Orientimi profesional, strategji e vonuar

30 korrik 2020 10:50

Një ndër punët e para të cilat Ministra e Arsimit do të duhej të fillonte në vend, padyshim se do duhej të ishte përpilimi i një strategjie nacionale e cila do të ndikonte në orientimin profesional të nxënësve; kjo strategji do ta ndihmonte orientimin profesional të nxënësve në masë të madhe. E po ashtu do ta lidhte ekonominë me tregun e punës dhe se do të ndikonte dukshëm edhe në uljen e numrit të të papunëve, kur shohim se kohëve të fundit shumica e të rinjve në vend pas përfundimit të studimeve, si alternativë të vetme po e shohin mundësinë e qasjes në tregun e huaj.

Shkolla e mesme profesionale bujqësore, "Arbëria" në Gjilan, ku aktualisht ushtoj detyrën e mësimdhënëses, është njëra nga shkollat e cila viteve të fundit po e pëson keq nga mungesa e një plani strategjik për orientimin profesional të nxënësve, duke bërë që rënia e numrit të tyre të bie në mënyrë drastike edhe përkundër krijimit të kushteve të veçanta dhe hapësirës për ushtrimin e praktikës profesionale përmes krijimit të serave me perime, stallës së gjedheve, kuzhinës profesionale, laboratorit biokimik si dhe makinave të rrobaqepësisë, falë përfitimit të një donacioni nga një organizatë daneze, kjo për shkak të krijimit të stereotipave tek nxënësit e po ashtu prindërit e tyre të cilët vazhdimisht shprehen se puna në bujqësi nuk sjell benifite për fëmijët e tyre, duke e pasur si alternativë të fundit sjelljen e fëmijëve në këtë shkollë.

Shkollat fillore të vendit duhet të formojnë ekipe të posaçme, të cilat do të duhej të punonin në drejtim të orientimit profesional të nxënësve, konkretisht të ndihmonin ata dhe prindërit apo kujdestarët e tyre në përzgjedhjen e shkollës së mesme dhe profesionin e nxënësve.

Duke u nisur nga kjo, nxënësit në vendin tonë duhet të udhëzohen që të heqin dorë përfundimisht nga mendimi, se të riut i duhet “një karrige”, në mënyrë që të përmbushen ambiciet jetësore, dhe po ashtu nga ideja që të punohet në bujqësi apo profesione me punë krahu i bën më pak të vlefshëm. Përkundrazi ambientimi me punën në natyrë përveç benifiteve të mira shëndetësore, është pjesa më profitabile që mund t'i sjellë njeriut jetë të mirë, derisa mbi të gjitha duhet të fuqizohen ide të tilla në mënyrë që të punojmë më shumë në këtë drejtim dhe të marrin mësim nga vendet e zhvilluara. Para se gjithash, kjo forma është më e duhur që mësimdhënësit duhet t'u sqarojnë nxënësve para se të përcaktohen për karrierën e tyre profesionale, qoftë edhe duke u përpiluar tekste të kësaj natyre me qëllim të vetëdijesimit.

Për Kosovën si vend me mungesë zhvillimi, gjetja e një vendi pune konsiderohet si mision i vështirë, derisa kjo strategji e orientimit profesional pashmangshëm do të ndikonte tek nxënësit që t’i zgjedhin shkollat profesionale si mundësi më të lehtë për punësim dhe se e gjithë kjo bazën do të duhej ta gjente në bashkëpunimin e vazhdueshëm me bizneset, e që përmes të cilave do të duhej t’u ofrohej një pagë solide për punën praktike me qëllim të stimulimit të nxënësve.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit të vitit 2017-2018, në Kosovë janë gjithsej 57 shkolla profesionale, të shpërndara në 26 komuna. Prej tyre, 18 shkolla janë teknike 12 mikse, 9 shkolla ekonomike-juridike, 7 shkolla të mjekësisë, 6 shkolla të artit (prej tyre 1 shkollë arti dhe 5 shkolla muzike), 3 shkolla bujqësore, 1 hotelieri-turizëm dhe 1 fetare, dhe se numri i përgjithshëm i nxënësve që vijojnë shkollat profesionale është rreth 60 mijë.


Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit të Kosovës të nxjerra nga viti 2017- 2018, thuhet se për çdo vit vendit i shtohen nga 6000 mijë të rinj të diplomuar, ndërsa 95 për qind e tyre, nuk arrijnë të gjejnë një vend pune. Në këto 57 shkolla profesionale, po ashtu janë të ndërtuara edhe kabinetet e punësimit me të cilat bëhet mbajtja praktikës profesionale si orë mësimore, dhe nëse numri i nxënësve të ishte më i lartë përfitimet përmes këtyre shkollave do të ishin tejet të larta, ngase nxënësit do të paguheshin për punën që bëjnë në praktikë, e po ashtu buxheti i shkollës do të shtohej nga përfitimet e punës së tyre derisa kjo do të shtonte rritje ekonomike edhe në nivel vendi, ngase do të rritej mundësia për ngritjen e kapaciteteve në prodhimin vendor.

Edhe pse Kosova po mburret me moshën e popullatës si më e reja në Evropë, të rinjtë duke mos pasur perspektivë në punë, janë përcaktuar që të vijojnë pothuajse të gjithë studimet e larta, duke ndikuar edhe në zbutjen e kritereve të pranimit e po ashtu cilësinë e mësimit në institucionet universitare shtetërore dhe private, dhe se nga kjo shohim se jo të gjithë meritojnë t’i vijojnë studimet, e duke u krijuar një numër të madh të rinjve të papunë në vend se me kohë të bënin orientimin e tyre nëpër shkollat profesionale, sepse me aftësimin në këto shkolla përveç se do të vinin më lehtë tek vendi i punës, edhe rritja ekonomike do të ishte e balancuar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë është 30.9 për qind. Ndërsa komuniteti i biznesit dhe sindikatat e punës thonë se ky numër është dukshëm më i madh, duke kaluar 40 përqindëshin.

Në vendin tonë ka shumë punëkërkues, por fatkeqësisht shumë prej tyre janë të pakualifikuar, derisa në këtë rast padyshim që shkollat profesionale janë një mundësi e mirë për kualifikimin e fuqisë punëtore, rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe zhvillimin e vendit.

Profesionalizimi i punëtorëve, gjithashtu është një nga parakushtet për inkurajimin e investimeve të jashtme, sepse pa një fuqi punëtore të kualifikuar, investitorët nuk do të kenë interesim të rritur kapacitetet e investimit në vendin tonë.

Ne kemi shumë të rinj që diplomojnë në universitetet publike dhe private, të cilët fatkeqësisht nuk gjejnë punë, ose detyrohen të bëjnë punë që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre. Ndërsa shumë prej tyre, tashmë, primare kanë braktisjen e vendit me synim të gjetjes së një page të dinjitetshme, derisa kur shohim gjithë këtë me plot fjalë mund të themi se baza për zhvillimin ekonomik në vend është përpilimi i një "Plani strategjik", për orientimin e të rinjve në shkollat profesionale; meqenëse kur bëhet fjalë për inkurajimin për punën profesionale e veçmas atë që sjell rritjen e prodhimit vendor është i patjetërsueshëm fakti se barra më e madhe në këtë drejtim i takon sektorit të arsimit, i cili përmes një strategjie të mirëfilltë, përveç që do të parandalonte ikjen e të rinjve, do të ndikonte në rritjen ekonomike të vendit.

 

30 korrik 2020
10:50

Arba Aliu