Marrëveshja Kosovë-Europol: një fitore diplomatike nën radar

03 gusht 2020 17:54

 

Marrëveshja e parë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (EUROPOL) që u nënshkrua në korrik kaloi pa ndonjë bujë të madhe pavarësisht domethënies e rëndësisë jo të vogël të saj. EUROPOL duke qenë agjenci e BE-së nuk ofron anëtarësime për shtete jashtë unionit, por lidh marrëveshje bashkëpunimi në nivel strategjik dhe operacional. Marrëveshja e saponënshkruar, në mënyrë substanciale, i shton mundësitë për institucionet e vendit të shkëmbejnë me institucionet e shteteve të BE-së në përpjekjet e përbashkëta të luftimit të terrorizmit, krimit kibernetik dhe formave tjera të krimit të organizuar. Sigurisht, ky mund të shihet edhe si një hap përpara i Kosovës edhe nga pikëpamja diplomatike, meqë deri në anëtarësim në BE kjo, së bashku me ndonjë marrëveshje eventuale plotësuese për aspektin operacional, mbetet korniza që do të qeverisë marrëdhënien me EUROPOL.

Pavarësisht domethënies, kjo ngjarje kaloi pa u vërejtur shumë në opinionin publik në Kosovë. Pandemia aktuale po shkakton kufizime që po ndikojnë në formatin e ngjarjeve zyrtare duke i reduktuar ato në ceremoni më modeste sesa në kushte të zakonshme. Kjo u duk edhe te ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshje që u bë në Prishtinë në prani të mediave. Nga ana tjetër, ekziston një tendencë e përgjithshme që të theksohen e polemizohen vështirësitë apo dështimet, dhe shumë pak hapësirë mbetet për ato gjëra që shkojnë si duhet. Ky shkrim ka synimin e dyfishtë të ngritjes së vëmendjes rreth kësaj marrëveshje, si dhe të nënvizojë disa mësime të nxjerra përgjatë rrugës se arritjes së saj.

Edhe pse e cilësuam si modeste ceremoninë e përmbylljes së marrëveshjes,  ajo megjithatë, u nënshkrua në një ngjarje ku para mediave dolën Ministri i Punëve të Brendshme, Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë dhe Drejtori i Policisë. Ky ishte niveli më i lartë zyrtar, i përfshirë publikisht në të gjithë procesin e gjatë të lobimit dhe të arritjes së kësaj marrëveshjeje, që ka përshkruar angazhimin institucional të së paku pesë qeverive të fundit në Kosovë. Kjo qasje diskrete, ndoshta edhe atipike për përpjekjet diplomatike të Kosovës, është shumë e mundshme të ketë qenë një nga elementet kontribuuese në përmbylljen e saj të suksesshme.

Kosova ka pasur një prezencë të paprecedent të organeve evropiane, në fushën e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimi me to mund të thuhet të jetë më i thellë se në cilindo prej vendeve që aspirojnë anëtarësim në BE. Megjithatë, në mënyrë shumë paradoksale ka pasur mungesë të moduseve të bashkëpunimit përmes marrëveshjeve dhe kanaleve konvencionale të shkëmbimit mes BE dhe shteteve të treta. Kjo ka bërë që puna e përbashkët e Kosovës, në operacione të panumërta, në nivel evropian të bëhet përmes aranzhimeve të improvizuara që sigurisht se kanë rezultuar në shumë energji të humbura në gjetjen e rrugës së bashkëpunimit për të luftuar krimin - i cili nuk ka fare problem kur është puna te bashkëpunimi ndërkombëtar. Thënë shkurt mungesa e deritanishme e një marrëveshje me siguri se ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen, por edhe në cilësinë e bashkëpunimit ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit të Kosovës dhe atyre evropian.

Duhet të nënvizohet që mungesa e një marrëveshjeje të tillë bashkëpunimi, ndërmjet Kosovës dhe EUROPOL, nuk ka qenë për shkak se Kosova nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Aq më pak për mungesë të përmbushjes së kushteve teknike apo të përgatitjes së institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Dihet mirë se Kosova ka një forcë policore moderne dhe të përgatitur mirë profesionalisht, që mund të shërbejë edhe si model për shumë vende të cilat gëzojnë nivel shumë më të thellë të bashkëpunimit me EUROPOL. Një nga arsyet kryesore që ka penguar thellimin e bashkëpunimit dhe kurorëzimin e tij me një marrëveshje, pa dyshim ka qenë fakti i mosnjohjes të Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së. Pra edhe në këtë rrugëtim është përballur me pengesën e saj kryesore, por jo të vetmen, që e ka në rrugën e integrimit evropian. Prandaj, arritja e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit, pavarësisht pengesave, përbën një rast nga i cili mund të nxirren disa mësime apo rekomandime edhe në përpjekje tjera të mëtutjeshme diplomatike të saj. Sigurisht që në rrugën e gjatë dhe komplekse drejt arritjes së kësaj marrëveshje ka shumë detaje që nuk do të përfshihen në këtë shkrim, por këtu nënvizohen disa nga faktorët kyçë në sytë e autorëve.

