Shteti Civil përballë “Bi-etnocentrizmit”: Reflektim mbi retorikën e zgjedhjeve parlamentare 2020 në Maqedoni.

11 gusht 2020 11:14

Sapo të kaloni kufirin Kosovë-Maqedoni Veriore (tutje referuar si Maqedoni), pranoni një mesazh në telefon ku spikasin fjalët:“Mirësevini në Maqedoniqendrën e civilizimit” (…), edhepse shumëherë ajo çfarë ka munguar në këtë shtet ka qenë pikërisht civilja e civilizimi. Kronologjikisht, zhvillimet kryesore në Maqedoni nga shpallja e pavarësisë më 1991 e këndej kanë qenë jo rrallëherë të shoqëruara me paqëndrueshmëri politike e skandale/konflikte me bazë mosdurimi kombëtar/etnik e diskriminimi, kryesisht ndërmjet dy grupeve më të mëdha etnike; maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ndarja dhe distanca ndërmjet komuniteteve ka qenë herë shkak e herë pasojë e veprimeve politike. Miratimi i kushtetutës më 1991 (me referenca kryesore ndaj maqedonasve etnikë) shpërthimi i konfliktit të armatosur më 2001 dhe miratimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO), skenat e dhunës dhe skandalet e motivuara etnikisht nëpër shkolla e salla sportive, politika e njohur si Antikvizacija e projekti Skopje 2014, ngjarjet në Kumanovë më 2015, skandali me përgjimet e politikanëve të nivelit të lartë dhe dhuna në kuvend më 2017 pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i kuvendit, ndër të tjera. Përkundër këtyre ngjarjeve të cilat kushtimisht ishin zhvillime “jocivile” dhe historikut me zhvillime jo shumë të këndshme dhe në linjë me shtetin civil, ndryshimi i pushtetit më 2017 me ardhjen e socialistëve në pushtet (në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim), sikur e bëri të paramendueshme funksionimin e Maqedonisë si një shtet civil. Në këtë linjë ishte edhe programi i udhëheqësit të qeverisë Zoran Zaev, dikur kryetar i një komune në lindje të shtetit, dhe i zgjedhur si kryetar i partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (SDSM) më 2013.

Qeveria e re u angazhua për kthimin e demokracisë në kuvend, rritjen e rolit të shoqërisë civile në organet punuese të kuvendit, nismës legjislative për Ligjin e Gjuhëve (me referencë fuqizimit të gjuhës shqipe në nivel shtetëror), heqjen e ndikimeve mbi mediat, reformë të administratës publike (RAP), reformë të shërbimeve të sigurisë/inteligjencës dhe luftë kundër krimit e korrupsionit, ndër të tjera. Kryeministri Zaev në publik u portretizua si një miniTrudeau, për shkak të diskursit barazitar e përbashkues, e aspak nacionalist, sikundër kishte ndodhur kryesisht nga figurat e larta partiake të partive kryesore të taborit maqedonas. Përpos në aspekt të brendshëm, Zaev shihej si liberal e bashkëpunues edhe në nivel tejshtetëror dhe këtë edhe e dëshmoi me nënshkrimin e marrëveshjes së Przinos me Greqinë dhe marrëveshjet e miqësisë me Bullgarinë por edhe me përpjekjet për integrim në struktura tejshtetërore.

Madje, mjedisi i ri politik, larg zbavitjeve e skandaleve të motivuara etnikisht, kishte bërë që shumë pjesëtarë të komunitetit jomaqedonas ta përkrahin kryeministrin Zaev, si një reformator jo vetëm politik por mbase edhe kulturor. Atmosfera e re vihej në pah fillimisht nga partia e tij. Në LSDM kishte anëtarë shqiptarë (siç pati edhe votues), ministër shqiptar në qeveri nga ana e partisë por edhe një nënkryetar të partisë nga komuniteti shqiptar. Përpos kësaj, në media sociale, anëtarët e qeverisë kishin filluar një varg videosh vetëdijësuese për larmishmërinë kulturore në Maqedoni; zyrtarë e politikanë të profilit të lartë shfaqeshin duke dëgjuar muzikë të kulturave të tjera nga ajo që i takonin, të njëjtët e bartnin “sfidën” tek kolegët e tyre të tjerë, poashtu të etnive/kulturave të tjera. Krejt kjo në funksion të thyerjes së distancës sociale dhe animin kah interkulturalizmi (bashkëveprimi ndërmjet kulturave të ndryshme) pasi për multikuluralizëm nuk po diskutohej më.

Shteti civil u duk më afër se kurdoherë. Pas vitesh të tëra dominimi të retorikës, politikave e zhvillimeve me bazë nacionaliste/etnike zbarkoi “civilja” kryesisht nga niveli i lartë, politikanët e politika. Por, fushata dhe periudha e para zgjedhjeve parlamentare 2020, shpërfaqi plogështinë e shtetit civil dhe mbase ngazëllimin e tepërt me realitetin e ri, të një shteti barazitar, në të cilën shoqëria e komunitetet lidhen për vlera liberale e civile, e jo për vlera të caktuara kulturore a etnike.

