Minishengeni si mjet dominues

16 shtator 2020 10:39

Në shkrimin e mëparshëm Visar Ymeri paraqiti një argument të logjikshëm se si jashtë aspektit politik, ku drejtësisht kërkohet që Kosova të pranohet si shtet i barabartë paraprakisht, minishengeni hap një dinamikë të re që, siç thotë ai, krahas qarkullimit të lirë të mallit e kapitalit, garanton edhe qarkullimin e lirë të njerëzve.

Por, shkrimi në përfundim, duke tentuar të thyejë fantazmën, të lë të besosh në të pasi të kemi pranuar të luajmë barabartë. Në atë shkrim, në njërën anë thuhet se integrimi në vetvete nuk është i dëmshëm por se lloji mund të jetë. Ndërsa është pikërisht lloji i integrimit çka na brengosë dhe që është temë e diskutimit në shumicën e rasteve. Teoritikisht, ka mjaft literaturë që argumenton benefitet e tregtisë së lirë (shembulli tipik është ilustrimi i teorisë së Ricardo-s ku secili vend specializohet në avantazhet krahasuese), por edhe praktikisht dihet që është integrimi në rregullin liberal ndërkombëtar dhe ai rajonal sikur marketi i përbashkët i BE-së që kanë avancuar zhvillimin në përmasa të jashtëzakonshme. Përveç përfitimeve, tregtia dhe qarkullimi i mallrave, kapitalit dhe njerëzve (i njohur si globalizim) nuk është diçka që mund t’i ikim apo të përfitojmë duke tentuar të izolohemi nga ajo. Përkundrazi.     

Por, t’i largohemi kontekstit rajonal dhe atij të minishengenit specifikisht dhe të flasim për minishengenin si reprezentues teorik i tregtisë së lirë, pa analizuar ndikimin në terren rrezikon të arsyetojë një projekt të pafavorshëm për Kosovën. 

Minishengeni në këtë rast nuk është fantazma e tregtisë së lirë, por doemos është fantazma e Serbisë. E them këtë duke u bazuar ne faktet e paraqitura më poshtë analizuar numrat dhe kontekstin, jo në frikë abstrakte. Të shikojmë nga lart numrat kyç: popullata, GDP, dhe kompleksiteti ekonomik për të kuptuar se si pozicionohet Kosova dhe vendet tjera karshi Serbisë.

Popullata

Tregtia nuk zhvillohet pa njerëz, dhe numri i popullatës është një faktor bazik që duhet të konsiderohet. Nëse marrim parasysh të gjithë anëtaret potencialë të projektit minishengen, rreth 40% e popullatës është në Serbi dhe 19% në Bosnje dhe Herzegovinë. Të dyja bashkë i afrohen 60%. Deri në vitin 2050, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, thuajse të gjitha shtetet (përveç Kosovës) do të kenë tkurrje në popullatë. Dhe përderisa edhe ne vitin 2050 Serbia mbetet shteti më i madh në krahasim me tjerët, ajo zbret prej 39% të përbërjes së popullatës totale të minishengenit të propozuar, në 36% duke humbur rreth -1.5 milion banorë. Shqipëria pritet të humbë rreth 464 mijë, ndërsa Kosova të fitojë 282 mijë (që së bashku mes dyjave humbën vetëm 181 mijë.) Natyrisht, popullata pa faktorët e tjerë ekonomikë nuk ka vlerë (shih krahasimin mes Iranit e Izraelit p. sh. 81 milionë e para, rreth 9 mil. e dyta, ndërsa të ardhurat vjetore 458 miliardë për Iranin, 387 miliardë për Izraelin që e bën të dytën shumë më të pasur për kokë banori dhe rritë kapacitetin për të investuar në zhvillim të mëtutjeshëm përmes edukimit, shëndetësisë, mbrojtjes etj.) Por se si market konsumues, dhe për kapacitete prodhuese, rënia relative në numër të popullatës në Serbi nuk është lajm pozitiv. Izraeli p. sh. pritet të shkojë prej 9 milionë në rreth 13 milionë banorë deri më 2050. Balanci mes numrit dhe kualitetit të numrit është tejet i rëndësishëm, dhe për Serbinë nëse nuk ndryshon qasjen për të tërhequr investime dhe ngritur kualitetin, atëherë edhe numri vazhdon të bjerë përmes imigracionit duke dobësuar aktivitetin ekonomik edhe më tutje dhe me të relevancen në marrëdhënie ndërkombëtare.

E njejta vlen edhe për Shqipërinë, dhe vendet e tjera përreth, dhe në këtë kontekst edhe nevoja për të bashkëpunuar është e madhe, por se krahasimisht popullata e Kosovës dhe e Shqipërisë, e marrë së bashku, nuk e ka të ardhmen demografike në rënie relative të njëjtë sikur Serbia dhe ka më pak arsye për t’u ngutur në një marrëveshje që bashkon popullatat në një treg në të cilin bashkëngjitet pa ditur qartë përfitimet e pritura dhe pozitën relative me Serbinë që pritet të evoluojë si rezultat i këtij bashkëpunimi.

