Kosova e Sergio’s - Pjesa II

21 maj 2020 16:24

Sergio Viceroy i Kosovës

Amerikanët dhe rusët, së bashku me presidentin finlandez, Martti Ahtisaari, po përpiqeshin t'i jepnin fund luftës dhe ta kthenin çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit.

Në intervistat pas kthimit të tij nga Kosova, Sergio po argumentonte se Kombet e Bashkuara duhet të jenë përcaktues në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Marrëveshja e Kumanovës u nënshkrua ndërmjet NATO-s dhe forcave jugosllave, e cila marrëveshje i dha fund luftës. Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244 duke i detyruar forcat jugosllave dhe ato serbe të largoheshin nga Kosova dhe të lejonin kthimin e refugjatëve dhe vetëqeverisjes në Kosovë.

Kryevepra e diplomacisë u vu në veprim, derisa në Evropë në fund të shekullit XX, nga perspektiva e OKB-së, një Krahinë brenda Jugosllavisë do të merrej nga Kombet e Bashkuara për t’u qeverisur.

OKB-ja nuk e kishte planifikuar paraprakisht se si të krijonte këtë administratë të re në Kosovë. Ata duhej të drejtonin një vend. Annan dëshironte të kishte sukses dhe të kthejë besueshmërinë e OKB-së.

I duhej Sergio të kthehej prapë në Kosovë. Ai i kërkoi atij që të merrte rolin si Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryeadministrator i Kosovës.

Sergio do të bëhej për herë të parë PSSP, por evropianët donin këtë pozitë për ta, kështu që atij i duhej Sergio vetëm për të vendosur misionin në ditët e para.

Ai u zgjodh nga Annan për të drejtuar Kosovën. Aktivisti i majtë i Sorbonnes tani mori rrobat e një sunduesi ‘kolonial’. Ai do të bëhej Viceroy i Kosovës dhe më vonë u bë pseudonimi i tij në Timorin Lindor.

Kosova dhe Timori Lindor do të ishte hera e parë që Kombet e Bashkuara vendosën për t’i qeverisur, për të marrë sovranitetin nga shtetet për shkak të dhunës dhe abuzimit të të Drejtave të Njeriut ndaj qytetarëve.

Ai mblodhi njerëzit e tij dhe u tha se do të nisen për në Kosovë më 14 qershor. Kishin 72 orë kohë për t’u përgatitur.

Gjatë fluturimit të tij ai do të studionte Rezolutën 1244. Për herë të parë e  kuptoi se OKB-ja do të krijojë dhe drejtojë një administratë të re nga e para.

Kështu, Sergio përcaktoi se çfarë ligji të përdor, si të mbledh taksat, çfarë pasaportash të përdor, si të regjistrojë popullsinë etj.

Ai do të krijojë kornizën që do të qeveriste me Kosovën.

Në Shkup, ai do të takohej me Komandantin e KFOR-it Michael Jackson, i cili e këshilloi Sergion të mos hynte në Kosovë, derisa të sigurojnë territorin.

Sergio kishte frikë se nëse nuk do të shkonte menjëherë në Kosovë, ai nuk do të jetë në gjendje të krijojë së shpejti administratën. Jackson ra dakord ta linte të kalojë kufirin.

Ata nuk kishin asgjë! I huazuan makinat nga agjencia suedeze, “SIDA”, në Maqedoni dhe morën kompjuterët e tyre nga një organizatë humanitare dhe ushqimin nga NATO-ja.

Ishte një mision i paplanifikuar dhe as i përgatitur. Sergio po udhëtonte nëpër të njëjtën rrugë për në Prishtinë që e kishte kaluar disa javë më parë.

Njerëzit që ishin fshehur dolën për t'i përshëndetur në rrugë. Në Veternik ai do të ndalonte makinën dhe do të vinte flamurin e OKB-së në të.

Dennis McNamara, një mik i vjetër i Sergios, po sillte varganin e parë humanitar pas shumë muajsh në Prishtinë. Ata të dy garuan se kush do të hynte i pari në Prishtinë.

Staffan de Mistura do të ishte në të njëjtën kolonë me McNamaran. Tre miq të vjetër dhe kolegë marrin rrugën e tyre për në Prishtinë. Në kryeqytetin e Kosovës Sergio do të organizonte një konferencë për shtyp në Hotel Grand, derisa serbët ishin akoma duke u larguar.

Ata morën me qira një shtëpi për administratën, ndërsa po përgatiteshin të merrnin nën menaxhimin e tyre ndërtesat qeveritare në Prishtinë.

Sergio e kuptoi që përgjegjësitë e tij ishin të mëdha. Ai do të duhej të organizojë shërbimet komunale, teksa Prishtina ishte e mbushur me mbeturina që nuk ishin mbledhur që sa muaj.

Mbi të gjitha, Sergio duhej të siguronte kthimin e refugjatëve dhe planet e rindërtimit.

Kur pyeti Zyrën Ligjore të OKB-së se a mund të marrë nën kontroll kompanitë publike, si Termocentralin, pa e pyetur Beogradin,  OKB-ja nuk e kishte idenë se si t'i përgjigjej, ishte e paparë për ata.

