Ne, njerëzit...

19 maj 2020 11:10

A thua pati të drejtë Tolstoi? A thua me të vërtetë të gjitha familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, ndërkaq ato fatkeqet janë secila fatkeqe në mënyrën e vet? Ngase pikërisht në kohën e vdekjes, përkatësisht në kohën e pandemisë, telasheve e fatkeqësive, kuptuam që të gjithë ngjajmë me njëri-tjetrin – ama bash të gjithë njerëzit e botës.

Sipas një studimi të jashtëzakonshëm shkencor, absolutisht të gjitha qeniet njerëzore në momentet e fundit të jetës, duan katër gjëra të njëjta dhe identike. E ato janë: të përmirësojnë disi (apo edhe të falin) gabimet e bëra gjatë jetës, të jenë afër njerëzve të dashur, t’u tregojnë historinë e tyre dikujt që do t’i dëgjojë, dhe të vdesin pa dhimbje. Përafërsisht kjo është e gjitha. Këtë e dëshmojnë edhe të gjithë ata që merren me kujdesin paliativ sikurse edhe të gjithë profesionistët mjekësorë anë e mbanë botës, deri sa i dëgjojnë me plot empati, ua mbajnë dorën (ani pse përmes lateksit) dhe i thërrasin në telefon pacientët e tyre të dashur derisa ata vdesin nga koronavirusi. Pra, qofshin burra ose gra, të moshuar apo të rinj, të pasur apo të varfër, nga fshati apo qyteti, të krishterë ose ateistë, myslimanë ose budistë, gej ose streit, të majtë ose të djathtë, pronarë ose punëtorë, të bardhë apo të zi, që të gjithë ne kemi po të njëjtat aspirata përderisa na ofrohet fundi. E kjo është dëshira për ta shmangur dhimbjen por edhe nevoja universale e qenies njerëzore për lidhje sociale, afërsi, falje dhe mirëkuptim. Andaj duket se ka ardhë koha që edhe ne të mbijetuarit ta kuptojmë këtë.

Tani do të doja të kuptoja nëse Mario Vargas Llosa, ka të drejtë, kur në esenë e tij “ Kultura e lirisë” pretendon se njerëzit që jetojnë në të njëjtin vend, flasin të njëjtën gjuhë dhe besojnë në të njëjtin Zot mund edhe të kenë diçka të përbashkët? Por ai njëkohësisht dëshmon se janë po këto gjëra që në fakt nuk përcaktojnë atë që vërtet përfaqëson qenia njerëzore. Kjo është edhe arsyeja pse ai bën thirrje për çlirim nga prangat e çdo nacionalizmi, tribalizmi apo edhe parokializmi, të cilat na shiten në formë të një identitetit “kulturor” ose “ kolektiv “. Sipas Llosës në pyetje është vetëm një trillim ideologjik i përshtatshëm e i cili në të vërtetë dehumanizon dhe redukton njeriun në vetëm një anëtar grupi. Ndërkaq njerëzit mbi të gjitha janë qenie origjinale, të lira, autonome dhe krijuese.

Si njerëzillëku ashtu edhe identitetit i tyre i njëmendët qëndron pikërisht në rezistencën ndaj presioneve të trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë më të gjerë, në të cilën janë të zhytur pa dëshirë. Pikërisht në këtë qarje, prej lirimit nga kolektivi, gjejnë edhe veten edhe personalitetin. Megjithatë, ky individualizëm radikal dhe trajnimi i autonomisë personale, kreativitetit apo lirisë, është vetëm njëri nga aspektet e luftës kundër tribalizmit dhe nacionalizmit gjak etur. Sepse nuk duhet harruar se ekziston edhe trashëgimia jonë biologjike universale dhe e përbashkët si anëtarë të qenieve njerëzore, të formuar me evolucion dhe përmes selektimit natyrorë. Të cilat kolektivisht na unifikojnë ashtu sikurse vdekja, dhimbja dhe pikëllimi që na unifikuan gjatë pandemisë Covid-19.