GDP – Prodhimi i Brendshëm Bruto

Të bësh të gjithë anëtarët e minishengen bashkë, arrijnë 110 miliardë të GDP vjetore, ndërsa vetëm Greqia (ekonomia e 16-të në BE) ka GDP rreth 210 miliardë. Ndërsa 46% e GDP-së së minishengenit do të ishte vetë Serbia me 51 miliardë GDP. Është ende e paqartë se çfarë kapitali i Kosovës dhe i Shqipërisë qenka i interesuar të hyjë më thellë në marketet e Serbisë. Çfarë po e pengon Shqipërinë që ta thellojë integrimin e mëtutjeshëm me ekonomitë Evropiane sikur Italia dhe vendet e tjera, me të cilat lidhet edhe më lehtë, por edhe mund të ketë edhe më pak barriera për shkak të marrëdhënieve më të mira politike? Duke marrë parasysh vetëm krahasimet mes popullatës dhe GDP-së, një integrim të mëtutjeshëm ekonomik mes këtyre vendeve, natyrisht se ekonomitë më të vogla sikur Shqipëria dhe Kosova vetëm rrezikojnë të gravitojnë më tutje rreth Beogradit që mund të shitet si epiqendra e këtij marketi si minibllok në relacion me blloqet e tjera ekonomike, duke fituar edhe më shumë potencial që të influencojë edhe të ardhmen ekonomike e me të edhe politike të vendeve fqinje.

Kompleksiteti Ekonomik

Le të marrim edhe një faktor të rëndësishëm krahasues, i cili mat se sa komplekse është një ekonomi. Sa më komplekse nënkupton që ka më shumë diversitet që e bën tregtinë e asaj ekonomie më dinamike. Në fillim të listës për nga kompleksiteti ekonomik p. sh. figurojnë vendet sikur Japonia, Zvicra dhe Gjermania, ndërsa në fund vendet sikur Siria, Sierra Leone dhe Niger. Në radhitjen e ekonomive më komplekse, Serbia është numër 38 ndërsa Shqipëria numër 90, Maqedonia Veriore 70, Bosnia Herzegovina 42 (pa statistika për Kosovën dhe Malin e Zi, por se mund te marrim parasysh se Kosova nuk pritet te jetë shumë larg Shqipërisë.)

Kjo automatikisht nënkupton se çfarëdo hapjeje dhe integrimi mes vendeve në emër, konkurrenca e tregtarëve serbë është shumë më e madhe.  Sipas statistikave, atëherë shohim se Serbia e ka përparësinë demografike (popullatë) resurset financiare (GDP) me të ardhura shumë më të larta, dhe bazën ekonomike industriale me rrjete tregtare më të thella (kompleksiteti ekonomik) dhe që të gjitha në kombinim mund të përdoren me shtete relativisht më të vogla, me politika të ndara (p. sh. Shqiperia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Bosnia Herzegovina nuk shohin me të njëjtit sy) që e bën dominimin jo vetëm të mundshëm, por krejtësisht të lehtë. Këto janë krahasime numerike dhe kontekstuale, jo frika nga fantazma.

Dhe e gjithë kjo pa hyrë në problemet politike mes palëve dhe ambiciet territoriale ose destabilizuese të Serbisë në rajon. Në skenarin më të mirë të mundshëm, e tëra mbetet vetëm edhe një marrëveshje tjetër në emër praktikisht jo efektive për shkak të mos adresimit të problemeve themelore mes shteteve. Ndërsa në skenarin më të keq Serbia e shfrytëzon projektin maksimalisht kundër Kosovës, sidomos duke pasur nën shënjestër komunat serbe të cilat mund të tentojë t’i ndërlidhë më tutje me qëllim afatgjatë të shkëputjes së tyre, dhe pse jo edhe të zgjerojë ndikimin në qendrat politike të Prishtinës dhe Tiranës.

Prandaj, duke pranuar argumentin e Visarit, si parakusht i parë për minishengen duhet insistuar jo vetëm që të ketë trajtim të barabartë, por njohje reciproke (ngase mund të thuhet se ka trajtim të barabartë e respektim të rregullave edhe pa njohje reciproke që e lë Kosovën të kontestueshme politikisht.) Dhe parakusht i dytë që ky treg të mos jetë mini-shengen por ose drejtpërdrejt integrim në BE – ose hap paraprak harmonizimi rreth integrimit në BE (pa kapacitete të një blloku ekonomik ku hiqen tarifat etj.) Integrimi i mëtutjeshëm ekonomik me Serbinë pa pasur edhe lojtarë tjerë, që mund ta balancojnë influencën e saj nuk duhet pranuar edhe po të bëhej njohja reciproke ngase vetëm atëherë do të ketë një regjim dhe mekanizëm më të lartë, i cili kontrollon ambiciet e Beogradit. Nënshkrimi në letër nuk është mekanizëm, ndërsa balancimi i fuqive po.

16 shtator 2020
10:39

Ard Morina