OKB-ja tani do të vendosë nëse ata mund të përdorin një termocentral ose jo. Ai dëshironte të planifikonte kthimin e njerëzve në vendet e tyre të punës, por nuk kishte para për të paguar pagat. Sergio ishte qeveria, por nuk kishte buxhet.

Ai duhej të krijonte një mekanizëm policor dhe sistem gjyqësor, derisa nuk kishte gjetur institucione të mëparshme pasi shqiptarët ishin larguar nga pozitat e tyre në vitet 1989-90.

Më 30 qershor 1999, Sergio emëroi nëntë gjyqtarë lokalë, 6 shqiptarë dhe 3 serbë. Ai rifilloi sistemin gjyqësor edhe pse ishte shumë amator dhe pa burime ose personel tjetër. Por, ai duhej të reagonte për të siguruar kthimin e sundimit të ligjit dhe rendit.

Çdo ditë më shumë se 50 mijë  kosovarë po ktheheshin në Kosovë. Ata do ta gjenin jetën e tyre të shkatërruar, pa shtëpi, gjithçka ishte e dëmtuar ose e vjedhur.

Së shpejti ata do të hapnin edhe varret masive dhe do të shihnin vrasjet masive të kryera nga serbët. Sergio ishte i vetëdijshëm se do të jetë e vështirë dhe sfiduese për të menaxhuar punën e pas luftës në Kosovë.

Sergio emëroi Këshillin Kalimtar të Kosovës që përfaqësonte aktorët kryesorë politikë në Kosovë nga të gjitha grupet etnike.

Shqiptarët e Kosovës kishin dy qeveri me dy kryeministra, Hashim Thaçin, dhe Bujar Bukoshin dhe një president-Ibrahim Rugovën.

Serbët kishin administratën e tyre që u zhvendos në zonat me shumicë serbe. Ai i solli të gjithë në një takim në ndërtesën e ish-APJ-së dhe i mbylli ata derisa ranë dakord për krijimin e Këshillit Kalimtar të Kosovës.

Sergio u tha se OKB-ja do të organizojë zgjedhje që do të sjellin institucione të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Shumë shpejt ai mori një telefonatë nga Annan. Evropianët kishin zgjedhur francezin Bernard Kushner për zëvendësimin e tij. Sergio dhe Kushner nuk ishin miqtë më të mirë. Sergio e urrente faktin që Kushner i merrte kamerat me vete gjatë gjithë kohës.

Më 15 korrik ai do ta prezantonte Kushnerin te Këshilli Kalimtar i Kosovës në ndërtesën e ish-APJ-së në qendër të Prishtinës, ku ai themeloi selinë e Misionit të OKB-së.

Sergio nuk ishte i lumtur të largohej pasi mendonte se mund të bënte një ndryshim, por ai nuk kishte mbështetjen e shteteve kryesore për të mbetur në Kosovë.

Ai u largua nga Kosova, por mbeti me fokus në Kosovë shpesh. Sergio do t’ia shkruante disa sugjerime Annanit se si të adaptohet OKB-ja në situata të ngjashme si Kosova.

Ai do të fliste për Kosovën në Nju Jork dhe media dhe u magjeps për rolin e ri që OKB-ja mund të merrte në shekullin XXI.

Por, OKB-ja duhej të mësojë nga Kosova, thoshte. Menjëherë pas Kosovës, ai u thirr në një vend tjetër për të shkuar me një detyrë të ngjashme. Në Timorin Lindor, ai do të kishte të njëjtin pozicion si në Kosovë.

Në maj të vitit 1999, OKB-ja negocioi me Indonezinë për t’ia mundësuar popullit të Timorit Lindor për të votuar për pavarësinë e tyre pas 24 viteve të pushtimit. Sergio besonte se epoka e pushtimit ka mbaruar. Kosova dhe Timori Lindor ishin dëshmia e tij.

Në tetor 1999, Këshilli i Sigurimit krijoi Administratën Kalimtare të OKB-së atje, duke aplikuar modelin e Kosovës.

Sergio e filloi punën e tij, siç ishte zakon për të, duke iu afruar sa më shumë udhëheqjes së popullatës lokale, veçanërisht Xanana Gusmão, një komandant rebel, i cili kishte vite që luftonte për pavarësi. Përvoja e tij me Kosovën e përgatiti atë për Timorin Lindor.

Ai krijoi Këshillin Kombëtar Konsultativ në modelin që ai aplikoi në Kosovë, dhe, pas një kohe, me sukses krijoi një plan të tranzicionit, sipas të cilit Timori Lindor do të ishte plotësisht i pavarur deri në prill 2002.

Është e vështirë të parashikohet historia, por me siguri largimi i Sergios nga Kosova në korrik 1999 kishte ndikim në zhvillimet në Kosovë.

OKB-ja ka punuar në Kosovë bazuar në parimet që Sergio i vendosi në qershor të vitit 1999.

Në Timorin Lindor ai bëri atë që mund të kishte bërë në Kosovë. Ai zbatoi me sukses vizionin e tij për Kosovën, por jo aty ku e kishte ideuar, por në një vend shumë të largët – në Timorin Lindor!

----

Muhamet Brajshori është Ambasadori i Kosovës në Tajlandë dhe vendet e ASEAN. Pikëpamjet e shprehura këtu janë personale dhe nuk pasqyrojnë ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

21 maj 2020
16:24

Muhamet Brajshori