A ka rëndësi morali në politikë të jashtme?

06 tetor 2020 11:16

Edhe pak javë kanë mbetur deri në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, ku gara elektorale ndërmjet dy kandidatëve, presidentit Donald J. Trump dhe sfiduesit Joe Biden, tashmë është duke u zhvilluar në çdo cep të SHBA-ve. Deri në ditën e zgjedhjeve procesi elektoral do të ketë shumë të panjohura, por ajo që dihet deri më tani është se kjo garë është e fokusuar kryesisht në çështje të politikës së brendshme amerikane.

Gjatë qëndrimit tim në SHBA, gjatë kohës sa isha visiting scholar për një vit akademik në Institutin për Politikë të Jashtme, në Universitetin Johns Hopkins në Washington DC, kisha privilegjin të merrja pjesë në promovimin e parë të librit të një prej politologëve më të njohur amerikan Joseph S. Nye, profesor në Universitetin e Harvardit. Libri i tij A ka rëndësi morali në politikë? Presidentët dhe politika e jashtme nga Roosevelt-i tek Trump-i, është padyshim një pasqyrë e mirë mbi presidentët amerikanë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot. Një libër mbi moralin presidencial amerikan. Një analizë e thuktë mbi etikën e 14 presidentëve të fundit në proceset e vendimmarrjes së politikës së jashtme, një këndvështrim kritik mbi bëmat, gënjeshtrat, intrigat dhe prapaskenat. Një udhëtim nëpër kohë gjatë qeverisjeve së njerëzve më të fuqishëm të globit. Nye i fut në “proces të skenimit” presidentët ndërmjet tri elementeve: qëllimet e motivet, mjetet dhe konsekuencat. I fundit në analizën e Nye është presidenti aktual Donald J. Trump.

Pse presidenti Trump është ndryshe nga presidentët e tjerë amerikanë?

Presidenti Trump nuk është presidenti i parë në historinë amerikane që futet në Shtëpinë e Bardhë duke humbur votën popullore, por i pesti (ku sipas sistemit zgjedhor amerikan rëndësia ka ai që fiton shumicën e nevojshme të kolegjit elektoral dhe jo të votës popullore). Sipas Nye, presidenti Trump është ndryshe nga presidentët tjerë amerikanë dhe atë për disa arsye. Trump është presidenti në moshë më të vjetër i zgjedhur për këtë post (70 vjeçar) dhe njëkohësisht më i shëndetshmi. Si një sipërmarrës i suksesshëm nga New York, ai nuk i takonte establishmentit të zakonshëm politik amerikan, dhe për më tepër nuk iu nënshtrua filtrave paraprakë politikë dhe partiakë, hapa të zakonshëm për ngjitje në maje të pushtetit amerikan. Me një sfond nga bota e biznesit, Trump kultivon një stil të ri të sjelljes politike jokonvencionale, sikurse një qasje të re ndaj shtypit dhe mediave. Veçantisë së presidentit Trump i shtohet edhe përdorimi i rrjetit social Twitter, platforma e tij e preferuar. Teksa stafi i Shtëpisë së Bardhë bënte përpjekje për ndërhyrje në cicërimat e zotit të shtëpisë, sepse nuk tingëllonin shumë “presidenciale”, Trump kundërshtoi. Ai tha se “ky është megafoni im. Kjo është mënyra që unë flas direkt me njerëzit pa asnjë lloj filtri”. Ndërkohë që Trump përdor Twitter, Theodore Roosevelt përdorte fjalimet publike, Franklin Roosevelt përdorte radion, ndërsa John F. Kennedy televizionin. Me Kennedy-n presidenti Trump ka disa të përbashkëta. Të dy vunë në siklet administratat e tyre duke “shkrirë vijën e kuqe” ndërmjet sjelljes private dhe publike. Një element tjetër sipas Nye është se të dy presidentët i janë shmangur të vërtetës duke thënë gjysmë të vërtetën apo të pavërteta. Sipas data-bazës së Washington Post Fact Checker, gjatë 18 muajve të parë në presidencë, Trump ka bërë 3251 pohime çorientuese ose të pavërteta. Ndërsa, shmangia e shërbimit ushtarak në Vietnam është një pikë, ku presidenti Trump puqet me presidentët Clinton dhe W. Bush.