Ne, njerëzit: a jemi të ngjashëm me njëri-tjetrin, apo jemi të ndryshëm? Kjo duket se varet nga mënyra sesi ne i shohim gjërat. Për shembull, kur vizitojmë ndonjë vend turistik së pari fokusohemi tek dallimet. Vëmë re ndryshimet në zakone, pamje, arkitekturë, aromë, shije, dieta, veshmbathje, pasuri, rregulla, norma dhe sjellje njerëzore në përgjithësi. Përqendrohemi tek perspektiva jonë e thjeshtë turistike, e cila shumë shpesh nuk na lejon të vërejmë gjithë atë gjë të madhe dhe të thellë sipas së cilës ne qeniet njerëzore jemi të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe jo sipërfaqësisht të ndryshëm.

E kjo nënkupton se edhe njerëzit e vendeve dhe kulturave tjera, i duan familjet dhe fëmijët e tyre, mbajnë dhe krijojnë lidhje shoqërore e martesa monogame. Që të gjithë përgatisin ushqim, shohin filma, dëgjojnë muzikë, krijojnë art, bëjnë tifozëri për klube sportive, ndjekin modën, dhurojnë dhurata dhe festojnë. Dashurohen, ndahen, bëjnë thashetheme, grimohen, xhelozojnë, vizitohen nëpër shtëpia, tregojnë ndodhi, kërcejnë, këndojnë, aktrojnë, krenohen, turpërohen, qajnë, shpresojnë, ëndërrojnë, frikësohen nga vdekja dhe përcjellin parashikimin e motit. Për shkak të perspektivës së përqendruar ideologjikisht në respektimin e dallimeve tona të ndërsjella, diversitetit dhe identitetit shoqëror lëshojmë mundësinë që të arrijmë t’i kuptojmë të gjitha ato gjeologji të thella e të njëjta ose identike përkatësisht forca natyrore evolutive që ndodhen midis të gjithë nesh.

Udhëtuam në Greqi në det apo në Tanzani në safari, në Evropë për të eksploruar kishat e katedralet apo në Amerikë për work & study – do të vërejmë që të gjitha gjërat e lartpërmendura. Të gjithë njerëzit në botë kanë mite dhe legjenda, folklor, magji, poezi, rituale e mjete. Dhe në të gjitha gjuhët e huaja që të gjithë kanë gramatikë, numra, emra, shumëkuptimësi, kuptime të transferueshme dhe antonime. Në këtë shoqëri, të gjithë ne njerëzit kemi, ndarje punësh, farefisni, familje, grupe shoqërore, dallime në moshë e gjini, status, shkëmbime, tregti, bashkëpunim dhe reciprocitet. Në zakonet dhe normat tona, të gjithë ne, sanksionojmë vjedhjen, vrasjen dhe dhunimin. Kur bie fjala te sjelljet, të gjithë ne njerëzit, njohim agresionin, gjestet, thashethemet dhe ekspresionet faciale. Në secilën mendje njerëzore ekzistojnë emocionet, logjika, dikotomia, frika nga gjarpinjtë, empatia dhe mekanizmat mbrojtës. Të gjithë njerëzit e botës shajnë, tregojnë barsoleta dhe belbëzojnë kur flasin me bebe. Dhe posedojnë emra të përveçëm do të thotë kanë identitete personale. Që. Të gjithë. Njerëzit. Në botë.

Antropologjia është fati i ynë.

