Luftë tregtare apo luftë mes klasash?

11 korrik 2020 11:47

Me plot meritë, libri i ri i Matthew C. Klein dhe Michael Pettis, i titulluar “Luftërat tregtare janë luftëra në mes të klasave”,  ka marrë vëmendje të madhe në qarqet akademike dhe në revistat prestigjioze të ekonomisë. Z. Klein është ekonomist që ka punuar për gazetat si: Financial Times, The Economist dhe Bloomberg; ndërsa z. Pettis është profesor i financave në Universitetin e Pekinit.

Luftërat tregtare, zakonisht, portretizohen si konflikte mes vendeve. Njëri vend pretendon që marrëveshja e tregtisë është duke e favorizuar vendin partner. Udhëheqësi demokrat në Senatin Amerikan, Charls Schumer, duke i përkrahur tarifat e vendosura në vitin 2018, tha që “Kina është armik i vërtetë tregtar” dhe “kërcënon miliona vende punë në Amerikë”. Ndryshe nga kjo narrativë, ekonomistët Matthew C. Klein dhe Michael Pettis, argumentojnë që konfliktet tregtare janë kryesisht konflikte në mes të bankiereve dhe zotëruesve të aseteve financiare në njërën anë, dhe familjeve të zakonshme në anën tjetër. Me fjalë tjera, janë konflikte në mes të njerëzve shumë të pasur kundrejt të gjithë të tjerëve.

Argumenti kryesor i autorëve është që rritja e pabarazisë ka ndikuar në rritjen e tepricës së mallrave të prodhuara, humbjen e vendeve të punës, dhe rritjen enorme të borxhit. Ky argument vlen pothuajse për çdo vend. Si rrjedhojë, janë shkaktuar disa kriza financiare, kriza të borxhit dhe disbalanca të ekonomisë globale.

Libri fillon me një thënie të analistit britanik, John Hobson,  i cili në vitin 1902, propozoi teorinë e ‘nënkonsumit’. Sipas kësaj teorie, shpërndarja e të ardhurave në mes të klasave, e atillë që iu mundëson atyre plotësimin e kërkesës për mallra dhe shërbime, garanton se nuk do të ketë prodhim të tepruar, papunësi apo edhe nevojë për tregje të jashtme – kjo e fundit jo shumë e arsyeshme. Me gjithë mangësitë, kjo teori u diskutua seriozisht nder vite, dhe sipas autorëve është relevante edhe në ditët e sotme.

Autorët në libër argumentojnë që të pabarazia e krijuar, apo të ardhurat që kalojnë tek njerëzit shumë të pasur, nuk po shpenzohen – duke krijuar kështu një lloj “teprice të kursimeve”. Për shembull, shumica e fitimeve të kompanive amerikane investohet në ‘parajsa fiskale’. Në mënyrë specifike, në mes viteve 2012-2017, këto kompani riinvestuan rreth 1.2 trilionë dollarë nëpër korporata që funksionojnë në ‘parajsa fiskale’. Ky lloj modeli, me tepricë në kursime, i detyron njerëzit e zakonshëm të harxhojnë më pak, duke krijuar hapësirë për shpenzime nga bizneset. Në Kinë, familjet konsumojnë më pak se 40 për qind të asaj çka prodhojnë. Në këtë mënyrë, standardi jetësor është rritur shumë më pak sesa prodhimi si tërësi. Kjo pasi që elitat e shoqërisë kineze kanë realizuar përfitimin më të madh, duke zotuar tepricën e prodhimit në fjalë. Për më tepër, në vitin 2000, dy të tretat e vlerës së eksporteve kineze vinin nga vendet e huaja, por produkti finalizohej në Kinë. Në ditët e sotme, shumica e vlerës së këtyre eksporteve përdorin kapitalin fizik dhe human vendor. Gjithsesi, përfitimi nga suficiti tregtar nuk duket të jetë për familjet e zakonshme, por për elitat që investojnë paratë e tyre nëpër tregjet financiare.