Që nga debati i parë brenda kandidatëve republikanë dhe replikat me moderatoren e njohur Megyn Kelly (Fox News) e deri në ditën e celebrimit si president, Trump ishte dhe mbeti në epiqendër të medias, sepse ishte ndryshe nga presidentët e tjerë. Duke u deklaruar ndryshe, duke u shprehur ndryshe dhe duke folur ndryshe për miqtë e armiqtë, për shtetet e organizatat e ndryshme, për homologët e për gazetarët. Si presidenti i parë amerikan ai sfidoi konsensusin ndëramerikan mbi rendin liberal ndërkombëtar, të etabluar pas vitit 1945. Duke e quajtur NATO-n të dalë mode dhe duke i sugjeruar Japonisë dhe Koresë Jugore të zhvillojnë kapacitetet e tyre për armë nukleare, duke i zëvendësuar me ato të SHBA-ve, ai i kompleksoi edhe ekspertët më të njohur të sigurisë amerikane. Presidenti Trump është duke çuar përpara një politikë të jashtme ndryshe, ku qëllimet e pararendësve të vet ndryshojnë nga synimet e tij. Ai ka qasje ndryshe ndaj politikës ndërkombëtare dhe shpesh vepron me strategji ndryshe. Listës “ndryshe” i shtohen edhe një mori karakteristikash, të cilat është e pamundur të listohen në këtë artikull sipas përshkrimit që i bën Nye.

Kosova në politikën e jashtme amerikane

Kosova zë vend në librin e Nye, kuptohet më së shumti gjatë administratës së presidentit Clinton (1993-2001). Kur Clinton e dërgoi në Evropë Sekretarin e ri të Shtetit, Warren Christopher, shumë evropianë u ndanë të zhgënjyer nga mungesa e lidershipit të ri amerikan, ngaqë ishin mësuar me administratën aktive të presidentit Bush. Sipas Nye, kur Serbia ndërmori masa represive ndaj kosovarëve duke ushtruar edhe spastrim etnik, presidenti Clinton nuk lejoi të përsëritej një Ruandë apo Bosnje tjetër. Për të mos e lejuar këtë, ai synonte të merrte dritën e gjelbër nga Këshilli i Sigurimit për përdorimin e forcës në përputhje me kapitullin shtatë të Kartës së OKB-së, por që bllokohej nga Federata Ruse dhe Kina. Megjithatë, Clinton vendosi ta ndalojë spastrimin etnik. Ai u pajtua për bombardime nga ajri, por jo për të dërguar trupa tokësorë.

Clinton e arsyetonte intervenimin perëndimor si intervenim humanitar, i cili kishte legjitimitet moral edhe pse ai është i diskutueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare dhe që më së shumti kritikohet nga realistët. Lufta e Kosovës (dhe jo siç e quajnë disa konflikti në Kosovë) u fut për disa muaj në një gjendje pa rrugëdalje në raportet amerikano-ruse. Clinton kishte investuar shumë kohë dhe shpenzuar shumë energji që të krijojë një raport personal me presidentin rus Boris Yeltsin me bindjen e përhapjes së rrymave dhe vlerave demokratike edhe në Federatën Ruse. Por, Clinton kishte në krah dy njerëz me memorie të veçantë përballë Rusisë, Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright dhe shokun e studimeve Strobe Talbott. Për të parën dihet shumë, mjafton të lexohet librit i Talbott Dora e Rusisë: Një kujtim i diplomacisë presidenciale. Në këtë drejtim Clinton bëri edhe hapa të guximshëm, saqë ai e zgjati dorën e bashkëpunimit edhe më tutje me Rusinë. Ai i ofroi Rusisë të bëhet për herë të parë pjesë e G8-tës. Ndërsa, në anën tjetër arriti zgjerimin e NATO-s drejt Evropës Lindore, e cila ishte padyshim një shuplakë për perandorinë në shuarje sovjetike.

Katër rrymat e politikës së jashtme amerikane

Walter Russel Mead një profesor tjetër i njohur amerikan ka arritur suksesshëm ta reduktojë politikën e jashtme tradicionale amerikane në katër rryma teorike, të bazuara dhe të emërtuara nga ish-politikanë amerikanë.

Rryma e parë është hamiltoniane e quajtur me emrin e njërit nga baballarët të SHBA-ve dhe ministrit të parë të Thesarit të SHBA-ve, Alexander Hamilton (1755-1804). Hamiltonianët përfaqësojnë një variant të politikës së jashtme amerikane, e cila është internacionale, por e bazuar në faktorin e fuqisë, pra realiste. Me fjalë të tjera ata synojnë tregti të integruar globale, por me kushte të favorshme për ekonominë nacionale duke e përkrahur me masa stimuluese dhe mbrojtëse. Për ta çuar përpara këtë qasje Hamilton synonte një qeverisje të centralizuar me një ekonomi të fortë që ruan stabilitetin e brendshëm dhe vepron jashtë fuqishëm. Presidenti George H. W. Bush (1988-1992) mund të etiketohet si përfaqësues i kësaj rryme.

