ata ishin mjaft të ndryshëm”. Nëpërmes kësaj tregohet se sa i thellë është hendeku në lidhje me këtë temë, se sa veshtirë janë të pranueshme argumentet racionale perballë konzervatorizmit religjioz dhe traditave kulturore që abortin e konsiderojnë krim.

Eutanazia - Francis Bacon ishte i pari që e përdori termin Eutanazi në kontekstin mjekësor në shekullin e XVII. Bacon në një ese të tij i referohet eutanazisë kështu: “Pa dhimbje, vdekje e lumtur, gjatë të cilës është pergjegjësi e mjekut për t’ia lehtësuar vuajtjet fizike të trupit”. Po ashtu Bacon mendon se me eutanazi duhet të ”...konsiderohet edhe përgaditja e shpirtit”. Në bioetikën bashkëkohore njihen dy lloje të eutanazisë, eutanazia pasive dhe eutanazia aktive. Sipas James B. Tubbs Jr. eutanazia pasive dhe aktive përkufizohen kështu: “Eutanazia pasive është një formë ‘ta lësh të vdes’ ose ‘vdekje e lejuar’, në të cilën vdekja është qëllimisht e projektuar nga heqja dorë e medikamenteve ose terapive të cilat do ta mirëmbranin jetën e njeriut që po vdes (në Kosovë, kjo formë e eutanazisë është mjaft prezente). Eutanazia aktive, nganjëherë i referohemi si vrasje e mëshirëshme, përfshinë drogën dhe mjetet tjera vdekjeprurëse për të shkaktu vdekej të leht individit që është duke u eutanizu”. Në këtë stad bioetika dëshiron të arrij tek një kompromis në mes dy poleve të cilët mbroj interesa diametralisht të kundërta, siç është pozicioni religjioz i cili nuk e lejon eutanazinë dhe pozicioni liberal dhe neo-kantian i cili e mbronë të drejtën e individit për trupin dhe vetëvendosjen mbi jetën e tij.

Pozicion liberal është shumë fleksibil në raportin mes etikë dhe ligjit i cili ia mveshë individit të drejtat për vetën e tij. Helga Kuhse dhe Peter Singer në librin e tyre e konceptojn kështu: ”Modeli liberal ofron zgjidhje të thjeshta për problemet e ndërlikuara si eutanazia dhe aborti duke i ngarkuar individët me besimin mbi dilemat morale. Problemet që ishin më urgjente në bioetikën e hershme dhe në ligjin shëndetësor - si të drejtat e pacientëve, aborti, eksperimentet mjekësore - a mund të gjitha këto të adresohen frytshëm në këtë mënyrë në konteksin e liberalizmit të orientuar kah produkti (të paktën, në respekt në lidhje me abortin, nësë fillon me supozimin që fetusi nuk nënkupton person të plotë). Kjo nënkupton burime të pakta intelektuale që janë të kombinuara me kompetenca të dobëta shoqërore”. Kjo nënkupton se shumë bioeticient janë skeptik për mundësitë e praktimit të eutanazisë në lidhje më ligjin liberal, më poshtë do të shohim se si është e orientuar bioetika në lidhje më këtë problematik.

Neo- Kantianët si premisë bazë e kanë postulatin kantian mbi moralin i cili është “…autonomia e vullnetit është parimi i vetëm i të gjitha ligjeve morale dhe të gjitha detyrave të cilat janë në përputhje me të” (Critique of Practical Reason). Ky pozicion në rrafshin etikë i jep autonomi vullnetit të personit në të cilin bëhet edhe precedent për të drejtën mbi vdekjen e dëshirueshme. Pra, qasja neo-kantiane në raport me te drejtat e njeriut qëndron në pikën e të drejtës autonome të individidit si vullent mbi trupin e tij. Qasjen religjioze mbi eutanazinë mund ta konceptojmë në këtë mënyrë; se çka e shtyn një person të ketë dashuri mbi vdekjen? Parimi gjeneral mbi eutanazinë në etikën krishtere mbetet ky ‘Shenjtërimi i jetës’, sepse jeta është e shenjtë e nuk mundemi ne si individ të interventojmë në fuqinë e së shenjëtes. Por, tani me zhvillimet e fundit në etikën e krishtere kanë filluar të bëjn përjashtime. Konsideratat e fundit në lidhje me mos vuajtjen që shihen në disa shkrime të disa apostujve, kanë shty etikën e krishtere të bëjë disa hapa reformues në disa raste të eutanazisë. Kjo nuk nënkupton që janë hapa solid në lidhje me legalizmin e eutanazisë. Ligji shëndetësor dhe bioetika janë duke bërë disa ndërveprime interdiciplinare në lidhje me debatin rreth eutanazisë dhe abortit. Kjo do të jetë edhe sfida e bioeticientëve që ta krijojn një set të rregullave praktike të cilat janë aplikative në sferën e domenit publik. Siç pohon Helga Kuhse dhe Peter Singer “…ligji shëndetësor dhe bioetika kanë zhviluara disa disciplina të begata që janë të lidhura ngusht. Ato kanë një mision të përbashkët: kërkimin e përgjigjjeve adekuate në lidhje me problemet e reja që po ngriten dhe luftën për t’i bërë praktikat biomjekësore në përputhje me noramat e përbashkëta etike dhe të ligjit mjekësor. Në bashkëpunim ndërdiciplinar janë duke u bërë zhvillime për abortin dhe eutanazin”. Pra, kjo është sfida e etikës dhe ligjit të cilat duhet të haromizohen nën një formulë pragmatike, që për bazament ka bioetika e cila tenton që teorinë filozofike morale ta bëj më tepër aplikative.

Fund

 

19 prill 2016
12:50

Dritan Dragusha