 Partia e cila ka dominuar në politikë nga partitë politike shqiptare BDI, shfaqi një platformë që në qendër kishte marrjen e pozitës më të rëndësishme politike, atë të kryeministrit. E tillë ishte edhe motoja e zgjedhjeve, Realizojmë ëndrrën. BDI e synonte këtë pozitë pasi sipas besimit të tyre, shqiptarët në Maqedoni kishin arritur të ushtronin dy funksione tjera të rëndësishme shtetërore, për të cilat ka mbizotëruar mendimi që është vështirë të udhëhiqen për shkak të pamundësisë dhe diskriminimit ndër vite të komunitetit shqiptar (pozitën e Ministrit të Brendshëm dhe Kryetarit të Kuvendit) dhe këto “suksese” ishin kryesisht falë politikave e kërkesave të kësaj partie mbase edhe presionit e kushtëzimit. Por, kësaj kërkese iu përgjigjën me të njëjtën monedhë dy liderët e dy partive politike më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev (SDSM) dhe Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE), kundërshtarët më të mëdhenj politikë në taborin e partive maqedonase. Të dy nuk e pranuan idenë e një kryeministri shqiptar dhe u shprehën për bashkim të forcave të tyre politike kundrejt platformës së BDI-së.

Kjo retorikë vetëm sa e vë në pah brishtësinë dhe jonatyrshmërinë e dëshirës dhe përcaktimit për një shtet civil dhe një shoqëri për të gjithë. Sa njëra, aq edhe tjetra palë, janë dëshmi se “modernizimi” i atypëratyshëm nuk është afatgjatë, që në plan të fundit, të gjithë i kthehen kartës nacionaliste kurdo që vërejnë se po rrezikohen prestigji, fuqia a interesat e caktuara. I gjithë mundi, përpjekjet dhe diskursi për ndryshim të konceptit të shtetit, të shndërrimit të shoqërisë në një shoqëri gjithëpërfshirëse madje edhe “lufta” fizike e shfaqur në kuvendin e Maqedonisë, në mbrojtje të kësaj kauze, duket se ra në greminë.

Kërkesa për kryeministër shqiptar mund të konsiderohet si mënyrë për të siguruar të drejta të barabarta për shqiptarët dhe përfaqësim të tyre në pozita të larta. Mirëpo, kryeministri shqiptar do të mund të kandidohej edhe p.sh. nga LSDM, ose edhe nga parti të tjera që kanë në anëtarësi pjesëtarë të komunitetit shqiptar.

Kur Klaus Iohannis u zgjodh president i Rumanisë, kjo nuk ishte rezultat i kërkesave të pakicës saksone transilvaniane në Rumani për përfaqësim, ngjashëm, edhe mundësia për një kryeministër shqiptar do duhej të vinte si rezultat i kushteve e rrethanave, të posedimit të interesit për të pasur një kandidat të përgatitur e të gatshëm për të marrë përgjegjësi, por jo hëpërhë për shkak të origjinës a përkatësisë etnike. Një kushtëzim i tillë do të mund të kishte efekt boomerang tek grupet e tjera pakicë, pasi në të ardhmen, përqindja e popullsisë sipas përkatësisë etnike do mund të pësonte ndryshim; pastaj kushtimisht një komunitetet më i madh se grupi i dytë aktualisht, do kërkonte që të kishte një kryeministër nga radhët e veta. Duke pasur parasysh të kaluarën problematike të Maqedonisë, të tilla projeksione nuk do sillnin as kohezionin shoqëror e as qëndrueshmërinë politike, për të cilën është dashur aq shumë punë e angazhim sidomos nga ndërkombëtarët.

Tashmë, mbetet të shihet se cili nga dy “etnocentrizmat” do të dalë trimfues; kryeministri shqiptar, bashkimi SDSM-VMRO/DPMNE, apo një projeksion i ndërmjetëm i opsioneve, por është e qartë që shteti civil është një feniks politik, i kohëpaskohshëm, jo me rrënjë të vendosura nga dëshira dhe besimi për një projeksion të tillë, por nga shtysa për t’u dukur mirë para një elektorati të caktuar dhe para faktorit ndërkombëtar brenda dhe jashtë shtetit. Utopia e një shteti barazitar, me demokraci liberale e përbashkuese e gjithëpërfshirëse duket të jetë fat i parashkruar për shtetin e Maqedonisë dhe do vazhdojë të ngrihet si kauzë, do bjerë poshtë e mbase prapë do të përdoret, kurdo që të shihet se ka përfitim nga kjo ide.

11 gusht 2020
11:14

Donika Hamiti