Wilsonistët bazohen në principin sipas të cilit politika e jashtme e SHBA-ve ka detyrim moral në përhapje vlerave e demokratike sociale amerikane, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të arrihet një botë paqësore e bazuar në rregullat dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Përhapja e këtyre vlerave do të ishte në interesin nacional të SHBA-ve. Kjo rrymë bazohet në vizionin e presidentit Woodrow Wilson (1913-1921), i cili gjatë Luftës së Parë Botërore dërgoi dy milionë ushtarë në Evropë për ta bërë botën më të sigurt duke mposhtur të keqen. Ai ideoi krijimin e Ligës së Kombeve dhe të një Gjykate Ndërkombëtare. Vizioni i tij ishte një përzierje e përkufizimit të normave ndërkombëtare ndërmjet shteteve, tregtisë liberale, sigurisë kolektive dhe parimit të vetëvendosjes që do duhej të siguronte paqen globale. Pra, wilsonistët janë e kundërta e izolacionstëve, të cilët në fokus e kanë veten e tyre, por multilateralistë. Presidenti Bill Clinton (1993-2001) është përfaqësues tipik i kësaj rryme.

Jeffersonistët i takojnë rrymës së tretë e cila është oponenca e wilsonistëve, ngaqë ata nuk bëjnë thirrje për përhapje të vlerave demokratike amerikane dhe perëndimore, por për fokusim tek nacionalja. Pra e kundërta e një politike të jashtme aktive. Ithtarët e kësaj rryme nuk janë internacionalistë, por as izolacionistë sikurse jacksonianët. E bazuar në idetë e presidentit të tretë amerikan Thomas Jefferson (1801-1809), kjo rrymë synon të shmangë detyrimet për aleanca me shtetet e tjera, ngaqë një gjë e tillë e rritë rrezikun e futjes në luftë. Me fjalë të tjera kjo rrymë dallon shumë nga hamiltonianët dhe wilsonistët. Fjalimet e presidentit Barack Obama (2009-2017), ku ai fliste për fuqinë dhe domethënien e shembullit të SHBA-ve në botë, si një shëmbëlltyrë që do t’i lërë përshtypje botës, janë elemente tipike të kësaj kategorie.

Jacksonistët bazohen në vizionin e presidentit të shtatë amerikan, Andrew Jackson (1829-1837), sipas të cilit qëllimi i politikës së jashtme amerikane duhet të jetë siguria dhe mirëqenia e qytetarëve amerikanë, pra izolacionsitë klasikë dhe unilateralistë. Jacksonistët i kushtojnë rëndësi fuqizimit të ekonomisë dhe gatishmërisë për konflikte të mundshme. Për jacksonistët, ndërhyja e SHBA-ve në çështje ndërkombëtare vetëm se çka i shkakton kokëçarje vetes. Jacksonistët ndihmojnë shtetet e tjera ku të munden, por synojnë mënjanimin e konflikteve apo luftërave. Por, nëse vendi sulmohet sikurse në Pearl Harbor apo sikurse më 11 shtator 2001 atëherë lufta, edhe pse mjet i padëshirueshëm, bëhet i pashmangshëm.

Katër rryma në një makinë

Kur Mead e botoi librin e tij Parashikimi Special: Politika e Jashtme Amerikane dhe si e ndryshoi botën në vitin 2002, ai e përmbylli librin duke analizuar muajt e fundit të administratës së Clinton, politikën e jashtme të së cilit e krahasoi më një makinë. Metafora me makinë pak a shumë është si në vijim. Në ulësen e përparme, janë ulur wilsonistët dhe hamiltonianët, ngaqë janë dakorduar që makinën ta ngasin shpejt, por që nuk janë marrë vesh për kursin (shpejtësinë) më të mirë. Derisa këmbët e tyre ishin së bashku duke shtypur gazin, ata filluan të luftojnë për timonin. Jeffersonistët të ulur prapa shoferit ankoheshin më zë të lartë se makina po shkonte shumë shpejt dhe se po bënte kthesa të gabuara. Të tri rrymat ​​ishin aq të zëna kundër njëra-tjetrës, saqë në fillim asnjëra prej tyre nuk vuri re që motori, pra jacksonistët, përkrahja e të cilëve për t’i dhënë makinës fuqinë dhe drejtim, nuk po reagonte më. Hamiltonianët dhe wilsonistët shtypnin gazin, por kot, makina vazhdoi të ngadalësohej. Megjithatë, ajo nuk u ndal. Makina kishte ende fuqi nga e kaluara, kur motori jacksonian dha gjithçka për Luftën e Ftohtë. Më vonë, kur makina drejtohej teposhtë, politika e jashtme ishte e lehtë. Por me kalimin e kohës makina dukshëm ngadalësohej dhe po bëhej gjithnjë e më e vështirë për t'u ngjitur në kodra.

Mësimet e nxjerra nga kjo metaforë mund të jenë të shumëllojshme, por për politikën e jashtme amerikane, rrjedhimisht edhe atë ndërkombëtare, janë vendimtare. Sipas metaforës së makinës, rëndësia fillon padyshim aty, te vendi ku ulet secili. Çdo ulje në sedilje e ka rëndësinë e vet, sikurse ai që e mban timonin dhe ai që e shtyp gazin. Të gjitha këto radhitje do t’i mësojmë më 4 nëntor.

06 tetor 2020
11:16

Faruk Ajeti