Si njerëz, jemi pakrahasueshëm më të ngjashëm sesa më të ndryshëm nga njëri-tjetri. Atëherë, kujt me të vërtetë i intereson se dikujt i pëlqen të ha lakuriq e dikujt jo? Kur të gjithë gatuajmë diçka bashkërisht, a e ndajmë atë ushqim me njëri-tjetrin dhe a preferojmë ta hamë në shoqëri? Dhe kujt dreqin i hyn në punë nëse dikush lutet duke bërë kryqin apo duke u gjunjëzuar? Zotin apo natyrën e kemi dëshmitar se virusi SARS-CoV-2 nuk pyeti për këto dallime. Madje as nuk njohu kufij shtetërorë, gjeopolitikë, ekonomikë, kulturorë, fetar apo seksualë. Ndoshta bash këtë gjë mund ta mësojmë prej tij. Para së gjithash dhe gjithashtu qeniet njerëzore individuale, madje edhe shoqëri të tëra, padyshim se kanë stile të ndryshme jetese dhe fate të ndryshme historike, madje mund të duken edhe relativisht të ndryshëm për sa i përket ngjyrës së lëkurës, formës së hundës ose formave të fytyrës. Ndoshta duket se nuk ka fare ngjashmëri midis gjahtarëve-mbledhës të Luginës së madhe të Tanzanisë dhe hipster programuesve nga Silicon Valley të Kalifornisë. Por, ngjashëm me ajsbergun, nën atë sipërfaqe banale ekzistojnë shtresa të mëdha gjeologjike përvojash të dikujt, të cilat ne si qenie njerëzore me doemos mund t’i kuptojmë. E para së gjithash ato janë vuajtjet, trishtimet, frikërat, zemërimet, dashuritë dhe lumturitë e dikujt. Ndoshta nuk do të mundim të braktisim në tërësi etnocentrizmin dhe nacionalizmin parokial - por le të provojmë? Nëse do të nxjerrim ndonjë dije nga kjo pandemi – ani pse shanset janë të vogla – hajde le të jetë pikërisht kjo gjë e jashtëzakonshme?

Të gjithë njerëzit në botë në thelb janë të njëjtë. Me gjithë respektin për të famshmet dallime kulturore e trashëgimore, të gjithë njerëzit në botë në mënyrë universale dhe të barabartë, kurojnë, vuajnë dhe kujdesen për njeri-tjetrin. Dhurojnë, këndojnë, gatuajnë dhe kërcejnë. Bashkëpunojnë, kujdesën, shërohen, frikësohen dhe dashurojnë. Vajtojnë dhe varrosin të vdekurit. Të gjitha këto sepse në trupat tanë njerëzorë ekziston një gjeologji e njëjtë bazike. I njëjti kod gjenetik me po të njëjtat plane evoluive natyrore të përcjella me nevoja, dëshira, ndjenja dhe pasione. Atëherë, le ta kuptojmë se kur ne duam diçka të ëmbël, po atë pasion e ndajmë edhe me pjesën tjetër të planetit dhe botës së gjallë. Njëjtë sikurse kënaqemi me letërsi, muzikë apo sport. Kur festojmë apo ulemi në pijetore. Ose kur flirtojmë. Ose kur kujdesemi për fëmijët dhe prindërit tanë. Të gjitha këto i bëjmë po njësoj sikurse çdo Homo sapiens i këtij planeti të vetmuar.

Ne, njerëzit, banorët aksidental dhe jetëshkurtër të planetit Tokë, një çudi evolucionare e krijuar në ujë të ndenjur të gjithë së bashku dhe pa dallim jemi pjesë e kësaj supe globale. Të cilën momentalisht po e sulmon një (mikro) organizëm tjetër. Andaj le ta kuptojmë më në fund se ka më shumë gjëra që na lidhin sesa që na ndajnë. A është vërtetë e nevojshme që një virus “gllup”, ca aktorë të Hollivudit apo edhe bukuroshet seksi nga garat për Miss, të na e kujtojnë këtë mençuri universale? Sepse mikrobi SARS-CoV-2 nuk i zgjodhi viktimat e tij dhe vrau e po vret pa dallim njerëzit nga të gjitha racat, fetë e kombet të cilat ne vetë i kemi krijuar, thjesht për interes të pushtetarëve tanë. Mjerimi është hierarkik ama pandemia është demokratike. Gjeologjikisht apo edhe sipas natyrës evoluive, thellë brenda nesh, sipas sjelljeve, dëshirave, shpresave e pasioneve, ne në fakt nuk jemi as evropiane, as sllavë, as të krishterë, as myslimanë, as të majtë, as të djathtë, as ndonjë tjetër entitet parokial e imagjinar. Ne para së gjithash dhe fare në fillim jemi njerëz. Edhe kur jetojmë, edhe kur vdesim e edhe kur mbijetojmë. Ndoshta ka ardhë koha që më në fund ta kuptojmë këtë? Ne, njerëzit....

 

19 maj 2020
11:10

Ardita Dushi