1. Kohëzgjatja  - punët e mira marrin kohë

Një nga karakteristikat veçuese të punës së institucioneve për arritjen e kësaj marrëveshje është kujdesi dhe takti me të cilin institucionet i janë qasur kësaj përpjekje. Duke qenë i vetmi vend në rajon pa marrëveshje kontraktuale me EUROPOL, dhe të njëjtën kohë një nga vendet më kontribuuese në operacionet e ndryshme pan-Evropiane të organizuara nga vetë EUROPOL, Kosova ka pasur të gjitha argumentet e nevojshme për ta shtyrë përpara një marrëveshje të tillë. Kjo mund të ketë ushqyer impulsin e vendimmarrësve për të ndërmarrë ndonjë një fushatë lobuese publike më agresive, mirëpo në realitet qasja ka qenë e ndryshme dhe me e suksesshme. Kërkesa për bashkëpunim me EUROPOL përgjatë viteve të fundit ka kaluar nëpër duart e shumë zyrtarëve dhe qeverive të ndryshme të Kosovës. Përkushtimi u shtua sidomos nga viti 2016, kur Këshilli i BE-së në takimin vjetor për Ballkanin Perëndimor nënvizoi nevojën për një bashkëpunim të intensifikuar rajonal dhe ndërkombëtar me EUROPOL”. Edhe pse shtetet anëtare e bënë një thirrje të tillë të përbashkët, nuk nënkuptohet medoemos që në praktikë nuk do të haseshin probleme e bllokada nga shtete të përveçme që do të mund ta cilësonin një marrëveshje të këtillë me Kosovën, me implikime më të gjera për sa i përket njohjes së shtetësisë. Pra, edhe pse dukej se rruga ishte hapur ende kishte drojë se shtetet e ndryshme, që do të mund të bllokonin në nivele punuese, siç ndodh shpesh në BE.  Nga ana e Kosovës, ajo që e dallon ketë rast është transferimi i kësaj dosje nga një Ministër në Ministrin tjetër edhe duke i kapërcyer vijat ndarëse të kampeve politike.

2. Konteksti, argumentimi, dhe qasja

Tjetër veçori, në këtë rast, ka qenë se gjatë lobimit për këtë marrëveshje, argumentet për nënshkrimin e saj janë përqendruar në përfitimet teknike të ndërsjella. Edhe pse një marrëveshje e tillë nga ana e Kosove mund të shihet më lehtë nga pikëpamja e njohjes, dhe subjektiviteti ndërkombëtar, përqendrimi në to dhe futja e kësaj në një kornizë të shtetësisë nuk do të ishte në interes të arritjes së qëllimit. Qasja më teknike dhe pragmatike e bëri më të lehtë punën e menaxhmentit të EUROPOL, si dhe institucionet e BE tjera të përfshira që përgjithësisht kanë pasur qasje mbështetëse ndaj marrëveshjes së tillë. Sigurisht që ato në vazhdimësi dëshirojnë të veprojnë në atë mënyrë që të ruajnë paanshmërinë e tyre ndaj pikëpamjeve të shteteve për çështje të natyrës së politikës tyre të jashtme.

 Element tjetër kyç duket të ketë qenë edhe përzgjedhja e kohës së përshtatshme për të krijuar një momentum për të çuar përpara këtë çështje. Nënshkrimi i MSA-së si dhe disa marrëveshjeve tjera për programe të BE-së që Kosova i arriti kohëve të fundit kanë krijuar një hapje, por jo domosdoshmërisht kanë garantuar një marrëveshje edhe në këtë fushë.  Por fokusi i BE-së në çështjet e sigurisë e luftimit të kriminalitetit posaçërisht pas sulmeve terroriste të fundit e krijuan një hapësirë të re ku përshpejtimi i aktivitetit lobues gjeti një mirëkuptim më të madh për argumentet tanimë të përforcuara në kontekst të ri.

 3. Diskrecioni

Sukseset ne fushën ndërkombëtare gjithmonë sjellin me vete edhe një dozë të triumfalizmit. Por edhe në këtë rast, qasja e kujdesshme në nivel teknik dhe gjithmonë e matur - dhe prapa skenave - ka pasur ndikimin e vet pozitiv. Përgjatë rrugës është dashur të kontrollohet tendenca për të publikuar e reklamuar hapat e ndryshëm të punës edhe kur këto kanë përfshirë takime lobuese, shkëmbime letrash e vizita vlerësuese edhe të njëjtat, u bënë kur ishte e qartë që ndoshta një angazhim i tillë nuk do të jep fryt brenda një mandati politik.

4. Partneriteti

Në gjithë historinë e vet diplomatike, Kosova ka qenë gjithmonë e suksesshme kur ka ndërtuar partneritet me shtetet dhe institucionet relevante në proces. Për vendet e vogla, siç jemi ne, është e rëndësishme të kuptohet që gjerat nuk ndodhin sepse ne mund ta sforcojmë çështjen, por sepse kemi arritur të bindim partneret për gatishmërinë tonë për të lëvizur përpara. Rasti i EUROPOL nuk është përjashtim. Para se të arrijmë të futemi në listën e shteteve prioritare për marrëveshje, ka pasur shkëmbime te vazhdueshme në të gjitha nivelet, dhe me të gjitha institucionet relevante për të krijuar partneritetin e nevojshëm. Edhe atëherë kur këto shkëmbime janë perceptuar si të tepërta, prapëseprapë kanë qenë të nevojshme.

 

* * *

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe EUROPOL-it e shpie Kosovën edhe një hap përpara drejt cakut përfundimtar, anëtarësimit në familjen Evropiane. Siç e kemi parë edhe me marrëveshjet e tjera, të arritura me BE, sfida kryesore mbetet në implementim dhe realizim të plotë, të mundësive të krijuara. Përfundimisht mund të themi që rasti i Europolit mund të shërbejë si udhërrëfyes edhe për iniciativa të tjera diplomatike.

 

03 gusht 2020
17:54

Bernard Nikaj & Labinot Hoxha