Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ata thonë se është dashuria. Ne themi se është punë e papaguar

Është e një rëndësie të veçantë qysh ndikon situata pandemike te secila gjini e sidomos te gratë. Duke qenë se edhe para pandemisë pozicioni i grave e i burrave në shoqëri ka qenë disproporcional, sepse vetë rendi ekonomik, politik e shoqëror që jetojmë sot është i ndërtuar mbi bazë të pabarazisë e të padrejtësisë, dhe jo vetëm gjinore, por, edhe asaj klasore, racore, kombëtare etj. Për pasojë në momente krizash dalin në pah edhe më shumë kontradiktat shoqërore, ekonomike, politike e rrjedhimisht edhe gjinore. Kështu duke marrë vëmendjen e duhur çështjet si riprodhimi shoqëror, temë e nënpërfaqësuar në diskursin publik deri më tani.

Një nga ndryshimet që ndodhi në përditshmërinë tonë, pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 pandemi, është qëndrimi në shtëpi. Sigurisht edhe kjo varet nga statusi sociali i secilit veç e veç, sepse jo të gjithë e kanë luksin që të rrinë në shtëpi. Ashtu si jo të gjitha punët mund të zhvendosen në shtëpi. Pandemia e bëri kryetemë shtëpinë. Po shohim edhe nga ata që përpëliten nëpër rrjete sociale se qenka shumë e vështirë, e papërballueshme të qëndrosh në shtëpi. Edhe atëherë kur është në pyetje shëndeti. Nëse vit pas viti gjitha matjet tregojnë për përjashtimin që u bëhet grave nga tregu i punës, në masë mbi 80 për qind. Shumica dërmuese e 80 për qindëshit në fakt pjesën më të madhe të jetës e kalojnë të izoluara në shtëpi. Por, kjo nuk përbën fare shqetësim. Gratë mund të qëndrojnë në shtëpi – është në natyrën e gruas thonë konservatorët, që e mirëmbajnë rendin aktual shtypës e shfrytëzues. Këtu kemi një element shumë të rëndësishëm që del në pah. Shumica e grave njëmend janë të izoluara në shtëpi gjithë jetën. Por, ama ato nuk qëndrojnë. Sepse ekziston diçka që quhet riprodhim shoqëror ( jo vetëm aspekti biologjik ) që e mundëson prodhimin ekonomik. Siç thotë edhe Anne Steckner: “prodhimi dhe riprodhimi janë të lidhura ngushtë dhe në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin”. Gratë nuk qëndrojnë në shtëpi, ato punojnë gjithë jetën e tyre në shtëpi. Ajo që ndodh është se puna që bëjnë gratë në shtëpi, në thelb, mohohet si punë. Zhvlerësohet skajshmërisht puna riprodhuese. Punë e cila kryekëput peshon mbi kurriz të grave, ashtu siç është përcaktuar padrejtësisht në definimin e roleve gjinore. Ashtu siç janë konstruktuar gabimisht rolet gjinore nga shoqëria, thotë Simone de Beauvoir.

Mospranimi i punës riprodhuese, si punë, ndodh për shumë arsye, por ndoshta më fundamentalja është puna në hapësirë private e mundëson zhvillimin e punës në atë publike ose atë lloj pune që në terma ekonomikë njihet si punë produktive, e cila këmbehet me një shumë monetare. Definimi i punës në shtëpi në terma monetarë sfidon bazën e sistemit aktual ekonomik. Përbën rrezik të madh për akumulimin e kapitalit nga pronarët dhe pozicionin e të pushtetshmëve. Prandaj, është e leverdishme për status-quo, të mohohet në bërthamë riprodhimi shoqëror si punë ose të jetë anësor. Sepse kështu i mundësohet vijimësia, pa rrezikuar asnjëherë këputjen.

Tash kur pandemia e vendosi në pah se punët si kujdesi ndaj fëmijëve, të moshuarve, pastrimi, gatimi etj., qenka thelbësore për t’u mundësuar cikli jetësor, kurse në anën tjetër janë pikërisht këto lloj të punës që ose tërësisht mohohen si punë, kur bëhen në domenin e privates, ose keqpaguhen dhe qëndrojnë më së poshti në hierarkinë e punëve, kur bëhen në domenin publik. Prej këtu dalin çështje, të cilat për dikë që ka distancë me feminizmin mund të duken të reja. Mirëpo në fakt janë rrahur si problematika që nga shekulli XIX, e në mënyrë më të strukturuar nga lëvizjet feministe të valës së dytë. Ajo çka është thelbësore tek vala e dytë e feminizmit është zgjerimi i gamës së çështjeve që trajtohen edhe përtej karakterit ligjor. Tash fokusi vendoset më shumë te pabarazitë praktike gjinore si të drejtat për punë, të drejtat riprodhuese, familja si dhe përgjithësisht tek diskriminimet shumëdimensionale që mbartin në vete rolet gjinore. Në vazhdën e këtyre problematikave hyn edhe organizimi gjinor i punës në familje dhe jashtë saj.

Në këtë periudhë merr jehonë teza e teoricientes feministe, Silvia Federici “Pagë për punët e shtëpisë”. Kjo kërkesë tejet transformuese, që në thelb e konteston rendin aktual dhe sa herë që riartikulohet përbën rrezik për status-quo. Andaj edhe në vazhdimësi është minuar nga patriarkati, në njërën anë, e kapitalizmi në anën tjetër, duke thirrur që kujdesi ndaj familjes dhe e gjithë puna riprodhuese bëhet në emër të dashurisë. Por, përgjigjen e morën tek pamfleti i Federicit, “Wages Against Housework (1975)” që në hyrje thotë: “Ata thonë se është dashuria. Ne themi se është punë e papaguar”. Një ngarkesë kaq e madhe për gjithë kujdesin familjar t’u faturohet vetëm grave është e pakuptimtë, e nuk mund të justifikohet në emër të dashurisë, sepse dashurisë nuk mund t’i mungojë solidariteti, e assesi nga dashuria nuk derivon nënshtrimi. I vetmi kuptim pse amvisëria është diçka që ka fytyrë gruaje, e merr trajtë natyrore, qëndron në faktin që të vazhdojë të përligjet gjinorizimi i punës. Për pasojë të mbetet i pavërejtshëm thelbi korruptues mbi të cilin qëndron kujdesi familjar.

Sigurisht se argumentimi “Pagë për punët e shtëpisë” është më i gjerë e i thellë sa kaq dhe, më së paku ka të bëjë me një shumë monetare në këmbim të punës pambarim që bëjnë gratë në shtëpi. Para së gjithash është ftesë për diskutim mbi rolet gjinore. E mbi të gjitha shkëputje e idesë që punët e shtëpisë për nga natyra u takojnë grave dhe se janë në to. Është përpjekje për zhbërje të mendimit që gratë lindin me barrën për t’i kryer këto lloj punësh ose janë të predestinuara për to. Në terma të feministes Ann Oakley, punët e shtëpisë nuk janë zgjatime natyrale të rolit të gruas.

Në këtë kuptim në situata krizash si kjo me koronavirusin, kur kontradiktat shoqërore qartazi ashpërsohen, ashpërsohen edhe ato gjinore. Kësisoj krijohen kushtet për reflektim e hapje të diskutimeve e horizonteve të reja. Ku gjinia nuk përbën bazë për shtypje e ku puna nuk vazhdon të ndjekë logjikën shfrytëzuese, rrjedhimisht nuk përbën bazë për shfrytëzim.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.