Ngjashëm me Kinën, edhe Gjermania ka një suficit të theksuar në bilancin e pagesave. Një qytetar mesatar gjerman është rreth 50 për qind më i pasur se ai italian. Por, pabarazia është aq e theksuar në Gjermani, saqë nëse e krahasojmë medianën e një familje gjermane, del që është më e varfër se edhe ajo spanjolle. Gjithashtu, rreth 90 për qind e firmave në Gjermani janë biznese të 10 për qind të top familjeve në vend. Sipas autorëve, kjo është arsyeja pse konsumi në Gjermani në mes të viteve 2001 dhe 2005 nuk është rritur fare. Në vend të kësaj, elita gjermane ka qenë e interesuar që mjetet e kursyera t’i investojë nëpër tregje financiare, kryesisht në Amerikë. Ata gjithashtu argumentojnë që vendi ka përfituar shumë pak nga suficiti, pasi tregu i shtëpive në ShBA dhe obligacionet e shtetit grek – vende ku ishin investuar paratë gjermane – kanë humbur rreth 7 për qind të vlerës gjatë viteve.

Në fakt, paratë gjermane dhe kineze në tregjet amerikane del se nuk kanë qenë të dobishme as edhe për këta të fundit. Këto mjete kanë pasur rol të madh në përshpejtimin e Krizës Financiare të vitit 2008. Veç kësaj, familjet amerikane kanë përjetuar një rritje të shpejt të çmimit të patundshmërive, e cila doli të jetë e papërballueshme për nivelin e tyre të të ardhurave. Me fjalë tjera, paratë e pashpenzuara në vendet tjera si pasojë e pabarazisë, ishin një prej shkaktarëve të ‘flluskës amerikane të borxhit dhe deindustrializimit’, argumentojnë z. Klein dhe Pettis.  “Bankat e huaja qendrore dhe menaxherët e fondeve investive harxhuan rreth 4.1 trilionë dollarë në blerjen e aseteve të dominuar nga dollari, kjo në mes të viteve 1998-2008”.  Këto hyrje të mëdha të kapitalit përkeqësuan deficitin e madh në ShBA.

Si zgjidhje të problemeve për vendeve me deficit e suficit, autorët përmendin rishpërndarjen e fuqisë blerëse brenda një vendi, e cila pastaj do të ndikonte në marrëdhëniet ekonomike me pjesën tjetër të botës. Kjo shpërndarje duhet të jetë e atillë që personat që e shpenzojnë, nuk duhet të hyjnë në borxhe të reja. Gjithashtu, për të parandaluar flluskat potenciale, shumë vende kanë kufizuar apo ndaluar investimet e huaja në disa sektorë të ekonomisë. Për shembull, Zelanda e Re ka ndaluar blerjen e shtëpive nga ata që nuk janë banorë të përhershëm. Kufizim të ngjashëm është duke aplikuar edhe Australia, pasi që kjo po shihet si alternativë për t’i zvogëluar aktivitetet spekuluese. Në libër, autorët argumentojnë që edhe ShBA duhet të ndjek politikë të ngjashme që të ndaloj hyrjen e kapitalit të padëshiruar.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, është krijimi i një valute botërore, e cila do të shërbente si valutë kryesore për shit-blerje. Kjo do ta zëvendësonte dollarin amerikan. Gjithsesi, kjo mund të mos ndodhë kurrë, por ideja për krijimin e kësaj valute daton nga Keynes-i, i cili në konferencën e Bretton Woods nuk mundi ta shtyjë këtë ide përpara. Në rast të një zbatimit të një valute botërore, kostot e pabarazisë në botë nuk do të ishin të vendeve individuale. Por, nuk duhet harruar që integrimi i ekonomisë botërore nën një valutë do të vinte me kostot e saj.

11 korrik 2020
11:47

Albian Krasniqi